FETVA PËR
ZEKATIN
PYETJA: Cili është qëndrimi i Sheriatit ndaj tubimit të mjeteve të zekatit dhe shpërndarjes së tyre në fondet legjitime përmes shoqatave humanitare jo qeveritare? Po ashtu, a lejohet që këto fondacione të shpenzojnë një pjesë nga kjo pasuri për harxhimet administrative të cilat i kërkon shpërndarja e mjeteve të zekatit? Ua bëjmë me dije se disa thirren në mos lejimin e tubimit dhe shpërndarjes së mjeteve të zekatit përmes shoqatave ekzistuese, sepse sot nuk ekziston hilafeti islam, i cili i vetëm është kompetent ta kryejë këtë punë.
PËRGJIGJJA:
Zekati është shtylla e tretë e Islamit dhe përbën parimin ekonomik-social i cili e shëron sëmundjen e varfërisë, nevojës, borxhit dhe bredhjet, e po ashtu kontribuon në proklamimin e Islamit. Zekati i takon atij që ka nevojë prej muslimanëve, atyre që i ndihmojnë muslimanët prej përgjegjësve të zekatit, si dhe atyre që kontribuojnë në rrugë të All-llahut.
Zekati i bashkangjitet namazit në Kur’an dhe Sunnet. Kështu, në Kur‘anin famëlartë zekati i bashkangjitet namazit në 28 vende, kurse po ashtu bashkëngjitet me namazin edhe në shumë hadithe.
Për këtë Enesi [radijall-llahu anhu] tha: All-llahu e mëshiroftë Ebu Bekrin, sa mirë i ka kuptuar sendet (ka për qëllim se ai nuk bëri dallim mes namazit dhe zekatit). Ai, atyre që pas vdekjes së të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], thanë: “Do të falemi, por nuk do ta japim zekatin”, u tha: “Pasha All-llahun, do ta luftoj atë që e ndanë namazin prej zekatit”1.
Kështu, nëse namazi është farz-obligim që lypet të kryhet në çdo kohë dhe çdo vend, pa marrë parasysh a ekziston halifi apo jo, atëherë duhet pasur parasysh se edhe zekati është detyrim obligativ që duhet të jepet në çdo kohë dhe çdo vend.
Ky obligim mbikëqyret nga tre mbrojtës:
1. Pushteti, i cili obligohet ta merr zekatin prej të pasurve dhe t’ua ndajë të varfërve të atij vendi.
2. Ndërgjegjja shoqërore ndaj popullatës muslimane, e cila mishërohet në këshillimin në fé dhe urdhërimin në të mirë e ndalimin nga e keqja.
3. Besimi në zemrën e muslimanit.
Kështu, nëse nuk gjendet mbrojtësi i parë, mbeten dy të tjerët, e nëse nuk gjenden mbrojtësi i parë dhe i dytë, mbetet mbrojtësi i besimit, i cili e shtyn besimtarin që ta kryejë obligimin edhe nëse nuk e kërkon këtë dikush prej tij.
Andaj, komuniteti musliman, në mos ekzistimin e halifit në krye të popullatës muslimane, si dhe në mosekzistimin e një organi legjitim rajonal musliman, duhet të mundohet të organizojë tubimin e zekatit nga pasanikët dhe shpërndarjen e tij për tetë kategoritë që e meritojnë, apo ato që ekzistojnë sot. Kështu, nëse nuk gjenden robër, atëherë zekati shpërndahet në shtatë kategoritë tjera, e po ashtu, nëse nuk gjendet kategoria e atyre që bëjnë tubimin e zekatit apo atyre që duhet t’u përfitohet zemra, zekati u shpërndahet kategorive tjera. Çdo njëra kategori merr konform kapacitetit dhe nevojës së saj, sikur që konstaton pjesa dërrmuese e juristëve islam.
I Dërguari i All-llahut thotë: “Nëse tre vetë dalin në udhëtim, le ta caktojnë udhëheqës njërin prej tyre”2. Kjo, pra, është në udhëtim, por sinjalizon në domosdoshmërinë e organizimit në të gjitha çështjet, ashtu që mos të krijohet tollovi.
Pretendimi i lënies së tubimit të zekatit dhe sistematizimit të tij derisa të ketë hafife, si dhe lënia e të varfërve që të vdesin nga uria derisa të caktohet halifi, është supozim pa argument dhe moszbatim i obligimeve pa fakte. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut...” (Et-Tegabun: 16)I Dërguari i All-llahut thotë: “Kur ju jap një urdhër, realizonie atë sa të mundeni”3. Prandaj, nëse nuk mund ta ngritim hilafetin, por mund t’i kryejmë detyrat dhe obligimet personale, atëherë duhet t’i kryejmë këto obligime ashtu si na ka urdhëruar All-llahu dhe i Dërguari i Tij, sepse lirimi jonë nga disa detyra për shkaqe të arsyeshme nuk nënkupton lirimin tonë prej të gjitha detyrave.
Muslimanët në periudhën mekase e jepnin zekatin të cilin All-llahu ua atribuoi besimtarëve dhe bamirësve në kaptinat mekase para se të formohet shteti islam. Kështu, në kaptinën En-Neml e lexojmë ajetin: “Janë udhërrëfyes dhe myzhde për besimtarët. Qe falin namazin dhe e japin zekatin dhe mu ata janë të bindur ndaj botës tjetër.” (En-Neml: 2-3) Në kaptinën Llukman lexojmë: “E që janë udhëzim e mëshirë për ata që janë punëmirë. Të cilët rregullisht e falin namazin dhe e japin zekatin dhe ata, e mu ata janë të plotëbindur për botën tjetër (ahiretin).” (Llukman: 3-4) Me nocionin “zekat” këtu aludohet në zekatin e përgjithshëm që nuk është i përcaktuar me kuotë, sasi dhe afat kohor, por ky zekat i është lënë vetëdijes së besimtarit dhe nevojës së misionit, individëve dhe muslimanëve.
Madje në ajetet e zbritura në Mekë hasim vërejtje të ashpra për mos ushqimin e të varfërve dhe mos nxitjen për ushqimin e tyre, e po ashtu këtë e konsideroi prej vetive të jo besimtarëve dhe shkaqeve që e imponojnë futjen në zjarr. All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik tregon se kriminelët në Xhehennem do të thonë:
“Ata thonë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz). Nuk kemi qenë që ushqyenim të varfërit.” (El-Muddeththir: 43-44)
“A e ke parë ti (a e njeh) atë që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun. Dhe që nuk nxit për të ushqyer të varfërin.” (El-Maun: 1-3)
Ajetet mekase ilustrojnë edhe tablonë e atyre të cilëve do t’u jepen librat e punëve të tyre në krahun e majtë, ata janë të dështuarit në botën tjetër dhe për ta në Ditën e Gjykimit do të jepet urdhri nga ana e Zotit: “U thuhet zebanive: Kapni atë, vërjani prangat! Pastaj atë futne në Xhehennem. Mandej lidhne atë me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kut. Pse ai ka qenë që nuk besoi All-llahu e Madhëruar. Ai nuk nxiste për t’i ushqyer të varfrit.” (El-Hakka: 30-34) Shoqërinë injorante All-llahu i Madhërishëm e përshkruan kështu: “Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillnit bonjakun. Nuk nxitnit njëri-tjetrin për të ushqyer të varfrin.”(El-Fexhr: 17-18), gjegjësisht: ju nuk e nxitni njëri tjetrin për ushqimin dhe kujdesin ndaj tyre.
Prof. Muhamed Abduhu thotë: Ky ajet është argument për legjitimitetin e shoqatave humanitare të cilat punojnë për të mirën e të varfërve dhe të ngratëve.
Ekzistimi i këtyre shoqatave është legjitim, e po ashtu tubimi dhe shpërndarja e zekatit nga ana e tyre është legjitim.
Po ashtu, këto shoqata kanë të drejtë që të ndajnë mjete nga zekati për t’i mbuluar harxhimet e tyre administrative, por me kusht që ato mos të jenë më tepër se sa duhet, duke u nisur nga fakti se këto shoqata konsiderohen punëtorë që e tubojnë zukatin (a‘miline alejha).
[SEANCA E TRETË]
PYETJA: A është e lejuar të pranohen donacione nga pasuri të dyshimta, siç është rasti me donacionet e disa palëve të cilat ushtrojnë veprimtari të palejuara islamikisht?
PËRGJIGJJA:Po, lejohet pranimi i donacioneve të individëve, kompanive apo qeverive, qofshin muslimane apo jo muslimane, madje edhe nëse mendojmë se këto pasuri janë jo legjitime nga këndvështrimi islam. Nga ky rregull bën përjashtim pasuria që në esencë është e ndaluar, si për shembull: alkooli, derri, etj.
Pranimi i donacioneve të tyre ka statusin e pranimit të dhuratave, sepse donacioni është një lloj dhurate. Këtë e konstatojnë pjesa dërrmuese e juristëve islamë.
Këto donacione, pasi të transferohen në pronësinë tonë, atëherë domosdo duhet t’u nënshtrohen dispozitave të Sheriatit.
Në rast se bisedohet për donacione të jo muslimanëve, ato nuk pranohen në dy raste:
1. Nëse donacioni i tillë shkakton dobësimin e lojalitetit të muslimanit ndaj Islamit dhe ithtarëve të tij.
2. Nëse donacioni është i lidhur me kushte që i dëmtojnë interesat e muslimanëve.
[SEANCA E PESTË]
PYETJA: A lejohet që shoqatat bamirëse t’i shfrytëzojnë përfitimet e llogarive kamatore të individëve dhe bankave, duke pasur parasysh reklamimin që i bëhet bankës së tillë, si dhe a mund të hapin llogari speciale për këto pasuri?
VENDIMI I AKADEMISË:
Muslimanët që jetojnë në Perëndim nuk mund t’i ikin mos hapjes së llogarive-kontove në bankat me kamatë, e dihet se këto llogari tërheqin edhe kamatë-tepricë e cila i bashkëngjitet llogarisë përkatëse. Në këtë rast ata e gjejnë veten para dy mundësive: ose t’ua lënë këto profite bankave, me të cilën gjë dëmtohet interesi i muslimanëve, e madje edhe mund të jenë kontribut për organizatat misionare krishtere, ose këto teprica t’i destinojnë për shërbime publike.
Pasi dispozita këtu nuk i referohet esencës së pasurisë, por mënyrës së fitimit apo harxhimit të saj, atëherë pohojmë se pasuria e ndaluar është e ndaluar për personin i cili e ka fituar në mënyrë jo të lejuar. Pra, kjo pasuri e kamatës është e ndaluar për personin që e ka fituar që ta shfrytëzojë për vete, ndërkaq për të varfrit dhe organizatat humanitare kjo pasuri-kamatë nuk është e ndaluar.
Nisur nga kjo, Akademia nuk e konsideron të ndaluar për organizatën bamirëse që të kërkojë prej pronarëve të këtyre llogarive që t’ia falin tepricat e llogarive të veta, e po ashtu nuk sheh ndonjë dallim në pranimin e këtyre pasurive nga çdo subjekt tjetër, si: kompanitë, bankat etj.
Organizata duhet t’i ikë sa të mundet përmendjes së emrit të bankës donatore në kuptim të reklamimit të saj, sepse në esencë veprimtaria e saj është jo legjitime.
Po ashtu, nuk ka pengesë që të hapet llogari speciale ku do të deponohen këto pasuri-teprica-kamata.
[SEANCA E SHTATË]
Fusnotat:
1 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 1335) dhe Muslimi (nr. 20), prej transmetimit të Ebu Hurejres.
2 Hadithi është i vërtetë, e transmeton Ebu Davudi (nr. 2608, 2609) prej hadithit të Ebu Seid El-Huderiut dhe Ebu Hurejres. Ky hadith përforcohet edhe prej hadithit të Omer ibn Hattabit, të cilin e transmenton Bezzari në Musnedin e tij (nr. 329) me sened të mirë (xhejjid).
3 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 6858) dhe Muslimi (nr. 1337) prej Ebu Hurejres.
|