STOP DIVORCIT
Altin TORBA
A s’është divorci më e urryera gjë tek All-llahu, edhe pse Ai ka lejuar që të aplikohet?!
“Sa çudi?! Po ajo dukej rob i mirë, madje ishte edhe fetare... Vërtetë që u soll shumë keq Edhe me kë pa, me mua burrin e saj që… Edhe femër tjetra… Edhe muslimane pale… Na bëri lëmsh… Por unë u tregova burrë, i tregova rrugën…”
Ama burrëri të madhe paske treguar o i gjorë! Në fakt, burrëria mund të merret nga më i mençuri burrë, ai mbi të cilin u zbrit Kur’ani që vetëm tre herë e përmend fjalën burrë, ama me specifika, ai që thotë “Silluni butësisht me qelqurinat”, teksa e ka fjalën pikërisht për bashkëshorten. Ndërsa ti, qelqin që t’u besua, e hodhe në rrugë. Asgjë s’paske kuptuar. Zoti e zgjodhi në mesin e njerëzve, duke e bërë fetare, dhe ti, teksa e di se Zoti zgjedh më të mirët, e braktise. Dhe më keq akoma, pretendon se ishte ajo e keqe. Apo mos do t’i cenosh kufijtë hyjnor, të futesh në privatësitë hyjnore, botën e zemrave, dhe të thuash se ishte hipokrite në fe? Mos e bëj këtë! Mos e bëj, të paktën po deshe veten tënde...
Ah femra e gjorë! Sa e brishtë dhe e papërmbajtur. Kujtoi se fitoi që e shfryu dufin... Por në fund të fundit, pas çdo fatkeqësie, dihet se askush nuk del më i humbur se ajo...
Prandaj o prind, të lutem, të përgjërohem, për hatër të të Madhit Zot, kujdes me bijën tënde, kujdes me qelqin tënd, mos të bjerë në dorën e ndonjë “llamarinsti”, se vaj medet halli pastaj...
Kishte kujtuar i gjori djalë se, për të plotësuar gjysmën e fesë, do të ishte shumë e lehtë. S’e kishte hetuar se martesa vërtetë i plotëson personit gjysmën ende të paplotësuar të fesë, por padyshim, ndër të tjera, kjo vjen pikërisht prej sprovave që jeta martesore mbartë në të. A s’është familja një minishoqëri? Madje aty shanset e zgjedhjes janë më të pakta. Teksa në krahun tjetër, imuniteti karshi sprovave shoqërore fitohet pikërisht brenda në familje. Ja pse shpërblimi është kaq i madh. Sepse sprovimi është vërtetë i madh.
Ajo martesë që do jetë e suksesshme në formimin e një djepi të ri shoqëror, të pastruar nga ndryshket e zemrave përmes pikërisht këtyre sprovave, do të jetë e aftë, me lejen e All-llahut, për ta pasuruar shoqërinë me fëmijë të pastër, të mbarë dhe të edukuar; e të tillë fëmijë mund të vijnë vetëm nga prindër, gjyshër e baballarë që i kanë bërë ballë me sukses sprovave familjare.
Çështja e jetës bashkëshortore nuk është aq e thjeshtë sa mendohet, ajo nuk është “Gërvisht për të fituar”.
Me martesën plotësohet gjysma e fesë dhe po kaq sprova të reja hapen.
Më e madhja pre tyre është xhelozia. E ku e di ti se ç’është xhelozia?!
Xhelozia është ajo që bijtë e një profeti, Jakubit alejhi selam, teksa kush më mirë se një profet di t’i edukojë fëmijët e tij, i bëri që, “për hir të dashurisë së babait”, të gjykojnë fillimisht që Jusufin e vogël, pa faj, vëllain e tyre, ta vrasin, por që pastaj “për mëshirë” vendosën ta braktisin në pus. Po, po, - menduan ata -, babai ynë është gabim, ndërsa vendimi ynë është i drejtë. Historia vazhdon... Dy herë lëndohet rëndë i shtrenjti baba në zemrën e tij. Por udhëzimi hyjnor e kish mësuar atë të thoshte dhe vepronte mbi parimin “Durim i Bukur”. Sa parim madhështor, sa bukur tingëllon. Durim i Bukur. Durim i Bukur. Durim i Bukur. Kjo përsëritje e këtij togfjalëshi nuk është gabim drejtshkrimor. Në fakt, do doja ta mbushja gjithë këtë material me këtë togfjalësh... Durim i Bukur... Durim i Bukur... Durim i Bukur... Durim i Bukur...
Ngjashëm me këtë, xhelozia sulmon sërish familjen. Në duel tanimë viktimizohen “për hir të dashurisë së djalit/burrit” vjehrra me nusen. Por as njëra dhe as tjetra nuk thonë “Durim i bukur”. Ata thonë diçka tjetër. Nuk ka nevojë që të dëgjosh me vërejtje për të mësuar atë që ato thonë. Ato bërtasin me zë të lartë. Nuk do ta thoja sikur të mos më shpëtonte. Ajo i thotë: “Ti se do burrin, sepse s’më do mua”, kurse tjetra ia pret “Ti se do djalin, sepse po ta deshe, do më doje edhe mua”...
Si është e mundur që arritën deri këtu?
Nëna e burrit, në fejesë, më patë dashur shumë, më shumë edhe se vajzat e veta bile... Çfarë s’më bleu, çfarë s’më dha... Por edhe unë për njeri të mirë e dija në fejesë. Pu pu pu, ç’kishte qenë një thëngjill i mbuluar!...
Mirëpo, si ka mundësi? Si ndryshoi kështu? Po mua, nënës së burrit të saj të ma bënte këtë?... Nejse, më në fund e nxori kokën...
Ndërsa djali i shkretë nuk di si të pozicionohet. Më vonë edhe ai “kupton se ishte mashtruar”. Nuk kishte bërë “zgjedhjen e duhur”...
Sa çudi! Edhe nusja tani mendon se... nuk kishte bërë zgjedhjen e duhur! Ajo më së fundi e kishte gjetur “shkakun e vërtetë”...
Aman, nuk e dimë ende cilën zgjodhi djali midis nënës dhe nuses. Por me të dyja brenda një shtëpie ishte e pamundur. Nuk e dimë në shi ra apo në breshër...
Porse çudia nuk mbaron këtu. Edhe familjet e të dy palëve mendojnë si fëmijët e tyre.
Ndodh që të viktimizohen edhe fëmijët pa faj të këtij çifti bashkëshortor. Madje dikush mund të jetë në rrugë e sipër për të ardhur në këtë botë, por kush do t’ia dijë. De fakto askush nuk pyet më për fëmijët. Xhelozia s’ka kursyer as këto qenie të pafajshme.
Çfarë ndodhi kështu midis bashkëshortëve, familjeve të tyre? A nuk ishin ata që patën shkuar që të gjithë aq mirë më njëri-tjetrin? A kaq shpejtë kishin ndryshuar njerëzit?
Mos më thuaj se akoma s’e keni marrë vesh pse ka ndodhur kështu? Është shumë e thjeshtë. Dikush ka mobilizuar ushtrinë e tij në pritje, që të kurorëzojë me kurorën e tij atë që bën grackat më djallëzore, që të realizohet një ndër dëshirat më të mëdha të Djallit, divorci... Në rastin në fjalë, kurora u vendos. Misioni djallëzor u krye me sukses. Dhe ti që bën pjesë në njerëzit me influencë të familjes ku ndodhi divorci, nuk je veçse një viktimë që re këmbë e kokë në grackat e ushtrisë së djallit.
Është për të ardhur keq, por kështu ndodh në shumë raste.
Muslimanët urrejnë atë që urren All-llahu dhe nuk bien viktima të gjërave që dëshiron Djalli. Por në këtë rast “nuk e dimë” se përse me ta ndodhi ndryshe.
Por pse ndodh kështu?
Në fakt dihet mirë përse ndodhi kështu. Kështu ndodhi sepse rrugën tonë drejt martesës nuk e ndriçoi drita e udhëzimit hyjnor të All-llahut, të Gjithëdijshmit, Gjithënjohësit.
Duam apo nuk duam ta pranojmë këtë fakt, kështu ka ndodhur.
All-llahu i Lartësuar, nën dritën e gjithëdijshmërisë dhe gjithënjohshmërisë së Tij na fton ta kurojmë këtë plagë djallëzore që ka plagosur jetën bashkëshortore, madje edhe të besimtarëve muslimanë.
Më jepni përgjigje, nëse ndriçimi hyjnor do ta kishte ndriçuar jetën bashkëshortore të muslimanëve nga parafillesat e saj; dhe edhe para, gjatë dhe pas aktit të urryer të divorcit... Nëse do të ishte kështu, sa gjasa do kishte që princi apo princesha e ëndrrave, ëmbëlsira e jetës për ty dhe familjen tënde, të shndërrohej në kuçedrën që e nxori kokën apo mollën e helmuar?
Në prelud do doja të mos kopracoja në përmendjen e rëndësisë së madhe që ka përzgjedhja bashkëshortore, nënkuptoj cilësinë bazë që ai/ajo duhet të ketë, bindshmërinë karshi All-llahut...
Vetëm nëse bashkëshortët janë fetarë, do t’i binden orientimeve në vijim që kemi zgjedhur të trajtojmë nën dritën e udhëzimit islam:
Orientime Hyjnore për t’i thënë STOP divorcit.
Meremetimi i hershëm i plasaritjeve bashkëshortore.
All-llahu i Lartësuar thotë:
“Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre (dy bashkëshortëve), atëherë dërgoni një person të drejtë nga familja e tij dhe një person të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, All-llahu do t’ua mundësojë pajtimin mes tyre (dy bashkëshortëve). All-llahu është i Gjithëdijshëm, është Gjithënjohës.”
Orientimet në fjalë, përpara se për çdokënd tjetër, duhet të jenë apel për dy bashkëshortët, që në rast konfliktesh të vazhdueshme midis tyre, gjithsecili të nxitojë t’i drejtohet një personi të drejtë, mundësisht të martuar, të matur dhe të suksesshëm në jetën bashkëshortore, që ka njohuri rreth jetës bashkëshortore në përgjithësi dhe jetës bashkëshortore të këtij çifti në veçanti, që është i zgjuar dhe që me lejen e All-llahut, përmes orientimeve të Tij, pritet të jetë frytdhënës në çështjen e pajtimit bashkëshortor.
Por nëse edhe pas kësaj dy bashkëshortët nuk arrijnë t’i shuajnë vetë konfliktet e tyre, atëherë përcaktohen nga familjarët dy burra të drejtë dhe në moshë madhore që të orientojnë për të zgjidhur këtë çështje dhe pajtuar dy bashkëshortët.
Preferohet që këta dy persona të jenë të afërm të çiftit nëse kjo është e mundur, pasi kështu ata do të kenë më shumë njohuri rreth konflikteve të bashkëshortëve dhe do të jenë më të aftë për t’i pajtuar ata.
Pra, qëllimi është një dhe një i vetëm, pajtimi. Dhe All-llahu ka premtuar se do ta realizojë atë nëse është vërtetë ai që synohet.
All-llahu e do pajtimin, gjë që gjithashtu ka ardhur qartë në hadithin e saktë profetik, ku përmendet se: “Gjëja më e urryer tek All-llahu, por që e ka lejuar të aplikohet, është divorci.”
Sërish në një tjetër hadith të saktë transmetohet se kjo është gjëja më e dashur për Iblisin, Kryedjallin; se ai i vendos kurorën e tij djallit që vjen dhe thotë se kishte arritur të përçante dhe të divorconte burrin nga gruaja, ndërkohë që nuk ua vendosi këtë kurorë djajve të tjerë që kishin arritur të bënin gjëra të tjera shumë të rënda; gjë kjo që nxjerrë në pah qartë se përse kjo është më e urryera gjë tek All-llahu.
Por nëse sërish konflikti vazhdon, cili është Orientimi Hyjnor në vijim:
Para vendimmarrjes së divorcimit
Burri, duke u vlerësuar si superior në vendimmarrje, është i vetmi prej bashkëshortëve të cilit i lejohet një vendimmarrje direkte mbi divorcimin e gruas së tij. Por ai përpara këtij hapi duhet të reflektojë lidhur me sa u përmend më herët, si dhe të ketë parasysh që:
a. Të mos e divorcojë gruan e tij kur ajo është në periudhën e menstruacioneve. Nëse burri e divorcon gruan e vet ndërkohë që ajo është në periudhën e menstruacioneve, atëherë ai e ka kundërshtuar All-llahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!), si dhe ka bërë një veprim të ndaluar. Në këtë rast divorcimi është i pavlefshëm dhe është detyrë për burrin që gruan të mos e divorcojë derisa ajo të pastrohet. Teksa edhe në këtë rast më përparësore është që ta mbajë gruan derisa t’i kthehen asaj periodat për herë të dytë, e mbasi të jetë pastruar; nëse do, e mban atë, ose në të kundërt, e divorcon.
Gjithashtu, nëse burri ka vendosur që ta ndajë gruan dhe ka kryer marrëdhënie me të, pasi që ajo ishte pastruar prej menstruacioneve, atëherë ai nuk duhet që ta ndajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe pastaj të pastrohet, sado e gjatë t’i duket pritja.
Ibën Abasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Nuk duhet (që burri) ta ndajë gruan gjatë periudhës së menstruacioneve dhe as në periudhën e pastrimit të saj, nëse ai ka kryer marrëdhënie me të, por duhet që ta mbajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe të jetë pastruar...”
All-llahu i Madhëruar thotë: “O ti Pejgamber! Nëse i divorconi gratë, i divorconi në ciklin e tyre (sapo të pastrohen nga menstruacionet ose kur janë të pastra dhe pas pastrimit nuk keni patur kontakt seksual me to) dhe mbajeni mend mirë kohën e pritjes (ciklin mujor që pas tij të ribashkoheni me gruan po deshët) e kijani frikën All-llahut, Zotit tuaj (duke u bindur në sa po ju thotë)...” (Talak: 1)
b. Të mos e ndajë atë me më tepër se një herë. Pra, të mos i thotë “Je dy herë e ndarë!” apo “Je tre herë e ndarë!”, dhe as t’i përsërisë “Je e ndarë, je e ndarë, je e ndarë!” Të divorcuarit e trefishtë në të njëjtën kohë është i ndaluar (haram), pasi transmetohet se i Dërguari i All-llahut, (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!), në lidhje me një burrë i cili e ndau gruan e vet me divorc të trefishtë në të njëjtën kohë, ka thënë: “A po luani me Librin e All-llahut, e unë gjendem midis jush?!”
E vërteta është se shumë njerëz janë të pavetëdijshëm ndaj rregullave të divorcit. Kur u teket për të divorcuar, ata divorcojnë dhe as që duan t’ia dinë për kohën apo mënyrën e tij.
Nga sa u tha më herët, del në pah qartë fakti se kërkohet sa më shumë kohë për vendimmarrje dhe reflektim.
Një tjetër gjë që nuk duhet neglizhuar, është fakti se gruaja gjatë periudhës së menstruacioneve pëson efekte fiziologjike që ndikojnë në acarimin, iritimin dhe moskontrollin e saj lidhur me sjelljen në jetën bashkëshortore dhe më gjerë. Pra, si të thuash, ajo nuk është tërësisht vetvetja gjatë kësaj kohe, prandaj edhe ky fakt nuk duhet anashkaluar në vendimmarrje lidhur me sjelljen e saj pikërisht në këtë periudhë të jetës së saj.
Aplikimi i divorcimit të parë
Aplikimi i divorcimit të parë është një vepër aq e rëndësishme, saqë për të Kur’ani Fisnik zbriti kaptinën kur’anore me të njëjtin emër, si dhe thënie të tjera të shumta kur’anore.
Në kaptinën kur’anore “Divorci”, thuhet:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“O ti Pejgamber! Nëse i divorconi gratë, i divorconi në ciklin e tyre (sapo të pastrohen nga menstruacionet ose kur janë të pastra dhe pas pastrimit nuk keni patur kontakt seksual me to) dhe mbajeni mend mirë kohën e pritjes (ciklin mujor që pas tij të ribashkoheni me gruan po deshët) e kijani frikën All-llahut, Zotit tuaj (duke u bindur në sa po ju thotë) mos i nxirrni ato nga shtëpitë e veta dhe nuk kanë për të dalë vetëm nëse vijnë me një mëkat të qartë (bëjnë kurvëri). Këto (që ju thuhen) janë kufijtë e All-llahut, e kush i kapërcen kufijtë e All-llahut, vetes i ka bërë padrejtësi. Ti s’e di, ndoshta All-llahu pas kësaj (divorcit) bën të ngjajë diçka (ribashkimi).” (Talak: 1)
Në këtë thënie sqarohen qartë pikat e mëposhtme:
- Aplikimi i divorcit është lejuar, por ama nën këto dispozita obligative hyjnore.
- Përderisa bashkëshortja nuk ka bërë kurvëri, konfliktet nuk duhen stërfryrë. Sipas All-llahut të Lartësuar, gruaja në fund të fundit është në shtëpinë e saj dhe nuk lejohet as ta nxjerrin dhe as të dalë vetë deri në afatin e caktuar nga All-llahu, deri në ciklin e plotë mujor, dhe ndarja dhe largimi i saj nga shtëpia e saj nuk realizohet, vetëm se duke pasur parasysh sa më sipër dhe me mirëkuptim nga të dy palët, gjë që do trajtohet në mënyrë më të detajuar në vijim.
- Të qenit i rrëmbyer në divorcim nuk është sjellje e denjë. Përveç reflektimit të drejtë, një tjetër urtësi hyjnore për të cilën All-llahu ka urdhëruar të pritet deri në shpalljen e divorcimit të gruas, është edhe dalja në pah nëse ka ngelur apo jo shtatzënë gruaja që ka patur kontakt seksual me të shoqin. Teksa bashkëshorti nga rrëmbimi ka harruar të mendojë edhe për loçkën e zemrës së tij, fëmijën, All-llahu nuk ka harruar... Një tjetër apel hyjnor ky për ribashkim... Gjatë gjithë kohës, orientimet hyjnore kthjellojnë rreth një çështje të vetme, ribashkimit.
Më tej All-llahu i Lartësuar vijon:
“Kur t’i afrohen mbarimit të ciklit menstrual mujor (vendosni o) mbajini me mirësi (filloni faqe të re lidhjesh të denja) ose ndajini me mirësi (pa sharje, dhunë dhe urrejtje) duke qenë dëshmitarë (mbi divorcin) njerëz të drejtë prej jush e edhe dëshmia të jetë për All-llah (e drejtë dhe e painfluencuar). Me të tillë gjë këshillohet kush beson në All-llahun dhe Botën Tjetër. Atij që do t’i ndruhet All-llahut (duke treguar devocion) të tillit Ai do t’i bëj rrugëdalje dhe do e furnizojë nga nuk e pret. Atij që (në zgjidhjen e çështjeve të veta) mbështetet në All-llahun, Ai do t’i mjaftojë. All-llahu ka për ta përmbushur synimin e Tij. All-llahu çdo gjëje i ka bërë një cak.”
Në këtë thënie sqarohen qartë pikat e mëposhtme:
- Pasi që All-llahu i Lartësuar ka këshilluar që bashkëshorti të mos vendos gjë lidhur me divorcin vetëm pasi të ketë kaluar afati kohor i specifikuar, i cili i shërben reflektimit të mëtejshëm, kur Ai jep orientimin për atë që duhet bërë, fillon me ribashkimin. Ose sërish lidhje të denja, ose një divorc pa sharje, dhunë dhe urrejtje. Fton në joshjen e zemrës me një ardhmëri të denjë bashkëshortore dhe fton në një pastrim paraprak të zemrës nga sharja, dhuna dhe urrejtja, madje edhe në rastin ekstrem, atë të divorcimit. A s’është ky një purifikim zemre që më së miri mund të nxjerr konkludime të kulluara, sidomos për një çështje kaq madhore sa divorci?!
- Divorci, që të quhet i përfunduar, siç shprehen shumë dijetarë muslimanë, obligon praninë si dëshmitarë të burrave të drejtë. Ka dispozita të rrepta që duhen përmbushur, e që ndryshojnë në varësi të qenies së gruas: e vjetër, që e kanë lënë zakonet; e re, që s’i kanë ardhur zakonet; shtatzënë ose me zakone normale. Gjithashtu, gruaja merret nën protektoratin e njerëzve të drejtë vetëm prej të cilëve konfirmohet ose jo divorcimi real i saj, dhe në rastin pozitiv ajo nuk ngelet peng e zvarritjeve të burrit, por është e lirë të shohë jetën e saj. Nuk lihen hapësira që ndonjë bashkëshort i papërgjegjshëm të tallet me gruan, ta lëshojë dhe kthejë sipas tekave.
- Sërish vihet theksi tek devocioni, ndrojtja prej All-llahut, duke dalë në pah sërish rëndësia madhore e çështjes së divorcit dhe fakti se ai duhet zgjidhur bazuar në orientimin dhe hatrin e All-llahut, e jo në atë të tekave personale.
- “All-llahu ka për ta përmbushur synimin e Tij”; ndoshta aludohet tek sprovimi, gjë lidhur me të cilën All-llahu thotë: “Po ju menduat se do të hyni në Xhennet, pa u sprovuar...” (Bekare: 214). Dhe në fakt të shumta janë thëniet kur’anore që tregojnë se sprova, pse jo edhe ajo e suksesit apo dështimit në jetesën bashkëshortore, është një element i pandarë i jetës që nxjerr në pah realitetin që fshihet në zemra. Teksa besimtari, kur i dalin në pah realitete të pahijshme të zemrës, nxiton që zemrën e tij dhe të atyre që ka nën përgjegjësi ta këshillojë dhe edukojë nën frymën e orientimeve edukuese hyjnore, dhe nuk nxiton të shfryjë, shajë dhe fajësojë, pasi ai e di mirë se çdo njeri është gabimtar, por më i miri gabimtar është ai që pendohet. Besimtarit nuk i intereson fajësimi i tjetrit, sa ç’i intereson këshillimi dhe korrigjimi i tij.
- Më tej All-llahu i Lartësuar vijon në thëniet në vijim, duke urdhëruar se edhe në rastin e divorcit duhet të tregohet një sjellje e denjë karshi të divorcuarës deri në kohën e specifikuar sheriatikisht; ajo duhet të ushqehet, vishet e mbathet si duhet, sidomos nëse familjarët e shtëpisë së ish-burrit të saj kanë mundësi ekonomike për këtë.
Mundësia e ribashkimit
Duke qenë se tek All-llahu divorci është gjëja më e urryer, Ai ka dhënë një shans tjetër pas divorcit të parë dhe një shans të dytë pas divorcit të dytë që bashkëshortët të ribashkohen.
Lidhur me këtë All-llahu i Lartmadhëruar thotë:
“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”
Nëse nuk është e mundur që bashkëshortët të jetojnë se bashku me mirësi, pasi u ndanë dy herë dhe u ribashkuan dy herë, atëherë obligohet ndarja e tyre me mirëkuptim. Profeti - paqja dhe lavdërimi i All-llahut qoftë mbi të - ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”.
Ndërsa, pas divorcimit të dytë nuk mund të ketë ribashkim, sepse me divorcimin, të lejuarën më të urryer tek All-llahu, nuk mund të lozet. Jo vetëm kjo, por pas divorcit përfundimtar ai që ka frikë All-llahun duhet të bëjë kujdes ta japë mehrin e premtuar, nëse ka pasur kontakt seksual me ish-bashkëshorten t’ia jap mehrin e plotë, e nëse jo gjysmën e tij.
Dhe këtu rrugët e tyre ndahen. Ndahen pakshim? Jo, sërish është një mundësi. Është një mundësi ribashkimi. Vetëm se ajo është shumë e komplikuar. E komplikuar aq sa komplikimi që dy ish-bashkëshortët i bënë lidhjes së tyre të mëparshme bashkëshortore. Ky ribashkim lejohet vetëm nëse ish-bashkëshortja, në kushte normale dhe jo të sajuara, martohet me dikë tjetër dhe divorcohet, po në kushte normale dhe jo të sajuara.
Sërish një mundësi, edhe pse e privuar, pse jo, reflektim para se të privohesh, dhe për të treguar se vërtetë:
“Divorci është më e urryera gjë tek All-llahu, edhe pse e ka lejuar që të aplikohet” - STOP.
STOP divorcit o ju besimtarë!!!
STOP gjësë më të dëshiruar të Djallit!!!
Në mbyllje:
Motër e nderuar!
U duk qartë sesi gjatë tërë kohës Kur’ani dhe ai të cilit ky Kur’an iu shpall orientojnë totalisht në anën tënde, në mbrojtje të interesave tua.
Por, dije mirë, se Ai që e zbriti Kur’anin, atë mbi të cilin zbriti ky Kur’an e orientoi të na mësojë një matematikë të thjeshtë hyjnore, që ju motër e nderuar nuk duhet ta harroni:
Xhenneti i Gruas = Kryerja e Obligimeve Hyjnore + Kënaqja e Burrit
Xhenneti i Burrit = Kryerja e Obligimeve Hyjnore + Kënaqja e Prindërve (sidomos nënës)
Prandaj ndihmoje Xhennetin tënd të fitojë Xhennetin e tij, që kështu të fitosh Xhennetin tënd dhe të të thuhet: “Hyr në Xhennet nga cila derë të dëshirosh”. Dhe aty ti dhe bashkëshorti yt të jetoni në përjetësi të lumturuar, në Parajsën ku zemrat janë pastruar përfundimisht nga xhelozia.
|