NË ÇFARË MAQEDONIE DO TË JETOJMË? APO...
Iljasa SALIHU
Llamba e së kaluarës ndriçon të tanishmen (Edith Durham). Plotësisht duhet të pajtohemi me thënien e kësaj gruaje të mençur, sepse realiteti është ashtu. Por, ndodhë nganjëherë që ne qytetarët e Maqedonisë nuk pajtohemi me shumë thënie të njerëzve të dalluar vendorë e botërorë. Nuk pajtohemi, ngase e kaluara dhe e tanishmja në këtë vend na ka imponuar një mospajtim të tillë! Ne, qytetarët e këtij shteti, nuk pajtohemi aspak me thënien e Durhamit. Kjo maksimë në shtetin tonë praktikisht bie poshtë! Ngase, çuditërisht, llamba e të kaluarës e errësoi dhe ngulfati të tanishmen në këtë vend. Ndoshta këtë llambë që prej fillimit kishin harruar qëllimisht ta ndezin dhe në vazhdimësi ajo prodhoi vetëm terr, duke e lënë ardhmërinë e këtij shteti në turbullirë.
Nga turbullirat e të kaluarës shihet qartë vendosja ekstreme e shtetit mbi baza etnike maqedonase dhe diskriminimi i të gjithë komuniteteve tjera në çdo segment të jetës. Në këtë rast, maqedonasit me vetëdije të plotë e ndezën një zjarr për ngrohje vetëm për vetveten, duke e lënë etnitetin shqiptarë dhe etnitë tjera në pamëshirën e një acari të madh.
Vitet sa vinin e shkonin, kurse me vajtje-ardhjen e tyre rritej edhe zjarri, deri sa një ditë papritmas dëgjuam se maqedonasit u dogjën nga zjarri i tyre ndezur. Ata u dogjën nga shkaku se madhësia e zjarrit ishte dedikuar për ngrohjen e të gjithë komuniteteve që jetojnë apo pranuan të jetojnë në Maqedoni. Prandaj, teprica e zjarrit i dogji!
Ajo e cila realisht të habitë, është mos marrja mësim nga e kaluara e hidhur. Sikur nuk u mjaftoi paralajmërimi i zjarrit, i cili qartë u tha loja me të mund t’i djegë.
Të gjithë presidentët e këtij shteti ishin pa legjitimitetin e shqiptarëve, të gjithë ata punuan haptazi kundër shqiptarëve, të gjitha problemet madhore shtetërore kinse i zgjidhnin vetë, duke mos e inkuadruar fare kuadrin intelektual dhe politik shqiptarë. Gjuha shqipe në këtë shtet mbeti vetëm në poezi, si gjuhë e ëmbël, e dëlirë, e pasur, por asnjëherë e lirë për përdorim. Në pamfletin e tyre, që ne nganjëherë po i themi Enciklopedi, nuk lanë fjalë fyese që nuk na sajuan; na thanë e ç’na thanë, por prapë mëshira jonë e madhe i gllabëroi edhe këto maskarallëqe të radhës. Komisioni Evropian, si duket, në fund të këtij viti ishte në humor të mirë, dhe si për shaka në kuadër të një gjëegjëze u tha: “Ju edhe pak do njoftoheni zyrtarisht me datën e bisedimeve për në Bashkimin Evropian”. Dikush nga “pala jonë” i entuziazmuar pyeti: “Me cilën datë do të njoftohemi saktësisht?”, kurse të tjerët i kaploi një qeshje e madhe, duke e konsideruar pyetësin në fjalë si moskuptues i gjëegjëzave!
Pavarësisht të kaluarës së zymtë dhe llambës errësuese, ne shqiptarët detyrimisht u munduam ta harrojmë të kaluarën, duke harruar kështu se çka duhet të harrohet e çka duhet mbajtur në mend. Ne pra, vendosëm t’i harrojmë brengat të cilat sillnin vetëm mal shqetësimesh; u munduam t’i harrojmë vrasjet, maltretimet, cenimin e të drejtës për shkollim. Pothuajse u munduam t’i harrojmë të gjitha, vetëm që fillimi i shekulli XXI të jetë më i begatshëm për ne shqiptarët, më gjallërues për të ardhmen (e kemi fjalën për harresat e viteve pas 2001-shit)... Por, më kot ishim munduar t’i harrojmë të gjitha këto zymti. Sepse, edhe pas fillimit të shekullit XXI, Maqedonia vazhdoi të jetë shtet një-nacional, përkundër faktit që populli shqiptar ishte mbi 25%. Vazhdoi gjuhë zyrtare të jetë vetëm maqedonishtja, vazhdonin zgjidhjet e problemeve dhe kryetarëve vetëm prej njërit etnitet, pra atij maqedonas. Gjithçka tjetër vazhdonte, pos nismës së zhvillimit dhe plotësimit të kërkesave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë shtet shumë etnik e shumë pak etik.
Duke i pasur parasysh të gjithë parametrat e të kaluarës dhe të tanishmes në këtë shtet, fatkeqësisht dhe detyrimisht po vijmë në përfundim edhe për një të ardhme shumë pesimiste. Pesimiste, sepse e kaluara dhe e tanishmja për shqiptaret dhe të tjerët (jomaqedonasit) ishte tepër zhgënjyese, zhgënjim ky i cili pa më të voglin dyshim do kthehet në dështim.
Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me mos marrjen pjesë të subjektit politik shqiptarë dhe intelektualëve shqiptarë në procesin për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të shtetit, autokrati Gruevski me mjaft ironi u shpreh: “Kur të dëshirojnë shqiptarët mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së kontestit të emrit”. Nga kjo përgjigje dinake arrijmë të kuptojmë se pjesëmarrja e shqiptarëve në çështjen e emrit qenka punë dëshirash, gjoja se autokrati në fjalë nuk paska nevojë t’i bëjë ftesë elitës intelektuale dhe partive politike shqiptare rreth problemeve dhe kontesteve të cilat janë të pranishme në Maqedoninë “progresive”.
Edhe më keq, me këtë përgjigje ai i nënçmoi të gjitha subjektet politike shqiptare, se kinse zgjidhja e emrit qenka fontanë dëshirash; pra, kush dëshiron merr pjesë, e kush nuk dëshiron është i lirë të mos merr pjesë. Meqë kryeministri qenka aq liberal sa i përket lirive dhe plotësimit të dëshirave, pse vallë nuk na i plotëson dëshirat serioze kombëtare? Fundja, pse nuk na i jep të drejtat që natyrshëm na takojnë. Por, e vërteta është se as njëra as tjetra nuk janë punë dëshirash, por imponim vendimesh që ndërlidhen me egon idioteske të bashkëpunëtorëve të tij.
Lojërat e tij ishin nga më të ndryshmet. Karrierën e filloi si ekonomist dhe boksier në këtë shtet, pastaj vazhdoi si një njeri kinse i suksesshëm në dikasterin e tij, përderisa gradualisht filloi ta zbulojë fytyrën e vërtetë duke ua kultivuar liderëve shqiptarë dëshirën për kërkim të sa më shumë marrëveshjeve të reja, në mënyrë që pastaj para faktorit të jashtëm dhe të brendshëm t’i demantojë këto marrëveshje si gënjeshtra, si dhe t’i paraqesë liderët shqiptarë si gënjeshtarë para popullit të tyre. Për të vazhduar pastaj me avazin e tij dhelparak, përmes disa dashamirëve të tij, me paraqitjen e shqiptarëve si njerëz të malit, ardhacakë, njerëz agresiv, terroristë e çka jo tjetër. Për çudi, ne të paraqitemi sikur agresiv përballë bishave të egra! Në të vërtetë, ndoshta edhe duhet të jemi në këtë shtet të tillë, pra agresiv, kur kihet parasysh se përballë nesh gjenden bishat e egra me rrezikshmëri të lartë. Fatkeqësisht, me neve luhet në këtë mënyrë nga shkaku se jemi tejet të butë, e jo se jemi agresiv, sepse po të ishim të tillë, as malet e Karpateve nuk i pranojnë banuesit e tyre të hershëm prej hakut të shqiptarëve. Thotë populli: Ruajuni kur të trashet harami, sepse haku pa vetëdijen e njerëzve mund të reagojë, edhe atë shumë ashpër!
Dhe, ne përfundimisht duhet të thirremi në pak atë mendje që na ka mbetur. Labiliteti i këtij shteti improvizues në vazhdimësi është duke na dëmtuar. Kemi nevojë për gjëra konkrete: të jetojmë në këtë shtet bashkërisht dhe me të drejta të barabarta, apo në pamundësi të kësaj t’i themi lamtumirë njëri-tjetrit, sepse mjaft qëndruam si mysafirë në shtëpinë tonë, u ngopëm me mashtrime të cilat edhe fëmijët e djepit tanimë i kuptojnë.
Pra, nëse vazhdohet kështu, nëse ndërkohë nuk zgjohemi nga gjumi dimëror e veror që na ka kapluar, do të jemi të detyruar që ardhmërinë tonë ta jetojmë në Maqedoninë antike të Gruevskit, në Maqedoninë ku lejes do të duhet t’i themi “dozvolla” e certifikatës “izvod”.
Fatmirësisht, përskaj gjithë këtyre errësirave që na kanë kapluar e rrethuar, e dimë se jeta në këtë botë është e shkurtë, kurse çdo proces në këtë jetë është i përkohshëm. Pra, edhe procesi dhe fenomeni gruevskian do të jetë gjithsesi i përkohshëm. Ndoshta së paku pastaj pasardhësit tanë (dashtë Zoti të jenë më të zgjuar dhe më vigjilent se ne) do të mund të jetojnë në një shtet demokratik, në të njëjtin vend ku kemi jetuar edhe ne, por jo edhe në Maqedoninë e sodit! |