VITI 2009 - VIT I DHEMBJES,TURPIT DHE DËSHPËRIMIT
Muhamed Murtezi
Edhe një vit të tërë e lamë pas nesh. Shkoi sikur të mos kishte qenë kurrë. Nga perspektiva e ditës së sotme, sikur një çast i vetëm, sa hap e mbyll sytë, pavarësisht shumë ngjarjeve e ndodhive të cilat e karakterizuan, të mira apo këqija qofshin. Dhe kështu do të kalojë edhe jeta e tërë, në mënyrë që krejt në fund ajo të na duket sikur një ëndërr e padefinuar mirë, atë ditë kur njerëzit do të zgjohen në mënyrën më të vërtetë nga gjumi i injorancës që i ka kapluar në këtë botë.
Edhe sikur i tillë, pra me shpejtësinë e rrufesë në rrugëtimin e tij, ky vit u dallua me ngjarje e ndodhi nga më të ndryshmet, gjurmët e të cilave sigurisht do të mbesin me vite, dekada e shekuj, sa të ekzistojë historia, si dëshmi e njerëzve të mirë apo të këqij që kanë shkelur mbi këtë tokë.
Fillimi i vitit 2009 tërhoqi vëmendjen e opinionit botëror kah Lindja e Mesme, kur ushtria izraelite sulmoi me gjithë arsenalin e vet ushtarak Rripin e Gazës, duke plagosur, vrarë e masakruar mijëra palestinezë, pjesa më e madhe e tyre fëmijë, gra e pleq, dhe duke shkatërruar një infrastrukturë të tërë, shtëpi, ndërtesa, spitale, shkolla e xhami. Përgjakja e tokës së Palestinës, për kushedi të satën herë me radhë, gjatë ofensivës së tmerrshme 22 ditore të ushtrisë sioniste, nxori në pah edhe njëherë realitetet ekzistuese të kohës. Ajo në mënyrën më të paskrupull tregoi fytyrën e egër, zemrën e ligë dhe karakterin e prishur të popullit i cili nuk ngurron aspak që ardhmërinë dhe fatin e vet ta sendërtojë mbi fatkeqësinë e të tjerëve, popull ky që përgjatë historisë së afërt dhe të largët është njohur me intrigat, kurthet dhe shpifjet nga më të ndryshmet, madje edhe ndaj vetë Krijuesit dhe Shpalljeve dhe të Dërguarve të Tij. Bllokimi disavjeçar i depërtimit të artikujve elementarë ushqimorë e shëndetësorë për popullatën civile në Gaza, i cili fatkeqësisht kohëve të fundit po përforcohet edhe më tepër me ngritjen e mureve gjithandej përreth saj, si dhe informacionet e publikuara kohë më parë nëpër media të shkruara dhe ato elektronike mbi vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve palestinezë me qëllim të nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre trupore, vetëm e përforcojnë këtë konstatim, duke e bërë të pafuqishme dorën për të shkruar mbi këtë tmerr.
Por, në anën tjetër, kjo luftë vërtetoi sërish edhe vendosmërinë e popullit palestinez dhe rezistencës palestineze për të qëndruar burrërisht dhe për të luftuar deri në frymën e fundit për ruajtjen e atdheut, fesë dhe nderit, pavarësisht çmimit që duhet të paguhet për këtë qëllim fisnik.
Kjo luftë, po ashtu, për kushedi të satën herë nxori në shesh dyfytyrësinë e “botës demokratike perëndimore”, e cila u mjaftua vetëm me gjykimin dhe dënimin verbal të aksionit ushtarak izraelit dhe masakrave të zhvilluara, apo, në rastin më të keq të mundshëm, u solidarizua me “të drejtën për vetëmbrojtje të Izraelit” dhe ushtarakisht e ndihmoi këtë agresion. Fatkeqësisht, kjo luftë e pabarabartë reflektoi edhe njëherë dobësinë e qeveritarëve arabo-islamë, të cilët edhe kësaj radhe u turpëruan para Ummetit me frikën dhe varësinë e tyre nga të tjerët. Heshtja e tyre para dhunës dhe gjenocidit, me disa përjashtime, ose bashkëpunimi me armikun në variantin më të mjerë, janë edhe një dëshmi për domosdoshmërinë e revolucionit më se të nevojshëm në radhët e Ummetit dhe nevojën e ndryshimeve radikale në qeveritë e këtyre shteteve.
Referendumi i suksesshëm në Irlandë, në fillim të tetorit, mbi Marrëveshjen e Lisbonës për reformimin e Bashkimit Evropian, pas dështimit të atij një vit më parë, si dhe përfundimi i suksesshëm i procesit të miratimit të saj në Çeki, marrëveshje kjo e cila hyri në fuqi në ditën e parë të muajit të fundit të vitit, hapi një faqe të re në funksionimin e Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij, duke e vendosur atë mbi baza të reja të funksionimit dhe veprimit, duke i mundësuar rritje të ndikimit në skenën politike ndërkombëtare, lehtësim në sjelljen e vendimeve në kuadër të BE-së, zgjerim të mëtejmë dhe perspektivë të avancuar të shteteve të Ballkanit për integrim të plotë. Por, a do të jetësohet në praktikë një ndikim më i fuqishëm në politikën ndërkombëtare lidhur me ngjarjet që e tangojnë botën dhe a do të realizohet shpejt kjo pritje e kahershme e vendeve të Ballkanit për bashkëngjitje në familjen e madhe evropiane, apo me vite e dekada kjo do të mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar, mbetet të shihet në të ardhmen. Po ashtu, shumë i rëndësishëm në të ardhmen do të jetë edhe pozicionimi i institucioneve të BE-së dhe liderëve evropianë ndaj Turqisë, shtetit i cili qysh në vitin 1959 paraqiti kërkesën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky rrugëtim i pakuptimtë maratonik i Turqisë prej gjysmë shekulli dhe deklaratat e hapura refuzuese të disa liderëve evropianë, të cilët Turqinë muslimane e shohin më tepër si vend aziatik se evropian, sigurisht nuk janë në frymën e reformimit demokratik që synon BE-ja dhe më tepër i kontribuojnë formimit të ndasive kulturore dhe religjioze në këtë kontinent, për më tepër që me të drejtë mendohet se përkatësia e fetare e Turqisë llogaritet si pengesë kryesore drejt anëtarësimit të saj të plotë, pavarësisht retorikës diplomatike evropiane mbi kinse nevojën e demokratizimit të mëtejmë të vendit, respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut dhe zgjidhjes së problemit kurd.
Një turp të radhës përjetoi Evropa demokratike, në raport me muslimanët që jetojnë brenda saj, kah fundi i nëntorit, kur në shtetin që vlerësohej lartë me neutralitetin e vet dhe të arriturat demokratike, në Zvicrën e alpeve të larta, përmes referendumit u mbështet iniciativa kundër ndërtimit të minareve të xhamive në këtë shtet. Në këtë mënyrë edhe Zvicra u radhit me shtetet që tanimë në forma të ndryshme zyrtare kanë manifestuar islamofobinë e tyre, kryesisht përmes ndalimit të mbulesës së femrave muslimane nëpër shkolla e institucione tjera publike. Kur kësaj t’i shtohet gjithë ai vandalizëm që po ushtrohet mbi xhamitë dhe objektet fetare islame anekënd Evropës, retorika urrejtëse e partive djathtiste gjithandej, si dhe sulmet direkte mbi muslimanët, që jo rrallë po marrin edhe përmasa tragjike, sikur rasti i vrasjes së gruas muslimane në një gjykatë të Gjermanisë, atëherë me të drejtë mund të parashtrohet pyetja: Mos vallë Evropa sërish po i kthehet inkuizicionit të para disa shekujve, kur qindra mijëra muslimanë u vranë, u konvertuan dhunshëm në krishterizëm apo u dëbuan nga Spanja postandaluziane? I mbetet kohës të tregojë nëse Evropa e bashkuar do të tejkalojë qëndrimin shpesh publikisht të manifestuar si një “familje e krishterë” dhe të dëshmojë se demokracia e shumëpërfolur verbale vërtet ka zënë vend në zemrat e liderëve evropianë dhe popujve të tyre.
Viti 2009 u karakterizua me një sërë ngjarje edhe në Maqedoni. Para së gjithash, në muajin mars patëm zgjedhjet për kryetar shteti dhe ato për vetëqeverisjen lokale. Po, u bëmë me kryetar të ri, gjithsesi maqedonas dhe, kuptohet, të zgjedhur vetëm nga maqedonasit. Ndoshta aty-këtu edhe nga ndonjë shqiptarë. Ndonëse pragu i nevojshëm i daljes së votuesve në raundin e dytë mezi (nuk) u arrit, kjo aspak nuk e pengon kryetarin e ri kukull që me plot krenari të deklarojë se ai është kryetar i të gjithë qytetarëve. Madje nuk i pengon as “popullariteti” i tij në anketat pothuajse të përditshme, i cili sillet diku rreth 1 (një) %. Kështu qëndron puna, kur edhe zogjtë e malit janë të vetëdijshëm për rolin e tij statik në teatrin e madh që po udhëheqë kryeministri i vendit. Satisfaksion i tij i vetëm mund të jetë fakti se nuk është statisti i vetëm në këtë shfaqje tragjikomike që po zhvillohet para syve tanë, sepse të njëjtin rol po luajnë edhe plot të tjerë.
Po ashtu, gjatë 2009-tës, pushteti ka bërë “një hap të madh përpara” në gjetjen e rrënjëve në të kaluarën e largët. Ndonëse ky kërkim “shkencor arkeologjik” ka të bëjë ekskluzivisht me një pjesë të popullit maqedonas, i cili edhe në shekullin 21 mbetet në kërkim të identitetit të vet, pasojat e kësaj aventure romantiko-historike po i ndjejmë të gjithë, sepse ky kërkim i tyre në historinë antike po rrezikon edhe ardhmërinë tonë. Tekefundit, si shkak i drejtpërdrejtë i kësaj na ndodhi dëshpërimi i radhës, gjegjësisht 7 dhjetori, kur në Samitin e BE-së nuk u përcaktua data për fillimin e bisedimeve për aderim të plotë në Bashkimin Evropian. Edhe rasti i ofruar që kjo të ndodhë brenda gjashtë muajve të ardhshëm vështirë të jep ndonjë rezultat pozitiv, së paku jo me këtë mentalitet dhe qasje që kanë udhëheqësit shtetëror të këtij vendi. Sepse thjesht, nëse i pamundshëm ishte katapultimi ynë drejt familjes së gjerë evropiane me aeroplanët e Aleksandërit të Madh, shumë më i vështirë do të jetë ky udhëtim me kalin e tij nga sheshi i kryeqytetit. E nëse edhe pas gjashtë muajve gjendemi në pozitë të njëjtë, atëherë përfundimisht mbetet të shihet se çfarë do të jetë fati i këtij shteti të pafat: mbijetesë me rrënjë e barë apo fundosje titaniku.
Nejse, së paku një e mirë për qytetarët e Maqedonisë nga viti që lamë pas, është fakti se ata do të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër metropolet evropiane, si rezultat i heqjes së vizave me 19 dhjetor. Kuptohet, më së rëndi do ta kenë njerëzit të cilët mendojnë se me këtë do të arrijnë të sigurojnë një kafshatë buke diku jashtë, duke ikur nga papunësia dhe skamja këtu në vendin tonë, por që gjithsesi do të zhgënjehen kur të shohin se edhe shtetet e Perëndimit nuk janë parajsa e punësimeve të menjëhershme. Të tillët sigurisht për një kohë do të bëhen barrë e familjarëve të tyre nëpër shtetet evropiane, e pastaj do t’u mbetet qëndrimi nëpër rrugë, xhamia e kisha, stacione trenash e autobusësh, derisa t’u vijë dita të kthehen edhe më të zhgënjyer se që ishin, sërish në botën e të papunëve në vendlindjen e tyre, kuptohet, vetëm përderisa në vendin tonë të vijnë investimet disa miliardëshe të premtuara në gjendje të përgjumur nga kryeministri dhe qeveria e tij.
|