logo
 
 

 

temat

EDUKIMI I FËMIJËVE NË FRYMËN ISLAME

Mr.  Shaqir  FETAHU

Islami deri në kohën dhe vendin në të cilën jetojmë ka arritur gjeneratë pas gjenerate në mënyra të ndryshme dhe në të njëjtën kohë përmes mundit të pashoq të çdo gjenerate, të cilat në shërbim të vazhdimit të misionit flijuan gjithçka, edhe atë: të menduarit, pasurinë, kohën, familjet e tyre dhe më në fund edhe trupin e tyre fizik. Për gjithë këtë vërteton historia e Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi. Në këtë mënyrë gjeneratat e mëparshme morën pjesë aktive në shpjegimin e Islamit në çdo një vend dhe kohë me qëllim të kontribuimit të tyre në përhapjen e konstruktives dhe së mirës, si dhe në shkatërrimin e të keqes dhe eliminimin e destruktives me qëllim të lumturisë dhe fatbardhësisë së njerëzimit në këtë dhe botën tjetër. I gjithë ky frymëzim është marrë nga inspirimi kur’anor se “çdo një gjeneratë do të fitojë atë që e meriton dhe secili do të përgjigjet për atë që ka vepruar dhe kontribuar në kohë dhe vend”, si dhe “besimtarë të vërtetë janë të gjitha ata të cilët luftojnë në rrugën e Zotit me pasurinë dhe trupin e tyre”.
Duke marrë parasysh gjithë këtë, padyshim se në kohën në të cilën jetojmë gjithnjë e më tepër rritet përgjegjësia rreth Islamit dhe shpjegimit të tij në kohë dhe vend, me qëllim që ai të jetë sa më afër njeriut të kësaj kohe dhe të formohet bazë e vërtetë për kalimin e tij në të ardhmen. Këto janë dy elemente pa të cilat nuk mund të paramendohet kryerja e obligimeve tona ndaj Islamit, njerëzimit dhe gjeneratave që vijnë.
Andaj, çështje fundamentale sot për ne është se në çfarë mënyre do t’i qasemi Islamit dhe cila është baza kryesore e cila do të ishte fundament më i fortë për praktikimin e Islamit në kohën tonë dhe transferimin e tij në kohën që vjen.
Çështje më me rëndësi është formimi i gjeneratave të reja në frymën e shëndoshë islame, duke i përgatitur ato me të gjitha virtytet dhe aftësitë profesionale të cilat i kërkon koha në të cilën jetojmë, me qëllim që të jenë të aftë për të qenë bartës të vërtetë të vlerave të Islamit dhe  prezantimin e tyre në skenën botërore. Do të thotë se para çdo një familjeje, respektivisht para prindërve të kohës tonë, paraqitet obligimi i domosdoshëm i edukimit të fëmijëve në frymën e pastër islame, përmes të cilit edukim do të vazhdonte në mënyrë të vërtetë dhe përmbajtjesore Islami në jetën e përditshme.
Islami, me qëllim që pjesëtarët e tij më së miri ta kuptojnë këtë, çështjen e edukimit të fëmijëve dhe formimit të tyre e sjellë në shkallën e imperativit, që do të thotë si çështje kyçe në shoqëri nga e cila varet fati i njeriut në këtë dhe botën tjetër. Kur’ani Famëlartë për këtë imperativ flet në shumë ajete kur’anore, por këtu do ta cekim këtë: “O ju që besuat, ruani veten tuaj dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et Tahrim: 5)
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], si shpjegues i misionit hyjnor, në kontekst të këtij ajeti dhe i inspiruar nga ky dhe shumë ajete tjera, flet shumë fjalë për këtë çështje, por më me rëndësi janë këto hadithe: “Nuk i lë një prind fëmijës së vet asgjë më të vlefshme dhe më të çmueshme se edukata e mirë”. (Transmeton Tirmidhiu) dhe“Të edukojë secili prej jush fëmijën e vet është më mirë se sa t’u jep të varfërve nga një gjysmë sa’i (3,33 kg. grurë)”.
Para se të thellohemi në këtë, është me rëndësi të kuptojmë se kjo çështje është shumë aktuale në kohën në të cilën jetojmë, kur me të vërtetë ekziston krizë e madhe morale dhe e mbushur me anomali të ndryshme të kohës, të cilat drejt për së drejti sulmojnë gjenin dhe thellë mundohen ta shkatërrojnë atë. Por ajo që është më problematike, kriza në vetëdijen e prindit të kohës sonë, e cila shihet në moskujdesin e tyre për detyrat e veta që i kanë ndaj fëmijëve të tyre, të cilët kësaj çështje shumë pak i kushtojnë rëndësi apo aspak nuk i kushtojnë rëndësi, duke harruar fjalët e shenjta të All-llahut të Madhërishëm dhe hadithet e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ose atë e bëjnë njëanshëm, duke ia lënë edukimin e tyre rrugës, ku subjekt kryesor i edukimit të tyre është kafeneja, alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, droga, bixhozi, etj, dukuri kjo që është strategji e të huajve dhe armiqve të Islamit dhe muslimanëve, të cilët mirë e dinë se për të shkatërruar dhe sunduar një popull duhet shkatërruar moralisht dhe fizikisht edhe rininë e atij populli, për arsye se me këtë ke zhdukur ardhmërinë e tij. Kur Islami edukatën e mirë e konsideron si vlerë më të çmueshme dhe pasuri më të madhe, ka për qëllim formimin e një rinie të pastër, të vetëdijshme, me një nivel të lartë të përgjegjësisë ndaj gjithçkaje që posedon dhe sundon, rini që do të jetë e vetëdijshme për detyrat ndaj Zotit, vetvetes, të tjerëve dhe gjithë asaj që e rrethon. Sa e sa të rinj sot shkatërrojnë pasuri të mëdha, familje, dështojnë në detyrat e tyre vetëm e vetëm pse nuk janë të përgatitur mirë në sferën e edukimit të tyre. Sa e sa të rinj sot janë sakrificë e anomalive të ndryshme të kohës dhe janë shkatërrues të vetvetes, familjes dhe shoqërisë mu për shkak të mos edukimit të pastër të tyre. Sa e sa të rinj sot në botë janë subjekt i krimit, vjedhjeve, masakrimeve, narkomanisë, vrasjeve, plaçkitjeve dhe janë problem serioz i shoqërisë dhe shteteve të ndryshme, sa që pa sukses mbeten edhe institucionet e ndryshme psikologjike, sociologjike, pedagogjike etj. E gjithë kjo ndodh vetëm nga shkaku i moskuptimit të rolit të prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre, e që shihet në faktin se prindi i kohës së sodit merret me gjithçka tjetër, vetëm jo me atë që është primare dhe më e shtrenjtë e tij - edukimin dhe formimin e fëmijës. Mu për këtë Kur’ani famëlartë dështimin në këtë çështje e llogarit si dështim të prindit personalisht dhe në të njëjtën kohë shkaktar kryesor në dështimin e familjes së tij në përgjithësi. Pra, t’ia lëshosh edukimin e fëmijës rrugës i ngjanë sikur lëshimin e fëmijës së vogël trafikut të dendur, gjegjësisht shkatërrimit të jetës së fëmijës.
Edukimit të fëmijëve dijetarët islam, gjatë historisë por edhe sot, i kushtojnë rëndësi të veçantë, duke iu qasur këtij fenomeni nga të gjitha aspektet, me qëllim që të jenë më efektiv në këtë çështje. Dihet mirë se edukimi i fëmijëve është proces me tipare të rënda, që kërkon përgatitje dhe përgjegjësi të lartë. Islami ndaj çdo një problemi, pra edhe në këtë çështje, përdor dhe porositë metodën më të natyrshme, hyjnore, racionale, që përputhet me natyrën dhe psikologjinë e fëmijës.
Në këtë proces të edukimit të fëmijës kryesisht janë paraparë disa parime kryesore pa të cilat nuk mund ta paramendojmë procesin e edukimit të fëmijës, pra edhe të gjeneratave të reja, kurse si më kryesore do të ishin këto:
1. Edukimi i fëmijës kërkon parapërgatitje të posaçme që fillon prej momentit të  lindjes së tij, ndërsa Islami shkon edhe më larg, këtë e kërkon edhe para lindjes së tij. Pra, Islami çështjen e edukimit të pasardhësve e parashtron prej momentit të kurorëzimit apo martesës së bashkëshortëve, të cilët në momentin e këtij akti mbi të gjitha duhet të mendojnë se a janë të përgatitur të jenë bashkëshortë të vërtetë me të gjitha tiparet pozitive, për arsye se bashkëshortësia sjell menjëherë pasardhësin i cili duhet edukuar, zhvilluar dhe formuar si personalitet i cili nesër do të jetë në gjendje të inkuadrohet në shoqëri dhe me sukses të jetë bartës i obligimeve të cilat do t’i paraqet koha dhe vendi në të cilin jetojmë. Pra, Islami, prej momentit para se të mendohet fëmija, kërkon nga njeriu që të jetë i gatshëm të jetë prind dhe të merr mbi supet e veta rolin e edukuesit të fëmijës apo të riut që do të vijë në këtë  botë. Për këtë arsye Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i preferon çdo të riu që të zgjedh bashkëshorte që ka edukatë të mirë, për arsye se edukata e mirë është ajo që jep garanci se edhe fëmija do të jetë i edukuar mirë. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] përmend bashkëshorten, për arsye se nëna është shtylla e familjes dhe faktor kryesor në edukimin, formimin dhe zhvillimin normal të fëmijëve, është ajo që lëkund djepin e ardhmërisë dhe edukuese e një populli.
Pra, me edukimin e fëmijëve duhet filluar shumë më herët, për arsye se çdo një fëmijë lind me natyrë të pastër, ai është si fleta e bardhë e cila pranon gjithçka që do t’i jepet atij. Ai është sikur hekuri i nxehtë i cili lakohet në çfarëdo forme që do t’i jepet atij. Për këtë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith thotë:“Secili fëmijë lind me natyrë të pastër islame, e pastaj prindërit e tij e bëjnë jehud, të krishterë apo mexhus”.
Duke marrë parasysh këtë, Islami preferon që fëmijës së porsalindur t’i jepet emër i mirë dhe i bukur, t’i thirret ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në zërin e majtë, e që ndikon mjaft në zemrën dhe shpirtin e fëmijës, gjë që është vërtetuar kohëve të fundit edhe nga shumë analiza shkencore, sipas të cilave fëmija është fushë shumë e përshtatshme për pranimin dhe vulosjen e shprehive dhe fjalëve në psikologjinë dhe shpirtin e tij. Kjo do të thotë se prej momentit të parë fëmijës duhet t’i ofrohet fjala apo dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, kur dihet se njeriu është i ardhur për të njohur Krijuesin e vet, me qëllim që të dallohet nga krijesat tjera dhe në këtë mënyrë ta njeh vetveten dhe gjithçka që e rrethon atë.

2. Faktori prind është kyç dhe element bazë në procesin e edukimit të fëmijës dhe të riut. Nisur nga kjo, Islami kërkon që prindërit të jenë personalitete dhe autoritete të vërteta islame me plot kuptimin e fjalës, për arsye se prindi është më afër fëmijës dhe i vetmi që e përjeton me shpirt dhe zemër fëmijën e vet. Pra, prindi, si edukator i parë dhe kyç sipas metodës islame në edukimin e fëmijëve, duhet së pari të jetë i edukuar vet në frymën islame, që do të thotë të jetë personalitet i vërtetë i mbathur me të gjitha njohuritë që duhet për një prind, i edukuar mirë dhe i profesionalizuar me të gjitha ato vlera të cilat i kërkon procesi i edukimit islam. Mu për këtë Islami obligon formim intelektual dhe shpirtëror të çdo një individi, ndërsa Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në mes tjerash thotë: “Lypja e diturisë është obligim i domosdoshëm (farz) për çdo një musliman dhe muslimane”.
Natyra dhe psikologjia e fëmijës është magnetike dhe shumë e përgatitur për të emituar, dhe për këtë është shumë e natyrshme që ai gjatë zhvillimit dhe formimit të tij do të pranojë gjithçka që i jep prindi dhe që e sheh tek ai, qoftë ajo pozitive, konstruktive, e mirë, apo negative, destruktive, e keqe. Të rralla janë ato raste kur prindi me të vërtetë e jep maksimumin në edukimin e fëmijës e të mos ketë sukses dhe efekt në këtë. Andaj, formimi i një ambienti pozitiv rreth fëmijës gjatë procesit të edukimit është tejet me rëndësi, për arsye se ai do ta merr atë që e sheh dhe dëgjon. Thjesht thënë, do të ishte gabim shumë i madh dhe i rrezikshëm në edukimin e fëmijës nëse, për shembull, në vend të fjalës së mirë fëmija pandërprerë dëgjon fjalë të ndyta, në vend të veprave të mira dhe pozitive dëgjon dhe sheh vepra të këqija si vjedhja, rrena, alkooli, bixhozi, etj. Ajo që është më tragjike, sot shumë prindër më tepër gëzohen kur te fëmija hasin në ndonjë cilësi negative, me arsyetimin banal se koha është e tillë dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të jetohet. Kjo është një vetëdije e ulët dhe papërgjegjësi për pasojat që mund të dalin nga kjo sjellje e dëmshme dhe e rrezikshme, është humbje e madhe edhe për prindin edhe për fëmijën. Për këtë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Secili prej jush  është bari (përgjegjës) dhe secili prej jush do të përgjigjet për tufën e vet”. (TransmetonBuhariu) Ndërsa Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Edukofëmijën tënd, për arsye se do të pyetesh për atë se si e ke edukuar dhe si e ke mësuar, ndërsa ai do të pyetet a të ka bërë mirë dhe a të ka nderuar”. Dijetari i njohur islam në thënien e tij thotë: “Të gjitha ngatërresat që rrjedhin nga fëmijët janë rezultat i mos përgjegjësisë dhe mos kujdesit të prindërve ndaj fëmijëve të tyre, nga mos të mësuarit e obligimeve fetare dhe suneteve të Pejgamberit të tyre. Fëmijët e këtillë nuk janë të dobishëm as për vetveten, e as për prindërit e tyre”.
Andaj, do të ishte gabim i madh dhe metodë e dështuar që sjellja e prindit të jetë në kundërshtim me porositë e tij për një edukim të mirë të fëmijës. Nuk mund të pritet edukatë e shëndoshë dhe e plotë islame nëse lypet nga fëmija diçka, ndërsa prindi vepron ndryshe, si për shembull: të edukosh fëmijën të falë namaz, të agjërojë, të mos pijë alkool, të mos gënjejë, të mos vjedhë, ndërsa vet prindi nuk falet, nuk agjëron, vjedh, gënjen, pi alkool etj. Është kjo një kontradiktë e qartë që dërgon në dështim total, ngase jo vetëm që nuk mundet fëmija të edukohet në këtë mënyrë, por ai imiton dhe i merr të gjitha karakteristikat negative që i sheh te prindi.
Është tejet e gabueshme teoria se, natyra e njeriut nuk ka mundësi të ndryshojë dhe se gjoja ajo mbetet e tillë gjatë tërë jetës. Përkundrazi, Islami vërteton se shpirti i njeriut posedon fuqi e cila është në gjendje ta ndryshojë të keqen te vet njeriu, duke e shndërruar atë në të mirë dhe konstruktive. Ja se çka thotë Muhammed Gazali në veprën e tij të njohur me titull Ihaju Ulumid-dinë: “Fëmija është amanet te prindërit e tij. Zemra e tij është substancë e pa ndotur. Po qe se në të mbjellët dhe mësohet e mira, ai fëmijë do të jetë në lumturi në këtë dhe në botën tjetër. E nëse mbjellët në të e keqja dhe lihet pas dore edukimi i tij, siç është rasti me kafshët, ai vuan dhe shkatërrohet. Shpëtimi i tij është në edukimin dhe mësimin e vlerave të larta morale”.
Mu për këtë All-llahu i Madhërishëm në shumë ajete kur’anore në mënyrë qortuese dhe ironike i drejtohet njeriut - besimtarit i cili bën ndarjen e teorisë nga praktika, dhe vetëm fjalët boshe i merr si shembull për të edukuar të tjerët. Për këtë në Kur’anin Famëlartë thotë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është  shumë e urrejtur  ta thoni atë që nuk e punoni !” (Es Saff: 2-3) dhe “A po i urdhëroni njerëzit në punë të mira, e veten tuaj e harroni?” (El Bekare: 44)
Dijetari i madh Imam Ebu Hamid Gazali për këtë fenomen thotë:“Fjala e dijetarit nuk duhet të vijë në kundërshtim me veprat e tij, sepse dituria kuptohet me mend, ndërsa veprat shihen me sy. Ata që shohin me sy janë më shumë se sa ata që kuptojnë me mend. Nëse veprat vijnë në kundërshtim me diturinë dhe fjalët e tij, atëherë ndërpritet udhëzimi”. (Ihjau Ulumud-din, vëll. I, faq. 58)
Hasan Basriu në një rast ka thënë: “Sjellja dhe morali i një njeriu ndikon te një mijë njerëz më tepër se fjala e një mijë njerëzve te një njeri”.
Mire thotë një poet i njohur arab:
Mos ndalo nga punët që vet i punon
Turp i madh për ty nëse ashtu vepron
Në  anën tjetër, të veprosh ndryshe nga ajo që flet është njëri ndër faktorët kryesor në shkatërrimin e një individi, familjeje apo populli. Ky veprim i këtillë ka qenë njëri ndër shkaqet kryesor në shkatërrimin dhe zhdukjen e shumë popujve nga skena historike. Këtë na e vërteton rasti me çifutët të cilët morën mallkimin e All-llahut të Madhërishëm vetëm sepse vepruan në mënyrën e lartpërmendur.

3. Në procesin e edukimit autoriteti i prindit duhet të jetë i plotë para fëmijës. Pra, qëndrimi i prindit duhet të jetë qëndrim i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për detyrën që ka ndaj fëmijës dhe për atë që i është dhënë në duart e tij, kurse kjo nënkupton mosbarazimin e autoritetit të prindit me atë të fëmijës dhe vendosmërinë e plotë në procesin edukativ të fëmijës. Kjo nënkupton aktivitet maksimal në formimin e fëmijës së shëndoshë, duke qenë i vendosur në veshjen e fëmijës me atë që është e mirë dhe pozitive. Prindi pandërprerë duhet të dijë se fëmija për nga natyra gjithmonë anon kah liria dhe dëshiron të veprojë në bazë të këtij parimi. Në këtë kohë emocioni është mbi të menduarit e fëmijës dhe ai më tepër vepron në bazë të emocioneve se sa bindjeve të tij, për arsye se të menduarit e tij është në zhvillim e sipër dhe si i tillë është i paaftë t’i kuptojë sendet në mënyrë të drejtë. Kjo kërkon nga prindi që të jetë shumë i kujdesshëm se çka duhet t’i ofrojë fëmijës, çka duhet t’i tolerojë dhe çka duhet t’i ndalojë. T’i lejohet liri absolute në këtë kohë dhe fazë është e barabartë sikur t’ia lejosh fëmijën shkatërrimit dhe humbjes. Mu për këtë fëmijës i është dhënë prindi, dhe sikur të ishte liria absolute ndonjë faktor pozitiv në edukimin e fëmijës, atëherë pa dyshim se fëmija nuk do të kishte nevojë të ketë prind, as që do të bisedohej për edukimin si proces dhe nevojë e domosdoshme, e as që do t’i kushtonte kujdes Islami kësaj çështjeje.
Aliu [radijall-llahu anhu] në një thënie të tij thotë: “Nuk është jetim ai fëmijë që nuk ka prindër,  por jetim i vërtetë është ai fëmijë që është pa edukim dhe pa sjellje të mirë”.

4. Përgatitja e rrethanave dhe kushteve të kohës dhe vendit ku jeton dhe formohet fëmija. Islami, si fé e natyrshme, çështjen e rrethanave dhe ambientit ku jeton fëmija e sheh si njërën ndër karakteristikat mjaft me peshë në edukimin e fëmijës. Prej këtij fenomeni varet shumë se si do të jetë formimi i personalitetit të fëmijës në procesin e edukimit të tij. Andaj, për një edukim të mirëfilltë islam kërkohet edhe formim i ambientit të pastër dhe të shëndoshë islam. Fëmija është qenie e lëvizshme dhe normalisht gjatë kësaj lëvizje do të ballafaqohet me dukuri dhe fenomene të ndryshme pozitive e negative të cilat mund të lënë ndikimin e tyre. Për këtë arsye Islami i kushton kujdes të veçantë kësaj çështje dhe mu për këtë nga shoqëria kërkon formim të ambientit të pastër islam, duke i evituar të gjitha dukuritë destruktive dhe shkatërruese për njeriun, e në veçanti për fëmijën, si për shembull: alkoolizimin, narkomaninë, bixhozin, etj.
Përveç këtij hapi, Islami, në të njëjtën kohë, kërkon formimin e institucioneve të ndryshme shkollore, arsimore, informative, edukative, profesionale dhe shumë të tjera, normalisht me një organizim të pastër e të shëndoshë për natyrën e fëmijëve, qëllimi i të cilave do të ishte njoftimi dhe aftësimi i fëmijëve me vlerat kryesore të jetës së tyre dhe obligimet ndaj Zotit, vetvetes, familjes, vendit dhe shoqërisë.
Kur’ani Famëlartë, me qëllim që më së miri të kuptohet procesi i edukimit të fëmijëve, përveç parimeve universale rreth kësaj çështjeje, në formë të dialogut na rrëfen për ngjarje të ndryshme të mënyrës së edukimit dhe këshillave në mes pejgamberëve dhe fëmijëve të tyre, siç është rasti i Ibrahimit dhe Ismailit, Nuhit dhe birit të tij, etj. Do të ishte shumë ilustrative për gjithë këtë që u tha të citohet këshillimi i Lukman Hakimit që ia drejtoi birit të tij me këto fjalë:
“Kur Lukmani i tha birit të vet duke e këshilluar: Biri im! Mos i bën shok All-llahut, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe.” (Lukman: 13)
“O djali im, fale namazin, urdhëro në punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara. Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet. Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.” (Lukman: 17-19)
Nga ky rrëfim në formë të porosive dhe këshillave të Lukmanit birit të tij na dalin në shesh konceptet kryesore të cilat duhet t’i përvetësojë fëmija dhe përmes të cilave duhet të edukohet dhe ta shprehë personalitetin e vet në jetën e kësaj bote, si dhe të cilat vlera duhet mësuar prindi fëmijës vet, sidomos në fazën kur ai është i gatshëm t’i kuptojë sendet, t’i analizojë ato dhe t’i praktikojë në jetën e përditshme.
Andaj, sipas fjalëve të lartpërmendura të Kur’anit famëlartë, gjatë procesit të edukimit, mbi të gjitha, fëmija apo i riu duhet të ketë vetëdije të lartë mbi praktikimin dhe kultivimin e këtyre parimeve universale:
- Njohja e Krijuesit, respektivisht besimi në Njëshmërinë e All-llahut të Madhërishëm, parim ky që menjëherë dallon njeriun nga krijesat tjera dhe në të njëjtën kohë demanton të gjitha besimet tjera të gabuara, si politeizmi dhe format tjera jo të vërteta të besimit.
- Nënshtrim dhe përkushtim i plotë Fuqisë Absolute - All-llahut të Madhërishëm, duke iu falur atij me bindje të plotë, përmes të cilit përkushtim vërtetohet në praktikë e vërteta se vetëm Ai është që meriton adhurim dhe se gjithçka tjetër është vetëm mjet për të jetuar.
- Obligimi i të vepruarit mirë, duke e bërë atë vlerë të përditshme, dhe njëherit vetëdije e lartë për të shkatërruar të keqen, obligime këto që paraqesin bazën kryesore për mirëvajtjen e një bashkësie apo populli.
- Formimi i një personaliteti i cili në vete ka vlerën e durimit, karakteristikë kjo që tejkalon çdo pengesë në jetën e përditshme në luftë për të avancuar të mirën.
- Largimi dhe evitimi i cilësisë së mendjemadhësisë në jetën e tij dhe në marrëdhëniet reciproke në jetën e përditshme, për arsye se mendjemadhësia është cilësi negative dhe si e tillë shumë e urrejtur tek All-llahu i Madhërishëm dhe te njerëzit në përgjithësi.
- Të jetuarit me qëllime të pastra dhe të sinqerta, duke vepruar qetë dhe me maturi, pa bërë zhurmë, për arsye se jeta e paqëllimtë dhe e pamatur është karakteristikë e botës shtazore.
Në kohën në të cilën jetojmë kjo çështje është gjithnjë e më aktuale dhe kërkon një kujdes shumë më të madh, qasje serioze dhe përgjegjësi të madhe. Ndryshimet e fundit në vendin dhe kohën tonë bënë hapjen e dyerve të shumë anomalive nga jashtë, të cilat propagandohen me të madhe përmes kafeneve, mjeteve të informimit, kulturës së importuar nga jashtë, shund muzikës, lakuriqësisë, prostitucionit, pornografisë, si dhe shumë e shumë dukurive tjera që në mënyrë të furishme sulmojnë fëmijën dhe të riun tonë. Kjo na obligon neve që në këtë ambient të fëlliqur, amoral dhe të rrezikshëm, që kanoset të ndytë pastërtinë e fëmijës dhe të riut tonë, të kemi kujdes, edhe atë kujdes të programuar dhe me strategji të posaçme, qoftë familjar apo institucional.

5. Edukimi i fëmijëve dhe rinisë të jetë konform kërkesave të kohës dhe vendit, edukim ky që do të bëjë përgatitjen e gjeneratave të reja me qëllim që të jenë në gjendje t’u përgjigjen çështjeve dhe kërkesave të cilat kërkojnë zgjidhje konform standardit të zhvillimit të rrjedhave në të gjitha fushat e zhvillimit të njeriut. Pra, prej momentit të parë të kemi parasysh tipin e një fëmije i cili duhet thellë ta njeh Islamin dhe duke u profesionalizuar në sfera të ndryshme shkencore përmes të cilave zhvillohet njerëzimi. Sot është kohë e teknikës, internetit dhe mjeteve të fuqishme pa të cilat nuk mund të ecet në kohë dhe hapësirë. Pra, te fëmija duhet mbjellë vetëdijen, vullnetin e paluhatshëm për t’u profesionalizuar në fusha të ndryshme, duke i ndërlidhur ato ngushtë me parimet islame me qëllim të inkuadrimit në zhvillimin e vlerave të ndryshme të dobishme për njerëzimin në përgjithësi. Përgatitja dhe edukimi i këtillë do të ishte bazë për një qasje të vërtetë të Islamit, duke e shikuar atë nga të gjitha aspektet, si për nga ai fetar, moralo-etik, filozofik, sociologjik, artistik, kulturor etj. Nisur nga kjo Aliu [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj për një kohë që nuk është kohë e juaj”, që do të thotë, përgatitni dhe edukoni fëmijët tuaj për kohën në të cilën do të jetojnë. Do të ishte dështim i plotë në edukimin e fëmijëve dhe gjeneratave të reja në frymën islame të përdoret metodë e vjetërsuar dhe vlera tashmë të tejkaluara të cilat nuk përkojnë me aktualitetin dhe kohën në të cilën jetojmë. Kjo do të thoshte të përgatitesh për një kohë e cila tashmë nuk ekziston.

Subjektet kryesore në procesin e edukimit
Duke marrë parasysh se fëmija është ardhmëria e një populli, në lëmin e edukimit duhet përfshirë të gjithë faktorët të cilët sjellin deri te edukimi i mirëfilltë, qoftë në atë individual apo institucional.
Në fushën institucionale është e domosdoshme që të ngrihet niveli i edukimit fetar në suaza të organizimit të Bashkësisë Fetare Islame dhe organeve të saj, të cilën tashmë e kemi dhe funksionon, e ai është mësim-besimi nëpër mektebe, por padyshim jo ashtu siç duhet. Këtu ka nevojë për një riorganizim në sferën e punës nëpër mektebe, e po ashtu edhe në sferën e kuadrove dhe metodës së punës. Kjo mund të jetë rruga e shpëtimit të fëmijëve tanë. Në këtë sferë është i patjetërsueshëm bashkëpunimi i ngushtë në mes subjekteve mualim, prind dhe fëmijë, bashkëpunim ky që duhet të jetë i koordinuar përmes BFI dhe organeve të saj. Për këtë fenomen vërtetë ka nevojë për një analizë të vërtetë nga ekspert fetar e pedagogjik për forcimin dhe kultivimin më serioz të këtij procesi.
Hapi i dytë dhe shumë i rëndësishëm do të ishte inkorporimi i mësim-besimit në sistemin arsimor, proces ky që është tejet bashkëkohor dhe mjaft ndikues dhe efektiv në edukimin e rinisë në institucione shkollore. Këtë e ka treguar fakti se mësim-besimi fetar tashmë është inkuadruar në të gjitha shtetet evropiane dhe atje tashmë ka një përvojë të madhe dhe ndikim të posaçëm.
Institucionet e BFI-së dhe faktorët tjerë brenda dhe jashtë duhet që maksimalisht dhe me metoda të ndryshme dhe adekuate të veprojnë në zhvillimin dhe organizimin e aktiviteteve si tribunat, seminaret për të rinj, emisionet televizive, tema të ndryshme nëpër mjetet e informimit, kontaktet dhe shumë punë tjera.
Të gjitha këto dhe aktivitete tjera që i kërkon koha dhe vendi do të ishin efektive dhe do të jepnin rezultat në sferën e formimit të një gjenerate të shëndoshë shpirtërisht dhe fizikisht, kurse me këtë ne do ta kryenim me sukses detyrën tonë si prind dhe si pjesëtarë të Islamit. Me plot të drejtë dijetari i madh islam, Imam Xheuziu thotë: “Fëmijët (të rinjtë) janë amanet te prindërit e tyre. Zemrat e tyre janë si guri i çmueshëm që pranon çdo shkrim-gdhendje. Prindërit nëse ua bëjnë shprehi të mirën, do të jetojnë me të, nëse ua bëjnë shprehi të keqen, do të jetojnë me të. Pra, është e domosdoshme ata të formohen, edukohen, ndërtohen dhe t’u mësohen atyre vlerat morale dhe maksimalisht të mbrohen nga të këqijat dhe dukuritë negative… Vërtet fëmija është pjesë e prindit, begati dhe mburrje e tij, osemund të jetë (në rast të dështimit në sferën e edukimit të tyre) vështirësi dhe marri. Andaj zgjidh nga pjesa jote atë që dëshiron”.
Pra, prindi është faktor i parë dhe i fundit, dhe si i tillë edhe kryesor në procesin edukativ për formimin e fëmijës së shëndoshë. Tek ai është shërimi dhe sëmundja. Për këtë me të drejtë një poet i madh islam thotë:

Shërimi  është te ti, por ti nuk e sheh
Sëmundja është nga ti, por ti nuk e ndjen
Ti njeri mendon se je një trup i vogël
E te ti është përfshirë kozmosi i tërë

Në fund, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se edukimi i fëmijëve në frymën islame është begati e madhe si për fëmijën, po ashtu edhe për prindin, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi. Edukimi islam është stoli e cila e zbukuron njeriun dhe a pasuron atë në çdo aspekt. Ai është shok i pandarë në vetmi, disponim i këndshëm në hidhërim, krenari në nënçmim, shpresë në momentet më të vështira të jetës, udhëzim për të qenë në shërbim të familjes, popullit që i takon dhe vatanit ku jeton.       

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008