VEPRA logo
Logo link

ETIKA AFARISTE NË ISLAM

Muzemmil SiddikDr. Muzemmil Siddik

Është e rëndësishme të theksohet se kur muslimanët do t’u përmbahen parimeve etike në jetën e përditshme, ata do të bëhen shembull i mirë që edhe të tjerët të marrin shembull nga sjellja e tillë. Ata do të ndihmojnë për t’u korrigjuar imazhi i shtrembëruar mbi Islamin në botën e sotme, dhe kështu do të bëhen përfaqësues të denjë të fesë së tyre.
All-llahu i Madhërishëm thotë:
“Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: “O popull im, adhurojeni All-llahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, mos matni as mos peshoni mangut, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po frikësohem për ju nga dënimi që do t’ju përfshijë një ditë! O populli im, veproni drejt gjatë matjes dhe peshimit, e mos i dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë! Atë pjesë që ua lejoi All-llahu është shumë më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jam roje juaj!” Ata thanë: “O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë? Vërtet, ti qenke i butë e i mençur”. (Kjo ishte tallje e tyre). “O populli im, më thoni pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” (Hud: 84-88)
I Dërguari i All-llahut, Shuajbi [alejhis-selam], u është dërguar njerëzve të Medjenit në kohën e pejgamberit Musai [alejhis-selam]. Shuajbi [alejhis-selam] u është dërguar njerëzve të cilët ishin mjaft aktiv në aspektin afarist. Ata ishin shumë krenarë për diturinë e tyre afariste dhe për suksesin, por ishin edhe të pandershëm. Pejgamberi u tha që t’u përmbahen parimeve etike në afarizëm. Por njerëzit iu hidhëruan atij, duke i thënë: “Mos e përziej fenë dhe punën.” Kur’ani Fisnik na tregon se dënimi i All-llahut i ka arritur ata njerëz, kurse Shuajbi [alejhis-selam] dhe pasuesit e tij kanë shpëtuar.
Me të vërtetë duhet kuptuar seriozisht se secili duhet t’i përmbahet standardeve etike në afarizëm. Puna dhe etika nuk janë të ndara, por janë të ndërlidhura mes veti. All-llahu në Kur’an thotë:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut...” (El-Ahzab: 21)
Pejgamberi Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte një njeri ideal i denjë për respekt. Ai ishte mësuesi, vaizi dhe lideri më i mirë; burrë shteti, ligjvënësi, gjykatësi, diplomati, negociuesi dhe komandanti ushtarak më i mirë; burrë më i mirë i familjes, bashkëshort i mirë, baba dhe gjysh i mëshirshëm, fqinj i mirë dhe mik i popullit të tij. Ai, gjithashtu, ishte njeri afarist shumë i ndershëm dhe i suksesshëm.
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është zgjedhur nga All-llahu i Madhërishëm që të jetë pejgamberi i fundit kur i kishte 40 vjet. Para kësaj ishte shumë aktiv në sferën e afarizmit. Ai ka lindur në Meke, e cila atëherë ishte e njohur si një qytet tregtar. Karvanët nga Siria, nga veriu, dhe nga Jemeni, nga jugu, kalonin pranë Mekes. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shpesh u bashkëngjitej. Transmetohet se ka udhëtar në Siri, Jemen, Bahrejn, dhe në shumë destinacione tjera në Arabi. Disa historianë sugjerojnë se ndoshta ka udhëtuar edhe në Irak dhe Etiopi.
Që nga rinia e tij, ai ishte i kyçur në tregti. Kishte reputacion të mirë si njeri afarist i vyeshëm, i ndershëm, i sinqertë dhe shumë i suksesshëm. Duke pasur parasysh këtë reputacion, Hatixheja [radijall-llahu anha], e cila asokohe ishte femër e pasur afariste, e punësoi. Shumë njerëz në Meke kërkuan dorën e saj për martesë dhe shumë njerëz kanë punuar për të, por ajo shpesh nuk ishte e kënaqur me ta, sepse ata ose e mashtronin ose nuk e kryenin punën e tyre ashtu siç duhej. Më në fund, ajo dëgjoi për Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili në atë kohë akoma nuk ishte pejgamber, dhe e punësoi. E dërgoi me karvanin që të tregtojë për të, kurse rezultati i tij ishte më se i suksesshëm. Ajo ishte i impresionuar me punën e tij, njëjtë sikur edhe me karakterin e tij. Më vonë ata u martuan.
Pas martesës me Hatixhen, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vazhdoi të punojë dhe shkoi në disa udhëtime shkaku i tregtisë në pjesë të ndryshme të Arabisë. Në atë kohë Arabia kishte panaire tregtare në pothuajse secilin kryeqytet të rajonit, dhe Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me siguri i ka vizituar. Pasi u bë pejgamber, ai më pak merrej me tregti, megjithëse kohë pas kohe merrte pjesë në lidhjen e disa kontratave afariste. Përvoja që kishte fituar në tregti, i ka ndihmuar atij shumë që me kujdes të madh të sillet me njerëzit. Shpesh ka përmendur popujt dhe fiset të cilët i ka njoftuar gjatë udhëtimeve të tij, ndërsa njerëzit shpesh ishin të habitur nga njohuritë e tij.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka theksuar se nderi dhe mirësjellja ndaj klientëve janë sekreti i suksesit në afarizëm. Ebu Se’idi [radijall-llahu anhu] transmeton nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në lidhje me këtë hadithin në vijim: “Tregtari i sinqertë dhe besnik do të jetë në shoqëri me pejgamberët, të sinqertit dhe shehidët!” (Hadithin e shënon Tirmidhiu)
Xhabir ibn Abdullahu transmeton se  Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “All-llahu e mëshiroftë njeriun i cili është zemërgjerë kur blen, kur shet dhe kur kërkon borxhin e vet.”
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar shumë për çështjet ekonomike dhe afariste, dhe ka përfshirë thuajse çdo aspekt të afarizmit dhe ekonomisë. Ja vetëm disa parime kryesore të afarizmit të ndershëm sipas Islamit:
1. Nuk ka mashtrim. Është regjistruar se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur të bëhet shitja, thuaj: ‘S’ka mashtrim.”. (Hadithin e shënon Buhariu) Pra, duhet treguar për mangësitë e mallit, nëse të njëjtat ekzistojnë, përndryshe kjo do të thotë mashtrim i bërë ndaj blerësit.
2. Shitësit duhet t’i shmangen betimeve të shpeshta gjatë shitjes së mallit. Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] transmeton se i Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kini kujdes nga betimet e shpeshta në Zotin gjatë tregtisë, sepse kjo edhe pse ndihmon në fitimin (përkohësisht), në fund kjo largon bekimin e asaj që është fituar.” (Muttefekun alejhi)
3. Nevojitet pëlqimi i ndërsjellë gjatë tregtisë. Kjo bazohet në hadithin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të cilin e transmeton Abdullah b. Omeri [radijall-llahu anhu]: “Shitësi dhe blerësi janë të lirë të tërhiqen nga kontrata deri sa nuk ndahen apo nuk e vërtetojnë shitblerjen.” (Hadithin e shënon Buhariu)
4. Të qenit i saktë në peshim dhe matje. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur njerëzit mashtrojnë në peshim dhe matje, fati i tyre është i shkëputur prej tyre.” (Hadithin e shënon Imam Maliku në El-Muvetta). Islami ka vendosur kritere të qarta për matje dhe peshim, peshoret duhet të vendosen ashtu që mos t’i dëmtojnë konsumatortë, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “U janë besuar dy gjëra në çka u shkatërruan popujt që kanë jetuar para jush!” (Hadithin e shënon Tirmidhiu)
5. Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka ndaluar monopolin: “Kushdo që monopolizon, është mëkatar.” (Hadithin e shënon Ebu Davudi). Këtu mendohet për grumbullimin e ushqimit dhe mallrave të tjera për shitje më të shtrenjtë në kohën e skamjes.
6. Tregtia e lirë. Çmimet e mallrave nuk duhet të jenë fikse, përveç nëse bëhet fjalë për situata krize apo nevojë të domosdoshme.
7. Mbajtja e përkohshme e mallrave, me qëllim të rritjes së çmimeve, është e ndaluar.
8. Transaksionet e mallrave që janë haram (për shembull, gjithçka që deh) është e ndaluar.

Një këshillë e përgjithshme e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për të gjithë njerëzit: Ebu Abdullah En-Numan ibn Beshiri transmeton se ka dëgjuar Dërguarin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ku ai thotë: “E lejuara është e qartë, edhe e ndaluara është e qartë. Ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta që nuk i dinë shumë njerëz. Kush ruhet nga gjërat e dyshimta, ka ruajtur pastërtinë e besimit dhe nderin e vet; e kush bie në gjërat e dyshimta, i ngjanë bariut që kullot kopenë përreth të ndaluarës ku mund të bie lehtë. Dijeni se çdo bari ka ndalesën e vet, ndërsa mos harroni se ndalesat e Zotit në tokën e tij janë gjëra të cilat Ai i ka ndaluar.” (Hadithin e shënon Buhariu)

Roli i etikës afariste sot

Duhet përkujtuar njerëzit afaristë dhe korporatat e tyre për rolet dhe përgjegjësitë që i kanë. Çështeve në vijim duhet kushtuar vëmendje sot:
1. Globalizimi do të duhej të nënkuptojë që të gjithë njerëzit janë të përfshirë në një familje, në një komunitet. Të gjitha qeniet njerëzore duhet të trajtohen me respekt, në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Shfrytëzimi i një grupi të njerëzve nga një grup tjetër, duhet të marrë fund. Nuk duhet të ketë asnjë përçarje midis njerëzve për shkak të racës së tyre, ngjyrës, përkatësisë nacionale, gjinisë etj.
2. Burimet e tokës nuk janë vetëm për ne, këtë biosferë e ndajmë me llojet tjera dhe duhet të kemi kujdes që mos t’i dëmtojmë ata ose t’i shkatërrojmë.
3. Burimet e tokës duhet t’i shfrytëzojmë me kujdes të madh dhe mos të harrojmë se e kemi për obligim që ta lëmë këtë botë në gjendje sa më të mirë për brezat që do të vijnë pas nesh.
4. Të gjitha qeniet njerëzore janë një familje, megjithëse kanë dallime. Llojllojshmëria është e natyrshme dhe e bukur. Duhet të kemi mirëkuptim për fetë dhe kulturat e të tjerëve, dhe duhet të jemi të ndjeshëm për emocionet e tyre.
5. Rregulli i artë universal thotë: “Dëshiroju të tjerëve atë që ia dëshiron vetes.” Duhet të përpiqemi për të fuqizuar të tjerët dhe të punojmë për zhdukjen e varfërisë, urisë, analfabetizmit, sëmundjeve dhe kushteve johigjienike të jetës, ashtu që njerëzit në botë të mund të jetojnë në paqe dhe të kënaqur.
6. Të gjitha kompanitë do të duhej të promovojnë sjelljen etike në afarizmin e tyre, si dhe në botë në tërësi. Njerëzit të cilët janë aktivë në afarizëm duhet të jenë gjithmonë të ndershëm, të sinqertë dhe t’i përmbushin premtimet dhe detyrat e dhëna. Duhet të eliminojmë mashtrimet, keqpërdorimet dhe rrethin e ngushtë të konkurrencës.
7. Duhet që sa më shumë të promovojmë edhe lirinë politike dhe debatet e hapura.
8. Duhet që të inkurajojnë dhe mbështesin sistemin arsimor i cili promovon hapje. Fëmijët tanë duhet të mësohen për më shumë perspektiva dhe duhet të jenë të hapur edhe për pikëpamjet tjera.

Autori është kryetar i Këshillit të fik’hut në Amerikën e Veriut.