VEPRA logo
Logo link

MANIFESTIMI I VITIT TË RI TË KALENDARIT ISLAM - HIXHRI 1431

Me 17 dhjetor të vitit 2009, në sallën Universale në Shkup, nga Forumi Rinor Islam u shënua Viti i Ri i kalendarit islam - Hixhri 1431. Me këtë rast edhe u organizua një manifestim solemn për përkujtimin e kësaj dite madhështore të historisë islame.
Ishte ky viti i tetë me radhë që kjo organizatë rinore islame përkujton shpërnguljen dhe hixhretin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nga Meka në Medinë dhe fillimin e një epoke të re në jetën e muslimanëve përmes themelimit të shtetit islam.
Hapjen e këtij manifestimi solemn e bëri hafizi i njohur Ibrahim Beqiri nga Ferizaj, Republika e Kosovës, kurse pastaj fjalën përshëndetëse e mori kryetari i Forumit Rinor Islam, z. Sali Shasivari, i cili foli edhe mbi rëndësinë e kësaj ngjarje madhështore të historisë islame dhe mbi angazhimet e Forumit Rinor Islam për të afirmuar vlerat pozitive në shoqëri. Fjalën e rastit pastaj e pati edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, z. Ervan Fuere, i cili përpos urimit për një vit të mbarë dhe plot suksese, shprehu edhe optimizmin e vet që gjatë vitit në të cilin po hymë Republika e Maqedonisë edhe përfundimisht të fillojë bisedimet për aderim të plotë në familjen e gjerë evropiane.
Në solemnitetin në fjalë u dekoruan edhe fituesit e sivjetmë të konkursit letrar të shpallur me temën: “Familja e shëndoshë - garancë e së ardhmes”, edhe atë në dy lëmi: poezi dhe prozë.
Programi i sivjetmë kulturor-artistik filloi me interpretimin e ilahive nga i mirënjohuri Mesud Kurtish nga Shkupi. Pastaj në skenë u ngjit aktori i madh nga Kosova, Çun Lajçi, i cili u paraqit në mënyrë mjaft impresionuese para publikut me monologun “O i mbuluar”, të përgatitur enkas për këtë manifestim nga autori Fatmir Muja. Ndërsa ajo që e bëri edhe më të veçantë pjesën artistike të këtij manifestimi ishte prezenca dhe këndimi i disa ilahive nga mysafiri special nga Britania e Madhe, i mirënjohuri Hamza Robertson, i cili me paraqitjen e tij ngjalli emocione të veçanta tek publiku.
Sikur edhe vitet e kaluara, Forumi Rinor Islam edhe sivjet bëri dekorimin e disa personaliteteve dhe subjekteve të dalluara në shoqëri, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në fusha të ndryshme të jetës, apo të cilët kanë qenë pjesë e aktiviteteve që ka organizuar Forumi Rinor Islam. Të dekoruarit e sivjetmë ishin: Profesor Ali Basha nga Shqipëria, Hoxhë Sali ef. Misimi nga Tetova, donatori Jusuf Sinani nga Shkupi, Këshilli për rindërtimin e Xhamisë Burmali në Shkup dhe Televizioni ERA. Po ashtu, Forumi Rinor Islam sivjet e dekoroi Post Mortum edhe Akademikun e mirënjohur shqiptar nga Kosova, Fehmi Agani, në dhjetëvjetorin e vrasjes së tij nga forcat okupatore serbe në Kosovë.
Sivjet për herë të parë Forumi Rinor Islam ndau edhe Dekoratën “Shkencëtari i ri i vitit”, e cila po ashtu shpresohet të vazhdojë si një traditë pozitive edhe viteve të ardhshme. Duke pasur parasysh aktualitetin e proceseve evro-integruese, kjo mirënjohje këtë vit iu nda Docent Doktor Arta Ibrahimit nga Shkupi, ligjëruese pranë Fakultetit të Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore në lëndë lidhur me Integrimet Evropiane dhe autore e një sërë veprave shkencore dhe universitare që kanë të bëjnë me lëmin e integrimeve.
Përveç kësaj, siç është bërë tanimë traditë për këtë manifestim, u bë edhe shpallja e nxënësve më të mirë të një numri të konsiderueshëm të shkollave të mesme të disa qyteteve të Maqedonisë, si dhe shpallja e studentëve më të dalluar të disa fakulteteve nga Universiteti i Shkupit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti FON. Ajo që e bën shumë të veçantë përzgjedhjen e studentëve në manifestimin e sivjetmë të hixhrit, ishte prezenca e gjashtë studenteve me notë mesatare maksimale 10.00.
Ndërsa ato janë:
- Nora Osmani, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Fakulteti Juridik, Dega - E Drejta Ndërkombëtare.
- Fisnike Bekteshi, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Fakulteti Juridik, Dega - Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
- Liza Alili, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Fakultetit Ekonomik, Dega - Kontabilitet Financiar dhe Bankar.
- Siandra Hasani, Universiteti i Evropës Juglindore, Fakulteti Ekonomik.
- Hirjete Sallahi, Universiteti FON, Fakulteti Juridik.
- Imrane Ibrahimi, Universiteti i Shkupit, Fakulteti Filologjik, Dega - Përkthyes dhe interpretues.

Përndryshe, manifestimi në fjalë u emetua drejtpërdrejt përmes ekranit televiziv të programit të dytë të televizionit shtetëror të Maqedonisë, Redaksia në gjuhën shqipe.