PREJ POROSIVE KUR’ANORE
PYETJA: Dëshiroj që t’mi komentoni ajetet fisnike të kaptinës “El-Isra”: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi. Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën, as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.”
PËRGJIGJJA: Këto dy ajete fisnike All-llahu i Madhërishëm i ka përmendur në kuadër të porosive të urta me të cilat i porositi njerëzit në kaptinën “El-Isra”: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi. Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën, as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.” (El-Isra: 36-37)
Në ajetin e parë, Kur’ani insiston në kultivimin e mendësisë shkencore te muslimani, sepse ekzistojnë dy lloje logjikash:
1. Logjika mitologjike e cila beson në iluzione, lëshohet pas bestytnive, dëgjon çdo gjë që i thuhet dhe vrapon pas çdo thirrësi.
Islami këtë logjikë e refuzon.
2. Logjika tjetër është ajo që e preferon Islami, gjegjësisht logjika që e pason argumentin dhe i nënshtrohet arsyes në çështjet intelektuale, e pason vrojtimin dhe eksperimentin në çështjet materiale, si dhe i shfrytëzon dhuntitë që ia ka falur Zoti: dëgjimin, shikimin dhe zemrën. Këto janë rrugët e njohjes, sikur që thotë i Madhërishmi: “All-llahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (En-Nahl: 78)
Nisur nga kjo, njeriu duhet ta shfrytëzojë të dëgjuarit e tij, sepse përmes kësaj shqise transmetohen informatat ndërmjet njerëzve përmes përcjelljes.
Me sy vrojtohet dhe bëhen eksperimente dhe mbi këto të dyja u ndërtua kulla e shkencave kozmike.
Përmes zemrës-mendjes, njeriu e përdor logjikën dhe nxjerr përfundime prej premisave.
Këto shqisa janë dritarja përmes së cilës njeriu i vështron problemet e kësaj jete, gjithësisë, fesë, krijesat e Zotit, si dhe urdhrat e ndalesat e Tij.
Për këtë, ai nuk guxon t’i neutralizojë apo t’i shpërfillë e t’i pasojë dyshimet dhe iluzionet apo dezinformatat dhe paragjykimet. Kjo dhe shumë ajetet kur’anore mbarojnë në këtë mënyrë: “a nuk dëgjoni?”, “a nuk shikoni?”, “a nuk logjikoni?”.
Ekziston një dallim i madh ndërmjet besimtarëve të udhëzuar dhe mosbesimtarëve të humbur. Të fundit i kanë neutralizuar instrumentet e njohjes dhe udhëzimit që iu falën, ashtu që nuk mund ta kryejnë funksionin e tyre: “Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (El-A’raf: 179)
Nisur nga kjo, ajeti na tërhoqi vërejtjen që mos t’i lëmë pas dore këto fuqi, dhe All-llahu i Madhërishëm iu drejtua njeriut duke i thënë: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri…!”
Me fjalë të tjera, mos u fut në atë për të cilën nuk ke njohuri, që pastaj t’i pasosh paragjykimet apo iluzionet dhe bestytnitë, por përdore veshin, syrin dhe zemrën tënde, sepse All-llahu do të kërkojë prej teje përgjegjësi për këto shqisa: “Pse të dëgjuarit, të parit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” Kjo shkurtimisht do të ishte domethënia e ajetit të parë.
Ndërsa sa i përket ajetit të dytë: “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën as nuk mund ta arrishë lartësinë e maleve”, do të thotë:
“Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje”, gjegjësisht me kryelartësi dhe komplekse, mahnitje dhe mendjemadhësi, sepse kjo nuk guxon të bëhet nga besimtarët dhe nuk është mënyrë e të ecurit të robërve të Zotit, sepse All-llahu i Madhërishëm i ka cilësuar robërit e Vet se: “ecin nëpër tokë të qetë”.
Pse ec me mendjemadhësi?
A mund ta çashë tokën?
Sado që ta zvarrisish këmbën tënde në tokë, nuk do të mund ta arrish atë!
Sado që ta zgjasish qafën, nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.
Për këtë, për ty më mirë është që të ecish me modesti, përultësi, qetësi dhe butësi.
Mbi tokë ec vetëm me modesti, sepse nën të ka shumë njerëz që kanë dashur të arrijnë edhe më lartë se ti!
Nëse je me autoritet, famë dhe imunitet, dije se shumë njerëz kanë vdekur që kanë patur aspirata edhe më të mëdha se ti!
Për këtë, njeriu duhet të ecë me modesti, pa marrë parasysh a udhëton me veturë apo në këmbë.
Ka disa njerëz të cilët tentojnë ta rrëmbejnë tokën me mendjemadhësi me veturat e veta, sepse vozisin vetura të shtrenjta dhe luksoze, për atë edhe nuk i respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit. Ata me këtë sikur dëshirojnë të mposhtin çdo gjë që u del përpara në rrugë, ose të fluturojnë pa krahë.
Kush vepron kështu, ai ec nëpër tokë me mendjemadhësi e nuk ec i qetë, ndërkaq pjesa më e madhe e ndeshjeve të komunikacionit që ndodhin, për fat të keq shkaktohen nga ata që ecin nëpër tokë me mendjemadhësi.
Besimtari i cili është i edukuar në frymën e Kur’anit duhet t’i ketë parasysh këto, duhet të ecë mbi tokë me qetësi, e jo me mendjemadhësi dhe kryelartësi, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush e mendon veten shumë të madh dhe ec me kryelartësi, e takon Zotin të hidhëruar në të”.1
Ky ajet u përmend në këtë vend, e po ashtu përmendet edhe në porositë që ia dha Llukmani birit të tij në ajetin: “Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.” (Llukman: 18)
Fusnotë:
1 Hadithin e transmeton Ahmedi, e po ashtu edhe Buhariu në përmbledhjen e tij “El-Edebu-l-mufred” prej Ibn Omerit. Hejthemiu dhe Mundhiriu thonë: Transmetuesit e tij janë të besueshëm
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>
|