EDUKATA FETARE, ELEMENT KONSTRUKTIV APO DEKONSTRUKTIV?
Ferdi KAMBERI
Debati mediatik mbi futjen e lëndës fetare nëpër shkollat shqipe në Kosovë nuk ka të ndalur. Në këtë drejtim, individë me backgrounde të ndryshëm mendojnë dhe mbrojnë me fanatizëm idenë se një gjë e tillë është në kundërshtim me etikën kushtetuese të vetë shtetit tonë.
Lënda e edukatës fetare nëpër shkollat kosovare padyshim se do të ishte një element pragmatik, por gjithashtu edhe një element konstruktiv drejt ndalimit të disa fenomeneve devijante të cilat kohëve të fundit e kanë kapluar shoqërinë kosovare, e veçmas të rinjtë shqiptarë.
Është fakt që bota tani gjithnjë e më shumë është duke u globalizuar, kurse shkenca, teknologjia dhe informatika kanë arritur një hierarki piramidale e cila de facto tregon se njeriu modern dukshëm ka përparuar. Krahas këtij hiperzhvillimi me proceset e sekularizmit, shekullarizmit, postmodernizmit etj, edhe religjioni si një proces i ndjeshëm i shoqërisë dukshëm është laicizuar.
Në këtë kontekst, vendi i celulës së përhapjes së laicizmit, Franca, por edhe shtetet tjera, janë duke kontribuar gjithnjë e më shumë në përmbushjen e objektivave drejt raporteve me organizatat fetare si institucione legjitime për organizimin e jetës dhe shërbesave fetare. Shteti si shtet është i obliguar që të paktën t’i ndihmojë financiarisht organizatat fetare, duke kontribuar në këtë mënyrë në përmirësimin e kushteve dhe rrethanave të vetë qytetarëve të atij shteti. Tek ne, për habi, shohim të kundërtën. Ndonëse shpesh flitet për raporte të tolerancës dhe për një bashkëpunim në mes të institucioneve shtetërore dhe organizatave fetare zyrtare, kur jemi tek gjërat madhore siç janë financimi i këtyre organizatave dhe tashmë edhe futja e lëndës fetare nëpër shkollat kosovare, atëherë gjërat marrin një kthesë krejt tjetër. Prandaj, shtrohet pyetja: Kujt po i pengon lënda e edukatës fetare nëpër shkolla? Kush fshihet pas kësaj heshtje, e cila heshtje si duket i dërgon në afekt disa nga individët që me fanatizëm mbrojnë egocentrizmin e tyre, se kjo ide nuk bën të aprovohet?
Njeriu pa komb dhe pa religjion është i verbër, madje këto dy elemente janë pjesë e identitetit të vetë njeriut. Andaj, duke mos dashur të bëjmë një përkufizim shkollor lidhur me kombin, duhet dalluar se kombi është bashkësi popullore, njerëzore, që paraqitet me lindjen e shoqërisë qytetare, si rezultat i ndryshimit historik të formave të bashkimit të njerëzve, me qëllim të zhvillimit dhe mbijetesës së tyre, të cilin e karakterizon territori i përbashkët, jeta e përbashkët ekonomike, kultura specifike, religjioni i caktuar, por edhe gjuha, e cila sipas Karl Dojç-it përbën elementin më thelbësor të kombit. Mirëpo edhe religjioni, sikurse kombi, është proces i ndjeshëm; ai (religjioni) është një lidhje emocionale, shpirtërore, motivuese, psikologjike, metafizike me një fuqi mbinatyrore. Prandaj, nga ky prizëm, shohim se këto dy elemente janë procese të ndjeshme dhe si të tilla meritojnë një analizë të thellë të një qasjeje holistike.
Pse edukata fetare nëpër shkolla?
Eskluziviteti i tërë kësaj mund të jetë një projeksion drejt asaj që futja e lëndës fetare në shkollat kosovare do të ishte një pragmatizëm, por edhe në interes të vetë qytetarëve. Sot jemi dëshmitarë të asaj që në shkollat tona shohim probleme të shumta të cilat tani më janë bërë edhe rutinë. Vlen të hedhim një vështrim në terren dhe do të habitemi nga rrahjet e shumta në mes të rinjve, përdorimi i alkoolit pa masë, përdorimi i drogës, largimi nga orët e mësimit, si dhe shumë probleme tjera që padyshim nuk do të mjaftonin t’i thurim në një refleksion të tillë me pak rreshta. Së këndejmi, duhet pohuar se futja e lëndës fetare nëpër shkolla jo vetëm që do t’u mundësonte të rinjve një shmangie nga dukuritë negative, por secili nxënës të paktën do të mësonte një element inkluziv mbi religjionin e vet.
Edukata fetare përbën një element konstruktiv jo vetëm pse neve na pëlqen të themi kështu, por sepse është një realitet i cili e dëshmon këtë. Hulumtimet e shumta tregojnë se futja e një lënde të tillë në sistemin arsimor padyshim do të ishte një hap i rëndësishëm, si dhe një hap drejt raporteve më të mira ndër fetare. Shtetet e ndryshme, që nga Franca e cila është djep i laicizmit, e deri te SHBA-të, pothuajse të gjitha një gjë të tillë e kanë të rregulluar më ligj. Prandaj, nëse një shtet është laik, ashtu siç e kemi bërë Kosovën, kjo nuk do të thotë që duhet të mungojë mësimi fetar nga shkollat tona, sepse të gjitha shtetet tjera laike një gjë të tillë e kanë dhe e praktikojnë në sistemin e tyre arsimor.
Në Kosovë, edhe pse shumica absolute e popullatës janë me identitet islam, edhe atë mbi 90%, askush nuk i përfillë dëshirat dhe fjalët e tyre lidhur me futjen e lëndës fetare në shkolla, gjë që tregon se shumica po diskriminohet edhe në këtë rast. Madje, fanatikët që mbrojnë me këmbëngulje idetë e ateizmit, theksojnë se pikërisht ISLAMI na ka lënë mbrapa. Kurse realiteti tregon të kundërtën, pra, që njerëzit e tillë vetveten e kanë lënë mbrapa.
Vetëm nëse ia hedhim një vështrim të shkurtë historisë sonë, do të shohim se, kur jemi të feja, Islami në trojet shqiptare nuk ka ardhur më dhunë, siç pretendojnë disa pseudo historianë, por konvertimi i shqiptarëve ka ndodhur në mënyrë vullnetare. Të paktën këtë e dëshmon historia e vërtetë. Për dallim nga individët e ndryshëm me prirje islamofobike, të cilët po tentojnë të nxjerrin justifikime të ndryshme duke etiketuar dhe njollosur shumicën muslimane në Kosovë. Egocentrizmi dhe narcizmi tejet i lartë i këtyre individëve tregon kompleksin e inferioritetit në raport me të tjerët, e sidomos me shumicën muslimane.
Këtu po ashtu duhet theksuar edhe faktin se edukata fetare nuk ka të bëjë vetëm më njërin religjion, por, në esencë, me të gjitha konfesionet fetare të cilat ekzistojnë në Kosovë.
Nëse jemi shtet laik, kjo nuk do të thotë që nuk kemi të drejtë për futjen e edukatës fetare nëpër shkolla
Euforia e tepruar, narcizmi, por edhe egoizmi relativ, kanë bërë të mundur që disa gjëra në terren të hiperbolizohen, madje edhe të marrin konotacion negativ në raport me religjionin. Procesi i laicizmit, si duket, po keqkuptohet dhe po keqinterpretohet në versione të ndryshme. Sipas sociologut bashkëkohor Anthony Giddens, “laicizmi paraqet procesin nëpërmjet të cilit feja e humbë ndikimin e saj në sfera të ndryshme të jetës sociale”. Pra, laicizmi ka të bëjë më shkëputjen e fesë nga shteti (teokracia) dhe të shtetit nga feja (totalitarizmi). Andaj, në këtë drejtim, laicizmi nuk do të thotë që populli nuk ka drejtë të fusë nëpër shkolla lëndën e cila ka të bëjë me përkatësinë e tyre fetare, por laicizmi është procesi apo sistemi ku ka pluralizëm. Dhe ky sistem u adoptua pikërisht pas Revolucionit francez të vitit 1789, kur u pa që kishte nevojë për një pluralizëm dhe një demokratizim i cili popullit do t’i mundësonte një mozaik, një shumëllojshmëri të kulturave, religjioneve, grupeve etnike etj.
Po ashtu, duhet theksuar edhe përvojën e “shteteve tjera laike”, se kur shteti u jep përkrahje institucioneve fetare, ky financim i tyre nuk nënkupton doemos edhe kontrollimin dhe monopolizimin e këtyre institucioneve nga shteti, sepse ato janë në shërbim të komuniteteve fetare të cilat jetojnë po në atë shtet.
Kosova tashmë është pavarësuar dhe është duke ecur me hapa të sigurt drejt mekanizmave euro-atlantik, ka një kushtetutë moderne, në nenin 8 të të cilës thuhet: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Pra, ky “nen” tregon qartë që, edhe pse është shtet laik, ai nuk përzihet në çështjet e besimit, deri në atë moment që një organizatë e caktuar fetare nuk bie ndesh me normat, vlerat dhe ligjet e shtetit të Kosovës.
Pastaj, në shumicën e vendeve demokratike, si Zvicra, Italia, SHBA-atë etj., ekziston e ashtuquajtura “Iniciativë qytetare”, ku qytetarët japin mendimin e tyre lidhur me proceset aktuale, preokupimet dhe çështjet e ndryshme. Në këtë drejtim duhet pohuar se, edhe pse tek ne një gjë e tillë nuk ekziston, sipas deklaratës së të drejtave dhe lirive universale, është e drejtë e njerëzve që i takojnë një konfesioni të caktuar fetar që të kërkojnë të drejtat e tyre, e në këtë rast të kërkojnë futjen e edukatës fetare nëpër shkolla. Prandaj, procesi i laicizmit nuk ndalon një gjë të tillë, madje shumica e shteteve laike e kanë të rregulluar që më herët këtë element.
Kështu që, nga prizmi sociologjik mund të themi se lënda fetare jo vetëm që integron shoqërinë në një element pragmatizmi, por krijon edhe një kohezion social. Për më tepër që edhe vetë edukata fetare është pjesë e identitetit, dhe normalisht që luan një funksion pozitiv në shoqëri, ose të paktën krijon një vetëdijesim te nxënësit për konfesionin e tyre fetar, pavarësisht se cilit besim i përkasin.
Si përfundim mund të themi se, pavarësisht pikëpamjeve egocentrike dhe narcizoide të disa kundërshtarëve të kësaj ideje, edukata fetare nuk është në kundërshtim me ligjin apo kundër konfesioneve tjera, por, përkundrazi, është një element me rëndësi në vetë jetën e individit, madje në aspektin psiko-social ndikon në personalitetin e vetë individit. Duke marrë parasysh dinamikën e shpejtë të jetës, globalizmin, procesin e sekularizmit, proceset radikale të liberalizmit, konkurrencën e tregut të lirë dhe vetë jetën post-moderne, apo atë që Giddens e quan “Modernitet i lartë”, jemi dëshmitarë që, krahas këtyre proceseve, të rinjtë tanë (e sidomos nxënësit) për çdo ditë ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga delikuenca, duhani, alkooli, drogat e ndryshme, humbja e imazhit dhe vlerës së femrës, si dhe një varg anomali tjera. Andaj, edukata fetare nëpër shkolla është më se e nevojshme, sepse, edhe nëse nuk arrin t’i ndalojë apo mënjanojë tërësisht këto anomali, së paku do të krijojë një vetëdijesim tek nxënësit dhe të rinjtë për rrezikun që u kanoset nga sjelljet e tilla devijante.
Sikur edhe në çdo shoqëri tjetër demokratike laike, shkollat e shtetit të Kosovës kanë nevojë për aplikimin e lëndës së edukimit fetar, ku secili nxënës do të ketë qasje mbi konfesionin të cilit i përket. Dhe kjo nuk paraqet asnjë rrezik potencial për shoqërinë kosovare.
Autori aktualisht është Master në Sociologji |