FETVA NË FUSHËN E
THIRRJES
VENDIMI I AKADEMISË:
Shumë vetë e përdorin shprehjen “afrimi mes feve”, mirëpo më e drejtë është që të përdoren nocione tjera, si: dialog, pjesëmarrje, bashkëpunim. Nisur nga kjo, Akademia thekson se, nëse me këtë synohet eliminimi i dallimeve mes tyre, me qëllim që të takohen në një pikë mesatare ku do të bashkohet tevhidi - Njëshmëria e All-llahut me trinitetin, mospërgjasimi i Zotit me gjërat tjera dhe personifikimi i Tij me krijesat, kjo është e papranueshme për fenë e përkryer islame. All-llahu i Madhërishëm thotë: “(Ta zbritëm) Që edhe ti të gjykosh me atë që të zbriti All-llahu, e mos ndiq dëshirat e tyre dhe ruaju rrezikut të tyre që të mos të shmangin nga një pjesë e asaj që ta zbriti All-llahu...” (El-Maide: 49)
Duhet pasur parasysh se dialogu, pjesëmarrja dhe bashkë¬punimi mes Shpalljes islame dhe shpalljeve tjera qiellore kanë kuptime të pranueshme konform urdhrit të All-llahut në ajetin kur’anor: “... dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira...” (En-Nahl: 125), si dhe ajetin: “Thuaju (o i Dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër pos All-llahut!” (Ali Imran: 64)
Po ashtu, këto kuptime janë kompatibile me praktikën e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili ka dialoguar me krishterët e Nexhranit1 dhe të tjerë duke u nisur nga bazat e Islamit në unitetin e Krijuesit dhe profetësive, e po ashtu duke u nisur nga parimi njerëzor, universaliteti i Shpalljes dhe obligimi i thirrjes në fenë e All-llahut përmes dialogut, me atë që është më e mirë, larg të gjitha formave të imponimit, dhunës dhe provokimit të ndjenjave të atij që i takon fesë tjetër. Kjo, ngase edhe pse Shpallja islame dhe shpalljet tjera qiellore dallojnë në çështje të njohura parësore dhe sekondare, ato janë të përbashkëta në çështje tjera të rëndësishme, si për shembull: besimi i përgjithshëm në All-llahun, profetësitë, ditën e fundit, bazat e moralit, parimet e ndërtimit shoqëror, si familja, mbrojtja e ambientit, të drejtat e njeriut, popujve të shtypur, përballimi i tiranëve dhe plëngprishësve në të gjitha qarqet, lokale dhe ndërkombëtare, nxitjes së shpirtit të tolerancës, braktisjen e fanatizmit, luftërave shfarosëse dhe armiqësisë.
Kuptimet e këtilla të afrimit me njerëzit e feve tjera i konfirmon acarimi i shtrëngatave të filozofisë materialiste, nihiliste, ateizmit, shpërbërjes së lidhjeve shoqërore nën ombrellën e revolucionit të komunikimit, të cilat botën e shndërruan në fshat të vogël, e cila mund edhe të jetë e përbashkët në të ardhmen e tyre, gjë që i forcon përpjekjet e dialogut dhe bashkëpunimit me pjesëtarët e feve tjera, e në veçanti me ithtarët e librit, me qëllim që të shpalohen gjërat e përbashkëta dhe të mbrohen, në vend që të ngacmohet vazhdimisht plaga e polemizimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)...” (El-Huxhurat:13)
I Dërguari i All-llahut pohoi se të gjithë robërit e All-llahut janë vëllezër2. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi.” (El-Maide: 2)
[VENDIMI 1/ 4]
VENDIMI I AKADEMISË:
Akademia e ka theksuar pozitën e lartë të gruas në Islam, sepse e bëri atë të barabartë me burrin në njerëzi dhe në bartjen e besës së All-llahut, në kompletimin mes të drejtave dhe obligimeve: “... edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi...”. (El-Bekare: 228) Kurse nuk ka dyshim se femra, si në të kaluarën po ashtu edhe sot, u është ekspozuar padrejtësive të natyrave të ndryshme, por drejtësinë asaj ia ktheu vetëm Islami.
Për sa i përket pjesëmarrjes së femrave në veprimtarinë publike, Akademia pohon se femra ka të drejtë, e që disa herë mund të ngrihet në shkallën e obligimit, që të themelojë apo të merr pjesë në ngritjen dhe menaxhimin e qendrave islame dhe shoqatave humanitare. Ajo me këtë do të kontribuojë në thirrjen e muslimanëve dhe të tjerëve, do t’u bëjë atyre shërbime, e në veçanti gjinisë së vet. Po ashtu, ajo duhet të participojë në veprimet e organizuara për pasurimin e jetës fetare dhe ka të drejtë të participojë në veprimtarinë politike, qoftë si zgjedhëse apo për të paraqitur kandidaturë.
Mirëpo, të gjitha këto është kusht që të jenë kompatibile me parimet e Sheriatit të lartësuar islam dhe rregullat e tij në të gjitha rastet.
[VENDIMI 5 / 5]
Fusnotat:
1 Rrëfimi i të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], me krishterët e Nexhranit është e njohur në librat e tefsirit dhe jetëshkrimit profetik. Transmetimi i këtij rrëfimi përcillet prej Abdullah ibn Abbasit në tefsirin e Ibn Xheririt, vëll. III, fq. 305, në veprën e Bejhekiut Delailun-nubuvve, vëll. V, fq. 384. Po ashtu transmetohet prej hadithit të Kurz ibn A’lkames në përmbledhjen e haditheve të Taberaniut El-Muëxhemu-l-euset, nr. 3918, në veprën e Bejhekiut Delailun-nubuvve, vëll. V, fq. 382, dhe prej hadithit të Xhabir ibn Abdullahut në veprën e Hakimit El-Mustedrek, vëll. II, fq. 593.
Të gjitha këto transmetime bashkërisht e konfirmojnë autenticitetin e këtij rrëfimi. Baza e këtij rrëfimi gjendet në Sahihu-l-Buhari, nr. 4119 prej hadithit të Ibn Mes’udit në formë të shkurtuar.
2 Sinjalizohet në hadithin e Zejd ibn Erkamit, i cili thotë: I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], pas çdo namazi thoshte: “O All-llah, Ti je Zoti ynë dhe Zot i çdo gjëje. Unë dëshmoj se Ti je Zot, i Vetëm, nuk ke shok...”. Në këtë hadith përmendet: “Unë dëshmoj se të gjithë robët janë vëllezër”. Hadithin e përmend Ahmedi (nr. 19293), Ebu Davudi (nr. 1508), por isnadi (zinxhiri i transmentuesve) është i dobët. Mirëpo, vëllazëria njerëzore është konfirmuar nga Kur’ani në shumë ajete që flasin për pejgamberët me popujt e tyre.
|