|
KOMPROMISI PËR KUDSIN (JERUSALEMIN) ËSHTË TRATHTI NDAJ ALL-LLAHUT, TË DËRGUARIT TË TIJ DHE BESIMTARËVE
VENDIMI I AKADEMISË:
Askush nuk ka të drejtë të falë ndonjë copë prej tokës islame. Toka islame nuk është e drejtë e ndonjë kryetari, princi, ministri apo grupi njerëzish, që të mund ata të heqin dorë prej saj, pa marrë parasysh se për çfarë trysnie dhe rrethanash bëhet fjalë. Individët dhe grupimet e ndryshme e kanë për obligim të mundohen që me të gjitha metodat ta luftojnë okupatorin, ta çlirojnë Kudsin e ndershëm dhe ta kthejnë atë në gjirin islam.
Nëse një gjeneratë e muslimanëve është e paaftë dhe e pafuqishme, ajo nuk guxon që këtë paaftësi dhe pamundësi t’ua imponojë gjithë gjeneratave të ardhshme të muslimanëve deri në Ditën e Gjykimit, ashtu që të heqë dorë nga diçka që nuk guxon ta lëshojë.
Nisur nga kjo, Akademia konstaton se është e ndaluar që t’u shiten tokat në Kuds apo në vende tjera të Palestinës armiqve, apo të dëbuarit refugjatë të pranojnë kompensime për tokat e veta, sepse tokat islame nuk pranojnë të shiten apo të falen në asnjë mënyrë, e kush e bën këtë e ka tradhtuar All-llahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët.
Nëse kjo dispozitë vlen për çdo tokë islame, atëherë çka mund të thuhet për tokën e Kudusi Sherifit, kibles së parë, vendit të Mesxhidi Aksasë, qytetit të tretë madhështor në Islam pas Mekës dhe Medines, tokës në të cilën përfundoi udhëtimi i natës i të Dërguarit të All-llahut -Israja dhe filloi Miraxhi (ngjitja në sferat e larta qiellore). Mjafton ky ajet kur’anor për t’u treguar vlera e këtij vendi: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).” (El-Isra: 1)
Për këtë, Kudsi ka vend të lartë në zemrën e çdo muslimani, në Lindje e Perëndim. E prekë thellë në zemër, dashuria dhe kujdesi ndaj tij, xhelozia për shenjtërinë e tij thellë janë të zhytura në shpirtin e tij. Për shkak të Kudsit, çështja palestineze është çështja më prioritare e muslimanëve, ajo i rrëqeth, atë e mbrojnë, për të luftojnë dhe rezistojnë dhe nuk kursejnë asgjë për të.
Kudusi nuk është vetëm i palestinezëve, por ai u takon gjithë muslimanëve, qofshin arabë apo jo arabë. Po ashtu, ajo është çështje që e tangon çdo arab, qoftë musliman apo krishter.
Palestinezët nuk kanë të drejtë që vetë të vendosin për çështjen e Kudsit dhe t’i bllokojnë muslimanët në gjithë botën, por kjo kërkon prej muslimanëve, kudo që të jenë, që t’i kryejnë obligimet e tyre dhe të bëjnë çmos për ta mbrojtur Kudsin dhe xhaminë e tij - Mesxhidi Aksanë. Kjo është obligim për të gjithë. Ata duhet ta marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e tij me veten e tyre, pasurinë dhe çdo gjë që posedojnë, sepse përndryshe do ta meritojnë ndëshkimin e All-llahut: “O ju që besuat, ç’është me ju, që kur u thuhet: “Dilni në (luftë) rrugën e All-llahut”, ju u rënduat në vend (si të ishit të gozhduar). A mos ishit më të kënaqur me jetën e kësaj bote, se sa me atë të ardhmen? Përjetimi i jetës së kësaj bote, ndaj asaj të ardhmes, nuk është asgjë. Nëse nuk dilni (në luftë), Ai ju dënon me një dënim të rëndë, ju zëvendëson me një popull tjetër, dhe Atij nuk i bëhet farë dëmi. All-llahu është i gjithëfuqishëm për çdo gjë.” (Et-Tevbe, 38-39)
Kur e okupuan kryqtarët Kudsin në të kaluarën, ata që punuan për çlirimin e tij ishin muslimanë jo arabë, si turku Imadudin Zenki dhe djali i tij Nuruddin Mahmud Esh-Shehid, nxënësi i tij kurd Salahuddin Ejubbi, të cilit ia mundësoi All-llahu ta çlirojë Kudsin.
Muslimanët në gjithë botën vazhdojnë të tregojnë gatishmëri që të sakrifikojnë çdo gjë për ta çliruar Kudsin. Këtë e vëren çdo kush te popujt islamë, duke filluar në Lindje prej Filipine dhe Indonezie, e deri në Mauritani në Perëndim të botës arabe, edhe pse kjo për fat të keq nuk reflektohet në formë të fuqishme dhe të qartë te disa pushtetarë muslimanë.
Kudsi është një pjesë e shtrenjtë e botës islame, tokës islame dhe atdheut islam. Muslimanët aty jetojnë qe katërmbëdhjetë shekuj, e nuk e kanë marrë atë prej hebrenjve, sepse ekzistimi hebre aty ka mbaruar qysh para qindra vitesh. Hebrenjtë nuk kanë pasur më gjatë shtet në Palestinë, por vetëm se disa qindra vjet, ndërkaq arabët e fisit jebusit dhe tjerë aty kanë qenë qysh para mijëra vitesh.
Omerit [radijall-llahu anhu] iu dorëzua Kudsi nga ana e patriarkut të krishterë Sofronius, i cili ia vuri kusht Omerit [radijall-llahu anhu] që aty të mos lejë të banojnë hebrenj.
Sovraniteti i Kudsit duhet të jetë islam, arab-palestinez, e kjo nuk e privon të krishterin, sikur që nuk e privon as hebrejin, që t’i kryejnë aty të lirë ceremonitë e tyre fetare.
“All-llahu është mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve).” (Jusuf, 21)
[VENDIMI 1/6]
BARTJA E ORGANEVE TË NJERIUT TE NJË NJERI TJETËR
VENDIMI I AKADEMISË:
A. Akademia e konfirmon vendimin e Akademisë së Fikhut Islam në Mekë (pranë Ligës së Botës Islame) dhe vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në Xhedë (e formuar nga Organizata e Konferencës Islamike) nr. 26 (1/4) përkitazi me shfrytëzimin e organeve të trupit të një njeriu tjetër, qoftë i gjallë apo i vdekur. Aty thuhet:
DEFINIMI DHE NDARJA:
I. Me termin “organ” këtu aludohet në çdo pjesë nga njeriu, si: indet, qelizat, gjaku dhe të ngjashme, pa marrë parasysh a është ajo e ngjitur për trupin e njeriut apo e ndarë prej tij.
II. Me “shfrytëzim” këtu është për qëllim shfrytëzimi që e imponon domosdoshmëria e personit përkatës për të mbetur në jetë, apo që të ruhet një funksion themelor i trupit, si të pamurit e të ngjashme, por me kusht që personi i cili e shfrytëzon atë të gëzojë jetesë të respektuar fetarisht.
III. Format e këtij shfrytëzimi ndahen në grupet vijuese:
1. Transferimi i organit prej të gjallit.
2. Transferimi i organit prej të vdekurit.
3. Transferimi prej foshnjave.
FORMA E PARË: Transferimi i organit prej njeriut të gjallë i përfshin rastet vijuese:
a) Transferimi i organit prej një vendi të trupit në një vend tjetër të të njëjtit trup, siç është rasti me transferimin e lëkurës, kërcës, eshtrave, gjakut etj.
b) Transferimi i organit prej trupit të një njeriu të gjallë në trupin e një njeriu tjetër. Në këtë rast organi është dy llojesh: organ nga i cili varet jeta dhe organ nga i cili nuk varet jeta.
Për sa i përket organit nga i cili varet jeta, ai mund të jetë i njëfishtë, e mund të jetë jo i njëfishtë. Organ i njëfishtë janë për shembull zemra dhe mushkëritë, ndërkaq organ jo i njëfishtë janë për shembull veshkët.
Për sa u përket organeve nga të cilët nuk varet jeta, disa prej tyre kryejnë funksion esencial në trup, e disa tjerë nuk e kanë këtë funksion. Po ashtu, disa prej tyre përtërihen automatikisht, si për shembull gjaku, e disa prej tyre nuk përtërihen. Pastaj, disa prej tyre kanë ndikim në gjenezë, gjene dhe personalitetin e përgjithshëm, si për shembull testitet, vezorja, qelizat e sistemit nervor, kurse disa prej tyre nuk kanë ndikim në asgjë nga kjo që përmendëm.
FORMA E DYTË: Transferimi i organit prej të vdekurit.
Këtu duhet pasur parasysh se vdekja përfshinë dy raste:
Rasti i parë: Vdekja e trurit me paralizimin e plotë të të gjitha funksioneve të tij, të cilat nuk mund të riparohen në aspektin medicinal.
Rasti i dytë: Ndalja e plotë e zemrës dhe frymëmarrjes, pa pasur mundësi të kthehen në aspektin medicinal. Për të dy rastet është marrë parasysh vendimi i Akademisë në seancën e tretë.
FORMA E TRETË: Transferimi prej foshnjave.
Shfrytëzimi i organeve të tyre vjen në shprehje në tre raste:
- Foshnjat të cilat dalin vetë.
- Foshnjat të cilat dalin për ndonjë shkak mjekësor apo krim.
- Embrioni i formuar jashtë mitrës.
NGA ASPEKTI I DISPOZITAVE TË SHERIATIT:
SË PARI: Lejohet transferimi i organit të trupit të njeriut në një vend tjetër të trupit të tij, por duke pasur parasysh që të jemi të bindur se dobia e pritur nga ky operacion është më e sigurt se dëmi që mund të vijë nga operacioni i tillë. Kusht për këtë është që operacioni të bëhet për t’u kompensuar një organ i humbur, të riformohet, të riparohet funksioni i tij, të sanohet një e metë apo të eliminohet një shëmtim i cili e dëmton shpirtërisht apo fizikisht njeriun.
SË DYTI: Lejohet të transferohet organi prej trupit të një njeriu në trupin e një njeriu tjetër nëse ky organ përtërihet automatikisht, siç janë gjaku dhe lëkura. Në këtë rast duhet të kihet parasysh që personi që e jep këtë organ të jetë i pjekur dhe t’i ketë të plotësuara edhe kushtet tjera juridike.
SË TRETI: Lejohet të shfrytëzohet një pjesë nga organi i cili është këputur prej trupit për shkak ndonjë sëmundje të ndonjë personi tjetër, siç është rast me marrjen e kornesë së syrit të ndonjë personi në rast të neutralizimit të syrit të tij për shkak të ndonjë sëmundje.
SË KATËRTI: Ndalohet të bëhet transferimi prej një njeriu në njeri tjetër i një organi nga i cili varet jeta, si për shembull zemrës.
SË PESTI: Ndalohet transferimi i organit prej një njeriu të gjallë, nxjerrja e të cilit organ paralizon një funksion esencial në jetën e njeriut, edhe pse nuk varet nga ky organ vet jeta e njeriut, si për shembull transferimi i kornesë së të dy syve. Mirëpo, nëse transferimi i organit përkatës asgjëson një pjesë të funksionit esencial, është lëndë gjurmimi dhe analize që do ta përmendin në pasusin e tetë.
SË GJASHTI: Lejohet të transferohet organi prej një të vdekuri tek i gjalli, nëse nga ky organ varet jeta e tij, apo nga ky organ varet rrjedha e një funksioni esencial në atë organ. Kusht për këtë është që i vdekuri para vdekjes të japë leje, apo të japin leje për këtë trashëgimtarët e tij pas vdekjes, apo me kusht që për këtë të japë pëlqim udhëheqësi i muslimanëve nëse i vdekuri nuk njihet apo nuk ka trashëgimtarë.
SË SHTATI: Duhet pasur kujdes që: Pëlqimi për lejimin e transferimit të organit, në rastet që u cekën, kushtëzohet që mos të bëhet përmes shitjes së organit, sepse njeriu në asnjë rast nuk lejohet t’i nënshtrohet shitjes.
Ndërsa sa i përket dhënies së pasurisë nga ana e shfrytëzuesit, me qëllim që të mund ta marrë organin e duhur në raste jashtëzakonshme, apo nëse këtë e bën si shpërblim dhe nderim, në këtë rast kjo është çështje për t’u diskutuar.
SË TETI: Të gjitha rastet tjera veç atyre që u zunë në gojë, e që janë pjesë përbërëse esenciale e temës boshte, janë lëndë që lypset studiuar dhe shqyrtuar, si dhe duhet të shtrohen për debat në një nga seancat e ardhshme, në dritë të konstatimeve medicinale dhe dispozitave juridike.
Akademia njëkohësisht e konfirmon vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në Xhedë, nr. 57 (6/8), përkitazi me mbjelljen e organeve gjenitale, ku thuhet tekstualisht:
A. Mbjellja e gjëndrave seksuale: Pasi testitet dhe vezorja vazhdojnë t’i mbajnë dhe t’i sekretojnë vetitë gjenetike të personit nga i cili janë mbartur, madje edhe pasi të transferohen te personi tjetër, mbjellja e tyre është haram - e ndaluar.
B. Mbjellja e disa organeve të aparatit gjenital, të cilët nuk transmetojnë veti gjenetike - me përjashtim të pjesëve të rënda të auretit - është e lejuar për ndonjë domosdoshmëri legjitime, konform rregullave dhe standardeve juridike të sqaruara në vendimin nr. 26 (1/4) të kësaj Akademie. All-llahu e di më së miri.
Po ashtu, Akademia e konfirmon vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në Xhedë, nr. 54 (5/6), përkitazi me mbjelljen e qelizave të trurit dhe sistemit nervor, ku thuhet tekstualisht:
I. Nëse burimi i fitimit të indeve është gjëndra suprarenale (mbiveshkore) e vet të sëmurit, e cila karakterizohet me aftësinë e pranimit të imunitetit, ngase qelizat janë prej vetë trupit, andaj edhe nuk ka pengesë fetare.
II. Nëse burim është marrja e tyre nga foshnja e ndonjë kafshe, nuk ka pengesë për këtë metodë nëse mund të jetë e suksesshme dhe nuk shkakton vërejtje fetare. Mjekët kanë theksuar se kjo metodë ka qenë e suksesshme në mes familjeve të ndryshme të kafshëve, andaj shpresohet për suksesin e saj duke i marrë parasysh masat e duhura mjekësore me qëllim që t’i iket refuzimit të imunitetit.
III. Nëse burim i fitimit të qelizave janë qelizat e gjalla prej trurit të foshnjës së hershme (në javën e dhjetë apo njëmbëdhjetë), atëherë dispozitat dallojnë sipas tablosë vijuese:
a) METODA E PARË: Marrja e tyre drejtpërdrejtë prej foshnjës së njeriut në barkun e nënës përmes hapjes së mitrës përmes operacionit. Kjo metodë shkakton vdekjen e foshnjës thjeshtë me marrjen e qelizave prej trurit të tij. Kjo fetarisht ndalohet, me përjashtim nëse bëhet pas abortimit natyror, jo të qëllimshëm, apo pas abortimit të lejuar për ta shpëtuar jetën e nënës dhe vërtetimin e vdekjes së foshnjës, duke i pasur parasysh kushtet që do të përmenden në lëndën e shfrytëzimit të foshnjave në vendimin nr. 95 (8/6) të kësaj seance.
b) METODA E DYTË: Kjo është metodë e cila ndoshta do të zbatohet në të ardhmen e afërt me mbjelljen e qelizave të trurit në ferma, në mënyrë që të shfrytëzohen. Kjo metodë nuk është e ndaluar fetarisht nëse burimi i qelizave që do të mbjellën është i lejuar, si dhe fitimi i tyre bëhet në mënyrë të lejuar fetarisht.
IV. Fëmija i lindur pa tru, derisa ka lindur i gjallë, nuk lejohet të merret asnjë organ prej tij derisa të vërtetohet vdekja e tij për shkak të vdekjes së trungut të trurit. Nuk ka dallim ndërmjet fëmijës së tillë dhe fëmijëve tjerë normal në këtë drejtim. Ndërkaq, pas vdekjes, marrja nga organet e tij i nënshtrohet dispozitave dhe kushteve të parapara përkitazi me transferimin e organeve të të vdekurit, si: leja valide, mosekzistimi i alternativës, nevoja e domosdoshme etj, si dhe kushtet tjera që i përfshinë vendimi nr. 26 (1/4) nga vendimet e seancës së katërt të kësaj Akademie. Fetarisht nuk është e ndaluar të lihet foshnja e këtillë pa tru në aparatet për frymëmarrje deri pas vdekjes së trungut të trurit - i cili mund të identifikohet - me qëllim që të mbrohet vitaliteti i organeve valide për transferim, si prolog për shfrytëzimin e tyre me transferimin që do t’u bëhet te ndonjë person tjetër konform kushteve të përmendura.
2. PËRCAKTIMI I SHFRYTËZUESIT TË ORGANEVE DHE METODA E KËSAJ:
Akademia Evropiane për Fetva dhe Studime, pas debatimit, i plotësoi çështjet vijuese përkitazi me transferimin e organeve:
a) Nëse dhuruesi apo trashëgimtarët e tij e përcaktojnë një person të caktuar që ai ta shfrytëzojë organin e dhuruar, apo ka autorizuar ndonjë palë të caktuar që ta bëjë përcaktimin e personit që do ta shfrytëzojë këtë organ, duhet t’u përmbahemi këtyre porosive sa të mundemi. E nëse nuk mund t’u përmbahemi për shkak të vullnetit apo për ndonjë shkak medicinal, në këtë rast duhet t’u referohemi trashëgimtarëve të dhuruesit, e nëse nuk mund të arrijmë deri tek ata, atëherë duhet t’i referohemi institucionit kompetent për çështjen e muslimanëve në vendet jo islame.
b) Nëse personi shkruan dokument për dhurimin e ndonjë organi të vet pas vdekjes, në këtë rast duhet të zbatohen dispozitat e testamentit, andaj edhe nuk u lejohet trashëgimtarëve apo tjerëve që ta ndryshojnë testamentin.
c) Në rast se ekziston ligj, sipas të cilit ai që nuk deklarohet se nuk dëshiron që të shfrytëzohen organet e tij pas vdekjes konsiderohet se ka dhënë pëlqim për një gjë të tillë, mos deklarimi i qartë se refuzon një gjë të tillë, konsiderohet pëlqim intern.
[VENDIMI 2/6]
|