VEPRA logo
Logo link

MINARET, ZVICRA DHE MUSLIMANËT

Milazim MustafaMilazim MUSTAFA

Zvicra njihet si shtet neutral i cili aplikon demokracinë e drejtpërdrejtë, që d.m.th. e njeh referendumin si formë të zakonshme për marrjen e vendimeve demokratike. Është një konfederatë kushtetuese, preambula e së cilës fillon me fjalinë: “Në emër të Zotit të Plotfuqishëm”. Pastaj, ajo njihet edhe me marrëdhënie jo qartë të ndara në mes të kishës dhe shtetit, duke e lënë këtë si çështje të hapur kantonale.
Më 29 nëntor të vitit të kaluar, Zvicra doli në referendum në nivel federal. Për këtë referendum ishin të parapara tri pyetje për të cilat duhej të vendosnin qytetarët e këtij vendi. Dy prej këtyre kaluan, kurse njëra ra. Prej atyre që kaluan ishte edhe pjesa më e diskutueshme e këtij referendumi, ajo e ndalesës për ndërtim të minareve në xhamitë e muslimanëve. Ky referendum ishte i iniciuar nga një grup i vogël qytetarësh dhe i përkrahur vetëm nga një parti djathtiste, Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila edhe ishte bartëse kryesore e fushatës për kalimin e këtij referendumi, me qëllim të ndaljes së “islamizimit” të Zvicrës . Sipas rezultateve zyrtare, 57,5% e atyre që dolën në referendum votuan PRO propozimit për ndalimin e minareve, ndërsa në nivel kantonal vetëm katër prej njëzet e gjashtë kantoneve votuan kundër këtij propozimi (respektivisht 3½ , duke e ditur se kantoni Bâle-Ville posedon vetëm gjysmë votë).
Sipas deklaratave të zyrtarëve që ishin përkrahës të referendumit, qëllimi i inicimit të tij nuk ishte vetëm ndalimi i ndërtimit të minareve, por edhe vënia e një vije të kuqe për të drejtën e Sheriatit dhe Islamit politik që në njëfarë mënyre ka filluar të jetohet.
Qeveria e Zvicrës, shumica e partive politike, madje edhe kishat dhe bashkësia e biznesit në Zvicër, ishin kundër daljes në referendum. Fakti tjetër plotësues ishte se, të gjitha anketat paraprake flitnin për një dështim të këtij referendumi, duke u bazuar në atë se i cenon të drejtat dhe liritë elementare të njeriut, konkretisht të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit.
Përndryshe, shumica e analistëve deklarojnë se ky referendum do të kontribuojë në rritjen e ekstremizmit në Zvicër, por edhe dëmtimin e imazhit të Zvicrës në botë, sidomos në vendet muslimane, duke goditur në masë të madhe edhe ekonominë së Zvicrës, gjë kjo që filloi të vërtetohet menjëherë përmes disa iniciativave për bojkotim të produkteve zvicerane dhe tërheqjen e parave nga bankat e Zvicrës, e kështu me radhë.
Edhe pse në Zvicër deri më tani nuk ka pasur probleme ndërfetare, sipas shumicës së analistëve shkak kryesor i kalimit të këtij referendumi janë imamët radikal, çështja e femrës muslimane, kryesisht të drejtat e femrës dhe veshja e saj (ferexheja). Në këtë drejtim edhe u zhvillua një fushatë shumë e nxehtë nga përkrahësit e këtij referendumi, duke paraqitur minaret si raketa të zeza që mbijnë mbi flamurin e Zvicrës, si dhe një femër të mbuluar me ferexhe të zezë, e që vërtetë ishte një provokim i rëndë dhe hap i cili u dënua nga organizatat joqeveritare dhe bashkësia ndërkombëtare si akt racist.

Muslimanët në Zvicër

Në Zvicër momentalisht jetojnë diku mbi 400.000 muslimanë, të cilët kanë shkuar atje kryesisht nga vendet e Ballkanit (pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, por ka edhe mjaft turq e boshnjakë). Në Zvicër, ekzistojnë mbi 200 faltore muslimane, kurse vetëm katër prej tyre janë xhami me minare. Kryesisht këto faltore të muslimanëve janë larg vendeve të urbane, konkretisht në zonat industriale, nëpër fabrika të lëshuara, nëpër bodrume të ndryshme e kështu me radhë.
Sa i përket integrimit të muslimanëve në shoqërinë zvicerane, kemi të bëjmë me një shkallë të ulët të integrimit (nëse flasim për integrim me vlera islame). Edhe përkundër imamëve të shumtë dhe goxha të përgatitur në aspektin fetar, një numër shumë i vogël i tyre njeh mirë gjuhën e vendit dhe është i aftë t’i prezantojë, respektivisht t’i mbrojë tezat dhe qëndrimet islame në publik (si pasojë e mos njohjes së gjuhës). Po ashtu, shkak tjetër i rëndësishëm është edhe mungesa e një institucioni të fuqishëm i cili do t’i përfaqësonte interesat e muslimanëve në nivel shtetëror. Zakonisht, bashkësitë muslimane janë të ndara në aspekt kombëtar, kështu që kemi bashkësi islame të shqiptarëve, turqve, boshnjakëve, arabëve; e pastaj, bashkësitë shqiptare ndahen në ato të shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Akoma më katastrofale se kjo është fakti se këto ndarje shkojnë edhe me nënndarje tjera në nivel lokal, si për shembull xhamia e prishtinasve, tetovarëve, kumanovarëve, mëhallës së epërme, mëhallës së poshtme etj. Kurse krejt kjo, fatkeqësisht, për interesa të cektë dhe të dëmshëm. Që turpi të jetë edhe më i madh, gjatë kohës kur bëhej fushata e egër e këtij referendumit antiislamik, shumica hoxhallarëve që shërbejnë në Zvicër merreshin me organizimin e haxhit, respektivisht me çështjet materiale të këtij obligimi fetar.
Përveç këtyre faktorëve, e hasim edhe frikën që ekziston në mesin e muslimanëve të këtij vendi, se në rast të ngritjes së zërit apo kërkimit të ndonjë drejte të caktuar mund të vijë deri të përzënia e tyre nga Zvicra, pasi se pjesa më e madhe e tyre, diku mbi 80% e popullatës myslimane, nuk kanë shtetësinë e fituar, por vetëm status të rezidentit në Konfederatën e Zvicrës.
Muslimanët në Zvicër më parë organizoheshin nëpër klube, kurse tani më tepër organizohen nëpër xhamitë lokale, pa mos ekzistuar ndonjë organizatë serioze joqeveritare që do ta ngriste zërin e tyre përmes sektorit civil. Kjo gjendje duhet të jetë një mësim për bashkëfetarët tanë në Zvicër, sepse në një vend demokratik siç është Zvicra, zëri i sektorit civil ka goxha peshë të madhe. Andaj duhet një angazhim më i madh dhe pjesëmarrje më aktive në sektorin civil, duke u bërë pjesë përbërëse e këtij sektori me peshë. Gjithashtu, duhet të mendohet edhe për kyçje të drejtpërdrejtë dhe përkrahje aktive të partive politike të cilat kanë qëndrim më liberal në lidhje me fenë dhe me çështjen e imigracionit, me ç’rast mundësia e përkrahjes nga subjektet e tilla në rastet që kanë të bëjnë me interesat tona të përgjithshme fetare dhe kombëtare do të jetë më e madhe.

Dëm i madh për imazhin dhe të ardhmen e Evropës

Si rezultat i mos gjetjes së formës përfundimtare të organizimit juridiko-politik të Evropës (BE-së), kohëve të fundit nëpër shumë vende evropiane po lansohen projekte dhe ide të ndryshme. Jehonë të madhe po marrin projektet që me vete po bartin kryesisht provokime fetare. Gjitha këto më së shumti e pengojnë Evropën dhe BE-në si një projekt që si parime themelore parasheh integrimin, të drejtat e njeriut, ushtrimin e lirë të fesë dhe të profesionit, e kështu me radhë.
Shembulli i Zvicrës nuk është problem i izoluar i këtij vendi, por i gjithë Evropës dhe botës perëndimore. Me kalimin e referendumit në Zvicër, i njëjti ka gjasa të kërkohet nga subjektet që janë kundër imigrimit edhe në vendet tjera, si p.sh. në Holandë, Danimarkë e gjetiu. Në Francë menjëherë filluan të bëhen anketime në lidhje me çështje të ngjashme, ku vërehet disponim i njëjtë sikur ai i popullit zviceran, hapa këto që e shpijnë Evropën drejt shkeljes së parimeve dhe akteve të saj bazë, siç janë Deklarata e përgjithshme e të drejtave të njeriut, Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut, e shumë e shumë akte tjera bazë të cilat garantojnë të drejtat themelore të njeriut, e me këtë edhe të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë.
Shpresojmë që këto probleme ndërkomunitare dhe ndërkonfesionale në Evropë të evitohen me akte juridike supranacionale. Krerët e shteteve evropiane më mirë se ne e dinë disponimin e popujve të Evropës, kurse veprimet e tilla ku cenohen të drejtat e komunitetit musliman në Evropë pas vete fshehin, racizëm, ksenofobi dhe urrejtje ndërfetare.

A ka fat në fatkeqësi pas përfundimit të këtij referendumi?

Për dallim nga rasti i karikaturave për Muhammedin [alejhis-selam] në Danimarkë, ku reagimet ishin të ndara, duke u arsyetuar se “liria e të shprehurit nuk kufizohet”, e pastaj edhe ndalesa e shamisë në Francë, kinse si ndalesë për të gjitha simbolet fetare, ngase Franca mbron karakterin sekularist, në rastin e Zvicrës të gjitha reagimet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe organeve kompetente të BE-së ishin të qëndrimit se ky referendum nuk duhej të lejohet, ngase njëra nga pyetjet në bazë të cilës duhej të deklarohej popullata e Zvicrës ishte në kundërshtim me aktet bazë në të cilat është e ndërtuar e drejta pozitive evropiane, ku nënshkruese është edhe Zvicra. Gëzon fakti se në këtë rast të gjithë e drejtuan gishtin kah Strasburgu, respektivisht Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut.
Po ashtu, ajo që gëzon në këtë fatkeqësi dhe këtë turp të ri të Evropës, është edhe reagimi i moderuar dhe i përmbajtur i muslimanëve në Zvicër dhe vendet tjera evropiane. Muslimanët në këtë rast dëshmuan nivelin dhe pjekurinë e tyre demokratike dhe civilizuese, duke e shprehur revoltën e tyre në mënyrë paqësore dhe me forma demokratike. Njashtu, edhe porositë e faktorëve relevantë në botën islame kishin të bëjnë me thirrjet për përmbajte, ruajtje të gjakftohtësisë dhe veprim me mjete juridike.
Shpresojmë që rezultatet e këtij referendumi të bien sa më shpejtë, ose nga Gjykata kushtetuese e Zvicrës, ose nga Gjyqi i Strasburgut. Por më e mira do të ishte sikur ajo të bie nga zemrat e banorëve të Zvicrës dhe pjesës më të madhe të Evropës, të cilët fatkeqësisht akoma nuk janë shëruar nga sëmundja e nazizmit dhe ksenofobisë.