Omer Sulejman ESHKAR
“Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait! Ai (faraoni) tha: A i besuat atij para se t’u japë unë leje? Ai (Musai) është prijës i juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t’ua pres duart e këmbët tërthorazi e do t’u var në trungujt e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm? Ata thanë: Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote! Ne i besuam Zotit tonë që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë, me të cilën ti na detyrove. All-llahu është më i miri (në të shpërblyerit) dhe më i përjetshmi (në të dënuar)!” (Ta Ha: 70-73)
Liria dhe robërimi
Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve, salavati dhe selami qofshin mbi Pejgamberin i dërguar si mëshirë për tërë njerëzimin, familjen e tij, as’habët dhe të gjithë ata që kanë pranuar udhëzimet dhe Sunnetin e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fjala “liri” është fjalë e ëmbël dhe tingëllon bukur në veshët e ithtarëve të “lirisë”, e njëkohësisht vështirësi dhe pakënaqësi për shpirtrat e kundërshtarëve të tyre dhe pikëllim për ata që nuk e gëzojnë atë. “Liria” është tregim i njohur i cili nuk ndalet së rrëfyeri një kohë të gjatë: për të kanë shkruar vargje poetët, në zbatimin e saj janë thirrur kolosët dhe qëllimmirët, dhe shumë herë janë skicuar plane për implementimin e saj dhe heqjen e robërisë. Shumë njerëz kanë flijuar jetët dhe pasuritë e tyre në rrugën deri te liria, e ditën kur e arritën atë, e shpallën ditë feste. Sado që të shfletojmë faqet e historisë duke shikuar popuj të ndryshëm, nuk do të gjejmë popull i cili e konsideron robërinë gjë të bukur dhe mos të ketë dashur që të largohet nga ajo drejt lirisë.
Rrethi i robërisë nga i cili ik njeriu është shumë i ngushtë dhe nëse ai arrin të del prej tij, ai mendon se është i lirë. Megjithatë, në realitet kjo nuk është dalje në liri. Duke vështruar me kujdes, do të hetojmë mbështjelljen me prangat e robërisë së urrejtur të cilën populli aspak nuk e ndjen, por duke kremtuar atë ditë, bie në robëri të re. Në këtë mënyrë nënshtrimi e bën njeriun rob i cili shitet dhe blihet. Njeriu i tillë nuk pyetet për asgjë.
Në situatë të tillë njeriu është i prirë për të robëruar dhe nënçmuar. Kështu një shtet kolonizon shtetin tjetër, një popull popullin tjetër... Gjatë shekujve kanë ekzistuar bashkësi të cilat i kanë përndjekur dhe shtypur të tjerët, të pasurit i kanë shfrytëzuar të dobëtit, fitimtarët të humburit, duke i nënshtruar për interesat e veta, duke i eksploatuar frytet e punës së tyre dhe pasurisë së tokave të tyre. Në të shumtën e rasteve nënshtrimi e arrin vetë kufirin e shkatërrimit të plotë të kombit.
“Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.” (El-Kasas: 4)
Bota bashkëkohore nuk është liruar nga e liga që quhet nënshtrim, edhe pse mundohet që atë ta mbështjellë bukur. Popujt e fuqishëm të kohës bashkëkohore, në emër të civilizimit dhe kulturës, dhe me pretekst të ofrimit të ndihmës për të pandihmët, i kanë nënshtruar më të dobëtit.
Neve muslimanëve na ka goditur pikërisht ky sprovim. Armiqtë tanë janë ndërsyer ndaj nesh: rrënuan hilafetin osman, pastaj ndanë shtetin islam në shtete të vogla, duke i thithur të mirat tona, duke vrarë dhe nënçmuar njerëzit tanë. Ky terrorizëm është i pranishëm në rajonet ku jetojnë muslimanët, e shembull për këtë janë vuajtjet e muslimanëve të Palestinës, Afganistanit, Filipineve... etj.
Gjithsesi, populli i goditur nga sprovat e tilla e do lirinë dhe është i gatshëm që për të të bëjë rezistencë mbinjerëzore, ndërsa, nga ana tjetër, individët e dobët janë të prirë të dorëzohen dhe të pajtohen në bashkëjetesë me nënshtrimin dhe nënçmimin.
Krahas kësaj duhet përmendur vetinë e besimit të verbër, të cilit edhe sot e kësaj dite i dorëzohen grupe të veçanta të popujve, duke e mbajtur në mënyrë fanatike dhe duke u sakrifikuar për të.
Njeriu në të kaluarën ka qenë i ekspozuar shumë veprimeve të gabueshme për shkak të mosnjohjes së asaj që e rrethon. Ai do të tmerrohej para lëshimit të natës dhe paraqitjes së hënës e cila e ndriçon, gjë që i dukej e madhërishme. Pas natës, do të mahnitej me paraqitjen e diellit i cili fshinë errësirën dhe mënjanon dritën e hënës dhe yjeve.
Kështu nga dita në ditë ka ngelur i mahnitur nga këto dukuri.
Pastaj do të qëndronte përpara maleve krenare dhe të palëvizshme, duke ndjerë atë vogëlsinë e vet përpara madhësisë së tyre, ndërsa kur kthehej kah bregu i detit të shqetësuar, valët e të cilit ngrehen si kodra, do gjendej para një çudie.
Në një gjendje të këtillë, njeriu në qenien e vet formon frikë dhe respekt përpara këtyre krijesave të cilat e rrethojnë nga të gjitha anët dhe sikur i flasin pa zë: ne prej teje kërkojmë që të na adhurosh. Kësaj njeriu i përulet dhe fillon t’i lutet dhe të lavdërojë gjithçka që e rrethon. Me zhvillimin e vetëdijes njeriu fillon të shqyrtojë gjendjen e vet, edhe pse ekzistojnë individë të cilët nuk i kanë hapur shpirtrat e vet para “hyjnive” të pandihmë, të cilëve disa u nënshtrohen! Në këtë rishqyrtim të mençurit deri në një farë kufiri të caktuar do të mund të përballojnë që mos të bien nën ndikim të rrethinës. Në këtë mënyrë do të mbahen përderisa të kenë kurajon, megjithatë, kur të ndalen dhe t’u humbasë fuqia, i dorëzohen bashkësisë. Madje në këtë rrugë do të flijonin pasuritë dhe jetët e tyre! Përse? Pikërisht për shkak të botëkuptimeve dhe parafytyrimeve të gabueshme momentale të cilat u janë imponuar.
All-llahu i Madhërishëm, nga mëshira që ka ndaj njeriut, dërgoi të Dërguarit e Vet te secili popull për ta çliruar njerëzimin nga adhurimet e gabuara të cilat e kaplojnë vetëdijen e njeriut. Ato janë parë në pranimin e disa dukurive të caktuara natyrore për zota, duke anashkaluar All-llahun Një. Dukuritë natyrore, sipas mësimeve islame, kanë për qëllim argumentimit e madhërisë dhe fuqisë së All-llahut. Ato shprehin fuqinë e All-llahut.
Krijesat e natyrës tregojnë përulësi dhe nënshtrim ndaj All-llahut të Madhërishëm si Krijues i tyre dhe ato pa rezervë i nënshtrohen Atij.
All-llahu i Madhërishëm me qëllim të caktuar krijoi Tokën dhe qiejt, pastaj u tha: “... Qasuni urdhrit Tim me dëshirë ose me dhunë! Ato të dyja thanë: Po i qasemi me dëshirë!” (Fussilet: 11)
Këto krijesa adhurojnë dhe lavdërojnë All-llahun, duke i bërë sexhde dhe duke e falënderuar në mënyrë të cilën ne nuk mund ta kuptojmë.
“... e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj)...” (El- Isra: 44)
“A nuk e di për All-llahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron All-llahu, nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron.” (El-Haxhxh: 18)
All-llahu i Madhërishëm e dërgoi babanë e të gjithë pejgamberëve, Ibrahimin [alejhis-selam], popullit që adhuronte yjet, Hënën dhe Diellin. Duke debatuar me ta, ai u argumentoi se adhurojnë atë që nuk është e denjë që të jetë e adhuruar, atë që nuk posedon cilësi të vërteta hyjnore e as fuqi krijuese.
“E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi) tha: “Unë nuk i dua ata që humben”. Kur e pa hënën të posalindur tha: “Ky është Zoti im!”, e kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!” Kur e pa diellin të lindur, tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!”, e kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok! Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij, e ai tha: “A polemizoni me mua rreth All-llahut, e Ai më udhëzoi? Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?” (El-En’am: 75-80)
Secili pejgamber i sqaroi popullit të vet në thelb edhe kuptimin e ekzistimit të kozmosit, ashtu që mos të kenë parafytyrime të rreme dhe që gjatë kohës mos të devijojnë nga feja.
“Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli e hëna. Mos i bëni sexhde as diellit, as hënës! Sexhde bëni vetëm All-llahut, i Cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë!” (Fussilet: 37)
Megjithatë, njerëzimi u thellua në besim të shtrembër duke adhuruar idhujt e verbër dhe të palëvizshëm, apo të vdekurit të cilët nuk mund të sjellin dobi, as të bëjnë dëm, të cilët nuk posedojnë fuqinë e dhënies dhe marrjes së jetës dhe fuqinë e ringjalljes. Zotat i kanë bërë me duart e veta, që pastaj t’u përulen dhe të kërkojnë ndihmë prej tyre. Gjithashtu me duart e veta i kanë varrosur të vdekurit, e pastaj prej tyre kërkonin ndihmë, kurse veprat kësaj bote i bënin në emër të tyre.
All-llahu i Madhërishëm i dërgoi pejgamberët e Vet që ta çlirojnë njerëzimin nga devijimi i cili ia nënshtron arsyen e njeriut drurit, gurëve dhe të vdekurve. Ata në këtë rrugë kanë dhënë shumë mund, duke e ngritur njerëzimin përmes diskutimeve, shembujve të ndryshëm dhe duke përballuar shumë sprovime dhe fatkeqësi.
“Ai i tha: “A ju dëgjojnë ata juve kur u luteni?” Ose: “A u sjellin juve dobi apo dëm?” Ata thanë: “Jo, por kështu i gjetëm se bënin edhe prindërit tanë!” (Esh-Shuara: 72-74)
“O ju njerëz, ja një shembull, veni veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni në vend të All-llahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.” (El-Haxhxh: 73)
Megjithatë, shumica e njerëzve mbeti në devijim, duke u pajtuar të jenë robër të idhujve, busteve dhe të vdekurve, dhe duke u betuar në qëndrueshmëri ndaj devijimit të tyre.
“Dhe u thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisni Vedda-në, as Suvva-në, e as Jeguth-in, Jeukë-n e Nesre-n.” (Nuh: 23)
“Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri-tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, pse kjo është një gjë e kurdisur.” (Sad: 6)
I mbyllnin sytë, në mënyrë që zëri i së vërtetës mos të depërtojë në zemrat e tyre.
“Dhe sa herë që unë i thërritja ata për t’u falur Ti atyre mëkatet, ata i vënin gishtat e tyre në veshë dhe mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë.” (Nuh: 7)
Njeriu ka marrë për zot, përveç All-llahut të Madhërishëm, disa njerëz, duke i mbështjellë me kurora shenjtërore dhe legjenda, duke konsideruar se rrjedhin nga familjet hyjnore dhe se janë të një natyre tjetër për dallim nga njerëzit e thjeshtë, sikur në damarët e tyre qarkullon gjaku i kaltër. Disa nga këta njerëz ishin prijës të cilët i nënshtronin njerëzit sipas epsheve dhe dëshirave të tyre, ndërsa disa prej tyre ishin të mirë, mirëpo njerëzit i kishin bërë të shenjtë, edhe pse ata vetë nuk e dëshironin një gjë të tillë.
Shembull nga grupi i parë është ai i Faraonit, i cili pohonte për veten se është hyjni.
Popullit i fliste kështu:
“E u tha: Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En-Naziat: 24)
“... unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje...” (El-Kasas: 38)
Shembull i grupit të dytë janë ata që tejkaluan masën në aspekt të Isait [alejhis-selam], duke i përshkruar atij hyjni me fjalët se ai është Zot apo biri i Zotit apo një prej treve (trinia). All-llahu i Madhërishëm është i lartësuar nga ajo që ata e thonë.
All-llahu i Madhërishëm dërgoi pejgamberë me qëllim që të hiqet robërimi i njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Kështu e dërgoi Musain dhe vëllain e tij Harunin te Faraoni dhe populli i tij, duke u thënë:
“Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.” (Ta Ha: 43-44)
Musai dhe vëllai i tij kanë kërkuar nga Faraoni që t’i lirojnë izraelitët nga robëria.
“I shkoni e i thuani atij: “Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoi beni israilët të vijnë me ne, e mos i mundo!...” (Ta Ha: 47)
Prej Faraonit kërkuan që t’i nënshtrohet Krijuesit të botëve, t’i lirojë izraelitët të cilët i mbante të nënshtruar dhe që t’u lejojë të dalin nga vendi i tij.
Kur’ani qartë shtroi qëndrimin rreth Isait [alejhis-selam], si rob dhe pejgamber i Zotit, të cilin me Fjalën e Vet e krijoi dhe me jetë e frymëzoi. Shembulli i tij është sikurse shembulli i Ademit [alejhis-selam] të cilin Ai e krijoi nga dheu, pastaj tha: “Bëhu” dhe ai u bë ashtu siç deshi të bëhet.
Programi i sotëm i jetës dhe besimit është një devijim i thellë në të cilin ka rënë njerëzimi. Kjo shihet në pasimin e ligjeve, sistemeve dhe rregullave të cilat i kanë shpikur ideologët dhe udhëheqësit në një kohë të caktuar. Në pajtim me gjeneratën dhe kohën këto ligje përjetojnë ndryshime dhe si të tilla zbatohen në shoqëri, por gjithmonë janë në kundërshtim me ligjet e Zotit. Kurse All-llahu i Madhërishëm kërkon dhe urdhëron zbatimin e ligjit të Tij pa asnjë përjashtim, pakësim apo shtim.
“... vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos All-llahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë...” (Jusuf: 40)
All-llahu i Madhërishëm nuk është i kënaqur që dikush t’i bëhet ortak në sjelljen e vendimeve:
“... Në vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush.” (El-Kehf: 26)
All-llahu i Madhërishëm i qortoi çifutët dhe krishterët cilët iu nënshtruan murgjve dhe priftërinjve duke shkelur ligjin e shpallur të Zotit, bënë hallall dhe bënë haram gjërat me arsyen e tyre të kufizuar. All-llahu i Madhërishëm për ta thotë:
“Ata i konsideruan “ambarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes...” (Et-Teube: 31)
Gjithashtu, është e çuditshme se pjesa më e madhe e njerëzimit gjatë shekujve hedh poshtë programin e Zotit për jetë dhe punë, duke u kënaqur me programin të cilin e kanë shpikur vetë njerëzit për ta nënshtruar njëri-tjetrin. Ligjet dhe programet të cilat i bëjnë njerëzit janë në kundërshtim ndërmjet vete dhe secili grup e konsideron veten se është në rrugë të së vërtetës dhe udhëzimit, si dhe se ligjet e tyre u ofrojnë njerëzve liri, paqe dhe lumturi. Krejt kjo çon në konflikte të ndërsjella të cilat në të shumtën e rasteve eskalojnë me luftëra.
“Jehuditë thanë se të krishterët nuk janë të mbështetur në asgjë (nuk kanë fé të vërtetë). Edhe të krishterët thanë se jehuditë nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre, thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhammedin). Po në Ditën e Gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin, All-llahu gjykon ndërmjet tyre.” (El-Bekare: 113)
All-llahu i Madhërishëm për çdo kohë ka shpallur Libër, ashtu që të gjykojë ndërmjet njerëzve për atë në çka nuk pajtohen, duke nxjerrë në pah të vërtetën dhe duke anuluar të pavërtetën.
“Njerëzit ishin një popull (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) All-llahu dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre Ai u zbriti edhe librin me fakte të sakta për të gjykuar në atë që u kundërshtuan ndërmjet veti. Në atë (libër) kundërshtuan vetëm ata që kishin libër (ithtarët e librit). E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në të (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë) nga zilia ndërmjet tyre, mirëpo All-llahu me mëshirën e Tij i udhëzoi ata që besuan tek e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar. All-llahu e vë në rrugë të drejtë atë që dëshiron.” (El-Bekare: 113)
All-llahu i thirri pasuesit e librave qiellorë që të besojnë te Zoti Një i vetëm dhe ta lëshojnë politeizmin dhe shoqërimin Atij me diç të barabartë. Me këtë njerëzit do të tubohen rreth një fjale.
“Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”!” (Ali Imran: 64)
Islami çliron zemrat
Islami erdhi me qëllim të ndalimit dhe çlirimit të njeriut nga robërimi (adhurimi) i kujtdo qoftë përveç All-llahut të Vetëm. Këtë parim e kanë përcjellë bartësit e Islamit, duke udhëtuar deri te udhëheqësit e perandorisë persiane dhe romake, e kur do t’i pyesnin përse kanë kaluar largësi aq të madhe, ata do të përgjigjeshin: “Zoti ynë na dërgoi që t’i shpëtojmë njerëzit nga robërimi ndaj njerëzve në robërimin ndaj Zotit të njerëzve, nga padrejtësia dhe besimet e devijuara në drejtësinë islame dhe nga vështirësitë e dunjasë në gjerësitë e ahiretit”.
Islami kujdes më të madh i kushton çlirimit të zemrës së njeriut nga robërimi. Themi zemrën, sepse ajo është bazë në të cilën pushon tërë trupi dhe sepse ajo udhëheq dhe orienton. Saktësia e zemrës rezulton me saktësinë e njeriut. Në atë kuptim Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] thotë: “Në trupin e njeriut gjendet një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë, i tërë trupi është i shëndoshë; nëse ajo është e sëmurë, i tërë trupi është i sëmurë. Kjo copë është zemra”.
Zemra është vendi i bindjes, vullnetit, dëshirës dhe interesimit, të cilat janë në harmoni proporcionale dhe në varësi me saktësinë e bindjes. Kjo ndikon që zemra të jetë e shëndoshë, e drejtë apo e sëmurë, e kjo shprehet në tërë trupin.
Saktësia e besimit të njeriut manifestohet përmes njohjes me Zotin e tyre, cilësitë, emrat e Tij, ndikimin në botë, pastaj njohjen me cilësitë e melekëve, Ditën e Gjykimit dhe me atë që All-llahu i Madhërishëm e ka përgatitur konform veprave të njeriut përmes zbatimit apo shkeljes së urdhrave të Tij.
Saktësia e besimit në pjesën më të madhe shihet në saktësinë e nijetit (qëllimit), ashtu që njeriu të gjitha aktivitetet e veta ia kushton All-llahut të Madhërishëm, pa dëshiruar (kënaqësinë) e melekëve, sunduesve, drurit, gurit... Vetëm ky lloj i besimit në All-llahun është i pranuar.
“... andaj ti adhuroje All-llahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!” (Ez-Zumer: 2)
“... pra adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij...” (Gafir: 65)
“... Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun!...” (Ez-Zumer: 3)
Besimi i sinqertë është në kuptimin e fjalës La ilahe il-lall-llah - nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut - me manifestimin e të cilës njeriu realizon besimin e vërtetë te Zoti dhe Mbrojtësi i vet. Islami me mësimet e veta çliron zemrat nga frika ndaj zotave të rrejshëm, tagutët dhe zullumqarët.
Frika paralizon lirinë e njeriut, të menduarit dhe dëshirën e tij, dhe e shtyn që të dojë dikë tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm.
Tagutët dhe zullumqarët ditë e natë mundohen që në zemrat e besimtarëve të mbjellin frikë nga pushtetmbajtësit. Për shembull, do të përmendim rastin me Ibrahimin [alejhis-selam], kur diskuton me popullin e vet. Ata e frikonin se do ta gjejë e keqja nga zotat e tyre, në çka Ibrahimi [alejhis-selam] kërkoi mbrojtje te Mbrojtësi i vet, All-llahu i Madhërishëm.
“Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij e ai tha: “A polemizoni me mua, rreth All-llahut e Ai më udhëzoi? Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend? E si t’ju frikohem atyre që ju ia shoqëruat, e ju nuk frikoheni për atë që i shoqëruat All-llahut pa pasur kurrfarë argumenti. E cili grup, pra, është më i drejtë të jetë i sigurt, nëse jeni që kuptoni?” Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë. Këto janë argumentet tona që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë në shkallë të lartë atë që duam. Zoti yt çdo send e vë në vendin e vet, asgjë nuk mund t’i fshihet.” (El-En’am: 80-83)
Gjithashtu, kur Hudi [alejhis-selam] ashpërsoi polemikën me popullin e vet, i cili i tha:
“Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje!” Ai tha: “Unë dëshmitar e kam All-llahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni. (larg adhurimit) Pos Tij. Ju pra, të gjithë përpiquni kundër meje e mos më jepni afat. Unë iu kam mbështetur All-llahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë.” (Hud: 80-83)
Vallë do të mundej Hudi t’i kundërvihet popullit të vet sikur të mendonte se zotat e tyre vërtetë mund të bëjnë dëm apo dobi, apo ata të sjellin fatkeqësi? Zemra e Hudit [alejhis-selam] ishte e pastër nga idetë dhe bindjet se zotat e tillë të rrejshëm mund të sjellin çfarëdo qoftë dëmi. Me këtë bindje mori fuqi që të kundërshtojë popullin e vet, përmes kundërshtimit të ashpër me të cilin i provokon, duke u mbështetur te All-llahu i Madhërishëm, Zoti dhe Mbrojtësi i tij, i Gjithëdijshmi, Ai që ruan robërit e Vet në luftë kundër mizorëve, i udhëzon që të mbështeten vetëm tek Ai dhe të kërkojnë ndihmë vetëm prej Tij.
Ja se ç’i thanë Musai dhe vëllai i tij Haruni [alejhimus-selam] Zotit të vet kur u dha urdhër që të shkojnë te Faraoni:
“Ata të dy thanë: Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh. Ai (All-llahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju).” (Ta Ha: 45-46)
Shejtani i frikon robërit e sinqertë të All-llahut me ithtarët e vet të devijuar, kurse All-llahu i Madhërishëm na udhëzon që mos të kemi frikë prej askujt përveç Atij:
“Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtarë.” (Ali Imran: 175)
Çiltërsia e zemrës së besimtarit te All-llahu dhe mbështetja vetëm tek Ai në çdo kohë, paraqet mbështetje më të fortë në luftë kundër tollovive, dhunës dhe fatkeqësisë jetësore.
Ibrahimin [alejhis-selam] e hedhin në zjarr kurse ai thotë:
“Më mjafton All-llahu, sa ndihmës i mirë që është Ai.”
Junusin [alejhis-selam] e hedhin në ujë, pas çkahit e gëlltit balena, kurse ai thërret:
“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!” Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” (El-Enbija: 87-88)
Nuhi [alejhis-selam] ishte shumë i shqetësuar nga populli i tij dhe pas një periudhe të gjatë të cilën e kaloi në mesin e tyre, kërkon dhe e fiton ndihmën e All-llahut të Madhërishëm:
“(Përkujto) Edhe Nuhun, kur më parë - pat thirrur (Zotin) e Ne ia pranuam atij (edhe lutjen) e atë dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh. Ne e mbrojtëm atë prej atij populli që i përgënjeshtronte argumentet Tona, vërtet ai ishte popull i keq, prandaj i përmbytëm të gjithë.” (El-Enbija: 76-77)
Gjithashtu, shembulli i besimtarëve të paktë të cilët shikuan ushtrinë e Xhalutit, duke kërkuar ndihmën e All-llahut të Madhërishëm, e Atij i Cili ndihmon dhe mposhtë, pas çkahit All-llahu u ndihmoi, andaj ushtria armiqësore mbeti e mposhtur:
“E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: “All-llahu do t’ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej atij, ai nuk është me mua, e kush nuk e shijon atë, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një grusht!” Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë së bashku me te edhe ata që ishin besimtarë thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!” Po ata që ishin të bindur se do ta takonin All-llahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla, me dëshirën e All-llahut, kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” All-llahu është me durimtarët. E kur i dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër pabesimtarëve!” Me ndihmën e All-llahut i thyen ata, e Davudi e mbyti Xhalutin dhe All-llahu i dha atij (Davudit) sundimin, pejgamberllëkun dhe e mësoi atë për çdo gjë që deshi. Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.” (El-Bekare: 249-251)
Besimtarët, të cilët bashkë me Pejgamberin [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dolën në Bedër përpara jobesimtarëve me qëllim që ta zënë rob karvanin, pa menduar fare që të hyjnë në luftë për të cilën kishin pajisje të paktë, u ndalën të befasuar përpara ushtrisë e cila ishte trefish më e madhe sesa e këtyre. Rrugëdalja ishte në lutjen për ndihmë dhe shpëtim drejtuar All-llahut të Madhërishëm, dhe All-llahu me të vërtetë u ndihmoi duke u dërguar te radhët e tyre ushtri të paparë të melekëve:
“Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm t’ju gëzojë (t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është mbizotërues dhe i urtë. Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush të shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t’ju përforcojë me të (me shi) këmbët tuaja. Edhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj). Këtë (ndëshkim për ta) ngase kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e kush kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, nuk ka dyshim se All-llahu është ndëshkimfortë.” (El-Enfal: 9-13)
Kur muslimanët u goditën në Uhud, Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] u urdhëroi as’habëve, luftëtarëve në rrugë të All-llahut, kurse ata akoma ndjenin dhembjet nga plagët e marra, të drejtohen kah jobesimtarët. Gjatë zbatimit të urdhrit të Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem], takohen me një grup kalimtarësh, i cili i lajmëron për komplotin e jobesimtarëve, me të cilin jobesimtarët dëshirojnë shkatërrim të plotë të muslimanëve. Ky lajm nuk i dekurajoi, e as nuk zvogëloi vullnetin e tyre për hakmarrje, por u dëgjua zëri i tyre:
“Na mjafton All-llahu, sa ndihmës i mirë që është Ai”.
“Të cilët edhe pasi i goditi plaga iu përgjigjën All-llahut dhe të dërguarit. E për ata prej tyre që bënë mirë dhe u ruajtën, është një shpërblim i madh. E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh.” (Ali Imran: 172-174)
Mushrikët në Betejën e Hendekut rrethuan Medinen, kurse çifutët shkelën marrëveshjen e lidhur më parë me muslimanët, përderisa munafikët përhapën thashetheme nëpër qytet. Muslimanët kishin frikë të madhe, megjithatë, zemra e Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dhe zemrat e atyre për të cilët ai ka qenë shembulli më i mirë mbetën në lidhje me All-llahun e Madhërishëm. Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] e pa fitoren edhe kundër ushtrisë jobesimtare jo vetëm në këtë betejë, por edhe në betejat me perandoritë e atëhershme të Bizantit dhe atë të Persisë:
“O ju që keni besuar, përkujtojeni të mirën e All-llahut ndaj jush, kur juve u erdhi një ushtri e Ne kundër tyre lëshuam një furtunë dhe ushtri që ju nuk e shihnit, e All-llahu e shihte atë që ju vepronit. Kur ata u erdhën juve edhe prej së larti edhe prej së poshtmi, dhe kur shikimet u shtangën, e zemrat arritën në fyt, e ju sajonit mendime të llojllojta për All-llahun. Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët, dhe qenë tronditur me një dridhje të fortë. Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thonin: “All-llahu dhe i dërguari Tij nuk na premtuan tjetër vetëm se mashtrim!” Dhe kur një grup prej tyre thanë: “O banorë të Jethribit, nuk ka qëndresë për ju, ndaj kthehuni!” E një grup prej tyre kërkonin lejen e Pejgamberit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtura!” Edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura, në realitet ata nuk donin tjetër por vetëm të iknin.” (El-Ahzab: 9-13)
Në këtë situatë të vështirë, Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dhe as’habët e tij kishin besim të fuqishëm në premtimin dhe fitoren e All-llahut.
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun. E kur muslimanët e panë ushtrinë aleate, thanë: “Kjo është ajo që All-llahu dhe i dërguari i Tij na premtuan neve, e All-llahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën”. Ajo (ushtria e armikut që e panë) vetëm ua shtoi atyre besimin dhe mbështetjen.” (El-Ahzab: 21-22)
All-llahu i Madhërishëm i lavdëroi këta besimtarë të zgjedhur dhe të ndershëm, duke thënë:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” (El-Ahzab: 23)
Besimtarët u kthyen duke dëshmuar për ndihmën dhe shpërblimin e madh të All-llahut, munafikët u larguan të poshtëruar dhe me fytyra të nxira, kurse kafirët ia mbathën përplot mllef dhe dhembje.
“Që All-llahu t’i shpërblejë të vërtetit për sinqeritetin e tyre, e hipokritët t’i ndëshkojë, nëse do, ose t’ua falë atyre; All-llahu është që falë shumë, është mëshirues. Dhe All-llahu i zmbrapsi ata që nuk besuan me atë mllefin e tyre, duke mos arritur asnjë të mirë. Dhe All-llahu ua largoi luftën besimtarëve. All-llahu është i fuqishëm, ngadhënjyes.” (El-Ahzab: 24-25)
E sa i përket çifutëve të cilët i kanë përkrahur, All-llahu i dëboi duke ua dhënë tokën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre muslimanëve.
“E ata nga ithtarët e librit (jehuditë), të cilët u ndihmuan atyre (idhujtarëve), Ai (All-llahu) i nxori prej kështjellave të veta dhe në zemrat e tyre u shtini frikën, ashtu që një grup e mbytni, kurse tjetrin grup e robëroni. E juve ua la trashëgim tokën e tyre, shtëpitë e tyre, pasurinë e tyre dhe tokën që ende nuk e keni shkelur. All-llahu është i gjithëfuqishëm për çdo send.” (El-Ahzab: 26-27)
Besimtarët i kuptuan këto mësime në shekujt pas të Dërguarit të All-llahut [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem]. Sundimtarët dhe komandantët e vyeshëm i ruajtën duke i kushtuar kujdes të madh edukimit të ushtrisë sipas parimeve të vërteta islame, të jenë të kënaqur me All-llahun, të frikohen vetëm nga All-llahu dhe që dëshira e tyre më e madhe të jetë kthimi tek Ai. Për shkak të këtyre veçorive u rendën fitoret.
“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.” (Gafir: 51)
Salahuddini në shumë luftëra pyeti për besimtarin e mirë, të drejtë dhe dinjitoz. Zemra e tij do të rehatohej kur në krye të ushtrisë së vet shihte njeriun i cili i drejtohet dhe i lutet All-llahut.
Kur një ushtar musliman në prag të Betejës së Jermukut tha: “Sa shumë romakë ka, e sa pak muslimanë!”, Halid ibn Velidi thirri: “Nuk është ashtu, por thuaj: “Sa pak romakë, e sa shumë muslimanë!”, duke përkujtuar fjalën e All-llahut:
“... Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha...” (El-Bekare: 249)
Pastaj shembulli i prijësit bizantin, i cili u është kërcënuar muslimanëve me numrin e madh të ushtrisë së vet, në çka prijësi i muslimanëve i është përgjigjur: “Erdhëm me një popull i cili e do vdekjen ashtu siç e doni ju jetën”.
Shkaqet e humbjes së Ummetit islam
Kur u dobësua lidhja e muslimanëve me Zotin e tyre, shumë muslimanë u larguan nga All-llahu duke kërkuar ndihmë nga Amerika, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia... e pastaj u rendën humbjet e tyre. Armiqtë ua morën tokën, duke i mbytur dhe nënshtruar, kurse fatkeqësitë dhe shfrytëzimet të cilat i përjetojnë sot myslimanët, nuk janë asgjë tjetër përveç se rezultat i një sëmundjeje të rëndë nga e cila lëngon bota islame. Shembulli i kësaj sëmundjeje, e cila ka sulmuar trupin e dobët, është sikurse shembulli i shtëpive të rrënuara, të cilat nuk mund t’i përballin sulmeve të shtrëngatave të fuqishme.
All-llahu i Madhërishëm na tërheq vërejtjen se do t’i dënojë ata që do të largohen nga udhëzimi i Tij përmes fatkeqësive dhe kataklizmave të ndryshme, që vallë kjo mos t’i shtyjë të pendohen dhe të kthehen.
“Ne kemi dërguar (pejgamberë) edhe te popujt para teje (e derisa nuk dëgjuan), i dënuam me skamje e mjerim, ashtu që të përulen.” (El-En’am: 42)
Prej sprovimeve të shumta në të cilat kemi rënë ne muslimanët, populli të cilit i është lënë në amanet Shpallja universale, është edhe ajo se kemi lënë armët në luftë kundër të këqijave dhe armiqve. Prandaj All-llahu i Madhërishëm na vë në sprovë, qoftë me muslimanët e devijuar apo qoftë me jobesimtarët.
Të marrim mësim nga populli çifut dhe vuajtjet e tij kur, për shkak të turbullirave që vigjilonin mbi tokë, All-llahu kundër tyre i preku armiqtë e tyre. Në mesin e tyre kishte edhe pejgamberë edhe njerëz të mirë.
“A nuk ke marrë vesh për parinë e bijve të Israilit pas Musait? Kur i patën thënë një të dërguari të tyre (Shem’unit): “Cakto për ne një sundues e të luftojmë në rrugën e All-llahut!” Ai (Pejgamberi) tha: “A mund të ndodhë që nëse lufta u bëhet obligim ju të mos luftoni!” Ata thanë: “E ç’kemi ne që të mos luftojmë në rrugën e All-llahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe bijtë tanë..” (El-Bekare: 246)
Mexhusitë (adhuruesit e zjarrit) i sulmuan çifutët nën komandë të Nabukosodorit, duke i okupuar dhe duke ua djegur vendbanimet, në sulmin e të cilëve është shkatërruar një numër i madh njerëzish, kurse të tjerët janë robëruar. Pas kësaj mbetën në robëri shtatëdhjetë vjet.
Muslimanët, kur t’i kthehen nënshtrimit ndaj All-llahut të Madhërishëm nga dashuria që kanë ndaj Tij, duke iu frikuar vetëm Atij, duke iu kthyer vetëm Atij si shembull i udhëzimit të tyre, duke iu mbështetur Atij dhe duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, atëherë do të jetë i përmbushur kushti për ndihmën e tyre dhe kënaqësinë e Tij me atë popull, nga i cili Ai do ta ngrejë urrejtjen dhe qortimin.
Kemi mësim edhe nga populli afgan, kur muslimanët duarthatë u ngritën kundër ithtarëve të mosbesimit dhe tiranisë të quajtur komunizëm, ithtarëve të devijimit të cilët deshën të largojnë Islamin nga vendi. Populli duarthatë, me pajisje të parëndësishme luftarake, iu kundërvu fuqisë prijëse në botë, Rusisë! Ndihma e All-llahut nuk mungoi. Gjatë katër viteve të luftës, zunë peng një sasi të madhe të armatimit armiqësor, robëruan kuadrot e tyre, ua rrëzuan me qindra aeroplanë, ua shkatërruan me mijëra tanke dhe vranë me dhjetëra mijë armiq të All-llahut. Nga burime besnike dihet për dukuritë mbinatyrore me të cilat All-llahu i Madhërishëm e ka ndihmuar ushtrinë e Vet, duke i nënshtruar jobesimtarët. Numri i muxhahidëve ishte shumë më i vogël sesa numri i paganëve, kurse i mundën edhe me njerëz, po edhe me teknikë luftarake, përkundër mbifuqisë së dukshme të Rusisë.
Krejt kjo na tregon për ndihmën e All-llahut të cilën ua dha luftëtarëve në rrugë të Tij. Kjo luftë është argument kundër individëve të pakujdesshëm të kësaj kohe, i cili porositë: “Krahas fuqive të mëdha në botë, ekziston edhe fuqia e Zotit, e cila ka mundësi të ndryshojë rrjedhat e historisë, megjithatë, ajo pasqyrohet te luftëtarët e saj (besimtarët) të cilët janë të gatshëm t’i sakrifikojnë jetët e tyre në rrugë të Zotit, duke ndjekur udhëzimet e Tij. Në realitet, kjo është rezultat i besimit të pastër i cili është mbjellë në zemrat e besimtarëve dhe që është liruar nga idetë e rreme, qofshin ato prej idhujve të vdekur apo të gjallë.
Liria në Islam pasqyrohet në fotografinë e besimit tonë të sinqertë. Liria domethënë nënshtrim i shpirtit ndaj All-llahut, të cilit i është obliguar t’i dëgjojë urdhrat e Zotit, të cilat janë në vetëdijen islame dhe mënyrën e të menduarit, në kulturën e të folurit dhe aktivitetet në suaza të Islamit, si dhe ligjin islam si bazë sipas së cilës ndërtohet jeta jonë.
Të kuptuarit e lirisë në Islam
Ekzistojnë shumë “liri” me të cilat njerëzit lavdërohen sot në të ashtuquajturin shekull modern. Këto “liri” nga aspekti islam nuk janë asgjë përveçse feja e këtij shekulli, të cilës bota ia dha emrin demokraci. Njerëzimi është në qëndrimin se vendosja e sistemit demokratik shënon kulmin e lirisë deri te cila mund të arrijë lloji i sotëm njerëzor. Në atë sistem popujt zgjedhin kryetarin e shtetit dhe përfaqësuesit e tyre parlamentarë, të cilët pastaj votojnë gjërat për të cilat vetë anojnë. Ky anim shprehet në aparatin për ekzekutimin e vendimeve të marra. Ky rend në Islam quhet robërimi i njerëzve ndërmjet vete, gjegjësisht shpallja hyjni e disa njerëzve prej disa të tjerëve. Njeriu nuk e ka të lejuar që sipas dëshirës dhe mendjes së vet të bëjë ligje, sidomos në domenet e ndjeshme të cilat All-llahu i Madhërishëm i ka lënë që Ai vet t’i përcaktojë dhe zgjidhë. Nuk është në kompetencë të njerëzve që të ligjësojnë dispozita në fusha të cilat me Kur’an qartë dhe saktë janë definuar. Nëse bëjnë diç të tillë, atëherë ata bëhen zota ligjdhënës krahas All-llahut të Madhërishëm.
All-llahu i Madhërishëm i qortoi çifutët dhe krishterët, të cilët dijetarët dhe murgjit e tyre i konsideruan për zota krahas All-llahut. Nga hadithi i Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] përfundojmë se i kanë konsideruar për zota të tyre, ashtu që i kanë pasuar në mësimet e tyre me të cilat kanë ndaluar atë që e lejuar Zoti dhe e kanë lejuar atë që e ka ndaluar Zoti.
Atëherë ç’të thuhet për gjeneratën e re e cila të gjithë përfaqësuesve të vet u jep liri të përgjithshme në sjelljen e ligjeve, ashtu siç dëshirojnë ata. Me ligjet e tyre ata miratojnë kamatën, prostitucionin, homoseksualizmin, abortin, alkoolin..., dhe shumëçka që është në kundërshtim me udhëzimet kur’anore. Megjithatë, kjo është sipas parimeve demokratike, të cilat nuk janë të përhershme e as të pandryshueshme.
Ky lloj i ligjvënies paraqet lloj tipik të robërimit - robërimi i ndërsjellë i njerëzve. Këtë shumica e njerëzve e konsiderojnë kulmin e lirisë.
Liria e vërtetë pasqyrohet në nënshtrimin vetëm All-llahut dhe në pranimin e programit të Tij si burim i ligjvënies dhe gjykimit ndërmjet popujve dhe individëve, duke hedhur poshtë të gjitha ligjet tjera. Me mosnënshtrimin ndaj All-llahut të Madhërishëm, njerëzimi i lëshohet krijesave të cilave kjo nuk u ka hije - njerëzve siç janë edhe ata, apo krijesave më të dobëta se edhe vetë ata. Kurse shkatërrimi qëndron në atë se njeriu i adhuron krijesat sikurse veten apo idhujt, të cilët nuk shohin dhe nuk dëgjojnë, nuk bëjnë dobi e as nuk dëmtojnë. Ai i cili me të vërtetë meriton të jetë i adhuruar, është Ai cilësitë e të Cilit janë hyjnore, të pakufizuara.
“Thuaj (o i Dërguar): “Falënderimi i qoftë All-llahut, e shpëtimi qoftë ndaj robërve të Tij që Ai i zgjodhi (pejgamberët)! A më i mirë (për të besuar) është All-llahu, apo ata që ia bëjnë shok? Ai që krijoi qiejt e tokën, që për ju lëshoi shi nga qielli, e Ne me të bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to; A mos ka ndonjë zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën). A është Ai që tokën e bëri vendqëndrim e nëpër të bëri të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese, dhe në mes dy deteve bëri ndarje. A ka përveç All-llahu zot tjetër? Jo, por shumica e tyre nuk e dinë. A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni. Ai që ju orienton në errësirat e tokës e të detit, dhe ai që pranë mëshirës së Tij (shiut), si myzhde i lëshon erërat. Vallë, a ka tjetër zot pos All-llahut? E lartë është madhëria e Tij nga çka ia përshkruajnë shok. Ai që e fillon krijimin (e njeriut) e pastaj e përsërit atë (e ringjall pas vdekjes) dhe Ai që ju furnizon nga qielli e toka. A mos ka zot tjetër pos All-llahut? Thuaj: “Sillni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë!” (En-Neml: 59-64)
Shko lart...
Dr. Murad Wilfried Hofmann
Ky artikull analizën e vet e përkufizon në Islamin politik në Evropë dhe SHBA. Niset nga fakti i konsenzusit në rritje se muslimanëve u është e lejuar të jetojnë dhe veprojnë politikisht në Perëndim, sepse demokracia - më së paku në bazë të dhjetë pikave të përbashkëta - tani shikohet si thelbësisht kompatibile me Islamin. Këto pika inkuadrojnë ndarjen e pushtetit, zgjedhjen në funksione, obligueshmërinë e konsultimit, si dhe kufizimet kushtetuese dhe revizionin e ligjvënies. Përforcimi (në aktivitetin politik) prej më parë supozon që muslimanët të mbizotërojnë trashëgiminë e vet të heshtjes, duke u bërë më të vetëbesueshëm. Gjithsesi, kushtet që ashtu të punohet dallohen nga shteti në shtet. Momentalisht nuk do të ishte mençuri të formohen parti islame. Për çdo rast, shumica e kërkesave muslimane mund të realizohen edhe pa to. Aktivizmi politik musliman duhet të jetë i zhvilluar përbrenda partive ekzistuese, por gjithashtu edhe në media, në akademi, në administratë, në pushtetin lokal dhe në arsim. Pranimi është ndërthurur me ndasitë etnike “të të huajve muslimanë”, e gjithashtu edhe “xhamive ideologjike”. Megjithatë, arritja e harmonisë duket shumë më e rëndësishme se mundi në arritjen e unitetit të centralizuar. Islami politik mundohet që (1) Perëndimi të bëhet vend i sigurt për Islamin (2) që Islami të bëhet faktor amë (3) dhe të mbizotërojë krizën kulturore e cila është shkaktuar nga shekullarizmi. Prej këtu, muslimanët jo vetëm që kujdesen për çështjet e veta, por interes i tyre është edhe mirëqenia e tërë shoqërisë. Ata nuk janë aty që vetëm të përfitojnë diçka, por edhe të japin diçka që është e rëndësishme për të gjithë: spiritualizimin dhe moralizimin e sërishëm të shoqërive perëndimore
Fuqizimi politik: Si të veprohet?
Pas këtij konstatimi, tani mund t’u përvishemi çështjeve shumë më konkrete mbi atë se si pakica muslimane duhet të vazhdojë të hapërojë drejt arritjes së fuqizimit dhe aftësimit politik, dhe të bëhet lojtar politik në Perëndim:
1. Edhe këtu, gjithashtu, mund të jepen katër vërejtje preliminare:
a. Peizazhi juridik dhe politik është aq i dallueshëm në secilin vend veç e veç që do të na interesonte, sa që pothuajse është e pamundshme të bëhen propozime konkrete të cilat do të vlenin për të gjitha ato. Në anën tjetër, çdo përgjithësim mbi Islamin në Evropë Jacques Waardenburg e quajti shumë të rrezikshëm.
Si minimum, faktorët që duhet të merren në shqyrtim në secilin rast veçmas inkuadrojnë si vijon:
- A ekzistojnë kujtime kolektive negative të cilat kanë të bëjnë me Islamin? Për shembull, vendet të cilat dikur i ishin shumë të nënshtruar “kërcënimit turk” tregojnë ndjeshmëri të posaçme që është e panjohur për të tjerët.
- Vallë popullata muslimane, siç është rasti në Francë dhe Britani të Madhe, në pjesën më të madhe e realizon të drejtën për nënshtetësi apo jo (siç është në Gjermani)?
- Vallë rrethimi politik a është i rregulluar sipas parimit të sistemit bipartiak (siç është në SHBA dhe, në esencë, në Britani të Madhe) apo ai është shumëpartiak?
- A janë forcat cioniste të forta në pushtet, në media dhe në akademi?
b. Është me rëndësi të kihet ndërmend se në demokracitë moderne pushteti nuk përbëhet vetëm nga ndarja trepjesëshe: ekzekutive, ligjvënëse dhe gjyqësore - por kësaj ndarjeje i shtohet edhe segmenti i katërt: mediat. Prej këtu, nëse muslimanët duan të hapërojnë në arenën politike, ata duhet të fokusohen në media në të njëjtën masë sikur edhe në pushtetin. Sipas kësaj, të shkollohen gazetarë muslimanë është po aq me rëndësi sa edhe të shkollohen juristë dhe nëpunës civilë muslimanë.
c. Pengesa më e madhe për pjesëmarrjen më të madhe politike muslimane nuk është rrethimi refuzues antiislamik, por indiferenca dhe “mentaliteti mbijetues” i masave muslimane, një trashëgimi shumë negative e pasivitetit të tyre të sjellur nga shtëpia. Prej këtu Sulejman Nyang e konsideron si të domosdoshme që të fillojë politizimi i muslimanëve përmes “prerjes së pyllit të dendur të heshtjes politike”.
ç. Do të ishte gabim të pohohet se fuqizimi politik presupozon organizimin partiak - muslimanët mund të realizojnë shumicën e qëllimeve të tyre: pranimin, participimin dhe mbrojtjen edhe pa hyrje direkte në politikën partiake.
2. Madje ngapak është e pakuptimtë që të themelohen parti politike islame gjithnjë përderisa baza votuese muslimane të jetë aq e vogël sa që votimi për kandidatin musliman të nënkuptonte votën e humbur. Ç’është më e keqja, partitë islame munden pa nevojë të krijojnë frikë. Ashtu siç u shpreh në mënyrë korrekte Yvonne Haddad: “Muslimanët në Perëndim në përgjithësi kanë përfituar kategorinë e ‘profilit të ulët’ për shkak arsyeve të sigurimit”. Ky motiv për pasivitetin organizues edhe më tej është i plotëfuqishëm. Kjo është arsye për çka muslimanët amerikanë mirë të organizuar dhe politikisht të zgjuar nuk kanë menduar aq gjatë për themelimin e partisë muslimane, përse iniciativa në Berlin asnjëherë nuk ka lëvizur nga fundi, dhe përse përvoja britanike nuk ka dalur aq fatlume. Ndjenja e tyre e dinjitetit dhe frika e tyre e arsyeshme që mos të kualifikohen si naivë duhet të pengojë muslimanët nga eksponimi i hershëm i rrezikut të daljes në arenën partiake.
Kjo nuk pengon muslimanët:
- që të hyjnë në partitë ekzistuese;
- të kandidohen për funksione më të ulëta zgjedhore (këshillat drejtues shkollor, përfaqësim në komunë, këshill të qytetit);
- të bëjnë që pjesëmarrja e tyre në zgjedhje të ketë peshë politike gjatë zgjedhjeve të përgjithshme;
- të lobojnë në nivelin më të lartë politik, dhe
- të kërkojnë njohje zyrtare.
Në të gjitha këto pikëpamje muslimanët amerikanë janë shembull për t’i ndjekur. Ata nxisin vëllezërit dhe motrat që të shkojnë në Partinë Demokratike apo Republikane, plotësisht të vetëdijshëm se asnjëra prej tyre nuk ka pranuar platformën e cila në tërësi është e pranueshme për muslimanët, edhe në politikën e jashtme (Palestina, Kashmiri etj.), edhe në të brendshmen (homoseksualiteti, aborti, evolucionizmi, etj.).
Për dallim nga pozita në Britani të Madhe dhe në Gjermani, ende nuk ka ndodhur që një musliman të jetë zgjedhur në Kongres. Megjithatë, muslimanët amerikanë sistematikisht e prezentojnë veten në pozita më të ulëta zgjedhore. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, Këshilli musliman amerikan (American Muslim Council - AMC) në Washington rëndom nxit muslimanët në regjistrimin e votuesve. Muslimanëve u lihet që në secilin distrikt të vendosin se cilin kandidat do ta përkrahin, pasi që sistematikisht të shqyrtojnë qëndrimet e tyre ndaj çështjeve të cilat janë të afërta për muslimanët. Shkalla e lartë e organizimit të muslimanëve në Amerikë dhe kreativiteti i tyre, i cili nuk mund të krahasohet me asnjë bashkësi tjetër në Perëndim, gjithashtu sqaron efikasitetin e lobit musliman në Washington. Prej këtu:
- kryetarët amerikanë filluan të shtrojnë iftare në Shtëpinë e Bardhë;
- t’u dërgojnë urime muslimanëve amerikanë me rastin e dy bajrameve;
- parku i Shtëpisë së Bardhë, me rastin e festave të Vitit të Ri, tani gjithashtu është zbukuruar edhe me gjysmëhënë dhe yll;
- në hapjen e Kongresit gjithashtu praktikohet edhe leximi i lutjeve muslimane, dhe
- Forcat e armatosura amerikane tani kanë mesxhide në bazat e tyre kryesore dhe kanë të punësuar katër imamë muslimanë në cilësinë e “famullitarit” - klerit ushtarak.
3. Prap, politika jopartiake mbetet fushë e veprimit e cila më së shumti premton për të gjitha pakicat muslimane.
a. Disa, sikurse Ahmed von Denfferi nga Qendra Islame në Munih, shkojnë aq larg saqë përcaktohen vetëm për punë të muslimanëve në nivelin themelor me njerëzit e rëndomtë. Ideja është që Islami të ndërtohet prej poshtë lartë, të organizuar në grupe të vogla. Në të vërtetë, pa përhapje të bazës së vet dhe produkimit të numrit të mjaftueshëm të anëtarëve të muslimanëve domicil (vendas), sidomos me arsim akademik, tentimet për prezentimin e Islamit në nivelin më të lartë nacional duken mjaft artificiale. Së paku, duket mençuri të pritet pjekuria e gjeneratës së tretë të imigrantëve para zgjerimit të mëtejmë të vëllimit punues, sepse vetëm atëherë kur bashkësia lokale muslimane të mos shikohet më si element i huaj, pakicat muslimane mund të tentojnë të fitojnë pozitë të lartë.
b. Të tjerët, në të cilët hy edhe unë, propozojnë punën në nivelin themelor, me aktivizëm politik në nivelet më të larta. Kjo, gjithsesi, supozon shkallë të caktuar të unitetit ndërmjet çdo pakice individuale, gjë që secilit i ka munguar një kohë të gjatë. Ekzistojnë organizata konkurruese në Francë, Britani të Madhe, Gjermani dhe SHBA (ISNA, ICNA dhe ministeriumi Afrikano-amerikan “Warith Deen Muhammad”), kurse kjo diskrediton përpjekjet e tyre të prezentimit në nivel qendror. Në të vërtetë, muslimanët janë aq të llojllojshëm, sa që hutojnë secilin shef të protokollit! Kjo llojllojshmëri më pak ka karakter denominues (sunni, shija, sufi), e më shumë etnik. Në të gjitha vendet evropiane, SHBA dhe Kanada ekzistojnë edhe më tej shumë xhami të cilat nuk janë të njohura si islame, por si indo-pakistaneze, arabe, shqiptare, algjeriane apo turke. Kurse këto të fundit prap ndahen në xhami Milli Görüs, Nurculuk, Süleymanci, apo ato që janë të lidhura me shtetin turk - Diyanet. Prej këtu takohemi me “xhamitë ideologjike”, në të cilat janë të shpeshtë “muslimanët e kalitur ideologjikisht”, sikurse muslimanët pakistanezë ose muslimanët afrikanë, të cilat mund të jenë madje edhe të karakterit ndarës. Situata e përshkruar është përkeqësuar nga fakti se disa organizata muslimane në Evropë - shumë më tepër në SHBA - edhe më tej qëllimet dhe aktivitetet e tyre politike i fokusojnë në vendlindjet e tyre. Me sa duket, dëshirë më e madhe e tyre është riislamizimi, të themi, i Turqisë apo Tunizisë, sesa islamizimi, të themi, i Belgjikës apo Suedisë. Ky separatizëm brendaislam torpedon veprimin efikas politik madje nën nivelin lokal.
c. Është tejet i mirëseadhur funksionimi, prej vitit 1996, i prezentimit qendror të pakicave muslimane në nivel evropian në formë të Këshillit koordinues musliman (Muslim Coordination Council in Europe), të cilin e udhëheq dr. Abdallah Boussouf në Strasbourg.
4. Arsimi bëhet mbështetetja e domosdoshme për praninë më të gjerë politike, kurse pakicat muslimane edhe më tej nuk e marrin seriozisht detyrën për formimin e muslimanëve të mirë, të arsimuar dhe besnikë përbrenda gjeneratës së tretë (edhe pak dhe të katërt) të imigrantëve. Kjo detyrë prej më parë presupozon më tepër libra islamë për fëmijë, më shumë shkolla islame dhe më shumë kapacitete për arsimimin e mësuesve të fesë dhe imamëve. Në nivelin më të lartë akademik, muslimanët duhet të bëhen të aftë që gradualisht të zëvendësojnë studimet orientaliste “të islamologjisë” me studimet e tyre islame në fushën e tefsirit, hadithit, sires - jetëshkrimit të të Dërguarit, historisë dhe kelamit - krejt kjo me ndihmën e profesorëve të kualifikuar dhe besnikë muslimanë. Në kohën e fundit janë bërë disa hapa në atë drejtim, prej të cilëve do të përmendim disa institucione:
- Fakulteti shkencave shoqërore islame në Leesburg, VA, SHBA (the Graduate School of Islamic Social Studies - SISS)
- Instituti i Markfieldit për arsim të lartë (the Markfield Institute of Higher Education - MIHE) në Leicestershir (rajon i qytetit anglez Lester, Britani e Madhe), dhe
- Akademia Islame për pedagogji fetare (Islamic Academy for Religious Pedagogy – IRPA) në Vjenë, Austri.
Në Gjermani, vetëm një musliman ka arritur rangun e profesorit ordinar universitar në fushën e shkencave islame, edhe pse ekzistojnë afro dyzet universitete të cilat ofrojnë atë fushë për studim.
5. Sa i përket punës në fushën mediale, muslimanët në Amerikë përsëri mund të jenë model për muslimanët evropianë. Në Amerikën Veriore gjejmë këta shembuj: Këshilli musliman i çështjeve publike (a Muslim Public Affairs Council - MPAC), Këshilli Islam i çështjeve publike (an Islamic Public Affairs Council - IPAC), Këshilli amerikan i çështjeve publike (an American Council for Public Affairs - ACPA), Komiteti Arabo-amerikan antidiskriminues (Arab-American Anti-Discrimination Committee - ADC), Grupi i rrjeteve islame (Islamic Networks Group – ING), Mosanimi dhe saktësia në raportim (Fairness and Accuracy in Reporting - FAIR), Muslimanët e Bashkuar të Amerikës (United Muslims of America - UMA) dhe natyrisht, Këshilli për marrëdhënie amerikano-islame, i cili është shumë efikas (Council on American-Islamic Relations - CAIR) me seli në Washington, D.C., dhe Santa Clara, CA. Disa prej këtyre grupeve janë haptazi të inspiruara nga organizatat çifuto-amerikane, e vetmja gjë që mund t’i bëjë më operative. Muslimanët amerikanë munden me siguri të pohojnë se “Bashkësia muslimane në Amerikë posedon më shumë resurse financiare, njerëzore dhe teknologjike se sa cilido vend tjetër musliman në botë”.
CAIR sidomos është njohur me aktivitetet ditore të përcjelljes së mediave. Nëse ndodhë “gjendja e gatishmërisë mediale”, është në mundësi që njëkohësisht t’u dërgojë njëzet e pesë mijë faks letra kompanive apo shtëpive mediale të cilat seriozisht kanë shkelur të drejtat e muslimanëve. Është dëshmuar si vepruese në rastet kur kompanitë e mëdha si Nike dhe Master Card kanë prekur ndjenjat e muslimanëve. Për çdo vit CAIR publikon Raportin musliman për të drejtat civile (a Muslim Civil Right Report), i cili përcjell aktivitetet antiislame. Shembujt e veprimit të CAIR-it mund të shërbejnë që të bëhet dallim ndërmjet asaj që është e mundur këtu në Evropë dhe atje përtej. Të qenurit me plot vetëbesim, deri në masë të të bërit agresiv për mbrojtjen e të drejtave që të takojnë, është veprim i pranueshëm në Amerikë:
- ku prej pakicave është e natyrshme të ngritet zëri,
- ku Islami është vetëm njëri nga 261 religjionet e regjistruar në Forcat e armatosura amerikane,
- ku muslimanët nuk përbëjnë një grup të madh etnik, siç është në Britani të Madhe, Francë dhe Gjermani, por rrjedhin nga të gjitha anët e botës, dhe
- ku jetojnë 2,5 milionë muslimanë, afroamerikanë, të cilët këtë vend e kanë atdheun e tyre të vetëm.
Në Evropë gjërat janë më ndryshe. Siç u shpreh Graham Fulleri: “Amerikanët në realitet nuk tregojnë kundërshtim kulturor ndaj futjes së imigrantëve muslimanë në mënyrën që do ta kishin bërë këtë francezët, gjermanët, madje edhe britanezët”. Sikur muslimanët t’i kërkonin të drejtat e tyre këtu, ashtu siç i kërkon CAIR atje, do të krijonin aso atmosfere irrituese, saqë suksesi i mundshëm do të mund të bëhej kundërproduktiv. Procedura jonë juridike nuk është konfrontuese, siç është rasti me atë amerikane, kurse ndërmjetësimi dhe harmonizimi janë procedura që anojnë kah mënyra kontinentale e zgjidhjes së rasteve.
Në disa pikëpamje, muslimanët evropianë duhet, gjithsesi, të bëhen më me vetëbesim. Do të mundeshin, për shembull, më mirë të mësojnë se në çfarë mënyre të dalin në skaj me mediat duke i mbushur kolumnat, duke shkruar demante dhe letra redaktorëve, të cilat kanë mundësi të botohen. Megjithatë do të isha brengosur sikur muslimanët evropianë të imitonin CAIR-in në çdo pikëpamje. Në të vërtetë, në Evropë, kur muslimanët t’i kërkonin të drejtat e tyre të pakontestueshme, do të ballafaqoheshin me përgjigjen: “Nëse nuk u pëlqen këtu, përse atëherë nuk shkoni në shtëpitë tuaja?” Gjë që në asnjë rast nuk do të mund t’u ndodhte muslimanëve amerikanë.
Për çdo rast, çdoherë duhet të kihet parasysh se ndryshimet e thella dhe të përhershme ideologjike dhe shoqërore nuk vijnë me revolucione apo kthesa tjera të papritura. Siç thotë Mevlana Mevdudi: “Të gjitha ndryshimet e përhershme dhe largpamëse në jetën kolektive të popullit vijnë gradualisht”.
Përse janë të rëndësishme këto çështje?
1. Për shkak të kërshërisë, derisa kemi shqyrtuar se si pakicat muslimane duhet politikisht të forcohen, të marrin pjesë në jetën publike, si dhe të përfitojnë edhe forcë politike dhe ndikim, shumë pak është thënë se përse ato duhet bërë atë. A është Ummeti entitet me një program politik, lob me interes të veçantë apo komitet për aksion politik? Nëse është ashtu, atëherë me çka është i preokupuar? Me Palestinën? Apo ndoshta me çështjen e hixhabit?
Asnjëra nuk është përgjigjja e vërtetë. Muslimanët në Perëndim synojnë një sërë qëllimesh, prej të cilëve shumica nuk janë vetëm brengë e tyre. Të jemi më preciz:
a. Perëndimi të bëhet vend i sigurt për Islamin.
Kjo inkuadron luftën muslimane për realizimin e lirive fetare deri në atë masë saqë muslimanët të munden lirisht të praktikojnë jo vetëm kushtet themelore të fesë së tyre, por edhe elementet tjera të rëndësishme të cilat e përbëjnë fenë e tyre (sikurse ndërtimi i xhamive, dhënia e ezanit, kryerja e papengueshme e xhumasë, të kenë mësim-besim, të kenë tolerancën kur është në pyetje hixhabi, therrja hallall dhe dispozitat fetare gjatë varrosjes së të vdekurve). Kjo përfshinë luftën edhe kundër diskriminimit në tregun e punës, si dhe ngritjen e standardit në jetën e muslimanëve.
b. Të bëhet Islami faktor amë.
Kjo inkuadron njohjen publike të Islamit si religjion, prezentimin qendror, si dhe praninë muslimane në botën politike, në akademi, në institucionet civile dhe në mediat. Për këtë qëllim, organizatat shoqërore muslimane nuk duhet të punojnë vetëm për muslimanët, por edhe për të varfërit dhe për ata të cilët kanë nevojë për ndihmë nga tërë shoqëria. Për qëllimin e njëjtë, liderët muslimanë nuk duhet të jenë ithtarë të të drejtave të njeriut vetëm për muslimanët, por gjithashtu të shprehet protestë publike nëse ato të drejta janë të rrezikuara edhe në vende tjera përveç Çeçenisë, Kashmirit dhe Kosovës.
c. Të tejkalohet shekullarizmi duke futur mendimin islam.
Bashkimi Evropian, sikurse SHBA-të, don të jetë më shumë se tregu i kotë, dhe prej aty dëshiron që sërish të zbulojë “shpirtin” e vet. Të dy sistemet vuajnë nga numri i madh i të këqijave shoqërore (sikurse shkatërrimi i insitucionit të familjes dhe standardeve seksuale, varshmëritë strukturale ndaj drogës, ftohja e marrëdhënieve shoqërore, konkurrenca shkatërruese, agnosticizmi dhe pakuptimshmëria e jetës). Këto të këqija, të diagnostifikuara mirë nga ana e Daniel Bellit dhe Williams Ophulsit, aq janë të mëdha sa që Oksidenti gjendet para krizës së mundshme të kobshme kulturore.
2. Për të shpëtuar Perëndimi, nevojitet ilaç i fuqishëm: paradigmë e re, transformim i thellë i të menduarit dhe vepruarit, madje edhe ëndërruarit. Të dobëta janë gjasat që Perëndimi ta arrijë këtë pa alternativën ideologjike, religjionin vital dhe konstruktiv universal. Muslimanët janë të bindur se vetëm globalizimi i Islamit si sistem i vlerave, mënyrës së jetës, filozofisë transcedentale, mund ta kryejë atë punë. Prandaj, në fund, muslimanët nuk hyjnë në arenën politike me qëllim që diçka të fitojnë nga shoqëria perëndimore, por që të ofrojnë dhe të japin, diçka që për të ka vlerë esenciale.
Kjo duhet të jetë bindëse për vrojtuesit perëndimorë, sepse kjo nënkupton se pakicat islame nuk janë lidhur për strategji të pasigurta sikur kryengritja apo revolucioni. Ummeti nuk është këtu që të marrë Westminsterin apo Reichstagun me qëllim të aplikimit të sheriatit. Më me dëshirë, muslimanët në Bashkimin Evropian kërkojnë ndryshim evolucional drejt rehabilitimit gjithpërfshirës të religjionit në shtet, shoqëri, ekonomi, arsim dhe shkencë. Ata kërkojnë transformim të vetë shoqërisë, pjesë e së cilës janë ata vetë.
Me qëllime të tilla politike muslimanët nuk janë të çuditshëm, por janë në rrugë të normalitetit të ri, si komponentë e respektuar, e fuqishme, e integruar (në asnjë rast e asimiluar) e shoqërive multikulturore të Evropës dhe Amerikës.
Shko lart...
Intervistë e huazuar: Dr. Murad Wilfried Hofmann
Me apo pa vetëdije ramë në kurthën e centralizimit, me ç’rast nuk kemi mundur ta paramendojmë Islamin ndryshe përveç të kuptuarit arab, të cilin ndonjëherë e mbulojnë tradita të caktuara lindore. Kemi harruar se Islami është shpallja e fundit e Zotit e cila nuk duhet centralizuar apo kufizuar në rajon të caktuar gjeografik apo grupacion civilizues, po madje qoftë ajo edhe Mekka, djepi i shpalljes.
Kemi harruar që, edhe pse bota arabe paraprin në bartjen e misionit islam, se ai nuk guxon ta përvetësojë atë. Kemi harruar se ekzistojnë mendime të ndryshme dhe ixhtihade jashtë regjionit arab, sidomos në momentin e tanishëm kohor, periudhë kjo kur pjesa më e madhe e botës nuk njeh gjuhën arabe.
Murad Hoffmani është lindur më 6 korrik të vitit 1931. Ishte ambasador i Gjermanisë dhe ka kaluar më shumë se 30 vjet në fushën e diplomacisë, prej çka pjesën më të madhe të kësaj periudhe ka kaluar në vendet islame, ku edhe është njoftuar me Islamin, derisa e përqafoi atë në vitin 1980. Pranimi i tij i Islamit ishte ngjarje botërore.
Krahas angazhimit të tij diplomatik, Dr. Murad Hoffmani e dha hisen e vet në ndërtimin e mendimit islam, duke filluar me veprën e tij të njohur “Rruga në Mekke”, e deri te veprat tjera të shkruara të cilat kanë shkaktuar shumë debatime në Evropë dhe botën islame, siç janë veprat: “Islami si alternativë”, “Islami 2000” dhe “Memoaret e një muslimani gjerman”.
Me të kemi biseduar për disa çështje lidhur me mendimin dhe të drejtën islame jashtë centralizimit arab, të cilit i mungon këndvështrimi botëror i cili përputhet me misionin përfundimtar islam. Asaj të drejte i mungon produkti juridik ideor nga Perëndimi, sepse ajo kryesisht mbështetet në atë që vjen nga Lindja. I mungon të kuptuarit e drejtë për ripërtrirjen e prezentimit fetar. Gjithashtu, edhe lidhshmëria e saj me të arriturat e fundit botërore dhe ndikimet e tyre në Islam.
Ndoshta përgjigjet e Dr. Murad Hoffmanit janë të shkurtëra apo jo mjaftë të gjera, por janë të rëndësishme për shkak të kontekstit për të cilin flitet. Këto përgjigje hapin çështje për të cilat meritohet të debatohet, e jo t’i pranojmë si përgjigje përfundimtare. Këto janë pjesë nga intervista të cilën e fillova me pyetjen e cila është bërë zakon të shtrohet pas 11 shtatorit, pas çkahit bota dhe historia ndahen në “para dhe pas shtatorit”
PYETJA: Duket se biseda fillon dhe ndoshta edhe përfundon me ndodhinë e madhe apo ngarjet e shtatorit. Disa individë konsiderojnë 11 shtatorin si fundin e prezentimit tradicional islam masave dhe si thirrje për vendosjen e mënyrës së re së prezentimit. Ç’mendoni ju për këtë? A pajtoheni me ndarjen e prezentimit islam në dy periudha: para dhe pas shtatorit?
DR. HOFMANN: Nuk besoj dhe nuk mendoj se ngjarjet e shtatorit janë aq të rrezikshme apo të rëndësishme për njerëzimin. Ato nuk janë sikurse ndodhitë tjera të rëndësishme, së paku për amerikanët, siç është bombardimi japonez i portit Harbour në Luftën e Dytë Botërore… Këto ngjarje nuk janë tepër të rëndësishme, por janë të rëndësishme. Njëmbëdhjetë shtatori do të bëhet ditë botërore, e pastaj gjërat do të kthehen në rrjedhën normale. Është kjo krizë e cila do të tejkalohet. Konsideroj se këto ngjarje kanë qenë të dobishme për Islamin dhe se në përgjithësi do të jenë të dobishme për interesin e Islamit. Argument për këtë është fakti se njerëzit po mundohen ta kuptojnë Islamin, duke u përpjekur që ta hulumtojnë dhe kuptojnë. Për shembull, për një vit janë shitur 40.000 ekzemplarë të përkthimit të domethënies së Kur’anit, të cilin personalisht e kam kontrolluar në gjuhën gjermane. Ky është një numër shumë i madh, i cili tregon se ndodhitë dhe goditjet e mëdha në fund bashkojnë Islamin dhe muslimanët.
PYETJA: Por ato ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në mendimin dhe prezentimin islam, si dhe në vetë pamjen e Islamit, sidomos nga presionet amerikane dhe sulmet gjithnjë e më të mëdha ndaj Islamit. Si e shihni ju këtë ndikim, dhe a konsideroni se rezultatet e tyre janë pozitive apo negative?
DR. HOFMANN: Në të vërtetë, edhe unë ballafaqohem me këto gjurmë dhe natyrisht se hasi në dyshime të mëdha, madje edhe nëse jam nga ata muslimanë që u përmbahen ligjeve, rregullave dhe sistemeve të shteteve ku jetojnë. Është bërë gjë e zakonshme se çdo musliman është terrorist apo grup pasiv terrorist! Me fjalë tjera, ti sikur musliman gjithmonë paraqet rrezik. Kështu, kur udhëton, për në Amerikë për shmbull, ata ndaj teje sillen ndryshe: të ndalin në aeroport dhe ti i pret valixhet tua për disa orë me.
Por unë dua të flas për një gjë pozitive e cila ka ndodhur pas atyre sulmeve. Në konferencën e ISNA-së për muslimanët e Amerikës Veriore janë tubuar 42 mijë muslimanë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Amerikës Veriore dhe janë takuar në Uashington. Pjesa më e madhe e tyre ishin djelmosha dhe vasha të veshur sipas dispozitave islame. Një veprim i tillë, sipas mendimit tim, është përgjigje pozitive që nënkupton se nuk ka fshehje, por se në realitet duhet të argumentohet të ekzistuarit tonë dhe të theksohet qëndrimi ynë.
PYETJA: Çfarë është vlerësimi juaj i prezantimit islam të cilin e përfaqësojnë muslimanët brenda dhe jashtë botës islame në përgjithësi përballë Perëndimit dhe jomuslimanëve gjatë periudhës së mëparshme?
DR. HOFMANN: Konsideroj se kusht i frytshmërisë së një misioni është që të mos jetë i centralizuar, por duhet të jetë i përshtatur ndaj rrethit ku zbatohet. Argument për këtë është se kur dikujt i flet për Islamin në gjuhë të huaj, ai do të të konsiderojë si të huaj dhe ashtu edhe do të sillet ndaj teje. Nuk mundet misioni islamo-indian të përhapet në Perëndim. Shpesh na arrijnë këtu në Perëndim libra nga Pakistani dhe India në gjuhën angleze, kopertinat e të cilave nuk janë cilësore, teksti është i paqartë dhe përplot gabime, kurse letra është e cilësisë së keqe. Këto gjëra i largojnë njerëzit nga leximi i atyre librave… Kjo është pika kryesore e dobët në prezantimin islam Perëndimit. Për këtë shkak misioni nuk duhet të jetë importues, por duhet të ketë baza të brendshme (vendase), duhet të jetë i prezentuar në gjuhën e njerëzve të cilëve u është dedikuar. Mënyra e ekspozimit të atij misioni duhet t’i përgjigjet kulturës dhe traditave të njerëzve të cilëve u dedikohet, në mënyrë që të japë sa më shumë rezultate.
PYETJA: Misionarizmi islam nuk ndalet në përtërirjen e mënyrës së prezantimit, kurse për çdo ditë ka gjithnjë e më shumë konferenca, simpoziume dhe kërkesa amerikano-botërore që muslimanët të ndryshojnë mënyrën e ekspozimit… Si e shikoni ju tërë këtë? Si duhet të ripërtrihet ai prezantim i Islamit?
DR. HOFMANN: Mendoj se ripërtrirja duhet të ndodhë me studimin e sërishëm kontinuitiv të Kur’anit nga ana e brezave të rinj, në mënyrë që ta zbatojnë në çështjet e posakrijuara. Mendoj se çdo brez i cili trashëgon atë paraprak duhet që sërish të pranojë Islamin, pra, që sërish ta studiojë dhe sërish ta kuptojë. Poeti i mirënjohur gjerman, Goethe, ka thënë një fjalë të urtë: “Duhet të meritosh trashëgiminë tënde, që ta posedosh”, d.m.th., nuk mjafton që ta trashëgosh Islamin, por është e domosdoshme që me meritë ta fitosh.
PYETJA: Si mendimtar perëndimor musliman i cili beson në Islam e jeton në Perëndim, jashtë botës islame, si shikoni në qëndrimin i cili konsideron se produkti juridik dhe ideor islam ishte dhe mbeti shumë i dobët në raport me botën dhe njerëzimin?
DR. HOFMANN: Pajtohem plotësisht me ju se kjo do të duhej të jetë kthesë ideale dhe e menduar. Islami është fé për të gjithë popujt, për çka edhe ekspozimi i tij duhet të jetë botëror dhe gjithpërfshirës për secilin. Nëse flasim për prezantimin e Islamit në Perëndim, dhe nëse do të donim që të bashkëpunojmë me Perëndimin, atëherë duhet të njohim njëjtë Lindjen dhe Perëndimin. Nuk mjafton të njohësh vetëm gjërat që kanë të bëjnë me prapavinë e tyre civilizuese, sepse për të përhapur Islamin në Perëndim duhet të njohësh Perëndimin dhe perëndimorët, si dhe fenë krishtere. Krejt kjo ndihmon që ta kuptosh këtë Perëndim, në mënyrë që të mund të merresh vesh me të. Personalisht jam shumë i kujdesshëm ndaj këtyre çështjeve në veprat e mia të shkruara, sepse jetoj me të gjithë: me Lindjen dhe Perëndimin bashkërisht dhe mund t’ua prezentoj ato njëri-tjetrit.
PYETJA: Kjo mënyrë e prezantimit është pasive kundrejt problemeve dhe temave lidhur me njerëzimin dhe problemet botërore. Për shembull, Lëvizja botërore kundër globalizimit dhe mbisundimit, e cili anon kah të dobëtit dhe të rrezikuarit, edhe pse ka gjëra të përbashkëta me shumë pikëpamje dhe qëllime islame, përse muslimanët nuk marrin pjesë në këto aktivitete dhe cila është arsyeja për këtë? Sipas mendimit tuaj, si mund të ndërtohet prezantimi botëror islam i cili përfshinë këto lëvizje humanitare botërore apo gjen me ta gjëra të përbashkëta?
DR. HOFMANN: Kjo është e saktë dhe këto vërejtje janë me vend. Ekzistojnë drejtime humanitare të cilat meritojnë që të bashkëpunojmë me to dhe të ndajmë me to interesimet e njëjta. Politika izraelite kundër palestinezëve dhe përkrahja e pakufishme amerikane ndaj saj shkaktojnë kritikën dhe neverinë e Evropës, ku ekzistojnë lëvizje të nivelit botëror të cilat u kundërvihen atyre. Rreth këtyre çështjeve ekziston një mungesë e turpshme e muslimanëve, sepse asnjëherë nuk kemi dëgjuar se muslimanët marrin pjesë apo aktivitete kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Ruandë, Amerikën Latine etj. Madje edhe për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë muslimanët nuk ka pjesëmarrje të muslimanëve në këto lëvizje, siç është çështja e Çeçenisë, Kashmirit apo Palestinës. Madje edhe për çështjen e Bosnjës dhe Kosovës muslimanët ishin shumë prapa angazhimit të drejtpërdrejtë që e bënë evropianët dhe amerikanët. Mendoj se kjo nuk është e lidhur ngushtë me çështjen juridike apo ideore, por me vetë muslimanët dhe atë që ata janë duke përjetuar nën regjimet e tyre tirane dhe despotike.
PYETJA: Ekziston një problem tjetër kur flasim për ekzistencën muslimane në Perëndim, duke pasur parasysh se ata janë aty gati gjysmë shekulli, kurse është e dukshme se nuk kanë arritur të themelojnë mendim të veçantë islam apo të drejtë të posaçme islame që ka të bëjë me ekzistencën e tyre. Edhe më tej muslimanët në Perëndim jetojnë nga produkti i inovacionit dhe punës së krijuar nga bota lindore islame. Ç’është arsyeja për këtë? Kur do të mund të flasim për mendim, fikh dhe kulturë të veçantë perëndimore-muslimane që merret me problematikën e tyre?
DR. HOFMANN: Unë nuk mendoj se është ashtu dhe nuk ndaj mendimin se nuk ekziston mendim apo e drejtë e veçantë islame. Përkundrazi, momentalisht ekziston produkt më i madh ideor-juridik islam në Perëndim sesa në Lindje. Për shembull, librat të cilat flasin për Islamin më shumë shtypen në gjuhën angleze se sa në arabisht. Në Perëndim ekzistojnë qendra të mëdha islame të cilat i drejtojnë mendimtarë dhe juristë të mëdhenj që japin mund maksimal në shërbim të së drejtës dhe mendimit islam. Kështu, në Uashington është Taha Ulvani, në Londër Zeki Bedevi etj. Këtë e them nga përvoja, sepse që prej para ca kohësh punoj në kontrollimin e librave të cilat shkruhen mbi Islamin në Perëndim, gjë që prej meje kërkon mjaft lexim. Kjo do të thotë se për çdo ditë lexoj shumë vepra të cilat flasin për Islamin dhe kontrolloj me dhjetëra libra të tillë. Dua të përmend se mendimtarët islam në Perëndim punojnë dhe shkruajnë pa censurë dhe pengim. Veprat e tyre, sipas mendimit tim, janë bazë për avancimin e Islamit dhe përcaktimin e karakteristikave të tij. Pres që muslimanët amerikanë dhe evropianë të bëhen udhëheqës të ripërtrirjes civilizuese në Lindje. Për të vërtetuar fjalët e mia do të përmendi një shembull. Shtëpia Botuese “El-Ubejkan”, e cila është përgjegjëse për shtypjen dhe distribuimin e veprave të mia në Arabinë Saudite, para tre vitesh më ftoi për të mbajtur ligjëratë. Pas ligjëratës së mbajtur, 800 studentë blenë 1500 ekzemplarë të veprave të mia (Islami si alternativë dhe Rruga në Mekke). Me këtë dua të them se jo vetëm që nuk ka shtrëngim, por ekziston dëshirë e madhe për leximin e veprave ideore islame nga Perëndimi. Shembulli tjetër është përkthimi i domethënies së Kur’anit prej Muhammed Asadit, i cili është bërë përkthimi më i njohur dhe më i numërt i Kur’anit në botë.
PYETJA: Edhe më tej mbështetje kryesore e veprave islame juridike dhe ideore në Perëndim janë veprat lindore, po edhe nëse përpunimi përfundimtar bëhet në Perëndim. Emrat të cilat pak më parë i përmendët e vërtetojnë këtë… Taha Ulvani, Zeki Bedevi, Fet’hi Osman… të gjithë këta janë personalitete pjekuria ideore e të cilëve është bërë në Lindje, po madje edhe Këshilli i evropian për fetva që është i themeluar me këtë qëllim, e me të cilin kryeson Shejh Jusuf Kardavi, dhe ku një pjesë e madhe e anëtarëve e Këshillit janë dijetarë nga Lindja. Për këtë unë pyes se a do të ndërtohet së shpejti ndonjë trup islam mendor perëndimor të cilin do ta përbëjnë shkrimtarë, mendimtarë dhe juristë islamë të cilët jetojnë në Perëndim?
DR. HOFMANN: Mendoj se është e drejtë ajo që thatë, por ju përkujtoj se këto personalitete të përmendura mjaft janë të zënë me Perëndimin në ndërtimin e tyre ideor gjatë qëndrimit të tyre në Perëndim. Ndikimi i Perëndimit në veprat e tyre ideore është i madh dhe i dobishëm.
PYETJA: Si e shihni ardhmërinë e muslimanëve perëndimorë pas ngjarjeve të 11 shtatorit?
DR. HOFMANN: Nuk mund të përgjigjet në këtë pyetje pa bërë dallim ndërmjet dy lloj njerëzish në Perëndim. Ekzistojnë ateistë në jetën e të cilëve nuk mund të ndikojë kisha, e as që ata vijnë në të. Gjithashtu, ka njerëz të cilët janë besimtarë të mëdhenj që vizitojnë kishat. Kështu Amerika është e njohur si shtet fetar në të cilin nëse dikush nuk shkon në kishë nuk mund të bëhet kryetar i shtetit. Ndërsa në Evropë gjendja është e krejt ndryshe, ku njerëzit janë shumë të dobët nga feja. Kështu për shembull, kancelari gjerman e konsideron veten ateist dhe haptazi e deklaron një gjë të tillë. Për këtë shkak, Islami duhet të ketë kujdes se si sillet ndaj këtyre dy grupeve.
Pjesa e dytë e përgjigjes në këtë pyetje është se cila është ajo shumicë muslimane në Evropë? Në Gjermani janë turqit, në Francë vëllezërit nga Afrika Veriore, derisa popull shumicë musliman në Britani të Madhe janë pakistanezët dhe indianët. Të gjithë këta emigrantë kanë ardhur për shkaqe të ndryshme. Kështu turqit erdhën për shkaqe thjeshtë ekonomike dhe nuk ka pengesa që të kthehen në atdheun e tyre, sepse nuk janë azilantë politikë. Ndërsa në Francë hasim se emigrantët nga Afrika Veriore kanë ardhur për shkaqe politike. Krahas dallimeve që kanë nga popullata vendase, ata janë shkrirë në mjediset ku jetojnë, edhe pse ka raste kur individë nuk njohin gjuhën e shtetit në të cilin moti janë stacionuar, siç është rasti me turqit në Gjermani.
Duke u ndërlidhur në tërë këtë, do të doja të them se dallimi ndërmjet pakicave muslimane në Perëndim shkon në dobi të muslimanëve amerikanë në raport me muslimanët evropianë, shumica e të cilëve kanë ardhur për shkaqe ekonomike, me ç’rast nuk ishin mjaft të arsimuar apo të aftë për punë. Shumica e muslimanëve amerikanë janë studentë të cilët me kohë kanë transformuar jetën e tyre dhe janë bërë mjekë dhe inxhinierë të njohur, duke zënë me këtë rast pozicione të larta. Për disa amerikanë fjala “musliman” do të ndërlidhej me milioner, duke aluduar në pasurinë e madhe të atyre njerëzve. Është fakt shumë i mirë që, për shembull, në Uashington, Nju Jork apo në ndonjë qytet tjetër çdo i pesti mjek është musliman.
Shko lart...
Dr. Fet’hi Jeken
Koncepti i ndjenjës
Ndjenja është gjendje psikologjike që përbëhet nga parametra të llojllojt, ata të lindur (natyrshëm), trashëgues dhe të përfituar, siç janë: kulturor, edukativ, ambiental etj.
Ndjenja është një element që e përcjell njeriun në çdo sferë prej sferave të jetës së tij, siç është ndjenja e frikës, e sigurisë, e shqetsimit, e qetësisë etj.
Ndjenja është situatë e përpjesshme, herë rritet e herë dobësohet, herë prin e herë vonohet, si rezultat i influencimeve, aksidenteve dhe përfitimeve të paqëndrueshme.
Ndjenjat (emocionet) e njerëzve ndryshojnë si rezultat i asaj që i ekspozohen dhe që u shfaqen atyre... Ndaj mund të hasim në njeriun me ndjenja aklimatizuese, tjetri përvëlues dhe flakërues... ky jeton me brengat e të tjerëve, gëzohet kur ata janë të gëzuar dhe pikëllohet për pikëllimin e tyre. Ndërkaq ndonjë tjetri fare nuk i interesojnë brengat e tjerëve. Plotësisht përputhet thënia e thënësit dhe i adresohet këtij “Unë, e pas meje le të ndodhë përmbysja”. Kjo është skajshmëri në krahasim me ndjenjat e Omer ibn Hattabit (kënaqësia e All-llahut qoftë mbi të), i cili tregonte respekt dhe gjallëri, me ç’rast ka thënë: “Sikur edhe deveja të has në pengësë në Irakun e largët, Omer ibn Hattabi do të ishte përgjegës për të”.
Koncepti i përgjegjësisë
Përgjegjësia është ndjenjë ndaj obligimeve të domosdoshme, ndërkaq sa i takon muslimanit, është ndjenjë ndaj emanetit më të madh që i është ngarkuar mbi supet e tij, të synuar në fjalët e Lartëmadhërishmit: “Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm.” (Ahzab: 72)
Ndërkaq në Islam përgjegjësia është e karakterit univerzal, gjithpërfshirës, në përputhshmëri me fjalët e Pejgamberit të ndershëm, i cili ka thënë: “Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush është përgjegjës për kopenë e vet. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për kopenë e vet. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për kopenë e vet, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet dhe është përgjegjëse për kopenë e vet. Shërbëtori është bari në kapitalin e zotëriut të vet dhe është përgjegjës për kopenë e vet, ndaj, të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj”. (Transmetuan Buhariu, Muslimi dhe tjerët).
Përgjegjësia është individuale, ngaqë obligimi është individual, po kështu edhe dhënia e llogarisë është individuale, në përputhshmëri me fjalët e Lartëmadhërishmit, i Cili ka thënë: “Nuk ka tjetër, vetëm se gjithë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob. Ai me diturinë e vet i ka përfshirë të githë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktësishme. Dhe në ditën e kijametit secili do t’i paraqitet Atij i vetmuar.” (Ta ha: 93-95)
Përgjegjësia e pjesërishme
Përgjegjësia e dijetarit dallon nga ajo e injorantit, përgjegjësia e të pacenuarit të shëndetshëm dallon nga ajo e të sëmurit të gjorë. Përgjegjësia e autoriteteve që posedojnë pushtet dallon nga përgjegjësia e atyre që s’posedojn pushtet, në përputhshmëri me fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Dy kategori njerëzish nga Ummeti im nëse janë të drejtë, do të drejtohen edhe njerëzit, e nëse janë të prishtë, do të prishen edhe njerëzit, ata janë dijetarët dhe prijësit”. E që është për rrethana specifike, ndërkaq tjerat janë për rrethana të rëndomta.
Segmentet e përgjegjësisë në Islam
Përgjegjësia në Islam është e segmenteve të llojllojta, të cilat i theksoi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve se-lem]: “Ndaj vetes tënde ke obligime, ndaj Zotit tënd ke obligime, ndaj bashkëshortes tënde ke obligime, pra, çdo njërit jepja të drejtën (hakun) që i takon”. Prej tyre veçojmë:
- Përgjegjësia e njeriut ndaj Zotit të vet, duke patur në konsideratë obligimet e detyrueshme ndaj Tij siç janë: Ibadeti (adhurimi), etika e sjelljeve, caktimet legjislative, përpjekja, sinqeriteti, e vërteta, bindshmëria, falenderimi etj.
- Përgjegjësia ndaj vetes, duke e filtruar dhe edukuar veten në pajtueshmëri me fjalët e të Lartëmadhërishmit:
“Pasha tokën dhe Atë që e shtriu atë (e sheshoi)!Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Shems: 6-10) Dhe fjalët e Tij: “All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.”(Rra’d: 11) Mbi prioritetin e korrigjimit të njerëzve, Ali ibn Ebi Talib është shprehur: “Ai që e cakton veten në post për t’u prirë të tjerëve, le të fillojë të mësojë veten para se të fillojë t’i mësojë të tjerët, le të filtrojë sjelljet para se të filtrojë gjuhën, njeriu më tepër ka nevojë të mësojë dhe edukojë veten se sa të mësojë dhe edukojë të tjerët”. Për këtë adresoheshin fjalët e të Dërguarit [sal-lall-llahu alejhi ve se-lem]: “O biri i Ademit, këshillo vetveten, e nëse e bën këtë, atëherë këshillo njerëzit, në të kundërtën, turpërohu prej meje”.
- Përgjegjësia ndaj familjes: Ngaqë familjarët janë më prioritarë për t’i korrigjuar dhe urdhëruar në të mirë se sa njerëzit tjerë, ndaj cila është dobia e përmirësimit të largëve dhe njerëzve tjerë nëse humbin veten, familjen dhe të afërmit tanë. Të vërtetën e tha i Lartëmadhërishmi: “O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.” (Tahrim: 6)
- Përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe Ummetit: Duke i ftuar në Islam, duke i vetëdijësuar dhe duke u përkujdesur për çështjet e tyre... po kështu duke i këshilluar dhe kontribuar në zgjidhjen e problemeve të tyre. Prandaj ishte edhe kërcënimi pejgamberik i tmerrshëm dhe frikësues në fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Ai që fle dhe fare s’interesohet për çështjet e muslimanëve, ai nuk është prej rradhëve të tyre”.
- Përgjegjësia ndaj lëvizjes dhe kolektivitetit të tij: mirëkuptim ndaj projektit të tyre, bartjen e mesazhit të tyre, bindshmëri e syçeltë ndaj autoriteteve udhëheqëse dhe këshillimin e tyre, në përputhshmëri me principet që i theksoi Imami i martirizuar Hasan el Benna: Besim të thellë e të paluhatshëm, organizim preciz dhe punë në kontinuitet.
Motivet e përgjegjësisë në Islam
Ndjenja e përgjegjësisë në Islam nxitet nga motive të shumta, që gjë duhet kontribuar në përforcimin dhe zhvillimine saj, e që me këtë rast do të veçojmë:
- Motivi i falënderimit ndaj mirësive, që materializohet në fjalët e All-llahut të Madhërishëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”(Ibrahim: 7)
- Motivi i përmirësimit: “... unë nuk dua tjetër, vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!”(Hud:88)
- Motivi i urdhërimit për punë të mbara dhe ndalimit nga veprat e liga, në pajtueshmëri me fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Gjithsesi do të urdhëroni për punë të mbara e të ndaloni nga veprat e liga, ose, në të kundërtën, All-llahu do të mundësojë t’ju sundojnë më të këqinjtë nga mesi juaj, me ç’rast të ndershmit do të luten, por nuk do t’u përgjigjet lutjes së tyre” dhe fjalët e tij: “Ai që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e vet; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e vet; nëse nuk mundet, atëherë (le ta urrejë) me zemrën e vet, ndaj ky është edhe besimi më i dobët, e pas saj nuk ka besim as sa një kokër sinapi”.
- Motivi i thirrjes në rrugë të All-llahut duke iu përgjigjur imperativit të Tij: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (Nahl:125), për t’u pajisur me vlerësimin që i Madhërishmi i vlerësoi thirrësit e fesë, me ç’rast tha: “E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te All-llahu, vepron (punë) të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussilet:33)
- Motivi i arsimimit dhe njohjes së shkencave fetare, duke u mbështetur në fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem], i cili ka thënë: “Atij që All-llahu ia don të mirën, e udhëzon në njohjen e fesë dhe e inspiron në intelektin e tij”,po kështu ka thënë: “Kërkojeni diturinë (shkencën) që nga djepi e deri në varr”, po kështu fjalët e tij: “Kërkimi i diturisë është obligimin i domosdoshëm për çdo musliman dhe muslimane” si dhe fjalët: “Kërkone diturinë qoftë edhe në Kinë”.
- Motivi i përpjekjes në rrugë të All-llahut( me kapital, gjuhë, laps dhe me trup).
Përgjegjësia kundrejt ligjeve të univerzumit, që muslimani të ketë rolin dhe pozicionin e duhur, që përmes rolit dhe përgjegjësisë të administrojë me zakonet e univerzumit, kurse prej tyre veçojmë:
- Përgjegjësia ndaj ligjit për ndryshim, duke u inkuadruar në sistemin dhe projektin për ndryshim islamik si rezultat i përgjigjes pozitive ndaj fjalëve të Lartëmadhërishmit: “... All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Rra’d:11)
- Përgjegjësia ndaj ligjit për shtytje (përkrahje) duke qenë pjesmarrës dhe u përleshur me të keqen, si dhe duke iu përmbajtur arenës së vërtetës dhe duke mbrojtur Islamin në përputhshmëri me fjalët e All-llahut: “Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.”(Bekare: 251)
- Përgjegjësia ndaj ligjit të konsolidimit dhe përgatitjes personale për të, për të qenë nga rradhët e atyre që i përmendi i Madhërishmi: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë, ashtu si pat bërë zotërues ata që ishin para tyre, dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillë janë ata më të prishurit.” (Nur: 55)
Përktheu dhe përshtati:
Nehat Ismaili
Shko lart...
Evlia ÇELEBI
Udhëpërshkruesi Evlija Çelebiu është një udhëtues i vërtetë i pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme për udhëtimin e një turisti, duke e kryer plotësisht detyrën e udhëtuesit me përshkrimin e vendeve nëpër të cilat ka kaluar.
Vepra e Çelebiut, nga të gjitha pikëpamjet, shoqërore, ekonomike dhe politike, është një thesar i begatshëm për të ndriçuar historinë e popullit shqiptar.
Me këtë rast lexuesit tonë po i ofrojmë vetëm një pjesë nga libri i tij “Shqipëria 350 vjet më parë”, botuar nga shtëpia botuese “Horizont”, Tiranë.
Shkupi
Këte krahinë e ka pushtuar Gazi Evranos Beu në kohën e Jelldërem Pajazitit, i cili e pëlqeu tepër klimën e këtij vendi. Ai qëndronte shpeshherë në Shkup me ushtrinë e tij dhe prej këndej niste fushatat për të pushtuar vende të tjera.
Shkupi ndodhet përmbi një fushë e cila shtrihet në të dy anët e lumit Vardar. Fortesa dhe qyteti janë në perëndim të Vardarit. Qyteti ka disa mijëra shtëpi guri dhe ndahet në shtatëdhjetë lagje.
Sipas organizimit të Sulejman Khanit, Shkupi është kryeqendra e Sanxhak Beut, i cili e administron dhe ka në dispozicion të tij 500 ushtarë. Kur është enevojshme ai merr pjesë në luftë. Të ardhurat e tij vjetore përbëhen nga dhjetë qese. Shkupi ka 250 timare e zeamete dhe është në gjendje të nxjerrë për rast lufte deri pesë mijë ushtarë.
Autoritetet e vendit janë: Allaj Beu, Çeri Bashi, Juz Bashi (Kapiteni), Sheh Islami, Nekibul Eshrafi. Sipas ligjit mbretëror, është kryemyftini me 500 akçe. Ka 350 katunde që i sigurojnë Mullahut të ardhura vjetore afro njëzet qese. Mullallëku ka në varësi pesë nënmyftini dhe dyzet deri pesëdhjetë kadilerë. Veç këtyre ka edhe Qehajanë e spahinjve, Serdarin e jeniçerëve, Dusdarin e kalasë me 300 ushtarë. Të tërë këta nëpunës paguhen nga administrata që i siguron të ardhurat nga metali i argjendit në Karatovë. Përveç këtyre është edhe sundimtari i monedhes, i cili ka koncesionin e shfrytëzimit të metalit të argjendit e të hekurit për tërë provincën, përveç asaj të Karatovës. Për këtë koncesion ai paguan shtatë-dhjetë barrë akçe.
Në kohën tonë, drejtor e sundimtar i ketij metali ishte Muhamet pasha. Një tjetër autoritet është agai i haraçit, i cili nxjerr një taksë prej pesëdhjetë e shtatë mijë. Një sundimtar tjetër është ai i fabrikës së municionit, i cili me xhevërxhilen e ndodhur në krahinat e kësaj province prodhon barutin e zi. Shkupi ka edhe baxhdarin, i cili nxjerr taksën e baxhës nga malli që importojnë karvanët.
Në Shkup nuk ka zyre dogane, pse taksa doganore nxirret në Selanik, Belgrad e Bosnjë.
Kalaja
Shkupi ka një fortesë të përforcuar në dy pode e me banorë të famshëm. Muret e kësaj fortese përbëhen me gurë të limuar me shumë elegancë. Kryeinxhinieri i ka ndrequr aq bukur shtyllat e mermerit te saj, sa që ato duken sikur të jenë prej allçie. Shembullin e delikatesës së kësaj mjeshtërie mund ta gjejmë në shkollën teologjike të Platonit në Athinë, të cilën Fatihu e ka kthyer në xhami.
Fortesa e lartë ndodhet mu në kërthizë të qytetit dhe ka formë pesëkëndore. Muret e saj janë pesëdhjetë kut të lartë.
Fortesa është e zbukuruar me shtatëdhjetë kulla. Qyteti ka 2 mijë dyqane të hijshëm. Nga ana e Kiblës ka tri palë dyer të hekurta dhe midis tyre ka roje të pajisur e të armatosur me armë e municion. Nga fortesa mund të sigurosh një fushëpamje mjaft të mirë, pasi rreth saj nuk ka pengesa të larta dhe mund te shohësh të gjithë hapësirën fushore. Ne perëndim të saj është lumi i Vardarit, në breg të të cilit ka një kullë uji të lidhur me fortesën nëpërmjet një kanalizimi të gurtë. Në këtë krah nuk ka hendek, pasi vendi është humnerë e prandaj është mjaft strategjik. Të tri anët e tjera janë rrethuar me hendek të thellë. Para portës ka një urë druri, e cila mund të ngrihet me një mekanizëm i cili i mbështetet portës si përforcues. Portën e ka meremetuar sulltan Murati i Muhamet Khanit në vitin 856. Brenda fortesës ka njëqind shtëpi ushtarësh, depo për municion e ushqim, si edhe pak topa.
Qyteti ka dhjetë mijë e gjashtëqind shtëpi dy patesh, krejt prej guri e shumë të bukura, të mbuluara me tjegulla të kuqe. Pallatet me të famshëm janë ai i Mahmut Pashës, i Emir Pashës, i Koxha Serdarit dhe i Zeçan Zades.
Shkupi ka edhe dyzet e pesë xhami e pesëdhjetë e pesë mesxhide. Më të përmendurat ndër to janë xhamia e Hynqarit pranë sahatit dhe e Jahja Pashës ne lagjen e poshtme. Pastaj vjen xhamia e Karlo Zades në krye të urës së madhe të Vardarit, e Koxha Mustafait para fortesës, xhamia e kuqe e Is-hak Beut, e Isa Beut.
Medresetë më me emër janë ajo e Sulltan Muratit, e Jahja Pashës, e Is-hak Pashës, e Isa Pashës, e Mustafa Pashës dhe e Karlo Zades. Veç këtyre ka edhe shtatë shkolla hafizësh, shtatëdhjetë shkolla fillore, njëzet teqe, njëqind e dhjetë kroje e dyqind “sebil – hane” (që japin ujë për hir të Zotit). I tërë ujët e Shkupit vjen nga malet e Kaçanikut dhe bashkohet me Vardarin, i cili vjen nga malet e Pejës e të Prizrenit e të… dhe kalon nëpër Shkup, Qyperli, Karaferi dhe derdhet në gjirin e Selanikut. Në Shkup ka njëmijë mullinj e shumë banja, ndër të cilat më me emër janë ajo e Vajzave, e cila ndodhet në një vend të fshehtë, pasi në këtë qytet qenka mbarësi nëse gruaja hyn në banjë; banja e bojaxhinjve dhe banja e Isa Beut. Në Shkup ka edhe njëmijë e ca banja familjare.
Në Shkup ka edhe shtatë bujtina gratis, trembëdhjetë bujtina beqarësh dhe disa hane.
Tregu ka 2 mijë e 150 dyqane guri të stolisura me kube e me qemer. Pëlhurtarët, qëndistarët, çadërxhinjtë, mestexhinjtë, bojaxhinjtë, qeleshexhinjtë, janë tregje të hijshëm e të shtruar me kalldrëm të pastër.
Çdo tregtar mban në dyqanin e tij në një enë me ujë një buqetë me lule me erë të këndshme si lil (zambak), vjollcë, trëndafil, jargavan, sumbull etj., të cilat lëshojnë aromë aq të këndshme sa ia prishin mendjen vizitorit. Tregtarët janë njerëz të ndershëm e të zellshëm në punën e tyre.
Edhe në ditët më me vapë Shkupi është i freskët si hizbet e Bagdatit, sepse krejt tregu është i mbuluar. Bezisteni i Shkupit, me dy porta prej hekuri, është shumë i bukur.
Mbi Vardar ka një urë me katërmbëdhjetë harqe, e ndërtuar nga Fatih Sulltan Mehmeti.
Shkupi është atdheu i poetëve të famshëm Haqiu dhe Erzi Çelebiu, të cilët kanë jetuar në kohën e Pajazit Veliut. Poet me famë ka qënë edhe Koxha Hasan Zadeja.
Ndërtesat monumentale të Shkupit jane Kulla e Sahatit, e lartë sa një minare, afër xhamisë Hynqarit, me një këmbanë që dëgjohet deri një ditë larg; Tyrbeja e Baba Llokmanit në fund të qytetit. Baba Llokmani ka qenë një dijetar e filozof i famshëm. Ai ka hapur një burim... i cili ka ujë shumë të mirë e me cilësi shëruese. Çdo i sëmurë që pi një gotë uji nga ky burim, pa dyshim shërohet, brenda tij ka shumë farë peshqish. Janë të shumtë ata që e provojnë fatin në këtë burim, në të cilin hedhin pak bukë dhe, në se ajo hahet nga peshqit, atëherë puna vete mbarë, e po nuk e hëngrën atëherë duhet të heqin dorë nga synimi i tyre.
Në Shkup ka shumë kisha armenesh, jahudinjsh, bullgarësh e serbësh. Francezët, hungarezët dhe austriakët nuk kanë kisha. Latinët janë shumë dhe i kryejnë ceremonitë fetare në kishat serbe.
Klima e fortë e qytetit u jep njerëzve gjallëri.
Produktet më të përmendura të vendit jane coha, qasha, dorzat, jastëkët e perdet e qëndisura, që s’mund të punohen as edhe në Persi. Banorët e Shkupit jane tregtarë, industrialë e dijetarë. Guri dhe elbi kokërmadh janë me famë.
Në Shkup ka nëntë strehë të varfërish, në të cilat ushqehen gratis udhëtarët, turistët, dijetarët, të vobektët dhe rregullisht, në mëngjes e në mbrëmje të varfërit e të mjerët.
Ushqimet që gatuhen nga banorët e Shkupit janë birjani me mish qengji të pjekur në çerep, peshk i mbushur etj... Molla, ftoi, kumbulla e pjeshka janë të shijshme; shurupi i mjaltit me erë misku, shurupi i vishnjes e hardallia janë shumë të mira.
Sipas regjistrit te Baxhdarit, në Shkup ka 70 mijë dynym vreshta, pronë e njerëzisë dhe shumë vakufe.
Populli i Shkupit flet shqip dhe gjuhën e Rumelisë, me një stil të folmeje që është karakteristike për këtë qytet.
Shkupi është një qytet i rregullt, me rrugë të gjera e të shtruara me gurë të bardhë. Ka shumë pastërti.
Banorët e Shkupit janë njerëz bujarë e fisnikë, elegantë e qibarë, përkrahës të intelektualëve e dijetarëve, por se jane fort të dhënë pas zevkut dhe dashurisë.
Nga drejtimi i perëndimit, rreth dy ditë larg, Shkupi ka afër qytetin e Pejës dhe të Prizrenit, si dhe prefekturën e Dukagjinit; kah Kibla një ditë larg është Qyprilia edy ditë larg është Ishtipi.
Në lindje është qyteti i Karatovës dhe fortesa e Egri Deres (Përroi i Shtrembër).
Kumanova
Kumanova është një qytet i vogël me afro 600 shtëpi të mbuluara me tjegulla, me një treg të vogël, brenda të cilit ka një xhami të hijshme, ka teqe, medrese, hane e banja, mulli e mjaft dyqane. Klimën e ka të mirë. Prej këndej udhëtuam një ditë nga veriu dhe mbërritëm në Karatovë.
Karatova
Fortesa e Karatovës është shembur nga Gazi Avranozi. Qyteti i Karatovës është i pasur në ramë (bakër) e argjend, me të cilat jep një thesar mbretëror me 70 bare akçe te ardhura. Këtu ka edhe një institut që pret të holla. Në kohën e Sulltan Muratit IV janë konjuar te holla argjendi në emër të Sulltanit me këto fjalë: “Azze nassrehu, D’dhuribe fi Karatova”. Ngakëto monedha arrita të siguroj nja dy copë.
Instituti i prerjes së monedhave nuk punon më, por shfrytezimi i metalit vazhdon.
Karatova ka 800 shtëpi prej guri e me dy pate dhe të mbuluara me tjegulla. Ka mjaft ujë dhe banorët e saj janë të pasur e të lumtur. Ka një kadi me 150 akçe, 20 faltore, shumë kroje e sebile, 2 banja, 350 dyqane.
Remtarët e Karatovës punojnë me një mjeshtri shumë të hollë,
Prej Karatove u nisëm në drejtim te Kostendilit të Bullgarisë.
Autori niset përsëri nga Sofja dhe pasi kalon nëpër Qyprili e Përlepe vjen në Manastir, të cilin e përshkruan në këtë mënyrë:
Manastiri
Në shekullin e Lekës së Madh këtu ka patur një tempull të famshëm, me emrin e te cilit është pagëzuar edhe vetë qyteti i Manastirit.
Manastiri është pronë eFatime Sulltanes, bijës së Sulltan Ahmetit, me të ardhura të caktuara 20 barrë akçe. Ka Shehul - Islamin, Nekibul - Eshrafin dhe Kadiun me 300 akçe. Kadiut i vinë edhe 15 qese të ardhura vjetore nga katundet përreth.
Autoritetet e tjera të Manastirit janë qehajai i spahijve, serdari i jeniçerëve, kryenëpunësi i haraçit, qehajai i qytetit, agai i llogarisë, baxhdari, kryearktitekti, dusdar nuk ka fare, pasi Gazi Hodavendiqari e ka shembur fortesën.
Manastiri ndodhet në rrëzë të një mali (Peristeri), në një fushë të gjerë, në të dy anët e një lumi (Drahori), mbi të cilin ka dhjetë ura druri. Nga të gjitha anët qyteti rrethohet me pyje të bukur dhe, rrethohet aq mirë prej tyre sa, po të shihet nga jashtë, nuk dallohet fare. Ka njëzet lagje me rreth 3 mijë shtëpi të vogla e të mëdha, të ndërtuara prej guri e në dy pate, të mbuluara me tjegulla.
Manastiri ka 70 faltore, nga të cilat më me rëndësi janë xhamia e Is-hak Efendiut në krye të urës së madhe, xhamia e Mahmut Efendiut në treg, ajo e Gazi Hajdar Pashës, e Haxhi Beut, e Çaushit etj.
Manastiri ka 9 medrese, nga të cilat më e njohura është medreseja e Tulben Kadiut.
Tregu i Manastirit ka 900 dyqane, 40 kafe, një Bezisten me porta hekuri të forta si të fortesave e me kube që bien në sy.
Në mes të qytetit kalon lumi me ujë të mirë që përmendëm më lart, i cili rrjedh nga bjeshkët e Gjevatës, të Resnjes e të Ostokut. Drini i Manastirit është shumë i mirë.
Manastiri ka 20 vende dëfrimi, por më i bukuri prej tyre është në perëndim, mbi rrugën e Ohrit (Hanllaruni). Qyteti ka shumë oratorë. Softat me çallmat e tyre si çerdhe harabeli rrinë me thika në brez dhe bëjnë rebelizëm. Dalldisin pas qejfesh bashkë me popullin nëpër kafene dhe vende imorale. Ka edhe shumë çeta shqiptarësh. Krejt populli është i kënaqur dhe i hareshëm. Tregtarët e pasanikët janë shpirtmëdhenj e bamirës, ata kanë themeluar 47 strehë vorfnore (imarete).
Në kohën që unë ndodhesha në këtë qytet, kusari i famshëm Babu me 500 të krishterë të armatosur, kalon malet e Shipkës dhe me drita në dorë hyri në Bezisten, theu portat e hekurta, plaçkiti mallra në vlerën e 70 mijë groshëve dhe u largua duke shtënë me pushkë e me topa. Për çudi nuk mundi të dalë asnjë burrë për ta kundërshtuar.
Sa poshtërsi! Që këndej u nisëm në drejtim të jugut dhe shkuam në Follorinë.
Shko lart...
Muhammed KUTUB
Të vërtetat e Islamit janë të përhershme dhe ato nuk ndryshohen qëkur i janë shpallur Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e deri në Ditën e Gjykimit. Ky shkrim ka për qëllim të sqarojë bazat e imanit në dritën e kohës bashkëkohore dhe që në mënyrë më efikase t’ia ofrojë njeriut bashkëkohor. Në këtë vazhdim flitet mbi ateizmin dhe pasojat e tij
Ateizmi, i cili edhe sot e kësaj dite është shumë i përhapur, nuk mbështetet as në baza logjike e as shkencore. Krejt kjo ndodhë në kohën për të cilën pohohet se njeriu bashkëkohor nuk bën asgjë pa bazë logjike apo shkencore.
Ateistët sot, kur ballafaqohen me pyetjen e krijimit nga asgjëja, pyetjen e cila gjunjëzon çdo mohues të Krijuesit, përgjigjen se “natyra” është ajo që krijon gjithçka!
Është ky pohim i cili nuk ka kurrfarë baze shkencore, edhe krahas asaj që dëgjohet shpesh nga gojët e atyre të cilët në xhahilijetin bashkëkohor quhen dijetarë.
Ç’është natyra?!
Darvini thotë se natyra krijon gjithçka dhe se aspak nuk ekzistojnë kufij në krijimin e saj. Pastaj pohon se natyra nuk vepron sipas ndonjë mendimi, por krejt kjo ndodh pa kurrfarë rendi.
Subhanallah! Ai krijues, për të cilin thonë se krijon gjithçka, nuk ka as mendje e as urtësi. Ai, siç thotë Darvini, punon pa kurrfarë rendi dhe nuk ka ndonjë plan të paramenduar gjatë krjimit. Si atëherë, krijuesi i tillë, i cili nuk ka aspak mendje, mundet me një saktësi aq mahnitëse, të cilën e vërejmë në të gjitha detajet përreth nesh, të drejtojë me kozmosin dhe jetën në të?! Si arriti krijuesi i tillë të krijojë njeriun me të gjitha cilësitë që ai posedon? Njeriu është qenie e cila vepron me mençuri, ka vullnet të vetin dhe qëllim qartë të caktuar të veprimit të vet. Vallë është e mundur që dikush që nuk ka vullnet dhe qëllim të vetin të krijojë dikë që ka vullnet të vetin dhe qëllim të qartë?! Vallë a mundet dikush që nuk ka mendje të krijojë dikë që ka mendje?!
Ndërsa sa i përket shkencës, të dëgjojmë vetëm disa dëshmi të atyre punonjësve shkencorë të cilëve All-llahu i Madhërishëm ua ka ndriçuar zemrat dhe mendjen vetëm me të vërtetën e pjesshme, edhe pse kanë mbetur të jetojnë jetën e injorancës bashkëkohore e cila plotësisht zotëron me Perëndimin.
Biologu i njohur Rasel Çarls, profesor në Universitetin e Frankfurtit, thotë: “Ekzistojnë më shumë teori mbi formimin e jetës nga materia e vdekur. Disa hulumtues pohojnë se jeta është formuar nga protonet, apo viruset, apo me bashkimin e disa pjesëve proteinike... Ndoshta dikujt mund t’i duket se ato teori kanë plotësuar boshllëkun e njohur ndërmjet botës së vdekur dhe botës së gjallë. Megjithatë, është fakt se të gjitha përpjekjet e gjetjes së shembullit të formimit të botës së gjallë nga bota e vdekur kanë dështuar plotësisht dhe kanë ngelur pa kurrfarë suksesi. Ai i cili mohon ekzistimin e Zotit nuk është në gjendje të sjellë asnjë argument se vetëm bashkimi i rastësishëm i grimcave të imta të caktuara të materies mund të shkaktojë jetën e cila do të vazhdojë të zhvillohet sipas ligjshmërive rreptësishtë të caktuara, ashtu siç ndodh në qelizën e gjallë. Megjithatë, edhe krahas kësaj, njeriu ka të drejtë të pranojë sqarimin e tillë për formimin e njeriut, sepse kjo është çështje e tij personale. Por, nëse ai pranon atë, duhet ta dijë se ka pranuar diçka që është fenomen më i madh dhe shumë më e ndërlikuar për mendjen e njeriut sesa pranimi i Zotit të Plotfuqishëm i Cili ka krijuar gjithçka dhe drejton me gjithçka.
Mendoj se çdo qelizë e gjallë është aq e ndërlikuar, saqë shumë vështirë mund ta kuptojmë. Me miliona qeliza të gjalla të cilat ekzistojnë në tokë dëshmojnë madhështinë e Tij në mënyrën që është e mbështetur në baza logjike. Prandaj unë fuqimisht besoj në ekzistimin e Zotit”.
Profesor Krisi Morison, kryetar i Akademisë së shkencave në Nju Jork, në librin e tij Njeriu nuk ekziston vetvetiu, thotë: “Ajo që nxit habinë është rendi i saktë mahnitës i cili sundon në natyrë. Sikur korja e tokës të jetë më e trashë vetëm për disa putë se sa është, dioksid karboni do të neutralizonte oksigjenin dhe nuk do të ishte e mundur jeta e bimëve. Sikur ajri të jetë pak më i rrallë, miliona meteorë të imët të cilët digjen për çdo ditë nga ana e jashtme e mbështjellësit tokësor do të goditnin Tokën nga të gjitha anët me shpejtësi ndërmjet gjashtë dhe dyzet milje në orë dhe do të kishin ndezur gjithçka që ndizet në Tokë. Sikur këta meteorë të shkonin me shpejtësi të fishekut, të gjithë do të ishin ndeshur me Tokën dhe pasojat do të ishin të tmerrshme. Po të ndeshej njeriu me meteorin shumë të imët i cili lëviz me shpejtësi nëntëdhjetë herë më të madhe se sa fisheku, do të shkatërrohej plotësisht vetëm nga ngrohtësia të cilën e lëshon meteori gjatë kalimit të vet. Atmosfera e Tokës është e trashë aq sa është e nevojshme për kalimin e |