VEPRA logo
Logo link

JETA BASHKËKOHORE DHE QENËSIMI I VLERAVE ETIKE

Muhamed Murtezi

    Doc. dr. Bashkim SELMANI

         
Koha që po kalojmë është e përmbushur përplot me strese, emocione të ndryshme të pasigurisë së përgjithshme shoqërore, dhe shprehjeve shpeshherë të papranuara nga publiku dhe qytetarët në përgjithësi. Prandaj është e kuptueshme edhe retorika e përditshme mediale, që çdo fjali dhe informacion lajmesh të fillojë dhe mbarojë me shprehjen  e rrezikimit të sigurisë njerëzore dhe funksionimit të sajë, sharje dhe ofendime të natyrave të ndryshme si ato politike, partiake, ndërnjerëzore, pa i kushtuar një rëndësi të veçantë mënyrës së komunikimit me publikun dhe përkujdesjen e shprehjeve të pazgjedhura në dëm të oratorisë dhe mënyrës së komunikimit.
Mosmbështetja në rregullat e pranuara të retorikës bashkëkohore dhe shprehjeve elementare të etikës së komunikimit, si me publikun ashtu edhe mes qytetarëve, krijon raporte të papranuara në relacionet etiko-komunikative në përgjithësi, si në pikëpamje politike, kulturore, arsimore, ashtu edhe ato deontologjike. Ky fenomen, sa i njohur dhe i përditshëm në dëgjueshmëri, po aq i panjohur për njeriun dhe etiologjinë e problemit, përkufizimi i të drejtave të shprehjeve të mirësjellta dhe të pranueshme nga etika e oratorisë fillon që nga momenti  i mosrespektimit të kodeksit të mirësjelljes njerëzore, qoftë ajo qytetare apo institucionale. Prandaj, si pikënisje kam menduar të paraqes këtë trajtesë të domosdoshme, që shtjellon kuadrin e plotë të lëndës “Retorika dhe komunikologjia”, që është në përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Etika e oratorisë dhe komunikologjisë, na mundëson që në mënyrë kritike ta vlerësojmë situatën e dhënë dhe kështu ta krijojmë mundësinë për interpretim dhe veprim me shprehje praktike të drejtë dhe me mirësjellje e standarde të pranuara për  mirëndëgjimin e një oratorie të pranueshme nga të gjithë dhe pa pasoja të shprehjeve nxitëse, jotolerante ose devijimeve tjera me ndikim negativ në perceptimin e dëgjueshmërisë mediale dhe komunikative në përgjithësi. Nga kjo që thamë mund të konstatojmë se Retorika (oratoria), dhe komunikologjia na mësojnë për vlerat, mirësjellje, respekt  në jetë, dhe paraqitje të dalluar oratorike në qetësimin e vlerave etiko-retorike, si në oratorinë e të shprehurit, ashtu edhe në botëkuptimin e përshkrimit dhe interpretimit të së bukurës dhe artin e të shprehurit për njeriun dhe personalitetin, të dallohet për nga njohuria e të folurit dhe oratorisë së veçantë në vlerësimin e temave të caktuara dhe interpretim e tyre në publik dhe media (elektronike dhe shkruara).

Demokracia dhe qenësimi i vlerave etike

Po të mbështetemi në përditshmërinë filozofike për etikën, do të konstatojmë se përcaktimet e tilla e vlerësojnë etikën si filozofi praktike që kërkon përgjigjen e pyetjes “Ç’duhet të bëjmë?” Etika na mundëson që në mënyrë kritike ta vlerësojmë situatën e dhënë dhe kështu ta krijojmë mundësinë për veprim praktik të drejtë. Nga kjo që thamë mund të konstatojmë se, etika i mëson vlerat në jetë,  ndërsa sjellja morale paraqet qenësimin e vlerave etike.
Kur flasim për Etikën, na jep të kuptojmë me bindje se vendi i saj në filozofi dhe në shkencë është përcaktuar që nga Antika, që nga koha kur filozofinë e kanë ndarë në tri pjesë: Fizikën, Etikën dhe Dialektikën (Logjikën). E para hulumton botën dhe atë që është në të, Etika merret me jetën dhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë më njerëzit, kurse Dialektika me mënyrën dhe proceset e mendimeve në ato të dyja. Dhe në këtë mënyrë etika zhvillohet nëpër shumë forma dhe degë të veçanta, por gjithmonë ngel degë filozofike, sepse lënda e saj e studimit është: njeriu, vlerat e tij, qëllimet, idealet, kualitetet e të mirës dhe të keqes, por gjithmonë duke pasur si prioritet mundësinë për veprim të drejtë. 1
Pra, nga mendimet e deri tanishme mund të themi me plotë bindje se Etika është shkenca unike, por gjithmonë duhet të kemi parasysh qëndrimin ndaj të mirës dhe të keqes. Në botën bashkëkohore janë paraqitur shumë shkenca të kësaj natyre dhe në këtë mënyrë u zhvilluan edhe disiplina të ndryshme etike, siç janë historia e etikës, etika teorike, etika kriminalistike, etika mediale, etika praktike apo etika profesionale, e cila merret me detyra dhe norma morale konkrete të profesioneve të ndryshme njerëzore, siç janë etika e juristëve, gazetarëve, mjekëve ekonomistëve zejtarëve e të tjera. Por, epokën e fundit e karakterizon edhe deontologjia e profesionit, e cila trajton rregulla për veprim të drejtë moral në çdo veprimtari ose në çdo rast të veçantë veprimi.
2.1. Përcaktimet e parimeve deontolgjike
Ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë vendimtare dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për sa i përket evoluimit të principeve etike dhe raportit të tyre me modernitetin. Shumë faktorë, si për shembull: dështimi i kuptimit ose boshllëku etik, rënia e ideologjive dhe e utopive, triumfi i individualizmit perëndimorë mbi kolektivizimin e të majtëve lindorë, dhe në fund zbulimi dhe përhapja e teknologjive të reja, që shkaktojnë një rritje të menjëhershme të pushtetit të njeriut, njëkohësisht subjekt dhe objekt i teknikave të tij, pa përkujdesje së rrënohen shumë vlera të rëndësishme që kanë mbajtur gjallë njerizimin. Është pikërisht nga dështimi i kuptimit dhe boshllëku etik që është e domosdoshme që të riniset, sepse shpresa jonë është që boshllëku etik paralajmëron formimin e një aksiologjie (doktrine vlerash) të padëgjuar me parë.2
2.1.1. Ç’farë është ky “boshllëk etik”?
Jetojmë në një epokë ku çdo pikë tradicionale referimi është zhdukur, në një epokë ku nuk dimë me saktësi se kush mund të jenë themelet e mundshëm të një teorie etike. Është kjo pikërisht në çastin në të cilin veprimet e njeriut shfaqin rreziqe të rënda që gjendemi të zhytur në këtë nihilizëm, në këtë qëndrim metafizik që hedh poshtë gjithçka, në këtë raport me “hiçin”, ku Niçja ishte, dy shekuj më parë, “profeti” i pamëshirshëm dhe i sëmuri njëkohësisht.

2. Kriza e tashme e Etikës dhe hyrja në lojë e vlerave të reja të modernitetit deontologjk

Nihilizëm do të thotë që të gjitha referimet ose normat morale janë të përçara, shpërbëhen, dhe që vlerat e larta tashmë janë të thërrmuara. Ai, gjithashtu, tregon dhe fenomenin shpirtëror të lidhur me “vdekjen e zotit” dhe idealeve të tij mbinatyrore. Nga këtu nis kriza e tashme e etikës dhe hyrja në lojë e vlerave të reja të modernitetit. Fundi i shekullit njëzet, i shekullit nihilist, është shënuar edhe nga fundi i ideologjive, i teorive të mëdha totalitare, vdekje në të cilën duhet dhe zë rrënjë etika e se ardhmes.
Siç thamë edhe në fillim, janë të shumtë faktorët që duhet të merren parasysh në analizën përfundimtare të deontologjisë së re që duhet të lindë. Mund të përmendim, gjithashtu, edhe problemin në lidhje me teknologjitë e reja që kanë një rëndësi të veçantë për jetën moderne. Nga momenti ku prodhimi teknologjik përfaqëson një organizim të përgjithshëm të botës së sotme - një “braktisje e largët e qenies”, siç thotë Hajdegeri - ajo na paraqet një problem të ri etik.3 Etika klasike - njeriu është subjekt i pavarur për të cilin lumturia nuk varet nga autoritete të mbinatyrshme (Dekarti, Sartri, Kanti)
2.2. Etika bashkëkohore dhe sfidat  për rrugë të reja
Etika bashkëkohore ka zbuluar gjithmonë rrugë të reja, por nga shumë mendimtarë të mëdhenj ka marrë principe ose referime komplekse dhe forma organizimi, pa të cilat nuk do të mund të rilindte principe të reja. Spinoza gjendet pak a shumë kudo. Ai ka influencuar një rrymë të tërë mendimi etik, duke pohuar unitetin e substancës së pafund dhe duke mbrojtur idenë sipas se cilës mençuria e vërtetë gjendet në kuptimin e rregullsisë natyrore dhe, si shkak i kësaj, kënaqësinë e një lumturie të përjetshme. Edhe Kanti i jep epokës tonë një kontribut të veçantë me një etikë të vendosur dhe një vizion të botës që e strukturon thellë në brendësi. Duke përkufizuar një arsye praktike që vë rregullat e moralitetit, arsye rigorozisht e pavarur nga arsyeja e pastër, e duke i dhënë titullin e nobiltetit, Kanti ngre një çështje thelbësore, që është themeli i modernitetit dhe i postmodernitetit. Arsyeja e pastërtisë praktike nxjerr principin a priori të aktivitetit moral o “imperativit kategorik”: bindu ligjit universal. Duke i dhënë një specificitet arsyes praktike, duke mos e lënë të ndërvarur prej principeve metafizike (edhe pse ajo ri gjen postulatet e Zot-it, të lirisë dhe pavdekësisë), Kanti i hap, në një farë mënyre, rrugën etikës bashkëkohore. Arsyeja shprehet plotësisht në fushën e moralit dhe vendos atë çfarë duhet të bëhet, pavarësisht nga çfarëdo veprimi spekulativ (të menduar) o nga çfarëdolloj dije metafizike ose teorike. Është mbi bazën e arsyes praktike ku ndërlidhen një mori etika aktuale.4
2.3. Qasje deontologjike ,,diagnoza” dhe ,,vizioni i botës”
Shkatërrimi i kuptimit, nihilizmi, këto tema janë ato që na çojnë në mendimin e Niçes, ku “diagnoza” dhe “vizioni i botës” paralajmërojnë etikën e kohës sonë. Sëmundja vdekjeprurëse e kohëve tona është nihilizmi, mbretëria e absurditetit dhe e hiçit: tashmë errësira është fati ynë, sepse i mbinatyrshmi na ka braktisur. Është çfarë paralajmëron Zarathustra: kur zhduket universi transcendent i metafizikes dualiste, i lidhur me të mbinatyrshmen, shemben vlerat e vjetra, kështu, në shkretëtirën e kuptimit, hapet një fushë e re dhe krijohen vlera të reja.
Vizioni Niçean i botës në këtë mënyrë paraprinë mendimin etik bashkëkohor dhe problemet e tij. Nihilizmi është eksperienca e boshllëkut që i ndodh plotësisë fallco. Nëse ka një nihilizëm që lidhet me traditën kristiano-hebraike, ai është i përgatitur prej idealizmit platonik dhe ngelet i fshehur; nihilizmi i vërtetë, duke u bazuar në atë çfarë thotë Niçe, është ai i kohëve moderne. Tematika e Niçes dhe zbulimi i mbretërisë së absurdes janë themeli i mendimit etik bashkëkohor.
Edhe Wittgenstein ka kontribuar në formimin e një kuadri ku mund të fokusohemi. Sepse Wittgensteini i dytë, jo ai i Tractatus-it, por ai i “Kërkimeve filozofike”, na thotë që gjuha është veprim. Është ndër të parët që ve theksin mbi komunikimin aktiv dhe na thotë, në një prospektivë që Austin do ta pasurojë me vonë, që “të thuash është të bësh”.
Analiza e gjuhës së përditshme do të bëhet një model pragmatik universal për Jurgen Habermas, që rrjedh nga Kanti, por dhe nga Austin dhe Searl, e të cilët influencohen nga Wittgenstein. Habermas do të thellohet më tepër në studimin e idesë së konsensusit që bazohet në forcën paqësore të diskutimin argumentativ. Duke nënvizuar lidhjen e ngushtë mes etikës dhe estetikës, Wittgenstein na thotë se çdo mangësi në gusto është mëkat kundër shpirtit, një atentat kundër moralit.
 Parë në këtë prizëm, është detyrë të kujtojmë Hajdegerin, i cili, duke mos pasur besim në tekniken moderne, të cilën e shikonte si shprehje përfundimtare të metafizikës, akuzon modernitetin dhe kontribuon në hedhjen e themeleve për etikën bashkëkohore.
Por sot bota jonë është përmbushur përplot me rregulla të panjohura, ku shpesh bien njerëzit në dilemë nga ajo që njihet si etike e moralshme, dinjitoze dhe e pranuar nga të gjithë. Lind pyetja, vallë, a thua vetëm paraja dhe interesi individual janë faktorët që flakin komponentët e lartpërmendur, apo diç më tepër? Largimi nga feja, largimi nga shkenca, largimi nga traditat, largimi nga respektimi i të afërmve të familjes, jo humaniteti... pra, sot, çdo gjë mundet edhe ndryshe, dhe ky është botëkuptimi i asaj që shkenca e njeh si sistem demokratik në kuptimin e etiologjisë juridike. Mirëpo, kur shikojmë këtë demokraci të këtillë, na jep të kuptojmë se jemi duke jetuar në një sistem komunizëm-demokratik-anarkik.
Askush nga ne nuk ka më dyshim që, shoqëria shqiptare dhe qytetërimi ynë kanë marrë natyrë konsumistike, kanë marrë një rrjedhë të re sociale. Dialektika e shoqërisë dhe qytetërimit tonë, tani shfaqet me tipologji të plotë, në të cilën është në funksion “trekëndëshi” ekzistencial i jetës moderne, në të cilin duket qartë që “njeriu prodhues” i është nënshtruar pa kushte “njeriut konsumues”, dhe njeriu konsumues, nga ana e vet, është bërë vegël pasive në vartësi të tekave të tregut dhe shqetësimeve jetësore. Shkolla që përjetojnë gjeneratat e reja, ku çdo gjë mundet edhe ndryshe! Na ngelet për të parë jetën dhe sistemin demokratik në të gjitha profilet jetësore.

Fusnota:

1Çështja e etikës përmendet shumë herët historikisht, dhe atë që në Filozofinë e vjetër Greke nga Pythagoras (582-500 P.e.r.), Heraclitus (535-475 P.e.r.), Confucius (558-479 P.e.r.), por qasjen më serioze të të mësuarit të etikës e ka bërë Sokrati (427-347 p. e.r.), ku Etika si mësim i të mirës, shpëtimit etj, hyn në mesin e filozofisë, dhe që nga ajo kohë e deri më tani janë ngjeshur mendimet varësisht nga zhvillimi i njerëzimit dhe sistemeve.
Më vonë periudha etike e Filozofisë Greko-Romake - ku kemi ndryshime hedoniste (edone - kënaqesi), dhe e njëjta fillon me Democritus (rreth 460-370 P.e.r.), pastaj Cynics (444-369 P.e.r), Zeno ( 336-264 P.e.r.), Cicero (106 – 43 P.e.r.), ku kënaqësia vjen  nga të mirat e Zotit, sepse pa këto të mira qenia njerëzore nuk do të kishte ekzistuar. Pastaj në radhë vjen historia e etikës filozofike të mesjetës, e cila bazohet në ndarjen (separationin) në mes të filozofisë dhe teologjisë, dhe pjesërisht në mes të etikës dhe moralit teologjik, dhe këtu vlen të veçohet Thomas Aquinas (1225-1274), Bonaventure (1221-1274, Duns Scotus (1274-1308) etj. Në mes të viteve 1500 - 1700 kemi Etiken Filozofike, ku  metodat etike Katolike adoptohen nga ana e Protestantëve. E njëjta më së miri përshkruhet në veprën e Melanchthon-it,  “Elementa philosophiae moralis”, i cili ende për bazë ka të menduarit e filozofise së Aristotelit.
2 Termi “parim” tregon (vjen nga fjala latine ‘principium’, që do të thotë ‘bazë, ide udhëheqëse e një teorie’) atë çfarë shpirti zbulon si element nismëtar në fund të analizës dhe që e përmbledh në pikënisje të një procesi. Që në antikitet parimet janë parë si diçka e domosdoshme, si ligj i vetë dukurive.
3 Etika klasike = njeriu është subjekt i pavarur për të cilin lumturia nuk varet nga autoritete të mbinatyrshme ( Dekarti, Sartri, Kanti).
4 K.O.Apel, Habermas, etj.