fetva
Akademia 2

FETVA PËR MORALIN DHE BONTONIN

FETVAJA (31)

PYETJA: A është mëkat për gruan nëse e dashuron një person të huaj?

PËRGJIGJJA: Gjërat që i ndodhin njeriut pa vullnetin e tij, nuk i quhen mëkat, ndërkaq dashuria dhe urrejtja nuk janë nën kontro­llin e njeriut, andaj edhe njeriu nuk jep përgjegjësi për ato derisa nuk e çojnë në veprim që e bën njeriu me vullnetin e vet, e që është i ndaluar. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij...” (El-Bekare: 286) Po ashtu i Dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu ua ka falur Ummetit tim atë që u pëshpërit në shpirt, derisa nuk veprojnë sipas saj apo nuk e shprehin gojarisht”. Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejres [radijall-llahu anhu].1
Mirëpo, femra dhe mashkulli duhet bashkërisht të mos bëjnë veprime që e fusin një gjë të tillë në zemrat e tyre, ashtu që mos i dërgojë një gjë e tillë në ndalesa fetare. Po ashtu, duhet ditur se zgjidhja më e mirë në këtë rast është që të martohen konform hadithit: “Për dy vetë që duhen, nuk kemi parë zgjidhje më të mirë se kurora”. Hadithin e transmeton Ibn Maxhe prej Ibn Abbasit [radijall-llahu anhu].2

[SEANCA E PESTË]

FETVAJA (32)

ZBULIMI I AURETIT TË FEMRËS MUSLIMANE PARA FEMRËS JOMUSLIMANE DHE PJESËMARRJA E SAJ NË PISHINË SPECIAL PËR FEMRAT

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia, pyetjes rreth auretit-pjesës së ndaluar, gjegjësisht zbulimit të muslimaneve para femrave jomuslimane dhe pjesëmarrjes së tyre në pishinë të sigurt speciale për femrat, iu përgjigj se nuk ka pengesë që muslimanja të marrë pjesë në një pishinë të këtillë, sepse aureti i muslimanes karshi jo muslimanes është si aureti i burrit karshi burrit, gjegjësisht prej kërthizës deri në gjunjë, sikur që është ky qëndrimi i mbështetur te shkolla juridike hanbelite dhe mendimi valid në tre shkollat juridike.
Akademia i porosit motrat e devotshme që ta ruajnë shikimin nga ajo që zbulohet prej pjesëve të auretit, e po ashtu të caktojnë femra instruktore që do t’i trajnojnë për not. Duke e marrë parasysh vullnetin e femrave të tilla jo muslimane që sado kudo t’i largohen përzierjes me burra në këto vende, femrat muslimane duhet ta shfrytëzojnë këtë duke i thirr në Islam dhe në vlerat e tij.

[VENDIMI 4/5]

FETVAJA (33)

URIMI I JOMUSLIMANËVE PËR FESTAT E TYRE

VENDIMI I AKADEMISË:

Nuk ka dyshim se kjo çështje është e rëndësishme dhe e ndjeshme, në veçanti për muslimanët që jetojnë në Perën­dim. Akademisë i kanë arritur shumë pyetje nga vëllezër dhe motra të cilët jetojnë në ato vende, bashkëjetojnë me banorët e atjeshëm jo muslimanë dhe kanë lidhje mes vete të cilat i imponon jeta, si për shembull fqinjësia, vendi i për­bashkët i punës, shoqëria në shkollë, e ndoshta muslimani mund të mendojë se jo muslimani është më bamirës se ai në rrethana të caktuara, siç është rast me arsimtarin i cili i ndih­mon sinqerisht nxënësit muslimanë, mjekun i cili e mjekon sinqerisht të sëmurin musliman etj. Është thënë: “Njeriu është rob i mirësisë”.
Një poet thotë:

Bëju mirësi njerëzve, do t’i robërosh zemrat e tyre
Sepse çdo herë njeriun e ka robëruar mirësia!

Cili duhet të jetë qëndrimi i muslimanit ndaj jo muslima­nëve që jetojnë në paqe dhe nuk i armiqësojnë muslimanët, nuk i luftojnë në fé, nuk i kanë nxjerrë prej shtëpive të tyre dhe nuk kanë ndihmuar të nxirren prej atje?
Kur’ani Fisnik e ka miratuar kushtetutën e raportit mes musli­manëve dhe të tjerëve në dy ajete në kaptinën El-Mumtehine, të cilat ajete kanë zbritur përkitazi me politeis­tët idhujtarë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbi­min tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (El-Mumtehine: 8-9)
Këto dy ajete kanë bërë dallim në mes atyre që janë në paqe dhe atyre që i luftojnë muslimanët:
a. Të parët (ata që janë në paqe), sipas ajetit, e gëzojnë mirësinë dhe drejtësinë e muslimanëve. Termi i përmendur “el-birr” (mirësi) është mbi drejtësinë, gjegjësisht drejtësi është që ta marrësh hakun tënd që të takon, ndërkaq “el-birr” (mirësia) është që të heqësh dorë nga disa të drejta tua. Drejtësi është që t’ia japësh njeriut të drejtën e plotë, pa mos lënë mangët diçka, ndërkaq “el-birr” (mirësi) është që t’i japësh atij më tepër se haku i tij në formë mirësie.
b. Pala tjetër, për të cilët ajeti ndaloi të miqësohen, janë ata të cilët i armiqësuan dhe i luftuan muslimanët, i dëbuan prej shtëpive të tyre pa të drejtë, por vetëm pse thonë: “Zoti ynë është All-llahu”, sikur që vepruan kurejshët dhe idhujtarët e Mekës me të Dërguarin e All-llahut dhe shokët e tij.
Kur’ani Fisnik, për raportin ndaj jo muslimanëve që janë në paqe me ne, e zgjodhi termin “el-birr” (mirësia) kur tha: “... të bëni mirë...”, ndërkaq ky term përdoret për obligimin më të madh që ka njeriu pas obligimit ndaj All-llahut, gjegjë­sisht “birru-l-validejn” (mirësinë ndaj prindërve).
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], e cila erdhi tek i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe i tha: “Nëna ime erdhi tek unë, e ajo është idhujtare, por dëshiron (të tregojë mirësi dhe t’i japë dhurata). Andaj, a të tregoj mirësi ndaj saj?” I Dërguari i All-llahut i tha: “Trego mirësi ndaj nënës tënde”3.
Kjo pra ishte përgjigja e të Dërguarit të All-llahut për atë grua që ishte idhujtare, kurse dihet se qëndrimi i Islamit ndaj ithtarëve të librit është më tolerant se sa qëndrimi i tij ndaj politeistëve idhujtarë.
Kur’ani Fisnik ka lejuar që të hahet mishi që e therin ithtarët e librit, e po ashtu edhe të martohemi me femrat e tyre. All-llahu i Madhërishëm në kaptinën El-Maide thotë: “... edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush...” (El-Maide: 5)
Prej fryteve dhe elementeve të domosdoshme të kësaj martese është ekzistimi dashurisë mes bashkëshortëve, siç qëndron në ajetin kur’anor: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë...” (Er-Rrum: 21)
E si mundet njeriu të mos e dashurojë bashkëshorten e tij, zonjën e shtëpisë, shokun e jetës dhe nënën e fëmijëve të tij? All-llahu i Madhërishëm, raportin e bashkëshortëve mes vete, e ka sqaruar me ajetin vijues: “... ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato...” (El-Bekare: 187)
Prej fryteve të kësaj martese është edhe vjehërria-miqësia ndërmjet dy familjeve, që në fakt paraqet njërën nga lidhjet esenciale natyrore mes njerëzve. Në këtë sinjalizon Kur’ani në ajetin: “Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi...” (El-Furkan: 54)
Po ashtu, kjo martesë dikton ekzistimin e nënës dhe të drejtave të saj të konfirmuara ndaj fëmijës të vet në Islam. Andaj, a është mirësi dhe sjellje solide ndaj saj që ajo të ketë ndonjë festë të madhe, e ai mos t’ia urojë? Po ashtu, cili do të jetë qëndrimi i tij ndaj të afërmve të vet që i ka nga ana e nënës, si: gjyshi, gjyshja, daja, tezja, fëmijët e dajallarëve dhe tezeve, të cilët i gëzojnë të drejtat e farefisit dhe të afërmve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “... E (sipas dispozitave të Zotit), farefisi ka më përparësi ndaj njëri-tjetrit...” (El-Enfal: 75), “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve...” (En-Nahl: 70)
Nëse obligimet ndaj nënës dhe të afërmve ia imponojnë muslimanit dhe muslimanes respektin ndaj nënës dhe të afërmve, gjë që e demonstron moralin e lartë të muslimanit, zemërgjerësinë e tij dhe mirësinë ndaj të afërmve, obligimet tjera ia imponojnë muslimanit që të tregohet se është njeri me moral të lartë. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e porositi Ebu Dherrin duke i thënë: “Frikoju All-llahut ku të jesh, veprat e liga pasoi me vepra të mira, që t’i shlyejnë të parat, dhe me njerëzit sillu mirë”4. Pra, ai tha: “Me njerëzit sillu”, e nuk tha: “Me muslimanët sillu mirë”.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka nxitur për butësi në sjelljen ndaj jo muslimanëve dhe ka ndaluar nga vrazhdësia dhe ashpërsia në këtë drejtim.
Një herë hynë disa hebrenj tek i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ata e shtrem­bëruan përshëndetjen dhe i thanë të Dërguarit të All-llahut: “Es-Sam alejke ja Muhammed”, ndërkaq fjala “Es-Sam” do të thotë “shkatërrim dhe vdekje”. Pra, në vend “Es-Selam” (paqa), i thanë “Es-Sam” (vdekja) qoftë mbi ty. Aisheja [radijall-llahu anha] i dëgjoi dhe tha: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi o armiq të All-llahut”. I Dërguari i All-llahut e qortoi për këto fjalë, kurse ajo i tha: “A nuk e dëgjo­ve çka të thanë, o i Dërguar i All-llahut?” I Dërguari i All-llahut tha: “Dëgjova dhe ua ktheva me fjalët: edhe mbi ju”, (gjegjësisht: vdekja vlen për ju, sikur që vlen edhe për mua). “Oj Aishe, All-llahu e do butësinë në çdo gjë”5.
Legjitimiteti i urimit të popullatës përkatëse për festat e këtilla konfirmohet nëse ata ua urojnë muslimanëve festat e tyre fetare, sikur që përmend pyetësi. Ne jemi urdhëruar që ta kthejmë të mirën me të mirë, përshëndetjen ta kthejmë me përshëndetje më të mirë se ajo që na është thënë neve, apo më së paku të ngjashme me të, konform ajetit: “Kur për­shëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose ktheni ashtu...” (En-Nisa: 86)
Nuk është mirë që muslimani të jetë më pak respektues dhe me më pak hise të moralit të mirë se sa të tjerët, por muslimani duhet të jetë më i ngritur në aspektin e moralit se tjerët. I Dërguari i All-llahut në një hadith thotë: “Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moral më të mirë”6. Po ashtu i Dërguari i All-llahut thotë: “Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësoj vlerat e larta të moralit”7.
Kjo edhe më tepër forcohet nëse duam t’i thërrasim ata në Islam, t’i afrojmë kah kjo fé, t’ua dashurojmë muslimanët, gjë që është obligim për neve, e kjo nuk mund të realizohet me distancimin tonë nga ata, por me raporte të mira.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka pasur moral të mirë dhe sjellje fisnike me idhuj­ta­rët kurejsh gjatë gjithë periudhës mekase, edhe pse ata e kanë torturuar edhe të Dërguarin edhe shokët e tij. Madje, idhujtarët aq shumë kishin besim në të Dërguarin e All-llahut, saqë ia lenin atij në besim gjërat për të cilat frikohe­shin se mund t’u vidhen nga dikush. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur u shpër­ngul për në Medine, e la Aliun [radijall-llahu anhu] që t’ua kthejë gjërat që ia kishin lënë në besim pronarëve të tyre.
Andaj, nuk është e ndaluar që individi musliman apo Qendra Islame t’u dërgojë urim jo muslimanëve për festë, qoftë gojarisht apo me letër, e cila nuk përmban simbole apo shprehje fetare të cilat bien ndesh me parimet islame, si për shembull kryqi, sepse Islami e mohon vetë konceptin e kryqit: “... Po ata as nuk e mbytën, as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau...” (En-Nisa: 157)
Fjalët e zakonshme për urime në rastet e këtilla nuk për­mbaj­në asnjë miratim të përkatësisë së tyre fetare apo pëlqim me një gjë të tillë, por ato janë fjalë të bukura që i kanë bërë zakon njerëzit.
Po ashtu, nuk ka pengesë që të pranohen edhe dhuratat e tyre, sepse edhe i Dërguari i All-llahut i pranoi dhuratat e jo muslimanëve, siç ishte rast me Mukavkisin, të parin e koptëve8 në Egjipt dhe të tjerë. Mirëpo kusht është që këto dhurata të mos jenë të ndaluara për muslimanin, si për shembull alkooli, mishi i derrit etj.
Këtu duhet përmendur se disa juristë islamë, si Ibn Tejmijje dhe nxënësi i tij Ibn El-Kajjim, ishin shumë të ashpër për­kitazi me çështjen e festave të idhujtarëve dhe ithtarëve të librit dhe pjesëmarrjes në to. Ne pajtohemi me ata në ndali­min e festimit të muslimanëve festat fetare të idhujtarë­ve dhe ithtarëve të librit, sikur që shohim disa muslimanë neglizhent të cilët i festojnë kërshëndellat sikur që e festojnë Fitër dhe Kurban Bajramin, e madje edhe më tepër. Kjo është e ndaluar, sepse ne i kemi festat tona, kurse ata i kanë festat e veta. Mirëpo nuk shohim pengesë që t’u dërgohen urime për festa personave me të cilët kanë marrëdhënie afërsie, fqinjësie, kolegjiale apo marrëdhënie tjera shoqërore, të cilat konsistojnë në raporte solide dhe sjellje të butë që e pranon tradita e shëndoshë.
Për sa u përket festave kombëtare dhe shoqërore, siç është dita e pavarësisë, unitetit, dita e fëmijëve apo e nënës etj, nuk ka asnjë ndalesë për muslimanin që t’u dërgojë tele­gram urimi, madje edhe të merr pjesë në festat e tilla, nisur nga ajo se ai është qytetar apo banon në atë vend, mirëpo gjithsesi duhet t’u ikë harameve-gjërave të ndaluara të cilat ndodhin në solemnitetet e këtilla9.

[VENDIMI 3/6]

FETVAJA (34)

RREGULLAT E SJELLJES GJATË TAKIMIT TË DY GJINIVE

VENDIMI I AKADEMISË:

Takimi, bashkëpunimi dhe integrimi i mashkullit dhe femrës është çështje natyrore dhe praktikisht nuk mund të ndalohet. Po ashtu, në fenë e natyrshme nuk ka diçka që ndalon një gjë të tillë. Por, Islami për këtë i vuri rregullat vijuese:
- Ndalimi i mëvetësimit (gjegjësisht të qëndruarit e një mash­kulli dhe një femre në një vend ku nuk i sheh asnjë njeri), konform thënies së të Dërguarit të All-llahut, Muha­m­medit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në hadithin e saktë: “Sa herë që mëvetësohet një mashkull me një femër, i treti në atë vend është djalli”10.
- Largimi nga prekja trupore ndërmjet mashkullit dhe femrës, duke u frikuar nga sfidimi dhe mëkati.
- Largimi nga zbulimi (gjegjësisht mos mbulimi i pjesëve të trupit që ka urdhëruar All-llahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij të mbulohen), sepse kur takohet femra musli­ma­ne me meshkuj që nuk i ka të ndaluar të martohet, ajo obligohet ta mbulojë gjithë trupin, me përjashtim të duarve dhe fytyrës, siç konstaton pjesa dërrmuese e juristëve islamë.
- Femra duhet të jetë e përmbajtur në bisedat dhe lëvizjet e veta, gjegjësisht nuk duhet të bisedojë dhe të bëjë lëvizje të atilla që i provokojnë epshet e mashkullit. All-llahu i Madhë­rishëm thotë: “... nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur, e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni fjalë të matura.” (El-Ahzab: 32) Po ashtu, All-llahu i Madhërishëm thotë: “... Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për të zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre...” (En-Nur: 31)
Andaj, nëse meshkujt dhe femrat gjatë çdo takimi apo aktiviteti u përmbahen këtyre rregullave islame, nuk është e ndaluar të takohen derisa këtë e bëjnë për një çështje serioze, pa marrë parasysh a është takimi për çështje shkencore, kulturore etj.
Në këtë plan, nuk ka dallim se a bëhet fjalë për takim me femrat muslimane apo jo muslimane, sepse provokimi është i mundshëm në të dy rastet, duke pasur parasysh se ndarja e ulëseve në një tubim mes meshkujve dhe femrave është më e drejtë, e në veçanti nëse nuk ka ndonjë nevojë që të veprohet ndryshe.

[SEANCA E SHTATË]

FETVAJA (35)

KËRKIMI I LEJES NGA ANA E GRUAS KUR DËSHIRON TË DALË PREJ SHTËPIE DHE UDHËTIMI I SAJ PA MAHREM 11

VENDIMI I AKADEMISË:

1. KËRKIMI I LEJES NGA ANA E GRUAS KUR DEL PREJ SHTËPIE
Gruaja e ka për obligim ta informojë burrin e saj kur del prej shtëpie. Nëse dalja prej shtëpie bëhet për shkak të punës, mësimit, nevojave shtëpiake dhe të fëmijëve, kjo ka nevojë vetëm për leje të përgjithshme nga ana e burrit, e nuk ka nevojë që gruaja të kërkojë leje prej burrit çdo herë që del, sepse kjo është çështje që e përcakton tradita-përditshmëria.
Ndërkaq, nëse gruaja del prej shtëpie për ta vizituar një familje të panjohur për burrin, apo dalja nga shtëpia imponon edhe të flejë gruaja në ndonjë vend jashtë shtëpisë së burrit, atëherë patjetër të kërkojë leje dhe të marrë pëlqim prej burrit, e nëse ai nuk i jep pëlqim, atëherë gruaja nuk mund të dalë prej shtëpie.
Njëkohësisht, kultura islame kërkon prej burrit që, kur ai të udhëtojë dikund apo të flejë jashtë shtëpisë, ta lajmëron bashkëshorten e vet për këtë, sepse është e drejtë e gruas që ta dijë se ku është burri i saj kur mungon prej shtëpie.

2. UDHËTIMI I GRUAS PA MAHREM
Parimisht, nuk është e lejuar që gruaja të udhëton pa mahrem, edhe atë bazuar në hadithin e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Një grua që beson në All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk e ka të lejuar të udhëton në udhëtim që zgjatë një ditë dhe një natë pa person me të cilin e ka të ndaluar martesën (mahrem)”12.
Duke u bazuar në këtë tekst të përgjithshëm, disa dijetarë kanë konstatuar se gruaja nuk e ka të lejuar të udhëton vetë.
Disa tjerë kanë vënë si kusht për lejimin e udhëtimit ekzistimin e një grupi të besueshëm të burrave apo burrave e grave bashkërisht. Ndalimi në hadith është i motivuar nga frika për gruan që ajo mos t’i ekspozohet rrezikut, shpifjeve që mund t’i bëhen nëse udhëton vetëm, e në veçanti kur kihet parasysh se rreziqet e udhëtimit në të kaluarën kanë qenë të shumta. Udhëheqësi i besimtarëve, Omer ibn Hattabi, ua lejoi grave të të Dërguarit të All-llahut - nënave të besimtarëve, që të udhëtojnë në haxhxh në shoqëri të sigurt dhe me ato i dërgoi Othman ibn Affanin dhe Abdurrah­man ibn Aufin13.
Në një hadith, i Dërguari i All-llahut i tha Adij ibn Hatimit: “Nëse ke jetë të gjatë, do ta shohësh gruan duke udhëtuar prej Hire14, deri sa të vijë në Qabe e ta bëjë tavafin, dhe ajo nuk do të frikohet prej askujt pos All-llahut”15. Ky hadith konfirmon se shkaku i ndalimit është frika. Andaj, nëse nuk ka frikë dhe mbretëron siguria, gruaja e ka të lejuar të udhëton, e në veçanti nëse kihet parasysh lehtësia e udhëtimit në kohën tonë, sepse udhëtimi bëhet me aeroplan, tren apo autobus, kurse në të gjitha këto mjete udhëtimi gruaja muslimane gjendet në shoqëri dhe është e sigurt - nën mbrojtje.
Kjo i referohet udhëtimit të gruas prej një qyteti në një qytet tjetër, apo prej një shteti në një shtet tjetër, kur ajo arrin atje për ku është duke shkuar të njëjtën ditë kur ka nisur udhëtimin, duke u gjetur në shoqëri të sigurt. Mirëpo, nëse udhëtimi kërkon që ajo të flejë gjatë rrugës, si për shembull në hotel, apo udhëton për ndonjë punë me ç’rast duhet të qëndrojë atje disa ditë, në këto raste, parimisht, gruaja duhet të udhëtojë me ndonjë mahrem të vetin, apo gjatë kohës sa do të qëndrojë atje të qëndrojë me ndonjë familje muslimane në atë vend, me qëllim që të evitohen sfidat apo pengesat që mund t’i ndodhin femrës.
Në fund, Akademia i porosit prindërit që t’i edukojnë vajzat e veta dhe i porosit bashkëshortët që t’i edukojnë bashkë­shortet e tyre në frymë të rrugës së All-llahut. Kjo, ngase gruaja muslimane e cila edukohet si duhet, i mëson dispozitat e Sheriatit Islam dhe e njeh fenë e vet, dhe këtë e ka garanci kryesore për qëndrim në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

[SEANCA E PESË]

Fusnotat:
1 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2391, 4968, 6287) dhe Muslimi (nr. 127).
2 Te Ibn Maxhe është nën nr. 1847.
3 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2477, 3012, 5633, 5634) dhe Muslimi (nr. 1003).
4 Hadithin e transmetojnë Ahmedi, vëll. V, fq. 153, 177, Tirmidhiu (nr. 1987), Darimiu (nr. 2688) dhe Hakimi (nr. 178) prej hadithit të Ebu Dherit. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i mirë, i saktë (hasenun sahih). Po ashtu edhe Hakimi e konsideron të saktë.
5 Hadithin e transmeton Buhariu (nr. 2777 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 2165) prej hadithit të Aishes.
6 Hadithi është i vërtetë (sahih), e transmeton Ahmedi (nr. 7402, 10106, 10817), Ebu Davudi (nr. 4682), Tirmidhiu (nr. 1162) dhe Darimiu (nr. 2689) prej hadithit të Ebu Hurejres. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i mirë, i vërtetë (hasenun sahih).
7 Hadithi është i saktë, e transmeton Ahmedi (nr. 8952), Buhariu në veprën El-Edeb el-mufred (nr. 273) dhe Bezzari (nr. 2470 Keshfu-l-estar) me këtë tekst. Senedi i hadithit është i saktë. Po ashtu e klasifikon të saktë edhe Ibn Abdu-l-Berri në veprën Et-Temhid, vëll. XXIV, 333.
8 Transmetimet për këtë janë të shumta, kurse argumentueshmëria e tyre është e saktë. I përmend Tahaviu në veprën Sherhu mushkili-l-athar me rrugë të gradës “xhejjid” (e mirë) në dy kapituj, vëll. VI, 399, dhe vëll. XI, fq. 128.
9 Me këtë nuk u pajtua anëtari i Akademisë, Dr. Muhamed Fuad, dhe përkitazi me këtë vendim tha: “Nuk pajtohem që t’u dërgohen telegrame urimi apo t’u dërgohen dhurata në festat e tyre fetare”.
10 Hadithin e transmetojnë Ahmedi (nr. 114, 177) dhe Tirmidhiu (nr. 2165) prej hadithit të Omer ibn Hattabit. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i mirë, i saktë-hasenun sahih.
11 Mahrem quhet personi me të cilin femra e ka të ndaluar të martohet.
12 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 1038) dhe Muslimi (nr. 1339) prej hadithit të Ebu Hurejres.
13 Transmetimin e shënon Buhariu (nr. 1761) dhe Bejhekiu, vëll. IV, fq. 326-327.
14 Qytet në Irak.
15 Hadithin e transmeton Buhariu (nr. 3400) prej hadithit të Adij ibn Hatimit.