Shtëpia Botuese “Furkan ISM” është themeluar në vitin 1994. Librat e botuar të kësaj shtëpie botuese kanë kryesisht karakter fetar-islam. Atëbotë, e paktë ishte literatura e këtij lloji në të gjitha trojet shqiptare. Ideja ishte që, me themelimin e vet, krahas shtëpive tjera ekzistuese botuese, “Furkan ISM” të kontribuojë sadopak në korrigjimin dhe përmirësimin e gjërave dhe gjendjes faktike me literaturë islame të botuar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri, e gjetiu. Kjo me qëllim të afirmimit të vlerave islame, për ngritjen e vetëdijes fetare te popullata dhe për njoftimin e inteligjencies shqiptare me të vërtetën e Islamit dhe largimin e paragjykimeve ateiste të mbjella në kokat e tyre gjatë periudhës së komunizmit.
Qëllimet kryesore që ia parashtruan vetes në kohën e themelimit përgjegjësit e Shtëpisë Botuese “Furkan ISM” janë:
- përkthimi dhe botimi i literaturës islame në gjuhën shqipe, gjë që do të mundësonte që popullata e gjerë muslimane të njoftohet me parimet e fesë përmes literaturës së shkruar në gjuhën amtare;
- largimi i paragjykimeve ateiste te shtresa intelektuale, duke ofruar tituj të përkthyer islamë me argumente shkencore rreth Zotit;
- nxitja e hoxhallarëve dhe intelektualëve muslimanë të trevave tona për të kontribuar në drejtim të fjalës së shkruar;
- pasurimi i bibliotekave të familjeve muslimane, të bibliotekave shkollore dhe atyre publike me literaturë islame;
- afirmimi i vlerave dhe kulturës islame në gjuhën shqipe dhe imponimi i kësaj literature në tregun e gjerë shqiptarë në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu nëpër shtetet evropiane ku jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm i emigrantëve shqiptarë;
- afirmimi i dijetarëve muslimanë nga mbarë bota islame, në shtetet e Ballkanit dhe të Evropës Juglindore;
- vendosja e raporteve dhe koordinimit në nivel të barabartë me shtëpitë tjera botuese në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri;
- vendosja e urave të bashkëpunimit me shtëpitë botuese islame që veprojnë në vendet e ndryshme të botës;
Për këto 13 vite të funksionimit dhe veprimit të vet, Shtëpia Botuese “Furkan ISM” ka botuar mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) tituj. Pjesa dërrmuese e këtyre librave janë vepra të përkthyera nga dijetarët muslimanë anembanë botës islame, kryesisht nga gjuhët arabe dhe angleze, kurse nuk mungojnë në botimet tona as autorët vendorë që kanë shkruar lidhur me çështje të ndryshme të fesë. Një numër i konsiderueshëm i titujve të botuar, gati 1/3 e tyre, janë ribotuar më shumë se një herë, kurse ka tituj që janë ribotuar madje edhe nga dhjetë herë. Kështu, lirisht mund të konstatojmë se tirazhi i përgjithshëm i librave të botuar nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” gjatë këtyre 13 viteve të funksionimit dhe veprimit arrin gati 1 (një) milion ekzemplarë.
Shtëpia Botuese “Furkan ISM” boton edhe revistën mujore “Vepra”. Në faqet e saj shtjellohen tema të ndryshme edukative, shkencore dhe fetare. Deri tani janë botuar 90 numra të revistës.
Shtëpia Botuese “Furkan ISM” ka formuar tanimë një rrjet të mirëfilltë të shpërndarjes së botimeve të veta, duke arritur kështu që botimet e saj të shpërndahen nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë, pastaj të depërtojnë edhe në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, si dhe gati në të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore, ku jetojnë dhe veprojnë një numër i konsiderueshëm i emigrantëve shqiptare dhe ku funksionojnë një numër i madh i Qendrave Islamike Shqiptare.
Shtëpia Botuese “Furkan ISM” është anëtare e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni dhe një nga shtëpitë themeluese të kësaj organizate joqeveritare e cila tubon të gjithë botuesit e mirëfilltë në Maqedoni të cilët botojnë në gjuhën shqipe. Përmes këtij Asociacioni, një nga aktivitetet kryesore të të cilit është organizimi i panaireve të librit në Republikën e Maqedonisë dhe pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare të librit, Shtëpia Botuese “Furkan ISM” ka arritur që botimet e veta t’i plasojë në një numër të konsiderueshëm të panaireve të librit, siç janë për shembull Panairi i Frankfurtit (Gjermani), Panairi i Stambollit (Turqi), Panairi i Ulqinit (Mal i Zi), Panairi i Tiranës (Shqipëri), Panairi i Prishtinës (Kosovë) etj. E gjithë kjo ka bërë që Shoqëria Botuese “Furkan ISM” të bëhet një botues i njohur i literaturës në gjuhën shqipe, duke afirmuar në këtë mënyrë literaturën fetare islame në vend dhe më gjerë.
Shtëpia Botuese “Furkan ISM” që prej para 7 (shtatë) viteve e posedon edhe shtypshkronjën e vet. Kjo paraqet një lehtësim bukur të mirë sa i përket mundësisë së realizimit të botimeve kualitative dhe me vlerë. Po ashtu, përmes shtypshkronjës kryhen edhe shërbime profesionale shtypi për botuesit tjerë dhe palët tjera që kanë nevojë për shërbime të tilla.
Shtëpia Botuese “Furkan ISM” ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm gati me të gjitha libraritë që funksionojnë në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, në drejtim të shpërndarjes sa më të mirë të librit, ndërsa deri diku me sukses funksionon edhe rrjeti i shpërndarjes së literaturës edhe në shtetet e Evropës Perëndimore. |