fetva
Akademia 2

FETVA MBI USHQIMET

FETVAJA (28)

PYETJA: U vërtetuam se të gjitha pijet e gazuara, si për shembull Coca Cola, përmbajnë një sasi alkooli, konform asaj që është publikuar në periodiket shkencore në Amerikë. Ligjet e shërbimeve ushqimore në Amerikë theksojnë se çdo pije e cila përmban alkool nën gjysmë për qind nuk konsiderohet prej pijeve alkoolike. Po ashtu, edhe fabrikat të cilat i pro­dhoj­në këto pije nuk janë të obliguara t’i regjistrojnë elemen­tet që janë në sasi të vogël në ambalazhin e pijes. Andaj, a është e lejuar për muslimanin që t’i pijë këto pije nëse konstatohet ekzistimi i kësaj sasie të vogël alkooli në përmbajtjen e tyre?

PËRGJIGJJA E AKADEMISË:
Sasia e përmendur, edhe nëse ekziston, nuk ndikon që pija apo haja të bëhet e ndaluar, por mbetet e lejuar konform kuptimit të hadithit: “Ajo që të deh në masë të madhe, edhe sasia e vogël e saj është e ndaluar”. Hadithi është i saktë, kurse atë e transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu prej Xhabir ibn Abdullahut, Nesaiu dhe Ibn Maxhe prej Abdullah ibn Amrit1, ndërsa domethënia e hadithit është: “Ajo që nuk të deh në masë të madhe, është e lejuar”, ndërkaq këto pije, pa marrë parasysh sa të pijë njeriu, nuk të dehin, andaj edhe nuk ka nevojë të regjistrohen në përmbajtjen e pijes apo hajes, sepse mos tregimi i tyre nuk ka ndikim.

[SEANCA  E PESTË]

FETVAJA (29)

NGRËNIA E MISHIT TË BAGËTIVE DHE PULAVE QË SHITEN NË TREGJET DHE RESTORANET EVROPIANE

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia e diskutoi gjerë e gjatë këtë çështje të rëndësish­me, e cila ka shkaktuar shumë divergjenca dhe polemika rreth lejueshmërisë së tyre. Akademia përfundoi në domos­doshmërinë e muslimanëve që t’iu përmbahen kushteve të therjes që i ka miratuar Sheriati Islam, me qëllim që të zbatohet urdhri i All-llahut, të mbrohet identiteti i tyre fetar nga rreziqet e ndryshme që iu ekspozohet, si dhe ta mbrojnë veten nga haja e ndaluar.
Pas prezantimit të mënyrave të therjes dhe mangësive që përmbajnë shumë prej tyre në aspektin islam, e që shkak­toj­në vdekjen e shumë kafshëve, në veçanti të pulave, Akade­mia miratoi mos lejimin e ngrënies së mishit të pulave dhe lopëve, për dallim prej dhenve dhe viçave të vegjël, sepse mënyra e therjes së tyre në disa vende nuk bie ndesh me kushtet islame të therjes.
Andaj Akademia rekomandon që muslimanët në Perëndim të hapin thertore private, ashtu që të jenë të sigurt në këtë drejtim dhe ta mbrojnë personalitetin e tyre fetar dhe kulturor.
Akademia i thërret shtetet perëndimore që t’i njohin veçori­të fetare të muslimanëve, e në këtë kontekst është edhe mundësia për të therur kafshë sipas rregullave islame, gjë që ua kanë mundësuar komuniteteve tjera fetare, si për shembull hebrenjve.
Po ashtu, Akademia i thërret vendet islame që ta importojnë mishin e lejuar-hallall, i cili i nënshtrohet kontrollit fetar nga ana e Qendrave autoritative islame në Perëndim.

[SEANCA E TRETË]

FETVAJA (30)

PËRDORIMI I UTHULLËS QË BËHET PREJ VERËS

VENDIMI I AKADEMISË:

Kur vera të fermentohet, gjegjësisht kur shndërrohet në uthull nga vetvetiu, ajo është e lejuar dhe e pastër me kon­cen­zusin e dijetarëve-ixhma. Ndërkaq, nëse kjo është reali­zuar përmes përpunimit dhe intervenimit të njeriut, si për shembull përmes futjes së kripës, bukës, qepës, uthullës apo një elementi të caktuar kimik, për këtë juristët islamë kanë qëndrime të ndryshme. Disa prej tyre kanë thënë: “Ajo pastrohet dhe lejohet të përdoret për shkak të ndryshimit të esencës së saj dhe eliminimit të cilësisë prishëse në të”, kurse disa tjerë thonë: “Nuk pastrohet dhe nuk lejohet të shfrytëzohet, sepse ne jemi urdhëruar t’i largohemi, ndërkaq me lejimin e saj bëhet afrimi kah ajo, andaj edhe nuk lejohet”.
Akademia, pasi i shqyrtoi argumentet e të dy palëve, për­fun­doi në miratimin e mendimit të parë, gjegjësisht pastërti­në e uthullës dhe lejimin e përdorimit të saj. Kjo ngase fer­mentimi e eliminon cilësinë negative, kurse ajo është dehja, e me këtë konfirmohet cilësia e validitetit të saj, sepse në të ka dobi të ushqimit, shërimit etj. Po ashtu, shkaku i papas­tër­tisë dhe jo lejueshmërisë është dehja e cila është elimi­nuar, ndërkaq dispozita juridike varet nga shkaku -  nëse ekziston shkaku që e ndalon, sendi përkatës është i ndaluar, e nëse jo, atëherë nuk është i ndaluar. Kjo është mbështetur me thënien e të Dërguarit të All-llahut: “Ushqim i mirë është uthulla”2, pa mos bërë dallim në mes llojeve të uthulltave, e as që ka kërkuar prej nesh që të gjurmojmë se çfarë ka qenë në esencë.
Transmetimet që e kanë ndaluar uthullën e fermentuar, e kanë bërë këtë për t’i larguar muslimanët në fillim, ashtu që mos të tregohen neglizhent.

[VENDIMI 7/4]

Fusnotat:

1 Hadithi te Ebu Davudi është nën nr. 3681, te Tirmidhiu nën nr. 1865, te Ibn Maxhe nën nr. 3393 prej hadithit të Xhabirit, te Nesaiu nën nr. 5607 dhe te Ibn Maxhe nën nr. 3394 prej hadithit të Abdullah ibn Amrit.
2 Hadithin e transmetojnë Muslimi (nr. 2051), Tirmidhiu (nr. 1840), Ibn Maxhe (nr. 3316) prej hadithit të Aishes. Po ashtu e transmetojnë Muslimi (nr. 2052), Ebu Davudi (nr. 3821), Tirmidhiu (nr. 1842), Nesaiu (nr. 3796) dhe Ibn Maxhe (nr. 3317) prej hadithit të Xhabir ibn Abdullahut