VEPRA logo
Logo link

PËRGJEGJËSIA PENALE E PERSONAVE JURIDIKË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Bashkim Aliu

Doc. Dr. Afrim OSMANI

Objekt i parimeve juridike të shtetit anëtar lidhur me përgjegjësinë e personave juridikë mund të jetë përgjegjësia penale, civile apo administrative (Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar transnacional)

1. Nocioni dhe teoritë për personat juridikë

Personat juridik paraqesin formë të institucionalizuar të të vepruarit të përbashkët të më shumë personave. Nëse personi juridik përbëhet prej dy apo më tepër personave fizik, atëherë përgjegjësia e tij eventuale penale, domethënë përgjegjësi kolektive e çdo anëtari të personit juridik, kurse dënimi i cili do të shqiptohej, do ta godet, po ashtu, çdo anëtar të tij. Lidhur me pozitën e personave juridik ndeshen dy koncepte: teoria e fiksionit apo romane, dhe teoria e realitetit apo gjermane. Sipas teorisë së fiksionit, personi juridik është fiksion i rëndomtë, edhe atë ligjor, vetëm personat fizik janë subjekte të së drejtës, por ligji disa grupeve personash ua jep cilësinë e subjektit juridik. Personi juridik nuk ka vullnet të vet personal, ashtu që nuk mund të përgjigjet për procedurat e anëtarëve apo përfa­qësuesve të tij. Ai e merr vullnetin nga personat fizik. Faji prezumon aftësi për fajin, përgjegjshmëri, dashje dhe neglizhencë, si dhe vetëdije për kundërligj­sh­mëri, kurse ekzistimi i këtyre elementeve nuk mund të vërtetohet në personin juridik. Problematik është edhe shqiptimi i dënimit, për arsye se ai në mënyrë të barabartë do t’i godasë anëtarët e personit juridik, e jo vetëm ata që kanë marrë pjesë në veprën konkrete, kurse kjo është në kundërshtim me parimin e drejtësisë për ndalimin e ndëshkimit të personave të pafajshëm. Ndëshkimi korporativ është në kundërshtim me karakterin personal të dënimit. Sipas këtij koncepti, personat juridik nuk kanë aftësi delikuente. Kjo nuk përjashton zbatimin eventual të sanksioneve administrative, masave parandaluese etj. Teoria e fiksionit sot gjithnjë e më tepër i lë hapësirë teorisë së realitetit. Personat juridik bëhen pjesëmarrës të rëndësishëm në jetën e përdit­sh­me dhe kryejnë funksione të rëndësishme ekonomike.

2. Ndëshkimi dhe përgjegjësia penale e personave juridik

Nevoja për ndëshkimin e personave juridik arsyetohet me rëndësinë e tyre më të madhe si subjekte kryesore të jetës juridiko-ekonomike, pranim të cilësisë së figurës reale, me të drejta dhe përgjegjësi të veta dhe aftësi afariste. Personi juridik ka aftësi delikuente. Personi juridik ka vullnetin e vet autonom, që e formojnë organet dhe përfaqësuesit e vet të ndryshëm nga vullneti i anëtarëve tjerë. Ekzistimi i aftësisë delikuente është bazë për ndëshkimin e tij për veprën e kryer.
Legjislacionet penale në botë, e në veçanti ato evropiane, parimisht nuk pranonin përgjegjësi penale për personat juridik, por njëkohësisht përcaktonin se me ligj mund të parashihen rastet e përgjegjësisë për disa vepra, kryesisht të natyrës ekonomiko-financiare në të drejtën penale, apo në të drejtën administrative. Në këto legjislacione konsekuente të parimit “societas delin­quere non potest”, njëkohësisht depërtonte koncepti për përgjegjësinë penale të organeve dhe përfaqësuesve të personit juridik, dukshëm nën ndikimin e konceptit anglo-sakson të “përgjegjësisë përfaqësuese”. Përcaktim parimor lidhur me përgjegjësinë penale të personave juridik përfshin edhe Konventa nga Palermo e OKB-së kundër krimit të organizuar transnacional nga viti 2000: shtetet obligohen të parashohin përgjegjësi penale të personave juridik për pjesëmarrje në krime serioze, që përfshin grupe të organizuara kriminale, si dhe për larje të rendimenteve nga kriminaliteti. Veçanërisht me rëndësi është Konventa penalo-juridike për pengimin e korrupsionit të KE nga viti 1998, e cila përfshin obligim të shteteve për vënien e përgjegjësisë penale edhe ndaj personave juridik.
Ndryshime në legjislacionet penale evropiane nxitën edhe përcaktimet më të reja të UE të drejtuara në dy drejtime: në ashpërsimin e përgjegjësisë penale të organeve dhe përfaqësuesve të personave juridik dhe në vënien e përgjegjësisë penale të vetë personave juridik. Me Konventën për mbrojtjen e interesave financiare të UE nga viti 1995, UE gradualisht rrumbullakon kon­cep­tin kryesor për përgjegjësinë penale të personave juridik që duhet të zhvillohet në vendet anëtare.
Koncepti i përgjegjësisë së personave juridikë në sistemin e mëpar­shëm penal kaloi nëpër disa faza. Në fazën e parë, pas Luftës së Dytë Botërore, me disa ligje ishte vënë përgjegjësia penale e personave juridik (Ligji për pengimin e spekulimit të palejuar dhe sabotimin ekonomik nga viti 1945 dhe Ligji për veprat penale kundër popullit dhe shtetit nga viti 1947). Si sank­sion i vetëm ishte përcaktuar konfiskimi i pasurisë. Kodi penal - Pjesa e për­gjith­shme, nga viti 1947, përfshinte dispozitë të posaçme për përgjegjësinë penale të personave juridik vetëm për vepra shprehimisht të caktuara me ligj (n.16); por ligjet e posaçme të miratuar në vitin 1948 nuk parashihnin përgje­gjësi të tillë. Në fazën e dytë, me miratimin e KP jugosllav nga viti 1951, është brakti­sur koncepti për përgjegjësinë e personave juridik për veprat penale, kurse në vend të saj është inauguruar përgjegjësia e tyre për një kategori të re - shkeljet ekonomike. Të definuara si shkelje të rregullave të punës ekonomike dhe financiare, këto delikte më vonë ishin rregulluar me ligjin për shkeljet ekonomike nga viti 1960 dhe 1976. Ligji rregullon materien e pjesës së përgjithshme dhe procedurën për shkeljet ekonomike, e vënë në kompetencë të gjykatave ekonomike si lloj i posaçëm i gjykatave, ndërsa disa shkelje ishin përfshirë në ligje dhe akte nënligjore të shumta të republikave të mëparshme federale. Në fazën e tretë, e zbatuar në dispozitat e Kushtetutës së RM-së nga viti 1991, veçanërisht ato për parimin e ligjshmërisë, kompetenca gjyqësore për të gjitha veprat penale dhe uniteti i sistemit gjyqësor, si dhe nevoja për thjeshtësimin e sistemit të veprave penale, rezulton me braktisje të kategorisë së shkeljeve ekonomike. Me Ligjin për kundërvajtjet nga viti 1997 është shfuqizuar Ligji për shkeljet ekonomike, kurse disa prej tyre janë riemëruar në kundërvajtje, ndërsa shkeljet tjera ekonomike janë deroguar. Me të është rrumbullakuar koncepti ligjor, sipas të cilit personat juridik mund të përgjigjen për shkeljen e kryer. Më pas, Ligji për kundërvajtje i rregullon vetëm institutet e përgjithshme të përgjegjësisë dhe ndëshkimit të personave juridik. Në të drejtën tonë të mëhershme kundërvajtëse, është paraparë përgje­gjësi edhe për personat juridik: sipas ligjit për kundërvajtje (n.8), personi juridik mund të përgjigjet për shkelje vetëm nëse ajo është e caktuar në veçanti me ligj me të cilin shkelja është e paraparë. Me zgjidhjen e tillë është tejkaluar gjendja e mëparshme e shkeljeve të personave juridik të parashikohen edhe me akte nënligjore. Nëse personi juridik mund të përgjigjet për shkelje që përbëhet nga mospagimi i tatimit, mund të përgjigjet edhe për vepër penale fshehje të tatimit, falsifikim të dokumenteve dhe vepra të ngjashme. Hapi i tillë është bërë me vënien e përgje­gjësisë penale të personave juridik me Novelën e kodit penal të RM-së nga viti 2004 (n.28-a): në rastet e caktuara me pjesën e Posaçme të KPM apo me ligj tjetër me të cilin janë paraparë vepra penale, personi juridik penalisht përgjigjet nëse në kryerje të veprës vjen me veprim apo lëshim të mbikëqyrësit të obliguar të organit për avancimin apo të personit përgjegjës në personin juridik apo personit tjetër i cili ka qenë i autorizuar të veprojë në emër të personit juridik në kornizat e autorizimeve të tij, apo kur ka tejkaluar autorizimet e veta për shkak të realizimit të ndonjë dobie të personit juridik. Përgjegjësia penale e personit juridik nuk përjashton përgjegjësinë e kryerësit të veprës penale. Për veprat e caktuara me ligj, përgjegjës janë të gjithë personat juridik, me përjashtim të shtetit; personat e huaj juridik janë penalisht përgjegjës nëse veprën e kanë kryer në territorin e RM-së, pa marrë parasysh a kanë apo jo përfaqësinë e vet e cila kryen veprim në territorin e vet. Me Novelën e KP është ngritur edhe sistemi i posaçëm i dënimeve dhe pa­sojave tjera juridike të veprave penale të personave juridik. Gjithashtu, në pjesën e posaçme është paraparë ndëshkimi i personit juridik në më shumë vepra penale (cenim i bara­zisë së qytetarëve, falimentimi i rremë, pastrimi i parave, fshehje e tatimit etj.). Me zgjidhjen e këtillë për përgjegjësinë penale të personave juridik, legjislacioni jonë i bashkëngjitet konceptit për përgjegjësinë e supozuar të personit juridik për veprimet e organeve apo përfaqësuesve të tij. Përgjegjësia e personit juridik nuk e përjashton përgje­gjësinë e personit fizik si kryerës direkt i veprës, që në qendër të diskutimeve të ardhshme teorike bartë problemin e raportit të përgjegjësisë së personave juridik dhe kryerësit direkt të veprës, kur ekziston kryerës i tillë.
Problematik është edhe raporti në mes përgjegjësisë së supozuar individuale, subjektive dhe kolektive, që ballafaqohet me kundërshtimin e ndëshkimit të dyfishtë të individit: nga njëra anë si kryerës, nga ana tjetër si anëtar i personit juridik, apo kundërshtime të ngjashme me ndëshkimin e personave të pafajshëm, përgjegjësi për tjetër, etj. Të mundsh­me janë dy modele: në përgjegjësi përfaqësuese direkte dhe indirekte të perso­nit juridik.
Në modelin e parë nuk duhet të shqyrtohet faji i personit fizik që është bartës i veprimit, për arsye se personi juridik për veprën e kryer përgjigjet sipas parimit të fajit të supozuar. Modeli i dytë shkon nga përcaktimi i fajit të kryerësit direkt, personit fizik si prezumim i përgjegjësisë dhe të personit juridik. Por sistemi i tillë përgjigjet për modelin e përgjegjësisë penale të personave fizik, sipas të cilëve ato përgjigjen për të gjithë, duke i inkuadruar edhe veprat e përgjithshme. Modeli evropian, kurse e tillë është edhe zgjidhja për të cilën përcaktohet edhe kodi penal i RM-së, shkon nga përgjegjësia restriktive e personave juridik vetëm për vepra të caktuara, për të cilët është qëlluar koncepti i përgjegjësisë direkte, respektivisht të fajit të supozuar të personit juridik. Faji i supozuar mbështetet në qëndrimin se si figurë reale personi juridik është bartës jo vetëm i të drejtave, por edhe i obligimeve, kurse primare është obligimi që me kryerjen e veprimtarisë së vet të mos shkaktojë assesi pasoja të dëmshme.

3. Sistemi i sanksioneve
Me ndryshimet në kodin penal të RM-së të vitit 2004, është vënë përgjegjësia penale e personave juridikë (n.28-a) dhe janë vendosur në dispozita të përgjithshme për dënim të personave juridik (n.96-a deri 96-gj). Po ashtu, në pjesën e posaçme, te më shumë vepra penale janë paraparë dispozita për dënim edhe të personave juridik. Për dallim prej legjislacioneve tjera në të cilat është paraparë listë e gjerë e dënimeve (kodi penal francez në n.131-139 parasheh nëntë lloje, mes të cilave edhe ndalesa për shfrytëzim të fondeve shtetërore, ndalesa për dhënien e çeqeve etj.), në legjislaturën tonë sistemi i dënimeve për persona juridik është i kufizuar në disa dënime me të cilat përvetësohet pasuria, veprimtaria, dhe ekzistimi i personit juridik.
Pos dënimeve, kodi penal i RM-së parasheh edhe mundësi për shqiptim dënim me kusht si masë alternative që përbëhet në shtyrjen me kusht të kryerjes së dënimit me të holla dhe ndalesën për të kryer veprimtari të caktuar (n.96-g), si dhe shqiptim të masave të posaçme të konfiskimit të pasurisë dhe të dobisë pasurore dhe marrjes së sendeve (n.96-d). Ligjdhënësi ynë përcaktohet për sistem të thjeshtë të dënimeve dhe të masave tjera, me të cilat duhet t’u kundërvihet formave të reja të krimit korporativ (mashtrimi i blerësve, korrupsioni, larja e parave etj.). Ai është i përshtatur me konceptin kryesor në raport me personin juridik si subjekt i veprës penale, sipas së cilës dënueshmëria e tij bazohet në parimin e përgje­gjësisë së supozuar (n.28-a p.1 të kodit penal të RM-së).
Përgjegjësia e supozuar e personit juridik nuk e përjashton përgje­gjësinë dhe dënimin e personit fizik i cili është kryerësi i veprës penale, që do të thotë se është pranuar sistemi i përgjegjësisë paralele dhe i dënuesh­mërisë për një vepër të njëjtë edhe personit fizik (p.sh. drejtori) si kryerës direkt, nëse është fajtor për veprën e kryer, dhe personit juridik (nëse p.sh. pas kryerjes së veprës qëndron vendimi kolektiv i organit që e drejton (n.28-a p.2). Në këtë situatë, dënimi i personit juridik është pjesë e reaksionit komplementar penalo-juridik i veprës së kryer. Nuk është e përjashtuar që dënimi i shqiptuar i perso­nit juridik të paraqesë përgjigje të vetme edhe për shumë vepra të rënda, nëse kryerësi i drejtpërdrejtë ka mbetur i panjohur ose nuk është fajtor për veprën e bërë ose ekzistojnë pengesa juridi­ke ose faktike për ndjekjen e tij (p.sh. ka vdekur, i sëmurë shpirtërisht, është në arratisje, ka imunitet etj.). Sistemi i dënimeve për personat juridik e pranon faktin se si subjekte të veprës penale mund të paraqiten të gjithë personat juridik, me përjashtim të shtetit (n.28-a p.3). Sipas kësaj, llojet e dënimeve dhe përmbajtja e tyre duhet të jenë të aftësuara në atë që është e përbashkët për personat juridik, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për privat, shtetëror ose të përzier, sipas formës së pronës ose veprimtarisë që e kryejnë. E mirë e përbashkët, marrja ose kufizimi i së cilës mund të paraqitet si dënim, janë padyshim pasuria, veprimtaria dhe vetë ekzistimi i personit juridik.
Llojet e dënimeve. Personit juridik mund t’i shqiptohen dy lloje të dënimeve: kryesore dhe sekondare. Në grupin e dënimeve kryesore veçohet vetëm dënimi me gjobë, kurse në grupin e dënimeve sekondare veçohen: ndale­sa për marrje të lejes, licencës, koncesionit, autorizimit apo ndonjë të drejte tjetër të caktuar me ligj të posaçëm; ndalesa për të marrë pjesë në procedura për thirrje publike, për ndarjen e kontratave për furnizim publik dhe kontrata për partneritet publik-privat; ndalesa për themelim të personave të rinj juridik; ndalesa për shfrytëzimin e subvencioneve dhe kredive tjera të volitshme; marrja e lejes, licencës, koncesionit, autorizimit apo ndonjë të drejte tjetër e caktuar me ligj të posaçëm; ndalesa e përkohshme për të kryer veprimtari të caktuar, ndalesë e përhershme për të kryer veprimtari të caktuar dhe pushimi i personit juridik (n.96-a dhe n.96-b i kodit penal të RM-së).
Dënimi me të holla shqiptohet në sasi që nuk mund të jetë më i vogël se 100 mijë denarë dhe më i madh se 30 milion denarë; për vepra të kryera nga dëshira e shfrytëzimit ose me të cilat shkaktohet dëm i madh i pasurisë, mund të përshkruhet dënim me të holla dyfish më i lartë nga maksimumi i këtij dënimi ose në përputhje me lartësinë e dëmit të shkaktuar ose dobinë e përfituar, por më së shumtë gjer në shumën e dhjetëfishtë të tyre. Përveç përcaktimit për sistemin e shumës fikse të hollave, dispozitat e posaçme për dënim me të holla për persona fizik përmbajnë edhe disa tërheqje (shmangie) nga regjimi i përgjithshëm i dënimit me gjobë në KPM. Së pari, nëse personi juridik nuk e paguan vullnetarisht në kohë dënimin e shqiptuar, e cila nuk mund të jetë më e shkurtër se 15 dhe më e gjatë se 30 ditë, gjyqi do të urdhërojë kryerje të dhunshme. Proce­dura e kryerjes së dhunshme realizohet sipas rregullave të përgjithshme të përmbajtura në ligj të procedurës ekzekutive, por me disa përjashtime të rëndësishme (n.96-a). Nëse personi juridik nuk ka pasuri ose ka pushuar së ekzistuari para kryerjes së dënimit, dënimi me gjobë do të realizohet prej pasurisë së themeluesit ose themeluesit të personit juridik, proporcionalisht me pjesët e investuara, gjegjësisht te shoqëritë tregtare nga pasuria e aksionarëve, të bashkuarve proporcionalisht me pjesët e tyre. Ky vendim është i drejtuar kah pengimi i mundësisë së mashtrimit të dënimeve me gjobë me likuidimin e personave juridik nga ana e themeluesve të tij, gjegjësisht aksionarëve. Kjo bazohet në idenë se themeluesit, në fakt aksionarët që kanë dobi nga veprimi i personit juridik, duhet të kenë edhe obligim për pranim solidar edhe të pasojave nga aktivitetet e tij kriminale. Dënimi me të holla i shqiptuar ndaj personit juridik të huaj realizohet nga pasuria e konfiskuar në shtetin tonë, ose me zbatimin e marrëveshjes ndërkom­bëtare për njohje reciproke dhe kryerje të aktgjykimeve - nga pasuria jashtë vendit (n.96-b p.3).
Nëse gjyqi vlerëson se shqiptimi i një apo i më shumë dënimeve dytësore i përgjigjet peshës së veprës së kryer dhe se me të personi juridik do të pengohet që në të ardhmen të kryejë vepra të tilla, mund t’i shqiptojë dënimet nga neni 96-b pikat prej 1 deri në 4 të këtij kodi, bashkë me dënimin me gjobë. Gjykata e cakton zgjatjen e kohës së dënimeve nga paragrafi 1 të nenit 96-b, e cila nuk mund të jetë më e shkurtër se një, e as më e gjatë se pesë vjet. Nëse nga rrethanat e veprës del se leja, licenca, koncesioni, autorizimi apo ndonjë e drejtë tjetër e dhënë është keqpërdorur për kryerjen e saj, gjyqi mund të shqiptojë marrje të lejes, licencës, koncesionit, autorizimit apo ndonjë të drejte tjetër e përcaktuar me ligj të posaçëm bashkë me dënimin me gjobë.
Nëse gjatë kryerjes së veprimtarisë të personit juridik është kryer vepër penale për të cilën për personin juridik është paraparë dënim me gjobë ose dënim me burgim deri në tre vjet, kurse nga mënyra e kryerjes së veprës penale del rreziku nga kryerja e serishme e veprës së tillë apo të ndonjë të ngjashme, gjyqi do të shqiptojë ndalesë të përkohshme për kryerje veprimtari të caktuar në zgjatje prej një deri në tre vjet, bashkë me dënimin me gjobë. Nëse është kryer vepër penale për të cilën për personin fizik është paraparë dënim me burgim prej së paku tre vjet, kurse nga mënyra e kryerjes së veprës del rreziku nga kryerja e serishme e veprës së tillë apo të ndonjë të ngja­sh­me, gjyqi do të shqiptojë ndalesë të përhershme për kryerje të një veprimtarie të cak­tuar nga veprimtaritë që i kryen personi juridik, bashkë me dënimin me gjobë.
Ndalimi i përkohshëm për të kryer veprimtari të caktuar, si dënim sekondar, shqiptohet së bashku me dënimin me gjobë, nëse gjatë kryerjes së veprimtarisë së personit juridik është kryer vepër penale për të cilën për personin fizik është përshkruar dënim me burgim deri në tre vjet dhe nga mënyra e kryerjes së tij nxirret rreziku i përsëritjes së veprës së tillë ose të ngjashme. Ndalesa e përkohshme mund të zgjasë prej një deri në tre vjet. Personit juridik mund t’i ndalohet vetëm ndonjëra prej veprimtarive të cilat i kryen legalisht dhe gjatë kryerjes së të cilave është kryer vepra penale konkrete (lëshim në qarkullim të ushqimit të dëmshëm, konkurrenca jolojale në punën e tregtisë së jashtme). Gjyqi do të shqiptojë ndalesë të tillë kur do të vlerësojë se personi juridik është rrezik që një kohë të caktuar të merret me atë veprimtari. Relevante për vlerësim të tillë janë të gjitha rrethanat objektive dhe subjektive të veprës së kryer (krijimi i rrjetit të gjerë për mashtrim masiv të blerësve, hapja e kanalit për pastrimin e parave etj.
Ndalimi i përhershëm për të kryer veprimtari të caktuar, si dënim sekondar, shqiptohet së bashku me dënimin me gjobë kur është kryer vepra për të cilën për persona fizik është paraparë dënim me burgim me së paku tre vjet, dhe nga mënyra e kryerjes së tij del rreziku i përsëritjes së veprës së tillë ose të ngjashme, si dhe në rastin kur është kryer vepër penale me dënim të mëpar­shëm, me të cilën personit juridik i është shqiptuar ndalesë e përkohshme për të kryer veprimtari të caktuar. Edhe këtu, si në ndalesën e mëparshme, ligji e lidh shqiptimin e ndalesës me rëndësinë e veprës së kryer penale dhe rrezikun që personi juridik të merret me atë veprimtari. Veç kësaj, si kusht për shqiptim është përcaktuar recidiviteti i personit juridik, e definuar si kryerje e veprës penale me dënim të mëparshëm, për të cilën personit juridik i është shqiptuar ndalesë e përkohshme për të kryer veprimtari. Duhet të thuhet së përsëritje ekziston vetëm kur personi juridik e ka shkelur ndalesën në raport me veprimtarinë e njëjtë, në kryerjen e së cilës ka ndodhur vepra e re. Nuk ka vend për këtë dënim nëse personit juridik i është ndaluar përkohësisht një veprimtari, dhe kjo (ky) ka kryer vepër të re penale në ndonjërën nga veprimtaritë të cilat i kryen. Kjo ndalesë, si edhe e mëparshmja, kryhet me shënime përkatëse në regjistrat gjyqësor ku është regjistruar personi juridik dhe veprimtaritë e tij.
Pushimi i personit juridik, si dënim sekondar, shqiptohet së bashku me dënimin me gjobë kur është kryer vepër penale për të cilën për personat fizik është paraparë dënim me burgim me së paku pesë vjet, dhe nga mënyra e kryerjes së tij shihet rreziku për përsëritje të veprës së njëjtë ose të ngjashme, si dhe në rastin kur është kryer vepër me dënim të mëparshëm me të cilën personit juridik i është shqiptuar ndalesë e përhershme për të kryer veprimtari të caktuar. Bëhet fjalë për vepër më të rëndë, që sjell deri te ndërprerja e subjektit juridik të personit juridik. Për këtë, shqiptimin e tij mund ta arsyetojnë ekskluzivisht veprat e rënda të kryera, të cilat në mënyrë evidente e manifestojnë rrezikun që personi juridik të merret me veprimtari të caktuar, ose fakti se personi juridik vazhdon të kryejë vepra penale në veprim­tarinë që i është ndaluar përgjithmonë. Në bazë të aktgjykimit të plotfuqishëm me të cilën është shqiptuar ky dënim, gjyqi kompetent, në bazë të detyrës zyrtare, ngrit procedurë për falimentim të personit juridik, e vërtetuar me ligj, në afat prej 30 ditë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit. Nuk paraqet pengesë për ngritjen e procedurës penale dhe shqiptim të dënimit personave juridik hapja e procedurës falimentuese: ajo do të dënohet për veprat e kryera para hapjes së saj. Sistemi i dënimeve për personat juridik duhet ta pranojë faktin se, disa prej tyre kanë karakter juridik-publik (njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndër­marrje publike, institucione publike etj.), dhe për të kryer veprimtari me interes publik janë të bazuar në ligj ose kryejnë veprimtari në bazë të ligjit.