DITURIA- RRUGA E SHNDËRRITSHME!
Hamdi NUHIJU
Njeriu është një qenie homogjene midis shpirtit, trupit, midis horizontales dhe vertikales që kompletohet vetëm në brendësinë e kërkimit të diturisë. Atij i shfaqen forma të ndryshme të jetesës në këtë botë, përmes arsyes dhe logjikës. Aq të rëndësishme janë arsyeja dhe logjika sa që ekziston shkencë e tërë në të katër anët e rruzullit tokësor e quajtur logjikë. Logjika e dallon njeriun prej krijesave tjera! Gjithherë ai duhet t’i ketë parasysh tre konditat e veprimtarisë, dije-besim-punë. Nuk guxon për asnjë moment të largojë njërin prej këtyre tre elementeve ose edhe të pajiset vetëm me njërin prej elementeve të lartpërmendur.
Njeriu gjatë tërë jetës së tij kërkon diturinë me qëllim që sa më lehtë të jetojë jetesën në këtë botë, po edhe të kuptojë esencën e krijimit të tij. Vet Alija Izetbegoviq për njeriun thotë se, mund të jetë një pikturë në vete, një tempull ose poezi. Esenca e një mendimi të këtillë tregon qartë për rolin e shumëfishtë të njeriut në këtë botë.
Ai nuk guxon që ta shohë veten vetëm në një sferë të shoqërisë dhe të rehatohet me këtë botëkuptim të tij. Madje ai as që guxon të mendojë në domosdoshmërinë e të mos vepruarit në shoqëri në prishjen e klasave, ashtu si mendonin marksistët në kohën e tyre të sundimit në botë. Njeriu duhet të përshtat veten me të tjerët në suaza të njohjes dhe punës. I zhveshur nga besimi, ai duket sikur të mos ekzistonte në mesin e njerëzve tjerë, ose edhe të ekzistonte por të mos dallonte fare prej krijesave tjera që nuk janë të pajisura me “logosin”. Kjo zhveshje që paraqitet në uverturën e mendimeve është një pamje sarkale e njeriut primitiv i cili para daljes në gjah vizatonte kafshët të cilat do t’i therte, me qëllim që të ketë një forcë ose fuqi inspiruese drejtë realizimit të synimit. Shumë filozofë nuk e shohin njeriun shumë larg prej kafshës, por e dallojnë përmes të qenurit njeri që ka nevoja dhe obligime. Një dallim esencial midis njeriut dhe kafshës është se kafsha dëshiron të jetojë me trup, ndërsa njeriu jeton me shpirt. Ky element nuk do të plotësohej në mendësinë e tij po qe se nuk do të përfitonte nga mënyra sistematike e të mësuarit dhe të studiuarit. Në këtë drejtim, nuk duhet që mësimin ta bëjmë qëllim në vete, duke harruar qëllimin e vërtetë. Mësimi ose kërkimi i diturisë është vetëm një mjet për të arritur deri te qëllimi, arritja e kënaqësisë së All-llahut, e jo qëllim në vete. Fatkeqësisht, në trojet tona, dituria, nga mjet për realizimin e qëllimit, u shndërrua në qëllim në vete, prandaj edhe kemi shumë pak dituri.
Na ka treguar Ebu Ma’meri, këtij Abdu-l-Varithi, ky nga Halidi, ky nga Ikrime, e ky nga Ibën Abbasi, i cili ka thënë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më përqafoi dhe më shtrëngoi, duke thënë: “O Zot, mësoja librin (diturinë)”. (Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe,1, Prishtinë 1994, f. 138)
Po u ndalëm pak në duanë-lutjen e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të bërë për Ibën Abbasin [radijall-llahu anhu] dhe po e analizuam atë, do të na dalin para vetes shumë urtësi, mësime e forma të realizimit të kërkimit të diturisë në këtë botë.
Resulullahu [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pa Ibën Abbasin si fëmijë dhe për të bëri këtë dua, duke ia dashur më të mirën, atë që e dallon prej të tjerëve, atë e cila e ngritë përherë në këtë botë namin e tij. Ai nuk i dha nga pasuria e tij ndonjë pjesë të parave për të blerë ndonjë gjë që do të gëzonte mentalitetin e fëmijës, por bëri duanë e sinqertë për t’ia mësuar librin.
Njerëzit mund të konkludojnë se ka dituri pa lutje-dua, pa besim, pa Zot, por realiteti është krejtësisht ndryshe. Shumë studentë nëpër universitete, që nuk e kanë besimin e kompletuar në All-llahun, mësojnë, marrin nota të larta në fakultet dhe nuk i falënderohen Zotit për suksesin e realizuar. Gjithë suksesin e vet ata ia atribuojnë punës dhe mundit të dhënë. Madje në këtë mënyrë bëhen kryelartë në tokë, duke u krenuar para të tjerëve se janë studentë më superior se të gjithë studentët tjerë. Në fakt, si këtij studenti që është kryelartë, po edhe atij studenti që nuk është kryelartë, është All-llahu i Plotfuqishëm Ai i Cili ia ka mundësuar të studiojë dhe të garojë me të tjerët në rrugën e diturisë.
O Zot, mësoja librin, d.m.th. diturinë më të dobishme e cila i hap horizontet e meditimit, urtësisë në këtë botë dhe në botën tjetër. Duaja në esencë është shprehje e dashurisë për të tjerët, po edhe zbutje e zemrave tona. Duhet t’i frikësohemi jetës sonë pa dua! E veçanërisht duave të cilat nuk janë me përmbajtje urtësish e diturish! Shpirti dhe mendja jonë duhet të pajiset me këtë armë të fuqishme. Prezenca e jetës në mesin tonë dëshmon për anën e brendshme dhe lidhjen direkt vertikale me Krijuesin e botëve. Ai nuk është i padrejtë ndaj robërve të tij. I përgjigjet lutjeve të sinqerta që dalin nga thellësia e nënshtrueshmërisë sonë ndaj Tij. Nuk guxojmë të jemi të padurueshëm gjatë bërjes së lutjeve. Në vazhdimësi duhet t’i lutemi Zotit për çdo gjë, madje duhet të kërkojmë edhe ato gjëra që na duken të parealizueshme ose ëndrra.
Nuk guxon askush të privohet prej kërkimit të diturisë. Edhe vartësit tanë duhet të profesionalizohen dhe të kenë të drejtë në shkollim e kërkim dijesh. Pozita financiare për asnjë moment nuk duhet të jetë shkak që njerëzit të ngelin pa kërkimin e diturisë. Zaten kërkimin e diturisë e kemi për obligim që të gjitha shtresat e shoqërisë. Kështu na ka mësuar Resulullahu [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ai kishte një tretman të veçantë ndaj robërve të luftës që duhej t’i lironte prej robërisë. Si kompensim të lirisë së tyre, ai u caktonte mësimin e shkrim-leximit të dhjetë muslimanëve. Ah, sa term i mirë, kompensim i lirisë sonë, mësimi i dhjetë vetave! Sikur ta kuptonim sot këtë veprim të Resulullahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më drejtë dhe më mirë, padituria do t’i merrte valixhet për t’u shpërngulur diku tjetër.
Na ka njoftuar Muhammed b. Selami, këtij Muharibiu, këtij Salih b. Hajjami, këtij Amir sh-Sha’biu, ky nga Ebu Burde, duke transmetuar nga babai i vet i cili ka thënë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Tre lloje të njerëzve do të kenë nga dy shpërblime: ithtari i librave të mëparshme, i cili ka besuar pejgamberët të tij dhe e beson edhe Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]; robi i cili e kryen detyrën e tij ndaj All-llahut Fuqiplotë, edhe ndaj zotëriut të vet; dhe njeriu i cili ka pasur shërbëtore të cilën e ka rritur dhe e ka mësuar mirë, dhe kështu e ka përmirësuar edukimin e saj arsimor, e pastaj e ka liruar dhe e ka martuar. Këta do të kenë nga dy shpërblime”.
Pastaj Amir esh-Sha’biu ka thënë: “Ta kemi dhënë këtë sqarim, pa asnjëfarë kompensimi. Për njohuritë bile më të vogla shkohet madje deri në Medine”. (Ibid, f. 160) |