PYETJE DHE PËRGJIGJE (17)
Mr. Bashkim ALIU
PYETJA: Deri kur ka mundësi ta fali namazin e sabahut më së voni?
PËRGJIGJA: Koha e namazit të sabahut fillon prej agimit të ditës dhe zgjat deri para lindjes së diellit. E gjithë kjo kohë është koha e namazit të sabahut. Së këndejmi, themi se namazin e sabahut, më së voni, duhet ta falësh para se të del dielli, bile edhe për një kohë të shkurtër.
Mirëpo, nuk do të kisha thënë që ta shtysh namazin e sabahut shumë afër lindjes së diellit, sepse kjo tregon se rëndë e ke ta prishësh gjumin, dhe rrezikon që të lind dielli pa e falur namazin e sabahut. Nëse ndodh, kjo duhet të jetë e rastësishme, pra të ndodh ndonjëherë si rezultat i harresës, por jo ta bësh traditë të përhershme.
All-llahu na forcoftë në fenë e Tij.
PYETJA: Pas namazit të akshamit, a mund të fali më tepër se dy rekate sunet?
PËRGJIGJA: Pas namazit të akshamit nuk është e ndaluar të falen më tepër se dy rekate sunet. Disa mendojnë se duhet falur vetëm dy rekate, por në fakt e vërteta është se mund të falen edhe më tepër rekate sunet, gjegjësisht sa të dojë muslimani, derisa nuk hyn koha e jacisë, kur do ta falë namazin e jacisë.
All-llahu e di më së miri.
PYETJA: Më kanë lindur dy djem binjakë. Sa kurbanë më duhet të theri me këtë rast?
PËRGJIGJA: Pyetja juaj ka të bëjë me kurbanët të cilët theren në shenjë falënderimi ndaj All-llahut për lindjen e fëmijës.
Të them fillimisht se këta kurbanë nuk janë obligativ, por të preferuar apo sunet. Është mirë që besimtari të therë kurban kur i lind fëmijë në shenjë falënderimi ndaj All-llahut të Madhërishëm. Por nëse nuk theret kurban, nuk do të thotë se është bërë mëkat.
Në rastin tuaj, do të therni katër kurbanë, ngase për djem theren dy kurbanë. Ju keni lindur binjakë dy djem dhe do të therni katër kurbanë. Nuk ka lidhje se kanë lindur binjakë.
All-llahu na udhëzoftë neve, fëmijët tanë dhe të gjithë të tjerët në rrugë të drejtë.
PYETJA: Cili ka qenë roli i sulltan Abdu-l-Hamidit në mbrojtjen e tokës së shenjtë të Kudsit nga grabitqarët sionist?
PËRGJIGJJA: Toka e shenjtë e Kudsit është një nga kapitujt më kryesorë të historisë islame. Pa këtë kapitull të historisë, historia islame është e cunguar, kurse amputimi i këtij kapitulli të historisë islame tregon për dobësinë e muslimanëve në periudhën përkatëse.
Çështja e tokës së Kudsit duhet të jetë brengë e çdo muslimani, pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flet, çfarë race ka dhe cilit komb i takon, apo në cilin kontinent jeton.
Sulltan Abdu-l-Hamidi ka qenë kalif-prijës i Shtetit Islam Osman dhe i mbarë muslimanëve, për këtë ai edhe ka qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e Kudsit; e ka ditur se mbi të bie barra e mbrojtjes së kësaj copë toke Islame prej ku shkoi në Miraxh Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ai nuk ka mundur të bëjë ndonjë tradhti në këtë drejtim, sepse ai ka qenë kalif, udhëheqës i besimtarëve.
Është e vërtetë se ka pasur tentime nga ana e sionistëve që të futen në tokën e Palestinës duke e korruptuar sulltanin osman, mirëpo tentimet e tyre mbetën vetëm dëshira derisa në pushtet ishte sulltan Abdu-l-Hamidi.
Pas mbajtjes së kongresit sionist në Bazel të Zvicrrës, në vitin 1897, kreu sionist zhvilloi një aktivitet të pa parë që çifutët të futen në Palestinë. Kështu, ata u drejtuan te sulltan Abdu-l-Hamidi dhe kërkuan prej tij që t’ua mundësojë të blejnë toka atje. Për këtë qëllim ata i ofruan atij 150 milionë lira ari osmane për t’i paguar borxhet e shtetit osman, dhe 15 milionë lira ari osmane dhuratë personalisht për sulltanin. Mirëpo, sulltan Abdu-l-Hamidi i refuzoi të gjitha dhe i tha përfaqësuesit sionist: “Palestina është pjesë e tokës islame, ndërkaq toka islame nuk shitet me ar e me argjend. Çdo pëllëmbë nga kjo tokë e kemi fituar me gjakun e etërve tanë, e ne nuk heqim dorë nga asnjë pëllëmbë e kësaj toke para se të derdhim gjakun tonë në mbrojtje të saj”.
Kështu, sulltan Abdu-l-Hamidi ka qenë i vendosur në mbrojtjen e tokës islame të Palestinës. Derisa ka qenë ai në pushtet, nuk ka mundur të shkelë këmbë çifuti në atë tokë të bekuar islame, por me perëndimin e Kalifatit Islam Osman ndryshuan punët, dhe me ndikimin e fuqive të mëdha u formua “shteti çifut” sionist në tokën e okupuar të Palestinës islame. Është obligim për të gjitha gjeneratat e Ummetit islam që të bëjnë çmos ta pastrojnë tokën e Palestinës islame.
All-llahu na ndihmoftë.
PYETJA: A është e vërtetë se ndarja e gjuhëve është bërë si rezultat i tentimit të disa bijve të Ademit [alejhi-selam] ta vrasin atë si rezultat i mospërgjigjes së tij që t’i martojë me vajzat që kanë lindur binjakë?
PËRGJIGJJA: Çështja e gjuhëve është një çështje e thellë shkencore për të cilën kanë folur mjaft shkencëtarët, si ata islamë, po ashtu edhe ata joislamë. Për ekzistimin e gjuhëve dhe dallimin e tyre ekzistojnë teori të ndryshme, ndërsa unë nuk e shoh të arsyeshme të futem në debate dhe analiza rreth tyre.
Për këtë çështje kanë folur edhe komentuesit e Kur’anit kur kanë bërë shpjegimin e ajetit të sures “El-Bekare”, ku All-llahu i Madhërishëm thotë se ia ka mësuar Ademit [alejhi-selam] të gjitha emrat.
Sidoqoftë, ajo që përmendni ju, dhe që e kemi dëgjuar edhe ne në disa raste, është krejt e pabazë. Nuk mbështetet në asnjë argument relevant, as nga shkencëtarët islamë, as nga ata joislamë. Bile, më e rëndësishme është ajo se, për t’u konfirmuar diçka e këtillë, duhet të ketë ndonjë transmetim autentik-të besueshëm, të saktë dhe të qartë prej të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], sepse për gjërat e këtilla nuk mund të flasim përmendsh. Rreth kësaj çështje nuk ka asgjë nga ana e të Dërguarit të All-llahut, që nënkupton se teza e këtillë është e pavërtetë. Po ashtu, as Kur’ani Fisnik aspak nuk ka folur për atë se kinse fëmijët e Ademit [alejhi-selam] kanë dashur ta vrasin babain e tyre. Sikur të kishte qenë e vërtetë një gjë e tillë, me siguri që kjo do të përmendej në Kur’anin Famëlartë, ashtu siç flet ai për konfliktin e dy bijve të Ademit [alejhi-selam], Habilit dhe Kabilit.
Mendoj se tregimet e këtilla janë futur përmes jomuslimanëve, gjegjësisht israilijateve, të cilat janë rrëfime të çifutëve.
Në fund, pra, theksojmë edhe njëherë se ky rrëfim nuk është i saktë, sepse nuk ka fakte relevante që e mbështesin atë.
All-llahu e di më së miri.
PYETJA: A është e vërtetë se Zoti i ka ringjallur prindërit e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe e kanë shqiptuar ata para tij shehadetin, pra janë bërë muslimanë?
PËRGJIGJJA: Për të thënë diçka të këtillë duhet të kemi argumente të forta dhe të besueshme, sepse kjo çështje nuk është thjesht historike, por e ka edhe anën e vet të besimit, sepse i referohet ringjalljes speciale të njerëzve të caktuar.
All-llahu i Madhërishëm në Kur’an na ka treguar se ia ka dhënë Isait [alejhis-selam] mu’xhizen e ringjalljes së të vdekurve me lejen e Zotit, por prindërit e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk kanë jetuar në kohën e Isait [alejhis-selam]. Po ashtu, Kur’ani Famëlartë na tregon edhe për Uzejrin [alejhis-selam], i cili qëndroi në gjendje të vdekjes njëqind vjet, e pastaj All-llahu e ringjalli në këtë botë. Ndërkaq për prindërit e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk tregohet një gjë e këtillë, sepse, sikur të kishte ndodhë, ky rast do të ishte specifik, që nënkupton se meritonte të vërtetohej edhe nga Kur’ani. Po ashtu, edhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në hadithet e tij të vërteta nuk ka treguar për një gjë të tillë. Ata që thirren në këtë gjë dhe bazohen në disa hadithe, duhet ditur se hadithet e tilla janë të dobëta dhe të pavërteta, që do të thotë se nuk mund të thuhet diçka në bazë të këtyre haditheve të pasakta.
All-llahu e di më së miri.
bashkim_aliu@hotmail.com
www.bashkimaliu.com
|