Sateliti evropian për parashikimin e vërshimeve
Agjencia evropiane kozmike nga baza ruse Pleseck me sukses ka lansuar satelitin SMOS përmes raketën Rockot , i cili do të duhej të masë lagështinë e truallit dhe kripshmërinë e oqeanit në Tokë, në mënyrë që sa më mirë të kuptohen ndryshimet klimatike.
“Uji në truall dhe kripa në oqeane” janë dy variabla kyçe të ndërlidhura me ciklin e ujit në Tokë, “me ndikim në meteorologji dhe klimë”, sqaron ESA, duke theksuar se SMOS (Soil Moisture and Ocean Salinity) do të mundësojë matjet globale për gjithë planetin.
Shkencëtari kryesor i misionit SMOS pranë Qendrës për studimin e biosferës nga gjithësia, Yann Kerr, mendon se “ngrohja globale është fakt”, por pasojat e tij në ciklin e ujërave “janë pasigurta”, prej nga edhe nevoja “për të dhëna më të mira” me qëllim të ndërtimit të modeleve të besueshme klimatike.
“Disponueshmëria me ujë dukshëm kontribuon te temperatura nga ngrohja globale”, tha ai.
Kripshmëria mesatare e oqeaneve i përgjigjet 35 gramëve kripë për një litër ujë. Pas 30 ditëve të vëzhgimit, SMOS do të mund të zbulojë sasinë e kripës në një litër ujë saktë në dhjetëshet e gramit.
Të dhënat e SMOS-it do të jenë të dobishme për shkencëtarët dhe ekspertët meteorologjik, por edhe në bujqësi, peshkatarëve dhe detarëve.
SMOS do të qarkullojë rreth Tokës në lartësi prej 760 kilometra. Misioni SMOS do të zgjasë tre vjet e gjysmë dhe do të kushtojë rreth 350 milionë euro.
Organizmat nga shkëmbinjtë koralë shërojnë?
Shkencëtarët tajvanezë kanë publikuar se komponimi kimik ma prejardhje nga koralët, i quajtur Capnella imbricata, do të mund të shërbejë si bazë e terapisë së re për dhembjen e shkaktuar nga dëmtimet e nervave. 
British Journal of Pharmacology ka publikuar rezultate premtuese të testimeve të zhvilluara te minjtë. Është treguar se komponimi kimik i quajtur Kapnelen ndikon te qelizat të cilat i rrethojnë qelizat nervore dhe kështu bllokon dhembjen neuropatike.
Vlerësohet se një për qind e njerëzve vuan nga këto dhembje, kurse kryesisht bëhet fjalë kryesisht për persona me dëmtime të shkaktuara nga diabeti. Hulumtuesit theksojnë se si në bazë të organizmave nga shkëmbinjtë koralë tani më janë zhvilluar barna të shumta, përfshirë këtu edhe ato për HIV, sëmundjet e zemrës, leukeminë dhe kancerin e lëkurës.
Lidhshmëria e kafeinës, hormoneve dhe karcinomit
Futja e kafeinës mund të ndikojë në nivelin e estrogjenit dhe hormoneve tjera te gratë, dhe kështu ndoshta të japë sqarim për lidhjen e vërejtur ndërmjet kafeinës dhe disa formave të kancerit, thonë shkencëtarët nga Harvardi.
Disa hulumtime të zhvilluara më herët kanë treguar për lidhshmëri jo të përhershme të kafeinës dhe kancerit të gjinjve dhe vezorëve.
Rezultatet e reja të grumbulluara prej 1200 të testuarave sugjerojnë se si marrja e shtuar e kafeinës është e ndërlidhur me nivelin e ngritur të hormonit progesteron, si dhe me nivelin e ulur të formës së estrogjenit me emër estradiol.
Te gratë të cilat e kanë kaluar menopauzën, konsumimi i shtuar i kafeinës ka qenë i lidhur me nivelin e ngritur të SHBG-së, hormonit të njohur për nga ndikimi në zvogëlimin e rrezikut prej sëmurjes nga kanceri i gjirit, shkruan revista profesionale Cancer.
Shkencëtarët përmendin se si rezultatet e studimeve të tyre nuk mundësojnë sjelljen e konkluzave të qarta, si dhe thërrasin në realizimin e hulumtimeve të mëtejme ashtu që në mënyrë plotësuese të zbardhet lidhshmëria e marrjes së kafeinës dhe nivelit të hormoneve kyçe te femrat.
Peshqit - robotë do të ndjekin gjendjen e deteve botërore
Një hulumtues nga Univerisiteti Michigan ka zhvilluar një prototip të peshkut-droid, tufat e të cilit do të duhej të grumbullonin të dhëna prej ujërave të ndryshme. Sidomos do të duhej të kishin efekt për monitorim gjatë një periudhe më të gjatë.
Profesor Xiaobo Tan thotë sa peshqit e tij mund të notojnë sikurse mostrat e tyre organike dhe falë të dhënave të tyre shkencëtarët do të kenë “shikim më të qartë për ndryshimet në mbarë ekosistemin”. 
Profesoresha e zoologjisë Elena Litchman, e cila ka bashkëpunuar me profesorin Tan, thotë se patrullat e këtyre peshqve mekanik do të mund të mbledhin grumbuj të informatave mbi ambientin e tyre rrethues në një mënyrë të paparë deri tani.
Në mënyrë që të krijojë lëvizje realiste, Tan ka përpunuar fletëza prej polimerëve elektro-aktiv, të cilat lakohen me rritjen e tensionit, gjë që në mënyrë origjinale imiton shtrëngimin e indit muskulor. Ai po ashtu ka përpunuar edhe version të robotëve të cilët shfrytëzojnë sensorë infra të kuq në vend të syve dhe në kurriz kanë të instaluar laserë të vegjël, të cilët sigurisht do të duhej t’i mbrojnë nga sulmuesit eventual.
Përgatiti: Jusuf SALIU |