VEPRA logo
Logo link

Përleshje në Kishë për shkak të mësim-besimit islam

Kisha“Janë të qarta mospajtimet në Kishën katolike ndërmjet Kuries romake dhe Konferencës episkopate italiane në aspekt të mësim-besimit islam në shkollat italiane”, lajmërojnë agjencitë.
Kardinali Renato Raffaele Martino, kryetar i Këshillit papnor të kuries “Iustitia et Pax”, mendon se kjo jo vetëm që është e drejtë e nxënësve muslimanë, por edhe mënyrë që të shmanget animi i të rinjve muslimanë në “radikalizëm” nëpër medresetë e improvizuara.
Kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i Konferencës episkopate italiane, mendon se katolicizmi është pjesë integrale e kulturës italiane dhe se mësim-besimin katolik duhet ta njohë çdo banor i Italisë, pa marrë parasysh shtetësinë dhe fenë eventuale. Në të vërtetë, Bagnasco pohon se kjo nuk është kateqizmë konfesionale, por lëndë e obligueshme kulturore. Me këtë rast ai thirret në Konkordatin në mes të Italisë dhe Selisë së shenjtë.
Propozimin për futjen e mësim-besimit islam, si alternativë, e dha Adolfo Urso nga krahu i Finit të partisë së djathtë qeveritare të Berlusconit “Populli i lirisë”, gjatë prezantimit në një tubim në Asola, me të cilin kryesuan Gianfranco Fini dhe Massimo D’Alema, dhe të cilin dy vjet me radhë e organizojnë fondacionet e tyre “Farefuturo” dhe “ItalianiEuropei” .
Propozimin e Ursos e kanë mbështetur edhe ish-kryeministri D’Alema dhe kryetari i Dhomës së përfaqësuesve Fini, i cili mendon se këtë e dikton “arsyeja e shëndoshë bazore”.
Liga e Veriut ka theksuar se propozimi “nuk do të kalojë përderisa ne jemi në pushtet”. Eksponenti i saj, zëvendësministri Roberto Castelli, propozimin e Ursos e konsideron si “provokim që nuk duhet përfillur fare”, sepse “qëllimi i vetëm i tij është që të mbillet përçarje”.

Vendet islame kërkojnë ndalimin e përqeshjes së fesë

Lëvizja lobuese e cila dëshiron të sigurojë ndalimin e përqeshjes së religjioneve udhëhiqet nga Algjeria dhe Pakistani.
Vendet islame kanë organizuar një fushatë për ndalimin global të përqeshjes së simboleve dhe ndjenjave fetare, kurse qëllimi i tyre është të lobohet miratimi i marrëveshjes ndërkombëtare mbi ndalimin e blasfemisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, publikoi Associated Press.
Ajo agjenci erdhi deri te posedimi i dokumenteve që tregojnë se Algjeria dhe Pakistani janë dy vendet muslimane të Konferencës Islamike të cilat udhëheqin procesin e lobimit, për të cilin ekspertët pohojnë se edhe mund të ketë sukses në qoftë se vendet muslimane këmbëngulin në të. Kjo, natyrisht, do të shkaktonte probleme në të gjitha vendet e demokracisë perëndimore të cilat lirinë e fjalës e përjetojnë si të drejtë themelore, kurse kjo marrëveshje të cilën do të detyroheshin ta ratifikojnë do të zvogëlonte ato liri kur vjen në pyetje çdo deklaratë që mund të fyejë ndjenjat fetare të të tjerëve.
Shtetet e Konferencës Islamike kanë dërguar një letër deri te Komiteti për standardet komplementare, komiteti ad hoc i OKB-së i vendosur në Gjenevë, në të cilën qëndron se shtetet nënshkruese besojnë se “sulmi ndaj fesë dhe përqeshja e religjioneve, simboleve fetare, personave dhe dogmave, rrezikon të drejtat njerëzore të pasuesve të këtyre feve.”
SHBA-të tashmë kanë deklaruar se nuk do të pranojnë marrëveshje ndërkombëtare që kufizojnë lirinë e fjalës. Gjoja se amerikanët janë të shqetësuar për shkak të lobimit të Konferencës Islamike, kështu që para ca kohëve kanë dërguar një emisar të vetin në Gjenevë për t’u takuar me anëtarët e komitetit kompetent.

U thye paragjykimi s vetëm arabët janë muslimanë

Numri i muslimanëve në botë është rritur në 1.57 miliardë, që përbën 25 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë në botë, ka treguar hulumtimi i vëllimshëm trevjeçar i Pew Forumit, organizatë amerikane e specializuar për hulumtime  religjioze.
“Pew Forum” religjioz amerikan ofroi informata mbi të cilat shkencëtarët me vite vetëm kanë spekuluar, sepse mendohej se numri i muslimanëve në botë lëviz prej 1 deri 1.8 miliardë. Hulumtimi gjithashtu ka rrënuar disa mite, sikurse ai se koncentrimi më i madh i muslimanëve është në Lindjen e Afërt, kurse në të vërtetë më tepër ka në pjesët tjera të Azisë, ku jetojnë mbi 60 për qind. muslimane
“Teoria se muslimanët janë arabë, kurse arabët muslimanë, në të vërtetë është zhvlerësuar me këtë raport”, ka thënë Amaney Jamal, asistent pranë katedrës për Politikë të Universitetit Princeton, i cili ishte recensent i raportit.
Interesante janë edhe të dhënat se në Gjermaninë tradicionalisht krishtere jetojnë më shumë muslimanë se sa në Libanin me shumicë muslimane. Rusia ka më shumë muslimanë se sa Jordania dhe Libia bashkërisht, kurse në Etiopi jetojnë më shumë muslimanë se sa në Afganistan.
Rreth 20 për qind e popullatës muslimane jeton në Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore, 15 për qind jeton në Afrikën e Subsaharës, 2,4 për qind muslimanë janë në Evropë, përderisa në dy kontinentet amerikane janë gjithsej 0,3 për qind.
Hulumtimi ka rëndur tezën se shumica e muslimanëve jetojnë në vendet ku ata janë shumicë. Në të vërtetë, India është vendi i tretë në botë me më shumë besimtarë muslimanë, pas Indonezisë dhe Pakistanit, por ata përbëjnë vetëm 13 për qind nga popullata e saj.

Përgatiti: Fevzi MUSLIU