VEPRA logo
Logo link

METODOLOGJIA ISLAME NË EVITIMIN E PASOJAVE SOCIALE TË KAMATËS (2)

Muhamed MurteziMr. Bashkim ALIU

Islami ofron program të qartë dhe konstruktiv në drejtim të realizimit të unitetit, bashkëpunimit dhe solidariteti mes muslimanëve. Me këtë rast do t’i veçojmë pikat vijuese:

1. UNITETI FETAR. Islami i ka bashkuar pjesëtarët e vet mbi bazën e vëllazërisë, duke mos i lënë asnjë aspekti tjetër që të jetë prioritar në formimin e shoqërisë islame. Me këtë aludohet pikërisht në theksimin e vëllazërisë së besimit ndaj çdo lidhje tjetër.
Muslimani është vëlla i muslimanit. Për këtë arsye ai edhe duhet ta shikojë vëllain e vet me syrin e vëllazërisë së besimit, e jo të përkatësisë nacionale, lokale, pasurisë apo varfërisë, ose të ndonjë aspekti tjetër. Kjo është metodologjia konstruktive islame në lidhjen e pjesëtarëve të Islamit mes vete.
“Njëmend lidhja e vëllazërisë për hir të All-llahut, është ajo që i bashkoi bijtë e Islamit në ditët e para të misionit pejgamberik, e ngriti shtetin e tyre, e ngriti lartë flamurin e tyre, dhe në të u mbështet i Dërguari i All-llahut pasi e mbolli besimin në zemrat e tyre. Kjo, ngase lidhja e vëllazërisë për hir të All-llahut është shkalla e dytë e fuqisë pas  fuqisë së besimit”1.
Kur’ani Fisnik dhe Sunneti i ndritshëm qartë pohojnë se pjesëtarët e Islamit janë vëllezër në fe, ndërkaq vëllazëria është standardi prioritar në vlerësimin e raporteve mes tyre.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kinie frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti)”2.
Në një ajet tjetër, i Lartëmadhërishmi thotë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtoni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit Fenë Islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju të gjeni të vërtetën e lumtur”3.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon. Kush është në ndihmë të vëllait të tij, All-llahu do të jetë në ndihmë të tij. Kush ia largon muslimanit një brengë, All-llahu do t’ia largojë atij një brengë nga brengat e botës tjetër. E kush e mbulon një musliman, All-llahu do ta mbulojë atë në Ditën e Gjykimit”4.
Ibën Haxheri, duke e shpjeguar këtë hadith, në mes tjerash thotë: “Hadithi nxit për bashkëpunim, sjellje të mirë dhe unitet. Në këtë hadith dëshmohet se shpërblimi jepet nga lloji i veprave të mira. Po ashtu, hadithi është argument se ai i cili betohet se filan personi është vëllai i tij, dhe ka për qëllim vëllazërinë islame, nuk konsiderohet se ka bërë shkelje në betim”5.
Në një hadith tjetër, i Dërguari i All-llahut thotë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, pjesët e së cilës e kompletojnë njëra-tjetrën”. Transmetuesi i hadithit thotë: “Dhe i gërshetoi gishtat e duarve”6.
Imam Neveviu, në lidhje me hadithin e përmendur dhe hadithet tjera të ngjashme, thotë: “Këto hadithe janë të qarta në glorifikimin e obligimeve të muslimanëve ndaj njëri-tjetrit, si dhe stimulimin e tyre për mëshirë të ndërsjellë, butësi dhe solidaritet, e jo në mëkat dhe as gjëra të rrejtura...”7.
Në lidhje me rëndësinë dhe fuqinë e ndikimit të këtij parimi madhështor në jetën e Ummetit, Sejjid Kutubi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Këto janë dy parime të lidhura, gjegjësisht besimi dhe vëllazëria. Besimi në All-llahun, devotshmëria ndaj Tij dhe të pasurit e All-llahut në mend në çdo çast të jetës, si dhe vëllazëria për hir të All-llahut, e cila komunitetin musliman e shndërron në ndërtesë të fortë, vitale, të qëndrueshme dhe të aftë ta kryejë rolin e saj madhështor në jetën njerëzore dhe në historinë botërore. Këto shtylla patjetër të jenë prezentë në komunitetin musliman, që të mund njeriu ta çojë në vend amanetin të cilin ia besoi All-llahu i Madhërishëm dhe për shkak të cilit amanet e krijoi”8.
Parimi i vëllazërisë së besimit e lëviz fuqishëm rrotën e unitetit dhe solidaritetit në mes muslimanëve.

2. SHENJTËRIA E PASURISË SË MUSLIMANIT. Prej shtyllave të fuqishme mbi të cilat ngrihet parimi i mëshirës reciproke dhe solidaritetit në shoqërinë islame, është edukimi i muslimanit që t’i respektojë të tjerët dhe pronën e tyre, duke mos menduar që t’u sjell atyre dëme morale apo materiale. Feja këtë e ka shprehur me shenjtërinë e pasurisë së muslimanit. I dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], thotë: “Çdo musliman ndaj muslimanit i ka të ndaluara: gjakun, pasurinë dhe nderin e tij”9.
Islami nuk u ndal vetëm në këto korniza, por i zuri të gjitha rrugët të cilat çojnë në përçarjen e shoqërisë, humbjen e besimit dhe mos solidaritet në mes pjesëtarëve të shoqërisë. Kështu, Islami e ndaloi përgojimin, bartjen e fjalëve, gënjeshtrën, shpifjen etj.
Po ashtu, Islami i ndaloi edhe gjërat materiale të cilat çojnë në rrënimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit në mes pjesëtarëve të shoqërisë islame. Kështu, Islami i ndaloi veprimet që kontribuojnë në këtë drejtim, si: mashtrimin në shitblerje, garat jo të ndershme, shitjen mbi shitjen etj.
Këto janë sqaruar në mënyrë precize në disa hadithe të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse ne me këtë rast do ta përmendim thënien e tij: “Mos e kini zili njëri-tjetrin, mos i ngritni çmimet e gjërave pa pasur për qëllim t’i bleni, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos të blejë dikush diçka që e ka bërë pazar tjetri për ta blerë, por jini robër të All-llahut vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e len në baltë dhe nuk e nënçmon...”10.
Transmetohet prej Ebu Hurejres, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “I Dërguari i All-llahut ndaloi që t’i shet qytetari fshatarit, të rritet çmimi i një malli jo me qëllim për ta blerë, të bëhet pazarllëk mbi pazarllëkun e vëllait të vet dhe që të bëhet fejesë mbi fejesën e vëllait të vet...”11.
All-llahu i Madhërishëm na tërheq vërejtjen në Kur’anin Famëlartë që mos të bëjmë hile në peshojë, dhe thotë: “Të mjerët ata që mangu matin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë. E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu”12.
Sejjid Kutubi, duke e komentuar këtë ajet, thotë: “Kaptina fillon me shpalljen e luftës nga ana e All-llahut për ata që mangu peshojnë: “Të mjerët ata që mangu matin e peshojnë” (El Mutaffifinë: 1) Me fjalët mjerë për ata, është për qëllim se janë shkatërruar, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për caktim të All-llahut, apo për thirrje kundër tyre. Të dyja janë të njëjta, sepse thirrja nga All-llahu është vendim. Ajetet vijuese e shpjegojnë domethënien e atyre që mangu peshojnë. Ata janë: “... që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë. E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu”. (El Mutaffifinë: 2,3)
Pra, të këtillët, kur blejnë, e marrin mallin të plotë, por kur shesin, njerëzve u bëjnë hile në peshojë... Ballafaqimi me ata që peshojnë mangu, në këtë mënyrë, në një kaptinë Mekase, të len përshtypje... Po ashtu, ky gjest në ambientin mekas është kompatibil me natyrën e kësaj feje dhe përfshirjen e metodologjisë së saj në jetën e përditshme dhe çështjet praktike, si dhe ndërtimin e tyre mbi parimin e thellë etik esencial në natyrën e kësaj metodologjie të drejtë hyjnore. Për këtë, ajo e urren këtë gjendje të zhurmshme të zullumit dhe devijimit moral në transaksione. Kjo qe në Mekë, kur ende nuk i kishte marrë në dorë dizgjinët e jetës shoqërore, që ta rregullojë konform ligjeve të veta me fuqinë e ligjit dhe autoritetin e shtetit.
E drejtoi këtë thirrje që përmban luftë dhe mallkim për ata që bëjnë hile në peshojë, e që atëbotë këta ishin paria mekase, ata që kishin në dorë pushtetin, jo vetëm mbi shpirtrat dhe ndjenjat e njerëzve përmes besimit idhujtar, por edhe mbi ekonominë dhe çështjet e tyre jetësore. Islami e ngriti lartë zërin kundër mashtrimit dhe dredhive që iu bëheshin njerëzve nga ana e parisë keq përdorëse, monopolizuese dhe kamatë marrëse. Ata dominonin mbi masat e gjëra me iluzione të botëkuptimeve!”13.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhuroni All-llahun (një); ju nuk keni zot tjetër pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejtë matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”14.
Të gjitha këto veprime shkaktojnë çrregullime në tokë dhe e luftojnë bashkëpunimin dhe solidaritetin mes anëtarëve të shoqërisë islame. Prof. Mahmud Sheltut thotë: “Nëpërkëmbja e të drejtave, është bazë e madhe e lëkundjes së besimit në shoqëri dhe rrugë që çon në ndërprerjen e lidhjeve dhe shkakton mllef e urrejtje mes njerëzve. Nisur nga kjo bëhen trazira në përmasa të gjëra në tokë dhe humben interesat e njerëzve...”15.

3. LUFTIMI I KOPRACISË DHE EGOIZMIT. Prej dukurive thelbësore të cilat ndikojnë negativisht në bashkëpunimin dhe solidaritetin mes bijve të Ummetit islam, është koprracia. Nisur nga kjo, Islami e ka luftuar këtë dukuri negative në dy mënyra: përbuzjen e koprracisë dhe stimulimin e dhënies.
Në disa ajete kur’anore All-llahu i Madhërishëm e përbuz dhe qorton këtë dukuri negative. Kështu, i Lartëmadhërishmi thotë: “Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit”16. Po ashtu, në një ajet tjetër, thotë: “Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë me atë që veproni”17.
All-llahu i Madhërishëm, duke ndaluar nga mos dhënia e pasurisë për mirësi dhe mos dhënia e zekatit, thotë: “O ju që besuat, vërtet një shumicë e parisë fetare e jehudive dhe e të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e All-llahut. Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroji për një dënim të dhembshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e Xhehennemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!”18.
Në një ajet tjetër, All-llahu i Madhërishëm, mos dhënien nga pasuria e quan hedhje të vetes në shkatërrim. I Lartëmadhërishmi thotë: “Dhe jepni për në rrugë të All-llahut, e mos hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit”19.
Përbuzja e koprracisë dhe egoizmit është konfirmuar edhe përmes gjuhës së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në disa hadithe. Ja disa prej tyre:
“Ruheni zullumit, sepse zullumi është errësira në Ditën e Gjykimit. Ruheni nga koprracia, sepse koprracia i shkatërroi ata të cilët ishin para jush. I çoi t’i derdhin gjaqet e tyre dhe i shkelën gjërat e ndaluara”20.
“Nuk bashkohet asnjëherë pluhuri në rrugë të All-llahut dhe tymi i Xhehennemit në barkun e një robi, dhe nuk bashkohet asnjëherë koprracia dhe besimi në zemrën e një robi”21.
I Dërguari i All-llahut kërkonte mbrojtje prej koprracisë duke u lutur: “O All-llahu im, unë kërkoj mbrojtjen Tënde prej brengave, mërzitjes, pa aftësisë, përtacisë, koprracisë, frikës, zhytjes në borxhe dhe kapadaillëkut të njerëzve”22.
Në këtë kontekst, prof. Mahmud Sheltut thotë: “Me qëllim që të gjithë të kenë dobi prej pasurisë dhe të dëliren shpirtrat nga stimuluesit e lakmisë ndaj pasurisë, Islami e luftoi vetinë e koprracisë te poseduesit dhe menaxhuesit e pasurisë, sepse koprracia ndalon nga shpenzimi dhe dhënia...”23.

Fusnotat:
1 Xhasim ibën Muhammed ibën Muhelhil El-Jasin, El-Uhuvve, f. 5.
2 Kaptina El-Huxhuratë, 10.
3 Kaptina Ali Imran, 103.
4 Hadithin e transmeton Buhariu në Sahihun e tij, Kitabu-l-medhalim, babu: La jedhlimu-l-muslim el-muslime. Shih: Ibën Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. V, f. 116, hadithi nr. 2442, dhe Muslimi në Sahihun e tij, Kitabu-l-birr ve es-sil-le ve-l-adab, babu: tehrimu dhulmi-l-muslim ve hadhlihi ve ihtikarihi ve demihi, ve irdihi ve malihi. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 98, hadithi nr. 32.
5 Fet’hu-l-Bari, vëll. V, f. 117.
6 Hadithin e transmeton Buhariu në Sahihun e tij, Kitabu-s-salat, babu:Teshbiku-l-esabië fi-l-mesxhid ve gajrihi. Me këtë tekst e transmeton Buhariu. Shih: Ibën Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. I, f. 674, hadithi nr. 481; dhe Muslimi në Sahihun e tij, Kitabu-l-birr ve es-sile vel-l-adab, babu: Terahumu-l-muëminin ve teatufuhum ve teaduduhum. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 114. hadithi nr. 65.
7 Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 114.
8 Shih: Fi Dhilali-l-Kur’an, vëll. II, f. 442.
9 Hadithin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij, Kitabu-l-birr ve es-sile ve-l-adab, babu: Tehrimu dhulmi-l-muslimi ve hadhlihi ve ihtikarihi ve demihi ve irdihi ve malihi. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 99.
10 Hadithin e transmeton Muslimi në Es-Sahih, Kitabu-l-birr ve es-sile ve-l-adab,babu: Tehrimu dhulmi-l-muslimi, ve hadhlihi, ve ihtikarihi, ve demihi, ve i’rdihi ve malihi. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 98.
11 Hadithin e transmeton Buhariu në Es-Sahih, Kitabu-l-bujuë, babu: La jebië a’la beji’ ehihi ve la jesumu a’la seumi ehihi hatta jeëdhene lehu eu jetruk. Shih: Ibën Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. IV, f. 413, hadithi nr. 2140.
12 El-Mutaffifinë, 1-3.
13 Fi Dhilali-l-Kur’an, vëll. VI, f. 3854-3855.
14 El-A’rafë, 85.
15 Shih: El-Islam, akidetun ve sheria’tun, f. 268.
16 Et-Tegabun, 16.
17 Ali Imran, 180.
18 Et-Tevbe, 34-35.
19 El-Bekare, 195.
20 Hadithin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij, kitabu-l-birr ve es-sile ve-l-adab, babu: tahrimu-dh-dhulmi. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVI, f. 110, hadithi nr. 56.
21 Hadithin e transmeton Nesaiu në Es-Sunen, kitabu-l-xhihad, babu: Fadlu men amile fi sebili-l-lahi… Shih: Sunen En-Nesaij bi sherhi Es-Sujuti ve hashijeti Es-Sindij, vëll. VI, f. 13.
22 Hadithin e transmeton Buhariu në Es-Sahih, kitabu ed-dea’vat, babu: El-Istia’dhetu mine-l-xhubni ve-l-kesel, me këtë tekst. Shih: Ibën Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. XI, f. 182, hadithi nr. 6369, dhe Muslimi në Sahihun e tij, kitabu edh-dhikri ve ed-dua’i ve et-teubeti ve-l-istigfari, babu: Et-tea’vudh mine-l-a’xhzi ve-l-kesel ve gajrihi. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XVII, f. 25, hadithi nr. 50.
23 Shih: El-Islam, akidetun ve sheria’tun, f. 257.