fetva
Akademia 2

FETVA PËR FITIMIN DHE JETESËN

 FETVAJA (22)

TËRHEQJA PREJ ZBATIMIT TË NJË KONTRATE PAS NËNSHKRIMIT TË SAJ

VENDIMI I AKADEMISË:

Nënshkrimi i kontratës është veprim obligativ fetarisht për të dy palët, andaj nuk lejohet për ndonjërën palë të tërhiqet me vullnetin e vet të njëanshëm, pa pëlqimin e palës tjetër. Kjo bie ndesh me atë që e ka urdhëruar All-llahu i Madhë­rishëm dhe i Dërguari i Tij, si dhe që e kanë konfirmuar faktet kur’anore dhe të Sunnetit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)...” (El-Maide: 1). Po ashtu thotë: “Premtimin zbatoni, pse për premtim ka përgjegjësi.” (El-Isra: 34). Në një ajet tjetër thotë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin...”. (En-Nahl: 91)
Kur’ani në shumë ajete i sulmoi ashpër ata të cilët nuk i përfillin marrëveshjet dhe i shkelin pasi që i kanë pranuar. Prej këtyre ajeteve këtu do të përmendim ajetin: “Ata të cilët për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë All-llahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në ditën e kijametit All-llahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm.” (Ali Imran: 77)
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], shkeljen e zotimit e konsideroi prej degëve të hipokrizisë dhe një nga atributet qenësore të hipokritit (munafikut): “Te cili person gjenden katër cilësi, ai është hipokrit (munafik) i plotë, e te cili gjendet ndonjë prej atyre cilësive, ai person ka një cilësi të hipokrizisë derisa nuk e braktisë atë”, pastaj prej këtyre cilësive përmendi: “Kur jep besë, tradhton”1.
Nuk është patjetër që marrëveshja të jetë e shkruar, sepse thjeshtë vetëm oferta dhe pranimi deklarativ mjafton që të lidhet një kontratë, por ai ka të drejtë zgjedhje në atë tubim, sipas asaj që miratojmë ne. Kështu, nëse atij i qartësohet ndonjë kontratë tjetër, e ata dy vazhdojnë të jenë në vendin ku e kanë lidhur kontratën, ai ka të drejtë të tërhiqet prej kontratës, sikur që qëndron në hadithin e saktë: “Dy kon­traktuesit kanë të drejtë zgjedhje derisa nuk e lëshojnë vendin”2. Hadithi i dha mundësi që të tërhiqet personit i cili ka shpejtuar në lidhjen e kontratës pa e parë sendin përkatës.
Këtë status e ka edhe kontrata në të cilën blerësi mashtrohet shumë. Në këtë rast kjo çështje i shtrohet komisionit, i cili ia jep blerësit të drejtën e zgjedhjes për mashtrim nëse konsta­ton një gjë të tillë, konform mendimit të hanbelive dhe tjerëve.
Muslimani mund t’i ikë kurthës së shkeljes së kontratës pasi ta lidhë, nëse e vë për kusht që të ketë të drejtë zgjedhje disa ditë, ashtu që brenda asaj kohe mund të tërhiqet prej kontra­tës përkatëse. Me këtë e këshilloi i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], njërin prej shokëve të vet, i cili iu ankua se shumë mashtrohet në shit­blerje. I Dërguari i All-llahut i tha: “Kur të bësh marrë­veshje, thuaj: Nuk ka mashtrim”. Kështu përmendet në dy koleksio­net e sakta të haditheve, “Sahihajn”3, kurse në përmbledhjet tjera përmendet: “Dhe unë kam të drejtë zgjedhje tre ditë”4. Kurse muslimanët duhet t’u përmbahen kushteve të tyre.
Me përjashtim të kësaj, muslimani duhet ta çojë në vend fjalën kur e jep. Kjo është një prej vlerave në të cilat thirri Islami, ashtu që të kemi transaksione dhe jetë stabile. Një poet thotë:

Nuk them një ditë PO, e pastaj të them JO,
Edhe nëse e sakrifikoj pasurinë dhe fëmijët.

Këtu duhet theksuar se Islami shkon aq larg, sa që e ndalon të bëjë një kontratë muslimani duke qenë në bisedime vëllau i vet musliman, gjegjësisht të ndërhyjë kur personi tjetër është gati për të lidhur kontratë, e ky i jep më tepër që ta rrëmbejë kontratën prej të parit. Në këtë drejtim në hadithin e saktë qëndron: “Nuk duhet të bëjë kontratë muslimani mbi kontratën e vëllaut të vet”5.

[VENDIMI 6/6]

FETVAJA (23)

MARRJA ME SPORT

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia përgjigjet duke e konfirmuar parimin: “Ushtrimi i lejuar, është i lejuar”, me përjashtim të atij ushtrimi të cilin e ndalojnë argumentet. Andaj, sporti në esencë është më së paku - e lejuar, nëse jo e preferuar apo e domosdoshme. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i ka stimuluar muslimanët për disa forma të sportit që e mbrojnë shëndetin e njeriut dhe fuqinë e popullatës, normalisht nëse nuk sjellin dëm.

[SEANCA E SHTATË]

FETVAJA (24)

USHTRIMI I BOKSIT

VENDIMI I AKADEMISË:

Ushtrimi i boksit sikur hobi dhe duke mos e ushtruar këtë duke goditur njeriun, por ushtrimi të bëhet në trupa pa shpirt, është i lejuar dhe nuk ka ndonjë ndalesë. Ndërkaq, ushtrimi i boksit si profesion është i ndaluar, sepse me këtë i bëhet dëm personit që goditet përmes grushtave dhe këto goditje mund të jenë shkak për vdekjen apo mbetjen e tij me ndonjë të metë të përhershme, gjë që paraqet dëm të cilin nuk e lejon Islami edhe nëse i referohet jo muslimanit, sikur që është i njohur sot ky sport. Parimi juridik konstaton: “Nuk lejohet dëmi i njëanshëm dhe ai reciprok”.
Po ashtu, në boks goditjet drejtohen në kokë dhe fytyrë, ndërkaq i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], thotë: “Kur dikush prej jush lufton (ndërsa në një version qëndron: “kur të godet”), le t’i ikë fytyrës”6.

[SEANCA E PESTË]

FETVAJA (25)

E DREJTA E PUNËTORIT QË T’I PËRDORË MJETET PUBLIKE PËR NEVOJAT E TIJ PERSONALE

VENDIMI I AKADEMISË:

Pasuria publike apo e ngjashme me atë publike (e ne me këtë aludojmë në pasurinë e shtetit, institucioneve publike dhe kompanive private), në esencë është e ndaluar, e në veçanti kur kihet parasysh fakti se tekstet kur’anore dhe ato të Sunnetit janë kërcënuar ashpër për përdorimin e pasurisë publike pa të drejtë. Juristët islamë pasurisë së përgjithshme ia kanë dhënë statutin e pasurisë së bonjakut në aspektin e domosdoshmërisë së mbrojtjes dhe ndalimin e fuqishëm të marrjes prej asaj pasurie. Nga kjo bën përjashtim ajo që si zakonisht në mes njerëzve konsiderohet e pa tepruar apo normale të konsumohet, andaj edhe këtu atij i falet nëse merr, sepse kuptohet se ka sinjal për përdorimin e asaj sasie, por kusht është që mos e teprojë dhe të mos zgjerohet tepër në shfrytëzimin e këtyre gjërave, duke iu përmbajtur ndalimit që është parim në këtë lloj pasurie. Mirëpo, muslimani i devotshëm është më mirë që t’u largohet të gjitha dyshimeve: “Kush ruhet prej dyshimeve, e ka mbrojtur fenë dhe nderin e vet”7.

[SEANCA E SHTATË]

FETVAJA (26)

BLERJA E SHTËPIVE ME KREDI BANKARE KAMATORE NGA ANA E MUSLIMANËVE NË VENDET JOISLAME

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia e analizoi çështjen e cila ka marrë përmasa të mëdha në Evropë dhe në të gjitha vendet perëndimore, gjegjësisht blerjen e shtëpive me borxh të marrë me kamatë nga bankat e sotme.
Akademisë iu prezantuan disa gjurmime përkitazi me çështjen në fjalë. Disa e mbështesin një gjë të tillë, kurse disa e kundërshtojnë. Këto gjurmime u lexuan në Akademi, e pastaj pasoi debat i gjerë rreth tyre. Në fund, shumica e anëtarëve të Akademisë arritën në përfundimin vijues:
1. Akademia e konfirmon dispozitën e pranuar me koncen­zus nga muslimanët, se kamata është e ndaluar - haram, se ajo është një nga shtatë mëkatet shkatërruese dhe mëkatet e mëdha e cila e legjitimon luftën nga ana e All-llahut dhe të Dërguarit të Tij. Po ashtu, Akademia e konfirmon dispozitën që e miratuan Akademitë e të drejtës islame, se kamata që e japin bankat është e ndaluar.
2. Akademia kërkon prej muslimanëve në Perëndim që të mundohen sa të kenë mundësi të gjejnë alternativa legjiti­me jo të dyshimta, siç është për shembull shitblerja me përfitim (bej’u-l-murabeha), të cilën e praktikojnë ban­kat islame, e po ashtu edhe formimi i kompanive islame të cilat do të ndërtojnë shtëpi dhe do t’i shesin ato me kushte të favorshme dhe të mundshme për pjesën dërrmuese të muslimanëve, etj.
3. Po ashtu, Akademia i thërret Forumet Islame në Evropë që të kontaktojnë me bankat ekzistuese evropiane që transaksionet e këtilla t’i shndërrojnë në forma të pra­nua­ra fetarisht, siç është shitja në këste, në të cilat shto­het çmimi si rezultat i prolongimit të afatit. Një formë e këtillë do t’u sillte atyre shumë muslimanë, të cilët do të bënin transaksione në bazë të kësaj mënyre, e që në fakt edhe zbatohet në disa vende evropiane. Po ashtu, disa banka të mëdha perëndimore kanë hapur degë të veta në vendet arabe, ku transaksionet zhvillohen konform Sheriatit Islam, siç është rast në Bahrejn dhe disa vende tjera.
4. Akademia mund të ndihmojë në këtë drejtim, duke u drejtuar ftesë këtyre bankave që ta ndryshojnë veprim­ta­rinë e tyre me muslimanët.
Nëse në kohën tonë nuk mund të veprohet sipas asaj që përmendëm, Akademia, në bazë të argumenteve, kritereve dhe vlerësimeve juridike islame, nuk e sheh problem zbati­min e kësaj metode, gjegjësisht kredinë me kamatë nga ban­kat ekzistuese për blerjen e shtëpisë për të cilën ka nevojë muslimani për të banuar bashkë me familjen e vet. Mirëpo, kusht për këtë është që muslimani mos të ketë shtëpi tjetër që i mjafton, pra, shtëpia që e blenë kështu të jetë banesa e tij e vetme. Po ashtu, kusht është që mos ketë mjete të bollshme financiare që ia mundësojnë ta blejë shtëpinë në formë tjetër, e jo me kredi me kamatë.
Akademia këtë qëndrim e ngrit mbi dy shtylla themelore:
Shtylla e parë: Rregullën “Ed-daruratu tubihu-l-mahdhurat” (Domosdoshmëria e lejon të ndaluarën), që në fakt është rregull e pranuar unanimisht, e që është nxjerrë nga tesktet e Kur’anit në pesë ajete. Prej tyre janë fjalët e All-llahut të Madhërishëm në kaptinën El-En’am: “... e Ai ju sqaroi se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar (atëhe­rë edhe harami është hallall)...” (El-En’am: 119) Po ashtu, në të njëjtën kapti­në, pas përmendjes së ushqimeve të ndaluara, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndalua­ra), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që falë e mëshiron shumë.” (El-En’am: 145) Në këtë kontekst juristët islamë kanë konfirmuar se gjëja e nevojsh­me (el-haxhe) merr statutin e asaj të domosdoshme (darure), qoftë e përveçme apo e përgjithshme.
E nevojshme është ajo gjë që, nëse nuk realizohet, musli­mani hasë në vështirësi, edhe pse mund të jetojë edhe pa të, për dallim prej asaj që është e domosdoshme, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik e ka ngritur vështirësinë nga muslimanët. All-llahu i Madhërishëm thotë: “... dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi...” (El-Haxhxh: 78)Po ashtu në kaptinën El-Maide thotë: “All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t’ju sjell ndonjë vështirësi...” (El-Maide: 6)
Banesa e cila e eliminon nga muslimani vështirësinë është banesa e përshtatshme për nga aspekti i pozitës, gjerësisë dhe kushteve të nevojshme, ashtu që të jetë me plotë kupti­min e fjalës banesë.
Edhe pse Akademia e ka mbështetur rregullën e domos­dosh­mërisë apo nevojës e cila ka tretmanin e të domosdosh­mes, nuk e ka neglizhuar rregullën tjetër plotësuese të të parës, gjegjësisht rregullën: “Ajo që është e lejuar për shkak domosdoshmërisë mbetet në kufijtë e të domosdoshmes”. Andaj, nuk lejohet të pronësohen shtëpitë për tregti dhe të ngjashme.
Nuk ka dyshim se shtëpia është e domosdoshme për indi­vidin dhe familjen muslimane, të cilën All-llahu e fali mirësi për robët e vet, duke thënë: “All-llahu ju bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë...” (En-Nahl: 80) I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], shtëpinë komfore e ka trajtuar një nga katër apo tre elementet e lumturisë. Banesa me qira nuk i plotëson të gjitha nevojat e muslimanit dhe nuk i ofron qetësi të plotë, edhe pse muslimanit i kushton shumë qiraja që ia jep jo muslimanit. Ai vazhdon vite me radhë të japë qira, pa mos futur në pronësi të vet asnjë tullë të banesës përkatëse. Përskaj kësaj, muslimani i është ekspo­zuar dëbimit prej banese nëse shtohen fëmijët apo miqtë e tij. Po ashtu, nëse plaket, pakësohen të ardhurat apo i ndër­priten në tërësi, i ekspozohet rrezikut të mbetet në rrugë.
Blerja e banesës i largon prej muslimanit problemet e sipër­përmendura. Kjo po ashtu i mundëson që të zgjedhë banesë afër xhamisë, qendrës islame dhe shkollës islame, ashtu që bashkësisë muslimane i jepet rast që të afrohen me banesat e tyre, e ndoshta kështu të formojnë një shoqëri të vogël isla­me brenda shoqërisë së madhe. Në këtë mënyrë do të njofto­hen fëmijët e tyre, do të forcohen lidhjet e tyre dhe do të ndihmohen në bashkëjetesë nën hijen e koncepteve islame.
Njëkohësisht, kjo ia mundëson muslimanit që ta rregullojë shtëpinë e vet sipas nevojave të veta fetare dhe shoqërore, sepse është shtëpi e tij personale.
Përskaj këtyre nevojave personale për çdo musliman, është edhe nevoja e përgjithshme e bashkësisë muslimane, e cila jeton si pakicë jashtë shtetit islam, e që mishërohet në përmirësimin e kushteve të jetesës së kësaj bashkësie, ashtu që të ngrihet standardi i tyre dhe të jenë të denjë në përka­tësinë e tyre në Ummetin më të dalluar dhe të prezantojnë një imazh të ndritshëm të Islamit para jo muslimanëve.
Po ashtu, kjo mishërohet edhe në çlirimin e tyre nga shtypjet ekonomike ndaj tyre, ashtu që ta kryejnë obligimin e predikimit islam dhe të kontribuojnë në ngritjen e shoqërisë së përgjithshme, gjë që konsiston në atë që mos të lodhet e mundohet muslimani vazhdimisht gjatë gjithë jetës së vet për ta paguar qiranë e shtëpisë dhe harxhimet e jetesës, pa mos pasur rast për t’i shërbyer shoqërisë së vet apo ta predikojë fenë e vet.
Shtylla e dytë: Paraqet mendimin e Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij Muhammed ibn El-Hasen Esh-Shejbanit, që në fakt paraqet edhe mendimin e mbështetur në shkollën juridike hanefite. Po ashtu ky është edhe mendimi i Sufjan Eth-Theurit, Ibrahim En-Nehaijut, një nga versionet e Ahmed ibn Hanbelit, si dhe e ka miratuar Ibn Tejmijje - sikur që potencojnë disa juristë hanbelit. Sipas këtij mendi­mi, lejohet të bëhen transaksione me kamatë dhe kontrata tjera jo valide mes muslimanëve dhe jo muslimanëve në vendet jo islame.
Mbështetjen e këtij mendimi në rastin konkret e favorizojnë shumë aspekte, prej të cilave do të veçonim:
1. Muslimani nuk obligohet fetarisht që t’i zbatojë ligjet civile, ekonomike, politike etj, që iu referohen sistemit publik në një shoqëri që nuk i beson Islamit, sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme për të, kurse All-llahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij. Ndërkaq ndalimi i kamatës është prej dispozitave të cilat kanë të bëjnë me identitetin e shoqërisë, filozofinë e shtetit dhe orientimin e tij social dhe ekonomik.
Prej muslimanit kërkohet që t’i zbatojë ligjet që kanë të bëjnë me të si individ, siç janë dispozitat e ibadeteve-adhurimeve, hajeve, pijeve, veshjes, martesës, shkurorëzimit, kthimit të gruas pas shkurorëzimit, afatit të pritjes, trashëgimisë, si dhe çështjeve tjera të të drejtës civile, ashtu që nëse i bëhen atij shtypje në këto çështje dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i zbatojë dispozitat fetare, atëherë obligohet të migrojë në vende tjera përderisa ekziston mundësia për një gjë të tillë.
2. Nëse muslimani nuk vepron me këto transaksione jo valide - ku bën pjesë edhe kamata - në vendin e huaj, kjo mund të jetë shkak që të përmbajturit e muslimanit rregu­llave islame të bëjë që ai të dobësohet ekonomikisht dhe të humb financiarisht, ndërkaq Islami e forcon muslimanin e nuk e dobëson, ia shton pasurinë e nuk ia pakëson, i sjell dobi e jo dëm. Disa dijetarë të gjeneratave të para (selefit), lejueshmërinë e trashëgimit të muslimanit prej jo muslima­nit e kanë bazuar në hadithin: “Islami shton, e nuk pakëson”8, gjegjësisht ia shton myslimanit, e nuk ia pakëson, si dhe hadithin: “Islami dominon, e nuk dominohet”9. Andaj, nëse muslimani nuk bën transaksione sipas këtyre kontratave të cilat popullata e atij vendi i ka miratuar, atëherë kjo do të shkaktojë që ai çdo herë ta japë atë që i kërkohet, e mos ta merr atë që i kompensohet, ai i zbaton këto ligje dhe transa­ksione për obligimet materiale që duhet t’i kryejë, e nuk i zbaton këto ligje për përfitimet që i meriton, pra ai çdo herë duhet të paguajë, e asnjëherë të marrë. Me këtë muslimani çdo herë do të jetë i dhunuar financiarisht për shkak se u përmbahet dispozitave islame në këtë drejtim. Islami assesi nuk synon ta dhunojë muslimanin për shkak se i përmbahet Islamit, e ta lë atë në vendet jo islame që ta shtrydhin dhe ta shfrytëzojnë jo muslimanët, duke ia ndaluar atij që t’i shfry­tëzojë transaksionet me jo muslimanët në dritë të kritereve ekzistuese dhe të pranuara tek ata.
Për sa i përket asaj se, shkolla juridike hanefite e lejon veprim­tarinë me kamatë nëse është në pyetje marrja e jo dhënia, sepse muslimani nuk ka dobi në dhënie dhe ata nuk e lejojnë veprimtarinë sipas transaksioneve jo valide, vetëm se me dy kushte:
I pari: Që në transaksionet e tilla të ketë dobi për muslimanët;
I dyti: Që mos i bëhet tradhti dhe mashtrim jo muslimanit, ngase në këtë mënyrë nuk përfiton muslimani.
Pra, PËRGJIGJJA për këtë është se kjo nuk pranohet, siç argu­menton për këtë qëndrimi i Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbanit në veprën Es-Sijer el-kebir, si dhe thëniet e juristëve më të vjetër hanefit. Ngase, edhe pse muslimani në këtë rast jep kamatë, ai përsëri përfiton, sepse në fund shtëpinë e fut në pronësi të vet.
Muslimanët të cilët jetojnë në Perëndim, qoftë në biseda të drejtpërdrejta apo përmes korrespodencave, e kanë pohuar se këstet të cilat ia paguajnë bankës janë në sasi të pagesës që ia japin pronarit, madje disa herë janë edhe më të vogla.
Kjo konsiston në atë se, nëse ne e ndalojmë zhvillimin e transaksioneve me kamatë me bankën, e kemi privuar musli­manin nga blerja e shtëpisë për nevojat e tij dhe të familjes së tij, ndërsa shtëpia është prej nevojave themelore të njeriut, sikur që shprehen juristët. Ai ndoshta do të vazh­dojë njëzet apo tridhjetë vjet, apo edhe më tepër, të paguajë qira mujore apo vjetore, pa mos marrë në pronësi të vet diçka, ndërkaq, ai brenda njëzet vjetësh, e ndoshta edhe më pak, ka pasur mundësi të posedojë shtëpi.
Nëse transaksioni i këtillë nuk është i lejuar sipas shkollës juridike hanefite dhe bashkëmendimtarëve të tyre, do të ishte i lejuar sipas të gjithëve, për shkak nevojës e cila disa herë merr tretmanin e të domosdoshmes në tolerimin e të ndaluarës. E në veçanti kur kihet fakti se këtu muslimani nuk e hanë kamatën, por tjerët ia hanë, gjegjësisht ai jep kamatë, e nuk merr, ndërkaq, parimisht, ndalimi i referohet ngrënies së kamatës, sikur që deklarojnë ajetet kur’anore, ndërkaq dhënia e kamatës është ndaluar si masë preventive, sikur që po ashtu është ndaluar edhe regjistrimi i saj dhe dëshmimi i kontratës së kamatës. E gjithë kjo është bërë nga aspekti i ndalimit të mjeteve, e jo qëllimeve.
Është mirë e ditur se marrja e kamatës së ndaluar në asnjë rast nuk lejohet, ndërkaq dhënia e kamatës tjetrit lejohet në rast nevoje. Këtë e kanë pohuar juristët islamë dhe e kanë lejuar marrjen e borxhit me kamatë në rast nevoje, nëse para tij mbyllen dyert e hallallit.
Rregulli i njohur juridik është: “Ajo që është e ndaluar për shkak të vetes, lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, ndërsa ajo që është ndaluar si masë preventive, lejohet në rast nevoje”.

[VENDIMI 2/4]

FETVAJA (27)

SIGURIMET DHE RISIGURIMET

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia i shqyrtoi studimet dhe punimet që u prezantuan përkitazi me sigurimet dhe sistemin e sigurimit në Evropë, e po ashtu i konsultoi edhe vendimet e Akademive Juridike Islame dhe seminaret e simpoziumet shkencore përkitazi me këtë çështje, dhe përfundoi në vendimin vijues:

Së pari: Krahas marrjes në konsideratë të vendimeve të disa Akademive juridike që e ndalojnë sigurimin komercial (i cili ngrihet mbi këstet konstante, pa mos pasur kërkuesi i sigurimit hise në profitin e kompanisë apo në humbjet e saj) dhe që e legjitimojnë sigurimin solidarizues (i cili ngrihet mbi bazën e bashkëpunimit sistematik mes kërkuesve të sigurimeve, e drejta e tyre për profit, nëse ekziston, dhe kufizimi i rolit të kompanisë në menaxhimin e fondit të sigurimit dhe investimin e kapitalit të tij), duhet theksuar se ka raste dhe mjedise të cilat diktojnë gjetjen e alternativave për zgjidhjen e situatave specifike dhe përmbushjen e kërkesave të tyre, e në veçanti gjendjen e muslimanëve në Evropë, ku dominon sigurimi komercial dhe paraqitet nevo­jë e madhe për shfrytëzimin e tij, që të mund të evitohen rreziqet të cilave u ekspozohen si zakonisht në jetën e tyre të përditshme në të gjitha format e saj. Në mos prezencën e  alternativës islame (sigurimi solidarizues) dhe vështirësinë e gjetjes së kësaj alternative në kohën tonë, Akademia e lejon sigurimin komercial në rastet vijuese dhe rastet tjera të ngjashme me to:
a) Rastet e obligimit ligjor, siç është rasti me sigurimin e veturave, veglave dhe mjeteve, punëtorëve dhe funksiona­rë­ve (sigurimi social apo pensional), si dhe disa forma të sigurimit shëndetësor, arsimor, e të ngjashme.
b) Rastet e nevojës për sigurim me qëllim që të evitohet pa­mun­dësia dhe nevoja e madhe, ashtu që përskaj kësaj forme falet paqartësia ekzistuese në sistemin e sigurimit komercial.
Ja disa shembuj në këtë drejtim:
1. Sigurimi i institucioneve islame, si: xhamitë, qendrat, shkollat etj.
2. Sigurimi i veturave, veglave, mjeteve, shtëpive, institucio­neve të zanatçinjve dhe ato tregtare, ashtu që të evitohen rreziqet që nuk mund të mbulohen, si: zjarri, vjedhja dhe paralizimi i enteve të ndryshme.
3. Sigurimi shëndetësor me qëllim që të evitohen harxhimet e mëdha të cilave mund t’u nënshtrohet i siguruari dhe familja e tij, edhe atë qoftë për shkak të mos ekzistimit të mbulesës shëndetësore pa pagesë, jo efikasitetit të saj apo nivelit të ulët profesional.

Së dyti: Prolongimin e çështjes së sigurimit të jetës me të gjitha format e saj deri në një seancë të ardhshme, në mënyrë që të plotësohet studimi i tij.

Së treti: Akademia u rekomandon biznesmenëve dhe intelektualëve që të bëjnë çmos për të themeluar kompani financiare islame, siç janë bankat islame dhe kompanitë e sigurimit solidar islam10.

[VENDIMI 7/6]

Fusnotat:

1 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 34, 2327, 3007) dhe Muslimi (nr.58) prej Abdullah ibn Amrit.
2 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2001) dhe Muslimi (nr. 1531) prej hadithit të Ibn Omerit. Po ashtu, Buhariu (nr. 1973 dhe vende tjera) dhe Muslimi (nr. 1532) e transmetojnë prej hadithit të Hakim ibn Hizamit.
3 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2011 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 1533) prej hadithit të Abdullah ibn Omerit.
4 Ka për qëllim se i dha të drejtë të zgjedh tre ditë, sikur që e transmeton Darekutniu, vëll. III, fq. 54-55, Hakimi (nr. 2210) dhe Bejhekiu, vëll. V, fq. 273, prej hadithit të Ibn Omerit me zinxhir transmetuesish të gradës hasen - i mirë, e në versionin e tij qëndron: “Kur të shesish, thuaj: Nuk ka mashtrim, pastaj ti për çdo mall që e blen ke të drejtë zgjedhje tre ditë.
5 Hadithin e transmetojën Buhariu (nr. 2033 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 1515) prej hadithit të Ebu Hurejres, e në versionet e tij qëndron: “njeriu” në vend “muslimani”.
6 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2420) dhe Muslimi (nr. 2612) prej hadithit të Ebu Hurejres.
7 Fragment prej hadithit të Nu’man ibn Beshirit, të përcjellë prej të Dër­guarit të All-llahut: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë.... Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 52, 1946) dhe Muslimi (nr. 1599).
8 Hadithin e përmend Ebu Davudi (nr. 2912), e prej rrugës së tij e transmeton Bejhekiu, vëll. VI, fq. 205, 254-255 me senedin e tij te Abdullah ibn Burejde se: Dy vëllezër u paditën te Jahja ibn Jaëmeri, njëri ishte hebre, e njëri musliman. Jahja ibn Jaëmer ia dha trashëgiminë musli­­m­anit dhe tha: Më ka rrëfyer Ebu-l-Esvedi se një njeri i ka dëftuar se Muadhi i ka treguar duke thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Islami shton, e nuk pakëson, andaj trashëgiminë ia dha muslimanit.
Senedi i këtij transmetimi deri te Ebu-l-Esvedi është i saktë, por ai është i ndërprerë ndërmjet Ebu-l-Esvedit dhe Muadhit, sepse nuk dihet trans­metuesi ndërmjet atyre dyve. Për hadithin e transmetuar nga i Dërguari i All-llahut dëshmon edhe hadithi i Aid ibn Amër Et-Talit, me të cilin hadithi është i mirë me argumentet tjera (hasen li gajrihi).
9 Hadithi është i gradës “hasenun ligajrihi” - i mirë, për shkak dëshmive tjera. Hadithin e transmeton Er-Revejani në Musned (nr. 783), Ebu Nuaj­mi në veprën Ahbaru Asbahan, vëll. I, fq. 65, Bejhekiu, vëll. VI, fq. 205, por në senedin e tij ka dy transmetues të panjohur (mexhhul), mirëpo për të dëshmon hadithi i Muadh ibn Xhebelit që i paraprinë atij, sikur që përmendet poashtu me sened të saktë prej Ibn Abbasit si thënie e tij, e këtë e transmeton Tahaviu në veprën Sherhu Mea’ni-l-athar, vëll. III, fq. 257, ndërkaq Buhariu në Sahih e përmend pa zinxhir transme­tuesish, vëll. I, fq. 454, kurse Ibn Haxheri, në veprën Fet’hu-l-Bari, vëll. IX, 421, hadithin e konsideron të saktë. Po ashtu, edhe këtë transmetim edhe atë para tij e konfirmon ajeti: “Ai (All-llahu) është që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë...” (Et-Teube: 33)
10 Me këtë vendim nuk u pajtua anëtari i Akademisë, Dr. Muhamed Fuad El-Berazi, i cili tha: “Mendoj se sigurimi të cilin e obligon ligji është i lejuar, po ashtu këtë statut e ka edhe sigurimi solidar nëse ekziston”, ndërkaq format tjera i ndaloi