SINDROM DUALIZMI SHAHU I PAR(E)ALIZUAR
Arsim JONUZI
E dini, shahu më ka pëlqyer kaherë. Si i vogël kur isha, me atë përthellim që e kam pasur të përngjitur në vete kah kam shkuar, gjithmonë shahun dhe shahistët i kam pasur simbole lufte e cila është e zhvilluar në frigorifer. Kështu, pasi kur pata pyetur, një herë, njërin se çka nënkuptohet me lojën e shahut, ai më pati thënë se shahu paraqet “luftë të ftohtë”. Thanë: “Kur kap një punë mbrapsht, as dreqi nuk ta rregullon dot!” Po dreqi, rregullues na qenka bërë, vallë?
Tabelën e shahut një karikaturist do ta paraqiste, pra do ta reflektonte, në një lokal, përkatësisht me një prej tavolinave të atij lokali, rreth së cilës janë të ulur dy veta. Njërin prej tyre e bën me ngjyrë të hirtë, kurse tjetrin me ngjyrë pak më të hirtë. Të mos ju zihet fryma, se vërtet u bë pak lëmsh: hi atje, hi këtu, mjegull më poshtë, frigofer atje lart, shejtan në të majtë... Phuuu!
Një regjisor me frymë prej ironisti, për t’i dhënë tjetër trajtë, skenën e parë do ta bënte sikur lojtari me figura të bardha i thotë kundërshtarit se do ta mposhtte vetëm me një dorë. Mirëpo, lojtari me rrobe pak më të hirta, para se gjithash, kishte vendosur të heshtë. Ashtu ia kishin dhënë rolin, demek. Pra, regjisori, po edhe karikaturisti, ishin marrë vesh që lojtari me figura të zeza, ose, me fjalë të karikaturistit, personi me rrobe pak më të hirta, të mos jetë pjesë aktive e filmit/pikturës.
Pasi që pronari i lokalit kishte ndezur një poç elektrik me ngjyrë të kuqe, e kjo paraqiste situatë mu si të ishin në ndonjë kafene të rinjsh të dashuruar, lojtari “i bardhë” kishte bërë lëvizjen e parë të figurave, ngjyrën e të cilave e kishte zgjedhur për ta mbrojtur. Kishte lëvizur ushtarin që qëndron përpara mbretit. Dy fusha te para e kishte ecur, edhe atë me një naze të madhe prej shahisti. Parimisht, tani ishte radha e lojtarit me figura të zeza që të bëjë një lëvizje, por nuk ndodhi ashtu. Prapë luajti lojtari me figura të bardha; lëvizi mbretëreshën në fushën E4. Lojtari kundërshtar mendoi të rebelohet, por e kishte ngushëlluar veten, duke supozuar se mos rregullat e lojës i kanë bërë që të lëvizin dy figura në herën e parë. Kur deshi të bëjë ky një lëvizje, vërejti se karikaturisti nuk kishte pikturuar një skenë të atillë, për fat të keq. Në ndërkohë, lojtari me figura të bardha kishte lëvizur oficerin në fushën C4. Tani lojtari i zi njëmend ishte rebeluar dhe, si rrjedhojë, i mëshoi nja dy herë kamerës, duke i bërtitur regjisorit e duke i thënë se ai tash e kishte radhën të luajë, porse një zë i kishte ardhur, duke i thënë: “Shshshsht! Rri i qetë, se...!”
Duke u frikuar nga zëri, u përmblodh dhe vendosi të përmbahet e të durojë, derisa të përfundonte plani i regjisorit, gjë që për atë u shndërrua në tmerr. Befas, lojtari i bardhë bëri edhe një lëvizje, zhvendosi mbretërshën në fushën F3. E më pas bëri edhe lëvizjen që pasonte; kjo, përndryshe, paraqiste shah për kundërshtarin e tij dhe mat, njëherazi. Lojtari i zi nisi t’i kafshojë gishtat. Kur lojtari i bardhë deshi të bëjë lëvizjen e ardhshme, në ekran u paraqit ngjyrë e zezë, me të kapur mbretëreshën në dorë. Në mes të atij ekrani shënonte: “To be continued…” Për çudi të karikaturistit, po tybe edhe të regjisorit, lojtari që kishte figura të zeza e hoqi atë pamje me dorë, u drejtua kah një kamerë dhe tha: “Nuk do të luaj më shah kurrën e kurrës!”
Karikaturisti i propozoi regjisorit që të shkojnë të pinë nga një kafe. Regjisori e kishte ftuar edhe personazhin, atë me rrobe të hirta, për t’iu bashkëngjitur. Kur ky i fundit e pyeti regjisorin se përse nuk e kishte ftuar edhe personin me rrobe pak më të hirta, ai i ra shuplakë. Shuplaka ishte aq e fuqishme, sa s’bëhet, e, si pasojë, ai u rrëzua për toke. Më pas, karikaturisti shkoi e edhe veshin ia ngreu në atë masë sa më duket se nuk i preknin këmbët në tokë dhe pastaj e përplasi prapë... |