VEPRA logo
Logo link

VAJZA IME ËSHTË MUSLIMANE

Nele Godts është rritur me dy vëllezërit në një familje tipike belge. Prindërit e saj ua ofruan fëmijëve të tyre të gjitha mundësitë që ta zhvillojnë personalitetin e vet. Kur i mbushi 17 vjet, Nele e pranoi Islamin dhe e ndërroi emrin në Nawal. Tani, Nawal është e martuar për një egjiptian dhe ua mëson Kur’anin fqinjeve të vet. Është kjo intervistë me Tinen dhe vajzën e saj Nele, respektivisht Nawal, për të tjerët.

Nëna Tine

Vajza ime ka dy emra, Nele, emër i zgjedhur nga babai i saj dhe unë dhe emrin Nawal, emër të cilin ajo e ka zgjedhur për vete atëherë kur pranoi Islamin. Burri i saj dhe miqtë e thërrasin Nawal, që domethënë “dhuratë”. Për mua ajo ka qenë dhe do të mbetet Nele. Dhe me të vërtetë, ajo është dhuratë. Kur Nele i kishte shtatëmbëdhjetë vjet dhe kur pranoi Islamin, për mua kjo ndodhi befasisht. As që kam kuptuar se asaj i intereson Islami, e kur ndodhi isha pak e shokuar. Do ta kisha më lehtë po të isha më e inkuadruar, po të ndante me mua atë që i interesonte për mënyrën e re të jetës.
Pas mbulimit të saj, kur për herë të parë dolëm jashtë bashkë, nuk ndjehesha lehtë. Thjeshtë, të gjithë e shikonin atë. Në të vërtetë, problemet me të cilat u ballafaquam në raportet tona kryesisht ishin të shkaktuara nga faktorët e jashtëm. Shpesh lozja rolin e pajtimtarit kur miqtë dhe familja bënin kritika për zgjedhjen religjioze të vajzës sime. Edhe pse plotësisht nuk e kuptoja zgjedhjen e saj, unë e respektoja dhe i mbroja të drejtat e saj.
Nele nuk e viziton farefisin e vet gjatë kohës së festivaleve, kremteve, sepse ajo e di se aty do të shërbehet alkooli. Ajo që mua më pengon ngandonjëherë janë disa tradita të caktuara islame, siç është ndarja mes gjinive dhe mbajtja e shamisë. Gjenerata ime luftonte për pavarësi nga ndikimi ngulfatës i kishës. Lufta jonë është simbolizuar përmes veshjes “së lirë” dhe aktiviteteve në të cilat kanë marrë pjesë bashkërisht meshkujt dhe femrat.
Tradita krishtere, sikur agjërimi, lutja dhe meditimi i kalojnë të kaluarës. Tani përsëri jam ballafaquar me normat religjioze të cilat aspak nuk janë të lehta.
Sidoqoftë, unë i mahnitem rrugës të cilën e jeton vajza ime Nele. Kjo me të vërtetë është mënyrë e jetesës, e jo vetëm traditë. Në mënyrën tonë jo të shëndoshë të jetës ne duhet ta shqyrtojmë bukurinë e të menduarit - qoftë e inspiruar nga religjioni apo me diç tjetër.
Komunikimi me respekt është çelësi për njerëzit e kulturave apo religjioneve të ndryshme për të jetuar bashkërisht. Nele nuk do që të jetë në shoqëri apo afërsi të njerëzve që pinë alkool, megjithatë alkooli në shoqërinë tonë është shumë i përhapur. Askush nuk e vë në dyshim faktin se për darkë të ditëlindjes doemos të shkohet me një shishe verë.
Siç thashë, Nele nuk e viziton farefisin, as familjen gjatë kremteve, sepse e di që aty do të ketë alkool. Nganjëherë të tjerëve u vjen vështirë ta kuptojnë. Unë e respektoj këtë, por shumë të tjerë jo. Ata fokusohen në gjëra që na dallojnë, në vend të atyre që i kemi të përbashkëta. Në rrethana të tilla izolimi shoqëror forcohet, kurse komunikimi disi zbehet.
Isha e brengosur se Nele do të izolohet nga shoqëria jonë, sidomos sepse ajo mban veshje joperëndimore dhe mbulesë që lidhet me të huajt. Kur ajo u martua për egjiptianin dhe u shpërngul në Kajro ndjeva se ajo ka gjetur rrugën e vet, rrugë përmes së cilës shkon në shtëpi, ku ajo ndjehet si pjesë e atij komuniteti. Mënyra perëndimore e jetës sonë është përqendruar rreth kohës, ne jetojmë në pajtim me orët tona.
Nele ishte vajzë e emancipuar dhe kritike. Kalimi i saj në Islam mu duk si zgjedhje kundërthënëse. Megjithatë, kur e shikoj mbrapa shamisë dhe veshjes saj të gjatë, ajo edhe më tej është vajza ime dhe mburrem shumë me të. Po, Nele imja quhet Nawal dhe po, ajo është muslimane, por ajo çdoherë do të mbetet bija ime zhvillimin e së cilës unë e mbështes.

Vajza Nele

Sapo i kisha mbushur 17 vjet, një mëngjes u zgjova dhe e pyeta veten: “A beson Zotin dhe a beson se Muhammedi është i Dërguari i Tij?” U përgjigja: “Po”, u ngrita nga krevati dhe shkova në xhami në Bruksel.
Edhe pse familja ime nuk e kishte kuptuar zgjedhjen time religjioze, ajo më mundësoi gjithçka që ta zhvilloj veten në mënyrën islame të jetës. Pas një kërkimi të gjatë të mesazhit të vërtetë nga Zoti, lexova një rrëfim për pejgamberin Salih. Pejgamberi Salih ishte dërguar nga Zoti te populli Themud. Ata kërkuan që ai të argumentojë ekzistimin e Zotit. Zoti e dërgoi një deve mbarsë, të bërë nga guri dhe e ngjalli.
Derisa lexoja këtë rrëfim pyetesha se çfarë argumenti tjetër më duhet që të besoj Zotin. Apo mos kërkoja vetëm arsye që mos ta besoj Atë?
Nuk е kisha patjetër ta ndërroj emrin tim, por kisha ndjenjë se më duhet identitet i ri. Emri im i ri ishte simbol i fillimit të ri. U ndryshova si person, jo në aspekt të sjelljes ndaj të tjerëve, por në shikimin e jetës. Kam identitete të ndryshme, siç është vajza, bashkëshortja, shoqja dhe motra. Në secilin prej tyre ndjehem sikur në shtëpi.
Në shtëpi gjendem ndër muslimanët të cilët mundohen të jetojnë sipas Islamit. Në shtëpi jam me prindërit dhe vëllezërit e mi, të cilët i dua dhe më duan, përkundër religjionit tonë të ndryshëm. Edhe pse familja ime nuk e kupton zgjedhjen time religjioze, më ofruan mundësinë që ta zhvilloj personalitetin tim përmes Islamit si mënyrë e jetës sime.
Ka nëntë vjet që kam pranuar Islamin dhe elhamdulilah, për çdo ditë jam gjithnjë e më e sigurt në zgjedhjen që kam bërë. Mundohem të mësoj sa më shumë për Islamin dhe ta zbatoj në jetën time të përditshme me qëllim që të bëhem person dhe muslimane më e mirë. Diturinë time e ndaj me vajzat tjera të cilat interesohen për Islam, andaj bashkërisht rritemi në besimin tonë. Mendoj se është me rëndësi të jesh kritik ndaj vetes dhe besimit personal.
Kur’ani është fjalë e Zotit, kurse ne jemi vetëm njerëz me interpretime tona personale. Mundemi vetëm të mundohemi që sa më mirë ta kuptojmë mesazhin e All-llahut dhe sa më shumë që është e mundshme t’i afrohemi All-llahut. Në kontekstin perëndimor nuk është lehtë të jesh musliman kritik, sepse Islami është prezantuar si burim i së keqes. Si muslimane, mundohem ta mbroj religjionin tim, duke izoluar veten nga shoqëria. Megjithatë si muslimanë të vërtetë ne duhet përherë të jemi të hapur për dialog.
Kur fillova të jetoj në Islam ende isha e re. Sikur të gjithë njerëzit tjerë të rinj, unë nuk isha e hapur ndaj prindërve të mi. Në realitet, ata papritmas zbuluan se jam konvertuar kur fillova të mbaj shami. Për mua ky ka qenë hap normal ndaj fesë sime, por për prindërit e mi ishte një shok i madh.
Shkathtësitë e mia komunikuese janë rritur gjatë këtyre viteve. Tani mendoj se duhet t’i inkuadroj prindërit e mi në kërkim të solucioneve përkatëse atëherë kur perceptimi im ndeshet në diçka me të atyre. Edhe pse ne nuk i kuptojmë zgjedhjet tona, mes vete me të vërtetë respektohemi. Si Nawal, jam krenare që jam muslimane; kurse si Nele, shpresoj që nëna ime të jetë krenare me mua, sepse para së gjithash jam njeri i mirë.
“Edhe te (populli) Themud ua dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im, besojeni All-llahun (Një) nuk keni zot tjetër pos Tij. Qe, ju erdhi argumenti nga Zoti juaj. Ja, kjo deveja është mrekulli për ju. Lëreni këtë të lirë të hajë në tokën e All-llahut dhe kurrsesi mos e merrni me të keq, e t’ju kapë dënimi i dhembshëm.” (Al-A’raf: 73)

Intervistuar nga Eva Vargaelen, e cila jeton në Egjipt dhe Belgjikë. Punon si gazetare e lirë, shkrimtare. Ka shkruar librin për imigrantët femra në Belgjikë. Eva pranoi Islamin në vitin 2004.