RRUGA E IME NË ISLAM
Es-selamu alejkum ne rahmetullahi ve berekatuhu
Bismil-lahir-rahmanir-rahim
Unë jam Amina, kurse dikur quhesha Irena. Unë ende e kam atë emër, por e kam shtuar edhe emrin tim të ri musliman, elhamdulilah. Ky është rrëfimi im se si kam hyrë në Islam.
Vitin e kaluar, në martesën e mikeshës sime të dashur u njoftova me një njeri interesant i cili është musliman. Mes tjerash, kjo ishte gjëja e parë që ai e tha për veten e tij. Dhe kështu kam folur me atë musliman interesant i cili më zbuloi mua deri tani fakte të panjohura për Islamin. Pranoj, për Islamin asgjë nuk kam ditur. Kisha vetëm paragjykime, se të gjithë muslimanët janë terroristë, ndoshta jo të gjithë, por ajo është fe terroriste, se ata duan ta pushtojnë tërë botën dhe të na e imponojë besimin e tyre. E dija vetëm atë që është e keqe.
Përveç kësaj, e dija se nuk hanë mish derri, edhe pse unë nuk e dija pse, dhe se nuk pinë alkool. Ky vëlla pinte. Si? Po ti je musliman, e po pi alkool - mendova, por pikërisht për këtë shkak edhe ishte interesant, shihe - thashë në vete, ai është musliman, me asgjë nuk dallohet nga ne, ai pi, dehet, argëtohet, ky sigurisht është ndonjë musliman modern.
Kemi folur shumë për fenë dhe më mahniti plotësisht. Ajo çfarë më zbuloi ai njeri, për mua ishte e habitshme dhe shokuese. Ai më tha: “A e di se Jezusi ishte një nga të Dërguarit, e nuk ishte bir i Zotit?” ÇKA!!!!!!!!!!!!! Po si është e mundur kjo, si je ti kaq i sigurt për këtë?! Dhe kishte edhe shumë gjëra tjera interesante që kam zbuluar, por më së tepërmi më tërhoqi qetësia e tij, njohuria e fakteve nga Bibla të cilën e kishte lexuar 3 herë, e unë asnjëherë nuk e kam lexuar, kurse jam deklaruar si katolike. Sa u turpërova.
Në tetor të vitit të kaluar, fillova ta lexoj Kur’anin. Dëshiroja të shoh se çfarë është aq magjike në Islam, dëshiroja ta lexoj Kur’anin, nëse ai e ka lexuar Biblën tri herë. Filloi të më interesonte gjithçka për Islamin dhe Zotin. Unë nuk isha ndonjë besimtare e madhe në katolicizëm. Në kishë nuk kam shkuar që nga mosha 16 vjeçe, kurse tani kam thuajse 30 vjet. Ashtu si fillova me Kur’anin, aq më pak më bëhej e qartë, kishte vargje (ajete) që më tingëllonin njëjtë sikur në Bibël, nuk e kuptoja ku qëndron puna. Vendosa të kërkoj ndihmë në Bosnje. Duke marrë parasysh se Bosnja është një vend musliman, e meqë unë jetoj në Kroaci, nuk më paraqiste problem që të kërkoj nëpër Internet forume ku ka vajza muslimane. Dhe i gjeta. U lidha me muslimanet në një forum, të cilat më ndihmuan në hapat e para se ku, çfarë dhe si të hulumtoj dhe kërkoj.
Në fillim isha shumë e zemëruar, e hidhëruar... nuk mund të besoja se si ne (kroatët, katolikët) asnjëherë nuk kemi qenë te burimi i këtyre informatave. Para meje ishte një botë tërësisht e re, kisha ndjenjën sikur të kisha hapur dyer të mëdha për të cilat deri më tani nuk e dija as që ekzistonin, kurse pas këtyre dyerve kishte dituri të shumta të cilat kishin qenë të fshehura nga unë. Thjesht nuk mund të besoja se deri tani kam jetuar në injorancë, si ka qenë e mundur të jetoj pa gjithë këtë që fillova të zbuloj.
Dëshirova të njoftohem me femrat muslimane të vendit tim, por meqë nuk e njihja askënd, vendosa t’i pyes motrat muslimane në forum. Njëra prej tyre më lidhi me vajzat muslimane në qytetin ku unë jetoj. Dhe ky ishte me të vërtetë një bekim nga All-llahu i Madhërishëm.
Ashtu siç shtohej dituria dhe njohuria ime rreth Islamit, në zemrën time shkëmbeheshin ndjenjat, fillova të ndryshoj. Fillova të mendoj ndryshe, sidomos kur u takova me dy vajza të shkëlqyeshme që më kanë ndihmuar aq shumë dhe ishin, edhe sot janë, mbështetje e madhe për mua. Takimet e para me to janë të paharrueshme për mua, nuk më kujtohet të kem takuar ndonjëherë në jetën time vajza aq të ngrohta dhe të bukura. Vetëm të qëndruarit në praninë e tyre për mua ishte qetësi, frymëzim, bukuri.
Pas periudhës së frustrimit, zemërimit, keqkuptimit, filloi qetësia. Fillova të ndjej një qetësi të brendshme të papërshkrueshme. Çdo ditë lexoja për Islamin, bisedoja me motrat muslimane, mësoja. Dhe atëherë filluan ëndrrat. Ishte diku kah fundi i muajit shkurt të këtij viti. Fillova të ëndërroj xhamitë, dhe me këtë rast ndjeja në ëndërr një dhunti, qetësi të pabesueshme; ëndërroja gra të mbuluara se si dalin nga xhamia. Por ndikim më të madh në mua kishte ëndrra në të cilën e pashë veten time duke u falur. Pashë veten se si fali namaz, sikur të isha duke qëndruar mbi veten time. Atëherë as që dija se si kryhet falja, por në ëndërr pashë të gjitha lëvizjet në namaz. Ndjenjën që kam pasur atëherë nuk mund ta përshkruaj, ishte diçka e pabesueshme. Në mëngjes pas asaj ëndrre, vendosa se duhet të mësoj të falem. Bleva një libër dhe fillova të mësohem. Mësoja menjëherë në arabisht, kurse motrat e mia të mrekullueshme muslimane më ndihmuan shumë. U fala me to në xhami, edhe pse nuk i dija të gjitha lutjet përmendësh; falesha me libër në dorë, nuk mund të duroja e mos të falem. Më tërhiqte një fuqi e pabesueshme. Fuqia e All-llahut, subhanallah.
Sa herë që dëgjoja ezanin, qaja; qaja në xhami kur falesha me motrat muslimane; qaja në shtëpi. Thjesht nuk e dija se çfarë po ndodhë, por e dija se unë nuk jam më i njëjti person. Fillova të ndjehen “e pistë” dhe shpesh i laja duart, më shpesh se zakonisht, u mësova të marr abdest, dhe shpesh merrja.
E dija se nuk mund të kthehen më në jetën “e vjetër”, nuk mund të kthehesha mbrapa pas gjithë asaj që kisha kuptuar, pas gjithë asaj që përjetova dhe pasi që All-llahu i Madhërishëm ma hapi zemrën dhe ma tregoi Islamin. Nuk mundesha të kthehem mbrapa. Mund të shkoja vetëm përpara. Për dy javë u mësova të falem. Aq dëshirë të madhe kisha për dituri, aq fuqi kisha, nuk mund të ndalesha. Në muajin maj vendosa të deklaroj shehadetin në xhami, pas imamit, dëshirova t’ia shënoj vetvetes këtë akt. Kjo ditë ishte e veçantë për mua.
Në prani të motrave të mia muslimane, madje edhe të disa miqve të mi, si dhe njerëzve tjerë kureshtarë, deklarova fjalët e shehadetit: ESH’HEDU EN LA ILAHE IL-LALL-LLAH, VE ESH’HEDU ENNE MUHAMMEDEN ABDUHU VE RESULUHU. Lot, rënkime...
Me ditë të tëra pas shehadetit ndjehesha sikur “fluturoj”, kisha aq shumë energji pozitive, prej meje rrezatonte një pozitivitet i madh, elhamdulilah.
Tani erdhi koha që familjen time ta ballafaqoj me vendimin tim. Motra ime e dinte, sepse jam shumë e afërt me të dhe ajo kishte njohuri se ç’po ndodhte. Duhej t’u tregoja prindërve. Vendosa njëherë t’i tregoj nënës. Ajo, për habinë time, vendimin tim e pranoi shumë qetë (lutjet e mia drejtuar All-llahut ishin pranuar) dhe nuk ishte tepër e befasuar, sepse gjithashtu e dinte se interesohesha për Islamin. Edhe pse assesi nuk mund të kuptonte kalimin tim në tjetër fe, nëse kam lindur në katolicizëm, me kohë nënës i sqaroja se të gjithë jemi të lindur si muslimanë dhe se vetëm po i kthehemi Islamit, se nuk “kalojmë” në tjetër fe. Sot nëna ime është pajtuar me vendimin tim. Për çdo ditë i flas asaj mbi jetën time në Islam, ajo e di se çfarë po ndodh dhe ka pranuar një gjë të tillë, ka parë ndryshimin tim pozitiv dhe shpresoj se një ditë do të mburret me mua sepse jam muslimane, elhamdulilah.
Babai ende nuk e di. Besoj se i ka vërejtur ndryshimet në mënyrën time të veshjes, por meqë ai asnjëherë nuk e komenton stilin tim, as këtë herë nuk ka bërë një gjë të tillë. E lus All-llahun e Madhërishëm që të më jep forcë kur të vijë ajo ditë kur do t’ia tregoj këtë babait. E lus All-llahun e Madhërishëm që t’i udhëzojë prindërit e mi dhe familjen time. Amin.
Jetoj në një vend ku janë vetëm rreth 1,3% muslimanë nga popullata e përgjithshme, dhe shumica e tyre jetojnë në kryeqytet. Nga të gjithë ata muslimanë, pak ka prej atyre që janë fetarë dhe që u përmbahen dispozitave kryesore të Islamit. Unë me krenari mund të them se bashkë me motrat e mia muslimane i takoj grupit të fetarëve, elhamdulilah.
Me krenari them, UNË JAM MUSLIMANE, me gjithë dëshirë jam muslimane, elhamdulilah. Nuk ndjej kurrfarë rëndimi për shkak të kësaj, të paktën jo në zemrën time. Asgjë nuk më vjen rëndë ta bëj në emrin e All-llahut të Madhërishëm. Jam shumë e vetëdijshme se para meje ka plot sprova, shumë pengesa që duhet tejkaluar, por me ndihmën e All-llahut asgjë nuk do të jetë e pamundur. Jam e vetëdijshme se të mësuarit tim veç sa ka filluar dhe sa më shumë që di, e shoh se edhe sa në të vërtetë akoma më duhet të mësoj. Por jam jashtëzakonisht e lumtur për këtë. Rregullat dhe dispozitat i pranoj një nga një, pas një të menduari të thellë, dhe i pranoj me gjithë zemër, ndërsa nga çdo pranim imani im vetëm se shtohet dhe forcohet, elhamdulilah.
Islami është qetësia ime e brendshme, Islami është fuqia ime, unë e jetoj Islamin dhe për Islamin dhe All-llahun e Madhërishëm do të vdes insha’All-llah. |