VEPRA logo
Logo link

PYETJE DHE PËRGJIGJE (14)

Mr. Bashkim ALIU

PYETJA: Në muajin e Ramazanit gruaja me barrë dhe gruaja e cila ka fëmijë në gji, vallë a duhet të agjërojë?

PËRGJIGJJA: Me agjërim All-llahu i Madhërishëm nuk dëshiron që njerëzve t’u shkaktojë vështirësi dhe t’i vë në pozitë të rëndë, por t;i lehtësojë All-llahu i Madhërishëm në lidhje me agjërimin thotë: “... All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (El-Bekare: 185)
Gruaja me barrë dhe gruaja e cila ka fëmijë në gji dhe kanë frikë reale se do ta dëmtojnë fëmijën e vet nëse agjërojnë, lejohet që të mos agjërojnë, sepse dijetarët i kanë renditur këto dy lloje në grupin e të sëmurëve të cilët e kanë të lejuar të hanë në Ramazan. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme”. (El-Bekare: 185)
Ndërsa sa i përket asaj se si do t’i kompensojnë ato ditë që nuk i kanë agjëruar, edhe pse janë dhënë disa mendime, unë do të mjaftoj me qëndrimin e medh’hebit hanefij sipas të cilit këto nuk do të paguajnë asgjë, por kur do të lirohen, pra pas lindjes dhe pasi të ndahet fëmija prej gjiri, do t’i agjërojnë ditët që i kanë lënë.
Mirëpo, nuk duhet harruar atë se nuk bën të mos agjërojnë nëse agjërimi nuk u sjell dëm të sigurt dhe komplikime shëndetësore për vetë nënën apo për fëmijën, sepse vlera e agjërimit në Ramazan, nuk mund të arrihet pas muajit të Ramazanit.
All-llahu a’ëlem - All-llahu e di më së miri.

PYETJA: A është e lejuar të çohet pështyma teposhtë në bark gjatë agjërimit dhe a e prish agjërimin gogësima?

PËRGJIGJJA: Pështyma nuk e prish agjërimin, dhe nëse personit i është mbledhur pështymë në gojë mund ta çon teposhtë, mirëpo dijetarët islamë kanë theksuar se veprimi i këtillë me qëllim, pra mbledhja e pështymës në gojë me qëllim kur personi është agjërueshëm, është vepër e papëlqyer-mekruh, dhe agjëruesi duhet t’i largohet këtij veprimi.
Sa i përket gogësimës, është shumë e qartë se ajo del nga brenda, nuk hynë nga jashtë në gojë, për atë edhe nuk e prish agjërimin.
All-llahu a’ëlem - All-llahu e di më së miri.

PYETJA: Më kanë mbetur ditë nga Ramazani pa agjë­ruar dhe tani ka hyrë muaji Sheval, gjashtë ditët e të cilit janë të vlefshme, prandaj a lejohet që kur të agjërohen ditët e mbetura për shkak të menstruacioneve të bëhet nijeti edhe për këto gjashtë ditët?

PËRGJIGJJA: Duhet përmendur se kemi disa lloje të agjëri­mit për nga trajtimi i tyre në të drejtën islame, gjegjësisht agjërim obligativ dhe joobligativ, sunnet ose nafile. Gjashtë ditët e muajit Sheval janë joobligative, gjegjësisht sunnet, nëse muslimani i agjëron këto ditë, shpërblehet, e nëse nuk i agjëron, nuk dënohet.
Ndërkaq, sa i përket agjërimit të mbetur nga Ramazani, sikur që është rasti me femrat të cilat ballafaqohen me menstru­a­cio­net mujore, plotësimi i tij është farz-obligativ dhe çdo musliman dhe muslimane që për ndonjë shkak ka lëshuar ditë nga Ramazani, duhet t’i agjërojë ato dhe normalisht duhet ta ketë nijetin-qëllimin në zemër për ditët të cilat i agjëron.
Prandaj, në muajin Sheval, muslimani ose muslimanja duhet t’i agjërojë ditët të cilat i kanë mbetur e që i ka farz, t’i plotësojë, e pastaj do t’i agjërojë këto ditë të Shevalit, ndër­kaq bashkëngjitja e nijetit të agjërimit të ditëve të mbetura me nijetin për agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit nuk është valid.
All-llahu a’ëlem, All-llahu e di më së miri.

PYETJA: Ku është ma mirë gruaja ta fal taravinë, në xhami apo në shtëpi?

PËRGJIGJJA: Fillimisht duhet përmendur se xhamitë nuk janë vetëm për burrat, por dyert e tyre janë të hapura edhe për gratë. Në kohën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gratë kanë prezentuar në xhami, dhe ai thotë: “Mos i ndaloni gratë nga prezenca në xhami”, normalisht duke iu përmbajtur rregullave islame përkitazi me daljen e gruas jashtë shtëpisë. Po ashtu, është shumë i njohur rasti i gruas e cila e kundërshtoi Omerin [radijall-llahu anhu] në xhami kur ky donte ta kufizoje mehrin-dhuratën e kurorës. Pra, shihet qartë se gratë kanë prezentuar në xhami, dhe është një e metë në trevat tona që gratë nuk prezentojnë në xhami që të dëgjojnë ligjërata fetare, sepse në veçanti vërehet se te gratë ka mungesë të diturisë fetare.
Mirëpo, është e ditur nga Sunneti i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se namazi i gruas më i vlefshëm është në shtëpinë e saj, që t’i iket ekspozimit të tepërt në rrugë dhe vende publike gjë që mund të ketë ndikim negativ. Bile, sipas hadithit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] edhe në shtëpinë e saj, vendi më i preferuar është që të falet në dhomën e saj të gjumit.
Pra, gruaja e ka të lejuar të shkon në xhami, nuk ka pengesë, por më e preferuar është që namazin ta fal në shtëpinë e vet, kjo vlen edhe për namazin e taravisë. Mirëpo, nëse gjatë Ramazanit në xhami ka ligjërata fetare, siç është rast në trevat tona, kur para namazit të taravisë mbahen ligjërata, në këtë rast është në interes të edukimit fetar dhe ngritjes së vetëdijes fetare te gjinia femërore që ato të prezentojnë në xhami gjatë Ramazanit, por duke u krijuar kushte në xhami për gratë dhe të mbahet rendi e të mos shkaktohet zhurmë në xhami.
All-llahu e di më së miri, All-llahu a’ëlem.

PYETJA: A lejohet që babai t’ia jep zekatin vajzës së tij të varfër e cila është e martuar?

PËRGJIGJJA: Së pari duhet përmendur se njeriu e ka të ndaluar t’ia jep zekatin atij që e ka obligim ta mirëmbajë materialisht, si fëmijët dhe prindërit. Mirëpo, në rast se vajza martohet, atëherë përgjegjës për mirëmbajtjen e saj është burri dhe ai e ka obligim të sigurojë ushqimin, vesh­jen, banimin dhe gjërat tjera për gruan, ndërkaq babai nuk është i obliguar për mirëmbajtjen e saj dhe të fëmijëve të saj. Prandaj, duke u nisur nga fakti se babai në rastin në fjalë nuk e ka obligim ta mirëmbajë materialisht vajzën e tij të martuar, dijetarët e kanë lejuar që babai t’ia jep zekatin bu­rrit të vajzës së vet të martuar, gjegjësisht vajza dhe burri i saj i takojnë grupeve të zekatit që i përmend Kur’ani.
All-llahu a’ëlem - All-llahu e di më së miri.

bashkim_aliu@hotmail.com
www.bashkimaliu.com