fetva
Akademia 2

FETVA PËR NAMAZIN

FETVAJA (3)

PYETJA: Para disa viteve një grup njerëzish morën me qira një sallë për faljen e namazit dhe zhvillimin e aktiviteteve arsimore për shërbimet e komunitetit musliman në atë qytet. Menjëherë pastaj u bë caktimi i drejtimit të kibles përmes disa busullave dhe diku afër dy javë u fal namazi në këtë drejtim. Mirëpo, kahja në të cilën treguan busullat nuk ishte paralele me murin e faltores-sallës. Imami i atij xhemati u tha se mund të ndërrohet kahja, apo është mirë të ndërrohet kahja, ashtu që të jetë paralel me murin e gjatë të sallës. Me këtë largimi nga kahja e definuar do të jetë 30 gradë apo diç më tepër.

1. Drejtimi origjinal sipas busullës
2. Drejtimi i adaptuar sipas murit  

Busolla

Ata u bazuan në argumentet vijuese:
1. Ajetin kur’anor:
“Të All-llahut janë edhe (anët nga) Lindja dhe Perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, aty është ana e All-llahut...” (El-Bekare: 115)
2. Hadithin e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të përcjellur prej Ebu Hurejres [radijall-llahu anhu]: “Në mes Lindjes dhe Perëndimit ka një drejtim kible”.
3. Domosdoshmëria e nxënies së safit-rradhit të parë numër sa ma të madh personash.
Njëmend, ata e ndërruan kahjen dhe vijat e safave-radhëve u shënuan që të jenë paralel me murin. Kështu janë të shënuar sot e kësaj dite. Sa herë që kundërshton ndonjë person këtë dhe potencon domosdoshmërinë e kthimit kah drejtimi që duhet, ata e refuzojnë fjalën e tij me atë se për qëndrimin e tyre ka vendim-fetva. Po ashtu, sipas tyre, nxitja e kësaj problematike para namazxhinjëve të rinj të cilët nuk kanë njohuri, është pretendim për përçarje.
Si e sheh Sheriati këtë çështje dhe çfarë duhet të bëjmë ne?

PËRGJIGJJA:
Drejtimi kah kibla (Qabja) në namaz është prej farzeve të namazit me koncenzus të shkollave juridike.
Bazë për këtë është ajeti kur’anor: “Dhe ngado që të dalësh, ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë (Qabja) dhe kudo që të gjendeni, ktheni fytyrat tuaja kah ana e saj...” (El-Bekare: 115)
Që në kohërat e lashta muslimanët i kanë kushtuar kujdes drejtimit të kibles. Për këtë qëllim ata vunë shenja, kurse në kohën tonë zbuluan busulla dhe orë të cilat i mban njeriu në dorë dhe me to e cakton drejtimin e kibles, kudo që të gjendet në botë.
Nëse ka mundësi muslimani ta përcaktojë drejtimin e kibles në  mënyrë precize, ai nuk lejohet që ta ndërrojë këtë kahe me qëllim dhe pa ndonjë shkak, e posaçërisht në xhami, sepse kibla në xhami mbetet e tillë. Andaj muslimanët janë shumë të kujdesshëm në precizimin e kibles, ashtu që mos të bëjnë gabim që do të shkaktonte humbjen e drejtimit të kibles për xhematin e xhamisë.
Muslimanët të cilët për faljen e namazit adaptojnë dhoma apo salla në zyrat qeveritare, apo nëpër aeroporte, shkolla etj, e të cilat në bazë nuk janë ndërtuar si xhami dhe nuk janë të drejtuara kah kibla, vizatojnë vija apo vendosin shenja të cilat e caktojnë saktë drejtimin e kibles, edhe nëse nuk janë paralele me murin ekzistues. Kështu, kemi vërejtur se vëllezërit tanë në Amerikë dhe Evropë, kur blejnë ndonjë kishë apo objekt tjetër, safët-radhët i rregullojnë të jenë në drejtim të kibles dhe i shënojnë në dysheme.
Nga kjo edhe ne habitemi se si kanë mundur vëllezërit në këtë xhami të miratojnë largimin nga drejtimi i kibles për 30 shkallë për çdo herë, edhe atë jo për një person dhe jo për një namaz, por për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha namazet.
Argumentet në të cilat u bazuan personat në fjalë janë të pabaza dhe të papranueshme.
Kështu, ajeti: “Të All-llahut janë edhe (anët nga) Lindja dhe Perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, aty është ana e All-llahut...”(El-Bekare: 115) , zbriti pas hixhretit-shpërnguljes në Medine, si ngushëllim për të Dërguarin e All-llahut dhe shokët e tij të cilët u dëbuan prej Mekës dhe e lanë xhaminë dhe faltoren e tyre, siç thekson Ibn Kethiri në tefsirin e tij (komentin e Kur’anit).
Ndërkaq disa të tjerë thonë: “All-llahu i Madhërishëm këtë ajet e ka zbritur para se të obligohet drejtimi kah kibla, e pas­taj këtë e derogoi urdhri i përsëritur disa herë në të njëjtën kaptinë për t’u kthyer kah kibla-mesxhidi haram”.
Disa thanë: “Ky ajet ka zbritur si lejim nga ana e All-llahut për atë që falë namaz vullnetar në udhëtim, që të falet në mjetin e udhëtimit i cili drejtohet në Lindje dhe Perëndim. Po ashtu ky ajet vlen edhe për namazin në luftën e drejt­përdrejtë dhe në rast frike të madhe”.
Kurse disa kanë thënë: “Ky ajet ka zbritur për personin të cilit i është ngatërruar kibla, siç është rasti me udhëtarin që udhëton në kohë të vrenjtur dhe nuk gjen shenja e argu­men­te për t’u drejtuar kah kibla, por falet kah ia merr mendja, e që ka qenë edhe praktikë e shokëve të Dërguarit të All-llahut në disa raste. Njerëzve të këtillë u thuhet: “… dhe ngado që të ktheheni, aty është ana e All-llahut...”
Hadithi “Në mes Lindjes e Perëndimit ka një drejtim kible”, edhe nëse është i vërtetë1, vjen në konsideratë kur njeriu është në shkretëtirë apo në ndonjë vend ku nuk dihet saktë drejtimi i kibles. Hadithi është përmendur për banorët e Medines dhe ata që janë në anën e tyre, drejtimi i kibles për të cilët është në Jug, ndërkaq për banorët e Jemenit drejtimi i kibles është në Veri.
Po ashtu, duhet pasur parasysh se hadithi nuk ka ardhur përmes rrugëve autentike që nuk u nënshtrohen kritikave. Ata të cilët e kanë vlerësuar të saktë, këtë e kanë bërë në bazë të rrugëve të shumta, edhe pse çdo njëra prej këtyre rrugëve në vete nuk mund të jetë argument.
Për sa i përket të argumentuarit me atë se safi-radha e parë duhet për të zënë numër sa më të madh të namazxhinjëve, duhet theksuar se këtë nuk e ka përmendur askush si argu­ment, sepse nuk është e thënë që një saf të zë numër sa më të madh, por ndoshta me këtë është aluduar në atë që xhamitë të jenë të gjëra e jo të gjata. Mirëpo, kjo vjen në shprehje kur ndërtojmë xhami, ndërsa në rastet kur e adop­tojmë ndonjë vend për xhami, atëherë duhet të veprojmë konform kush­teve ekzistuese.
Ne nuk kemi njohuri që ndonjë jurist islam ta ketë lejuar largimin nga kibla me qëllim në rastet kur është ditur drej­timi i saj, edhe atë në të gjitha namazet dhe përgjith­mo­në. Po, kjo mund të jetë e lejuar për disa individë, në disa raste dhe për disa arsye, e në veçanti nëse largimi është i vogël.
Por, kjo të jetë në xhami e të miratohet kibleja në të gabimisht, me qëllim dhe pa arsye, assesi nuk është e lejuar. Kur falemi pas imamëve të ditur, ata çdo herë u thonë atyre që i kanë pas: kibleja është pak në të djathtë, apo pak në të majtë, ashtu që të zbatohet ky farz-obligim i cili është prej kushteve-sharteve të namazit.
Nisur nga kjo, vëllezërit të cilët falen në këtë xhami duhet të largohen nga ky gabim, të kërkojnë falje prej All-llahut dhe mos ta vazhdojnë këtë praktikë edhe pas kësaj përgjigje, e nëse ata vazhdojnë në këtë gabim, atëherë namazi i tyre nuk është valid.
All-llahu e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të mbarë.

[SEANCA E TRETË]

FETVAJA (4)

PYETJA: Qëndrimi i Sheriatit përkitazi me bashkimin e namazit të akshamit me të jacisë për shkak të vonimit të kohës së jacisë apo mos ekzistimit të treguesve ligjor të kohës së tij në disa vende?

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia arriti në përfundim se bashkimi i këtyre dy namazeve lejohet të bëhet në Evropë në kohën e verës, kur koha e jacisë vonohet deri në mesnatë apo humben shenjat e kohës së saj në tërësi. Me këtë do të anashkaloheshin vështirësitë e ngritura nga popullata me tekst kur’anor. Ky përfundim mbështetet në hadithin e Ibn Abbasit në Sahihu Muslim, se i Dërguari i All-llahut e ka bashkuar drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë, jo për shkak të frikës, e as për shkak të shiut. I është thënë Ibn Abbasit: “Atëherë, ç’deshi të thotë me këtë?” Ai tha: “Deshi të mos i shkaktojë vështirësi popullit të vet”2. Po ashtu, në këto vende, në kohën e dimrit, lejohet të bashkohet dreka me ikindinë për shkak se dita është e shkurtër dhe është rëndë për punëtorët që ta falin çdo namaz në kohën e vet në vendin e punës. Mirëpo, Akademia ua tërheq vërejtjen muslimanëve që mos ta praktikojnë bashkimin e namazeve pa nevojë dhe mos ta bëjnë shprehi këtë.

[SEANCA E TRETË]

Fusnotat:

1 Hadithin e transmeton Ibn Ebu Shejbe, vëll. II, fq. 362, Tirmidhiu, nr. 342-344, Ibn Maxhe, nr. 1011, Taberaniu në Muëxhemu-l-euset, nr. 794, 2945, 9136, prej hadithit të Ebu Hurejres. Hadithin e konsideron të saktë-sahih Tirmidhiu. Po ashtu e transmeton Darekutniu, vëll. I, fq. 270, Hakimi, vëll. I, fq. 205, Bejhekiu, vëll. II, fq. 9, prej hadithit të Ibn Omerit. Hadithin e konsideron të saktë Hakimi, mirëpo Darekutniu në veprën e tij El-I‘lel, vëll. II, fq. 31-32, e përmirësoi vlerësimin e tij me atë se hadithi është fjalë sahabiu e jo e të Dërguarit të All-llahut.
2 Sahihu Muslim, kitabu salatu-l-musafirin ve kasruha, babu: el-xhem‘u bejne es-salatejni fi-l-hadar, vëll. I, fq. 490-491, nr. 705.