FETVA PËR KUFOMAT- XHENAZET
FETVAJA (20)
PJESËMARRJA NË KUFOMËN E TË AFËRMIT JOMUSLIMAN
VENDIMI I AKADEMISË:
Islami ka urdhëruar që të respektohen prindërit dhe të jemi bamirës ndaj tyre, madje edhe nëse ata janë jo muslimanë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve...” (El-Isra: 23) Po ashtu, All-llahu i Madhërishëm thotë: “... po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre...” (Llukman: 15) Po ashtu, Islami urdhëron të respektohet edhe farefisi dhe stimuloi për këtë.
Obligimi i mirësisë dhe respektit konfirmohet në rastet solemne dhe në momentet e rënda, e moment më i rëndë është vdekja, e cila i mbledh të afërmit kur vdes ndonjëri prej tyre. Njeriu për nga vet natyra e tij ka nevojë t’i shprehë ndjenjat e veta ndaj të vdekurit që e ka të afërm dhe me të cilin e lidhë farefisnia. Nisur nga kjo, në hadithin e saktë të cilin e transmeton Ebu Hurejreja [radijall-llahu anhu], qëndron se i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e vizitoi varrin e nënës së tij, qau dhe tha: “Kërkova leje prej Zotit tim që të kërkoj falje për nënën time, por Ai nuk më lejoi, kërkova leje prej Tij që ta vizitoj varrin e saj, dhe më lejoi. Andaj, vizitoni varret, se ato ua përkujtojnë vdekjen”. Hadithin e transmetojnë Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiju dhe Ibn Maxhe1.
Kësaj i shtohet edhe thirrja e Islamit për respektimin e njeriut deri sa është i gjallë dhe pas vdekjes, qoftë ai besimtar apo jo besimtar. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej të Dërguarit të All-llahut, i cili personit që e lajmëroi për një xhenaze se është xhenaze e një hebreji, pasi i Dërguari i All-llahut ishte ngritur në këmbë në shenjë respekti, i tha: “A nuk është njeri?”2. Atëherë, çka mund të thuhet nëse bëhet fjalë për personin që është prind apo i afërm i yti?
Duke u bazuar në atë që u përmend, themi se muslimanit i lejohet të prezantojë në kufomën e prindërve apo ndonjë të afërmi të tij jo musliman. Nuk ka ndalesë që të prezantojë në ritualet fetare të cilat si zakonisht bëhen për të vdekurit në kisha dhe faltore, por me kusht që mos të merr pjesë në lutjet, ceremonitë dhe çështjet tjera fetare që bëhen me këtë rast. Po ashtu, lejohet që të merr pjesë në varrim dhe le të jetë qëllimi i tij në gjithë këtë respekti ndaj të afërmve, ndarja e dhimbjes me familjen, forcimi i lidhjeve me të afërmit, si dhe largimi nga ftohja e marrëdhënieve në rast të mos prezencës në ndodhi të këtilla.
[VENDIMI 4/6]
FETVAJA (21)
VARROSJA E MUSLIMANIT NË VARRET E JO MUSLIMANËVE
VENDIMI I AKADEMISË:
Në të drejtën islame ekzistojnë dispozita përkitazi me muslimanin kur ndërron jetë, siç janë: larja e xhenazes, mbështjellja me qefin, falja e xhenazes, e po ashtu edhe varrosja e tij në varre të muslimanëve. Kjo, ngase muslimanët kanë metodë të veçantë në varrim dhe formën e varrit nga aspekti i modestisë, drejtimit kah kibla dhe mos përngjasimi me idhujtarët, kryelartit dhe të ngjashmit.
Është e njohur se pjesëtarët e çdo feje i posedojnë varret e tyre personale. Kështu, hebrenjtë i kanë varret e tyre, krishterët i kanë varret e tyre, e po ashtu edhe idhujtarët kanë varre personale. Prandaj, nuk ka asgjë të pazakonshme që edhe muslimanët t’i kenë varret e tyre të veçanta. Muslimanët që jetojnë në vendet jo islame duhet të angazhohen bashkërisht që të kenë varre të tyre personale, nëse për këtë ka mundësi, sepse kjo e forcon ekzistencën e tyre dhe e mbron personalitetin e tyre.
Por, nëse nuk mund të formojnë varre të tyre të veçanta, atëherë nuk duhet të tërhiqen nga minimumi që së paku të caktojnë një vend special në ndonjë skaj të varreve jo muslimane ku do t’i varrosin të vdekurit e tyre.
Mirëpo, nëse nuk mund ta bëjnë as këtë dhe vdes ndonjë musliman, atëherë do të varroset ku të mundet, madje edhe në varret e jo muslimanëve, sepse All-llahu i Madhërishëm nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të veta. Po ashtu, muslimani duhet ta dijë se nuk e dëmton gjë nëse vdes në këtë gjendje dhe varroset në varre të jo muslimanëve, sepse muslimanit në botën tjetër i bën dobi veprimtaria dhe punët e tij të mira, e jo vendi i varrimit të tij: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.” (En-Nexhm: 39) Selman El-Farisiju - All-llahu qoftë i kënaqur me të - thotë: “Toka nuk e shenjtëron askënd, por njeriun e shenjtëron puna e tij”3.
Parimisht, në të drejtën islame, i vdekuri varroset në vendin ku vdes, gjë që është edhe më lehtë se angazhimi i disa muslimanëve për transferimin e të vdekurve në vendet islame (vendlindjet e tyre, sh.p.). Kjo u sjell vështirësi dhe ua harxhon pasurinë.
Nëse ekzistojnë varre të muslimanëve, familjarët e të vdekurit nuk kanë arsye ta varrosin në varre të jo muslimanëve. Kjo, ngase vizita e varrezave në esencë është legjitimuar për interes të vizituesit që të jetë kjo këshillë dhe mësim. I Dërguari i All-llahut thotë: “Unë u pata ndaluar nga vizita e varrezave, e tash vizitoni, se kjo ua sensibilizon zemrat, i loton sytë dhe ua përkujton botën tjetër”4.
Ndërkaq, për sa i përket të vdekurit, muslimani mund të lutet për të dhe të kërkojë falje, ndërsa shpërblimi i arrin me ndihmën e All-llahut të Madhërishëm kudo që të jetë lutësi5.
[VENDIMI 5/6]
Fusnotat:
Në Musnedin e imam Ahmedit është nën nr. 9688, te Muslimi është me nr. 976, te Ebu Davudi me nr. 3234, te Nesaiu me nr. 2034 dhe te Ibn Maxhe me nr. 1572.
Te Buhariu gjendet nën numrin 1250 dhe te Muslimi nën numrin 961. Këtë hadith e përcjellin prej transmetimit të Kajs ibn Sa‘dit dhe Sehl ibn Hunejfit.
Transmetimin e përcjell Maliku në veprën El-Muvetta (nr. 2232).
Hadithi është i gradës hasen-i mirë, e transmeton Ahmedi (nr. 13487) dhe Hakimi në Mustedrek, vëll. I, fq. 376, përmes dy rrugëve, të dyja prej Enesit.
Me këtë vendim nuk u pajtua anëtari i akademisë Dr. Muhamed Fuad El-Berazi, i cili tha: “Në rast se nuk ka varre Islame, trashëgimtarët e tij mund ta transferojnë kufomën në vendlindje nëse kanë mundësi, e nëse jo, atëherë lejohet të varroset në pjesën e veçantë për muslimanët në varret krishtere”.
|