logo
 
 

 

temat

Edukatë islame

KEQTRAJTIMI I FËMIJËVE

Çfarë duan prindërit t’u tregojnë fëmijëve të vet me dajakun? Prindërit shpesh i godasin fëmijët në hidhërim sepse vet janë aq shumë të frustruar saqë nuk kanë pasur kohë të mendojnë se cila masë disiplinore do të mund të kishte efekt më të mirë. Dajaku e mëson fëmijën se është e pranueshme të anosh kah dhuna po qe se je më i rritur dhe më me ndikim...
Fëmijët të cilët ndëshkohen dhe marrin dajak shpesh janë të dëgjueshëm vetëm për momentin, që te prindërit mund të krijon bindjen se dënimi është masë e mirë edukative. Megjithatë, është më se evidente se fëmija në vete akumulon hidhërimin dhe frustracionin. Kur fëmija gjendet në shkollë apo kur është bashkë me shokët e vet, ai me siguri do të shfrytëzojë mënyrën e shprehjes të cilën e ka mësuar në shtëpi, pra me dhunë. Fëmijët problematik më shpesh kanë qenë të nënshtruar keqtrajtimit se fëmijët tjerë. Prindërit të cilët nuk shfrytëzojnë dhunë fizike, mund të sillen armiqësisht në mënyrë tjetër. Ata mund të aplikojnë keqtrajtim psikik me nënçmimin, gjykimin dhe kritikën e tyre. Kjo sjellje i bën fëmijët më tepër të pakapshëm dhe frikacakë se sa agresiv, para së gjithash nëse babai e kritikon djaloshin. Përpjekja që fëmija të bëhet më i rritur dhe më i pjekur përmes gjykimit të varësisë dhe dobësisë së tij, shpie vetëm në atë se ai bëhet edhe më varur dhe më i dobët. Fëmija i dënuar shpesh ndjehet i hedhur dhe me sjellje fëmijërore mundohet të jetë në qendër të vëmendjes.

Në vend të dajakut
Sikur prindërit të ndaleshin vetëm për një moment dhe të pyesnin veten se çfarë duan t’i thonë fëmijës së vet përmes dajakut apo çfarë duan ta mësojnë, me siguri do të kishin vendosur për të shfrytëzuar metoda tjera të edukimit dhe disiplinimit.

Dajaku ofron shembull të keq
Dajaku paraqet shembull të keq në mënyrën e zgjidhjes së konflikteve. Fëmijët mësojnë duke i shikuar prindërit e vet. Dajaku nuk i mëson fëmijët për sjellje përkatëse. Nëse prindi e mëson fëmijën se është mirë të goditet ndokush, fëmija merr leje që t’i godasë të tjerët: vëllezërit, motrat, moshatarët etj. Kur prindi e godet fëmijën, ai dërgon porosinë se fuqia mund të ketë dobi në realizimin e qëllimeve.

Dajaku është formë e dhunës
Fëmija asnjëherë nuk duhet të goditet me gjësendet siç janë rripat, shkopinjtë etj. Madje edhe kërcënimi me dajak shkakton frikë dhe formë të dhunës. Çfarëdo formë e dënimit fizik zvogëlon vetërespektimin e fëmijës!!! Dajaku nuk u ndihmon fëmijëve që të mësohen me vetëdisiplinë apo të vetëkontrollohen. Kur të marrin dajak, te fëmijët paraqiten një mori e ndjenjave negative të cilat e pengojnë të mësuarit. Fëmijët janë të përfshirë nga ndjenjat e dhembjes, rezistimit, frikës dhe nënçmimit dhe nuk mund të përqendrohen në leksionin të cilin me dajak është dashur ta mësojnë. Ata nënshtrohen nga frika dhe i shmangen sjelljes së padëshiruar për t’ju larguar dënimit, por në vete nuk pranojnë rregullat dhe arsyet. Fëmija bëhet i tërhequr, u shmanget prindërve, e me këtë dëmtohen marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Dajaku i habit fëmijët. Kur prindërit përderisa i rrahin fëmijët thonë: “Këtë e bëj nga dashuria” apo “Kjo më dhemb më shumë se ty”, fëmija fillon të përziejë dashurinë dhe dhembjen dhe vendos lidhje ndërmjet dashurisë dhe dhunës. Dajaku nxit zinxhirin e dhunës familjare. Si pasojë e dajakut zhvillohen disponimi armiqësor, tërbimi dhe dëshira për hakmarrje. Ashtu siç rritet fëmija, dajaku duhet të bëhet më i fuqishëm. Hulumtimet tregojnë se fëmijët të cilët rrihen nga prindërit, shpesh si të rritur rrahin partnerët dhe fëmijët e vet!!!

Kontrolloni hidhërimin tuaj!

Shfrytëzoni fjalë dhe masa në vend të dënimit fizik. Fëmijët tuaj do të mësojnë më shumë dhe më shumë do t’ju respektojnë!

Përse nuk duhet ta rrihni fëmijën tuaj?
Dajaku nuk i mëson fëmijët vetëm që të jenë të kujdesshëm dhe të dëgjueshëm. Dajaku i mëson edhe që të mendojnë keq për veten, t’u mbjell frikë dhe dëshirë për hakmarrje, dhe u jep leje që t’i godasin ata që i duan. Frika e dajakut, madje edhe kërcënimet me dajak, i frikon fëmijët. Fëmijët të cilët frikohen prej prindërve të vet shpesh fillojnë të ndjejnë frikë edhe prej të rriturve tjerë. Vetë dallimi në moshë ndërmjet prindërve dhe fëmijës di të jetë trishtues. Kërcënimet e vazhdueshme dhe shfrytëzimi i mbifuqisë fizike i tregojnë fëmijës se ai asnjëherë nuk ka gjasa të fitojë. Siguria e tij thjesht i është lënë mëshirës dhe pamëshirës së prindërve.

Krijimi i fotografisë së keqe mbi vetveten
Mënyra në të cilën rrethi sillet ndaj fëmijës drejtpërdrejtë ndikon në fotografinë të cilën fëmija do ta krijon mbi vetveten. Fëmija i cili përherë i është nënshtruar kërcënimeve dhe dajakut fillon të mendojë se është i pavlerë, i padashur dhe i padëshiruar. Askush nuk ndjehet mirë pas dajakut. Sa më i shpeshtë të jetë dajaku, më e shpeshtë është edhe ndjenja e mospërshtatjes!

Hakmarrja
Fëmija i cili gjithmonë han dajak kërkon hakmarrje! Pasojë e zakonshme e dajakut është kthimi. Fëmija i vogël që nuk mund ta kthejë goditjen kërkon mënyra tjera të hakmarrjes. Shkatërrimi i diçkahit që i takon prindit, shkrimi nëpër mure apo vjedhja, janë vetëm disa mënyra me të cilat fëmija ia “kthen” personit i cili e rrah. Ndjenja e hakmarrjes vë në plan të dytë idenë e sjelljes së hijshme.

Leja që të rrihet ai që duhet
Prindi i cili rrah fëmijën e vet rrezikon që fëmija të mësojë se dajaku është i mirë, i lejueshëm dhe i pranueshëm. Deklaratat e llojit: “Nëna të do dhe këtë e bën për të mirën tënde”, vetëm e habisin fëmijën dhe dërgojnë porosi të dykuptimta. Nxitja pozitive e sjelljes së mirë është më efikase sesa dënimi për sjellje të keqe (fëmija duhet të lavdërohet, gjegjësisht të shpërblehet pas veprimit pozitiv, gjë që është më mirë sesa të dënohet pas veprimit negativ). Më mirë është që fëmijët të nxiten qe vet të gjinden, se sa t’u bëhet vërejtje kur bëhen të varur. Rregullat dhe pritjet prej tyre duhet sqaruar paraprakisht, bashkë me bazat e rregullave dhe pasojat e shkeljes së rregullave. Fëmija në moshë shtatëvjeçare ndoshta nuk i kupton gjithmonë arsyet për ekzistimin e rregullave, por sqarimi u jep peshë rregullave. Kur fëmija të ketë shkelur ndonjë rregull, duhet të dënohet me përpikëri dhe drejtpërdrejtë. Më mirë është që fëmija të dënohet menjëherë, se sa të thuhet “prit, veç sa të vjen babai në shtëpi”. Në kohën kur vjen babai në shtëpi, fëmija do të ketë mendime të mjegulluara se për çfarë dënohet. Natyrisht që dënimi nuk guxon të jetë i natyrës fizike apo jo i përpiktë (fëmija mund të dënohet në atë mënyrë që i shkurtohet ndonjë aktivitet të cilin do ta bëjë, si për shembull shikimi i ndonjë filmi vizatimor apo dalja në shëtitje dhe të ngjashme).
Fëmijët bëjnë ashtu siç bëjnë të rriturit, e jo si thonë të rriturit. Të rriturit dhe prindërit janë shembuj për fëmijët. Prindërit janë shembull i keq për fëmijët e tyre nëse vet nuk jetojnë ashtu siç i mësojnë fëmijët.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008