|
PYETJA: Në rast se vdes gruaja apo nëna, pasuria që e ka grumbulluar ajo gjatë viteve të bashkëshortësisë a konsiderohet pronë e saj personale, ashtu që t’u ndahet trashëgimtarëve të saj? Këtu duhet pasur parasysh se disa prej këtyre pasurive nuk janë të regjistruara në emër të saj, e po ashtu një pjesë e kësaj pasurie i ka ardhur asaj në formë dhurate nga burri i saj dhe nuk janë regjistruar zyrtarisht në emër të saj, kurse këto pasuri tani nuk mund të llogariten në mënyrë precize.
PËRGJIGJJA:
Po, pasuria të cilën e ka fituar gjatë viteve të bashkëshortësisë përmes ndonjërës rrugë legjitime të pronësimit, si: dhurata, donacione etj, qoftë prej bashkëshortit të saj apo prej dikujt tjetër, pasuria e tillë është pasuri e saj, pa marrë parasysh a është e regjistruar kjo pasuri zyrtarisht në emër të saj apo jo. Kjo pasuri pas vdekjes së saj është trashëgimi për trashëgimtarët e saj dhe duhet të ndahet ashtu si ka gjykuar All-llahu i Madhërishëm
[SEANCA E PESË]
PYETJA: Një grua erdhi në Britani me bashkëshortin e saj i cili ishte dërguar për të studiuar. Kjo grua kishte probleme me shtatzëninë, por pas kontrollimeve mjekësore u vërtetua se mënyra më e mirë është pllenimi artificial nga burri i saj. Në bazë të kësaj u bë pllenimi i nëntë embrioneve. Mjekët këto embrione i ruajtën dhe i caktuan gruas përkatëse një termin për t’i vendosur disa prej këtyre embrioneve në mitrën e saj. Mirëpo, kur shkoi kjo grua në terminin e paraparë, mjekët e panë se ajo kishte mbetur shtatzënë në mënyrë natyrore, që në fakt paraqiti një begati hyjnore për familjen dhe mjekët. Pastaj gruaja në fjalë lindi vajzë në mënyrë natyrore.
Andaj pyes: Kur kjo familje të kthehet në vendin e vet pas mbarimit të studimeve, çka duhet të bëjë gruaja me nëntë embrionet e pllenuara? A duhet t’i fusë disa prej këtyre embrioneve në mitrën e saj, kurse të tjerët t’ua lë në disponim organeve mjekësore në Britani, por duke pasur parasysh se gjasat për kthimin e saj në Britani janë minimale, apo ajo duhet t’i asgjësojë embrionet e tilla?
PËRGJIGJJA:
Me nëntë embrionet përkatëse duhet të veprohet si vijon:
1. Gruaja lejohet të fusë në mitrën e vet disa prej embrioneve të tillë derisa është bashkëshorte e burrit prej të cilit është marrë sperma. Kjo vlen derisa ajo nuk është ndarë prej tij përmes vdekjes, shkurorëzimit apo diçka tjetër të këtillë, e nëse ndahet prej tij, atëherë nuk lejohet që të fusë në mitrën e saj diçka nga embrionet e tilla, por në këtë rast ajo duhet t’i asgjësojë ato.
2. Nëse gruaja e braktisë Britaninë, por e di se do të kthehet për të futur ndonjë embrion, lejohet t’i lë ato në gjendje të tillë derisa të kthehet përsëri për këtë qëllim. Ndërkaq, nëse e di sigurisht apo më tepër ia merr mendja se nuk do të kthehet, atëherë nuk lejohet t’i lë embrionet e tilla, por ose ajo vetë ose burri i saj duhet t’i asgjësojnë ato.
3. Në të gjitha rastet ne nuk shohim ndalesë në asgjësimin e tyre, pa marrë parasysh a do të kthehet apo jo, por në rast se nuk mendon të kthehet, atëherë nuk lejohet t’i lë, por patjetër duhet t’i asgjësojë.
[SEANCA E KATËRT]
LIDHJA E KURORËS NGA ANA E GRUAS PA NDËRHYRJEN E TUTORIT TË SAJ
VENDIMI I AKADEMISË:
Kontrata e kurorës konsiderohet prej kontratave më të rëndësishme, sepse tërheq pas vetes formimin e familjeve të reja në shoqëri, lindjen e fëmijëve, si dhe obligime e të drejta që iu referohen të dy bashkëshortëve.
Pasi çdo njëri prej bashkëshortëve është palë në kontratë, Ligjvënësi lidhjen e kësaj kontrate ua ngarkoi atyre dyve dhe e bëri të varur nga vullneti dhe pëlqimi i tyre, ashtu që as babait e sa dikujt tjetër nuk i dha të drejtë t’i imponojë apo ta detyrojë të martohet me personin që nuk e do, por vajzës i dha të drejtë të plotë të pranojë apo të refuzojë ata që i ofrojnë fejesë. Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] transmeton se një vajzë e re erdhi te i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe i tha se babai i saj e ka martuar pa dëshirën e saj, kurse i Dërguari i All-llahut ia dha të drejtën të zgjedhë1.
Këtë të drejtë gruas ia konfirmojnë edhe thënie tjera pejgamberike. I Dërguari i All-llahut ka thënë: “Virgjëresha nuk martohet pa marrë leje, ndërsa gruaja e vejë nuk martohet para se të jep urdhër”.2 Po ashtu ka thënë: “Virgjëreshës i kërkon leje prindi i saj”.3
Me këtë Islami e sendërtoi bashkëshortësinë mbi dashuri, mëshirë dhe mirëkuptim. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë...” (Er-Rum: 21)
Ndërkaq, zakonisht është e pamundshme të realizohen këto synime fisnike përmes martesës së ngritur mbi imponim dhe detyrim.
Mirëpo, pasi gruaja - edhe përskaj vullnetit të saj të cilin ia njohu feja - u ekspozohet apetiteve të interesxhinjve, Islami miratoi dispozita që i mbrojnë të drejtat e saj dhe evitojnë rrezikun nga interesxhinjtë, ashtu që pëlqimit të tutorit për martesën e saj i dha konsideratë të rëndësishme, që përputhet me rëndësinë e kësaj kontrate, e që në fakt reflekton ndikim pozitiv në familjen e re dhe e mban intimitetin mes vajzës dhe tutorëve të saj. Përkundrazi, nëse martesa realizohet pa pëlqimin e tutorëve, atëherë shkaktohen divergjenca dhe probleme dhe rezultojnë kundër efekte nga martesa.
Edhe pse nuk ka mospajtime mes dijetarëve se parapëlqehet pajtimi i tutorëve të vajzës për martesë, ata nuk kanë qenë ujdi përkitazi me atë se pëlqimi i tyre a është kusht i validitetit të kontratës:
a. Pjesa dërrmuese e juristëve islamë janë të mendimit se pëlqimi i tutorit të vajzës është nga kushtet e validitetit të aktit të kurorëzimit, pra, pa pëlqimin e tij kurorëzimi nuk është i vlefshëm. Argument për këtë është hadithi i të Dërguarit të All-llahut: “Cilado grua që martohet pa lejen e tutorit të saj, kurorëzimi i saj është i pa vlefshëm”4, apo hadithi: “Nuk ka kurorëzim pa tutor”5.
b. Hanefitët janë të mendimit se pëlqimi i tutorit nuk është kusht dhe këtë konstatim e mbështesin në shumë argumente, kurse prej tyre është edhe hadithi që e transmetojnë Muslimi dhe katër autorët e Suneneve, se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Gruaja e vejë është më e denjë të vendosë për veten, kurse virgjëreshës i kërkohet leje për martesë, e leja e saj është heshtja”6. Ndërkaq hadithet që e kushtëzojnë pëlqimin e tutorit i kanë komentuar me atë se i referohen vajzës që nuk është në moshën madhore. Ata kanë thënë: “Nëse femra e moshës madhore, që është pa të meta psikike, martohet vetë, martesa e saj është valide nëse i plotëson kushtet tjera të martesës, ndërkaq tutori ka të drejtë të ngrejë aktpadi te gjykatësi dhe të kërkojë prishjen e martesës nëse martesa nuk është bërë me person adekuat (kef’un), kurse gjykatësi duhet t’i përgjigjet kërkesës së tij nëse e vërteton një gjë të tillë”.
Së këndejmi, Akademia u rekomandon femrave që mos i neglizhojnë tutorët e tyre, sepse ata mundohen për të mirën e tyre, duan t’u gjejnë bashkëshortë të denjë, si dhe t’i mbrojnë nga disa persona që kërkojnë fejesën për të luajtur me ato.
Po ashtu, Akademia u rekomandon prindërve që ta lehtësojnë martesën e bijave të tyre, të konsultohen bashkërisht për personin me të cilin duan të martohen ato, pa mos ushtruar dhunë në të drejtën e tyre për t’u prononcuar rreth martesës. Le ta përkujtojnë fjalën e të Dërguarit të All-llahut: “Nëse u vjen ndonjë person për martesë, e ju fenë dhe moralin e tij e pëlqeni, atëherë martone vajzën për të. Nëse nuk veproni kështu, do të shkaktohen sprova dhe trazira të mëdha”7, dhe le ta dinë se këmbëngulësia është padrejtësi e ndaluar, kurse padrejtësia është haram në Islam.
Po ashtu, Akademia u rekomandon qendrave islame që ta kenë parasysh atë që u përmend më lartë, sepse kjo është më e drejtë dhe më e rregullt, me përjashtim nëse femra nuk ka tutor, atëherë qendra islame do të jetë tutori i saj në vendet ku nuk ka gjykatë islame.
Mirëpo, edhe përskaj kësaj, Akademia është e mendimit se martesa e vajzës së moshës madhore dhe mentalisht të shëndoshë, me person të denjë fetarisht dhe moralisht, pa pjesëmarrjen e tutorit, është martesë valide.
[VENDIMI 1/4]
RRETH TOLERIMIT TË MARTESËS ME KATËR GRA DHE KEQPËRDORIMI I KËTIJ TOLERIMI
VENDIMI I AKADEMISË:
Para ardhjes së Islamit njerëzit martoheshin me cilat femra të donin, pa kushte dhe rregulla, kurse me ardhjen e Islamit këtij numri iu vënë kufij dhe kushte.
Kështu, Islami vuri kufij që martesa të mund të bëhet vetëm deri në katër gra e jo më shumë: “... atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, tri e me katër...” (En-Nisa: 3) Kur kaloi në Islam një person prej fisit Thekif, i Dërguari i All-llahut e urdhëroi që të zgjedh vetëm katër prej tyre, e t’i lëshojë të tjerat8.
Ndërkaq në planin e kushteve, Islami vuri kusht që njeriu të jetë i bindur në vetvete se do të jetë i drejtë, përndryshe atij i ndalohet të merr grua tjetër: “E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një...” (En-Nisa: 3)
Ky kusht radhitet pranë kushteve tjera për çdo martesë, si: mundësia për furnizim, mundësia për t’u mbrojtur moralisht, etj.
Islami e lejoi poligaminë sepse është fé realiste, nuk noton në ëndrra idealiste e t’i lë problemet e jetës pa zgjidhje të mundshme. Martesa me gruan e dytë mund t’i zgjidhë një problem personit gruaja e të cilit është sterile apo i zgjatë periudha e menstruacioneve, ndërkaq ai ka epsh të fortë, apo gruan e tij e godet sëmundja dhe i zgjatë, ndërkaq ai nuk do ta shkurorëzojë, etj.
Po ashtu, poligamia i zgjidhë probleme edhe gruas së vejë e cila nuk dëshiron të martohet me ndonjë të ri beqar; kjo vlen edhe për një të re të shkurorëzuar, e në veçanti nëse ajo ka një apo më tepër fëmijë.
Po ashtu, poligamia mund të kontribuojë në zgjidhjen e një problemi që e preokupon tërë shoqërinë, e kjo ndodh kur shtohet numri i grave të ndershme për martesë në proporcion me numrin e burrave të mundshëm për martesë. Kjo dukuri është prezent në çdo kohë, e në veçanti merr përmasa të gjëra pas luftërave dhe të ngjashme.
Për atë, çka të bëjmë me këtë numër të shtuar të grave? Ato u nënshtrohen njërit nga tre mundësitë:
1. Ose gjithë jetën ta kalojnë pa e shijuar jetën bashkëshortore dhe të qenurit nënë, gjë që është padrejtësi ndaj tyre.
2. Ose t’i kënaqin epshet e veta në mënyrë të pandershme dhe jo morale, e që në fakt është shkatërrim për ato.
3. Ose të pranojnë të martohen me një burrë të martuar që është i aftë ta mirëmbajë dhe është i bindur se do të veprojë me drejtësi. Kjo është zgjidhje më fatlume.
Për sa i përket keqpërdorimit të këtij tolerimi apo kësaj të drejte, duhet theksuar se shumë të drejta keqpërdoren dhe bëhet padrejtësi në shfrytëzimin e tyre, por kjo nuk shkakton anulimin dhe pezullimin e tyre. Keqpërdorim bëhet disa herë edhe me vetë martesën e parë, por a mund ta anulojmë atë? Jemi dëshmitarë se sa keqpërdoret liria, por a guxojmë ta anulojmë atë? Zgjedhjet po ashtu keqpërdoren, por nuk mund të anulohen. Me të madhe keqpërdoret edhe pushteti, si do që të jetë, por a mund ta anulojmë pushtetin dhe ta lëmë jetën pa rregull?
Andaj, në vend që të thërrasim në anulimin e të drejtës, më mirë është që të miratojmë rregulla për përdorimin e të drejtës përkatëse, si dhe të mundohemi maksimalisht që t’i sanksionojmë ata që bëjnë keqpërdorime në këtë drejtim.
[VENDIMI 4/4]
MARTESA E BURRIT ME FEMRËN ME TË CILËN KA BËRË PROSTITUCION (ZINA)
VENDIMI I AKADEMISË:
Nëse mashkulli dhe femra të cilët kanë bërë prostitucion (zina) pendohen tek All-llahu i Madhërishëm dhe dëshirojnë që të dalin nga harami në hallall dhe nga jeta e pistë në jetën e pastër, martesa e tyre me koncenzusin e dijetarëve është valide - e rregullt. Pjesa dërrmuese e juristëve islamë nuk e kushtëzojnë pendimin për validitetin e martesës me femrën që ka bërë prostitucion. Transmetohet se Omeri [radijall-llahu anhu] “e rrahu një mashkull dhe një femër për prostitucion dhe u mundua që t’i martojë ata dy”9.
Shkolla juridike hanbelite e vuri kusht pendimin, duke u bazuar në ajetin:
“Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarët.” (En-Nur: 3)
Ndërkaq për sa i përket idetit - periudhës së pritjes, gjegjësisht a duhet të kalojë femra që ka bërë prostitucion një periudhë të pritjes apo jo, juristët islamë nuk janë në ujdi.
Me këtë rast ne e pëlqejmë mendimin e shkollës juridike hanefite, shafiite dhe të dijetarit Eth-Theurijj, se për femrën që ka bërë prostitucion nuk ka idet - periudhë të pritjes, edhe nëse është me barrë nga marrëdhëniet jo legjitime seksuale (zina). Ky mendim është transmetuar edhe nga tre halifët: Ebu Bekri, Omeri dhe Aliu10, All-llahu qoftë i kënaqur me ata. Këta janë bazuar në hadithin: “Fëmija i përket shtratit, kurse amorali mbetet me turpin”11. Po ashtu, ideti - afati i pritjes është miratuar që të sqarohet çështja e shtatzënisë, ashtu që të ruhet origjina, ndërkaq prostitucioni nuk sanksionon konfirmimin e origjinës, për këtë edhe nuk obligohet ideti - afati i pritjes.
Kështu, nëse një person martohet me një grua që ka mbetur me barrë nga prostitucioni me person të tretë, sipas Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij Muhamedit, e ky është edhe qëndrimi i shkollës juridike hanefite, kjo martesë është valide, mirëpo ai nuk lejohet të ketë marrëdhënie seksuale me atë grua derisa ajo të lindë. Ata konstatimin e vet e mbështesin në hadithin: “Personi që e beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit nuk e ka të lejuar që me ujin e vet ta ujit bimën e tjetrit”12.
Kjo, për dallim nëse gruaja ka mbetur me barrë nga vetë personi përkatës në mënyrë jo legjitime. Në këtë rast martesa e saj është valide dhe për këtë janë unanim edhe hanefitët edhe të tjerët që e lejojnë martesën me të. Po ashtu, sipas gjithë atyre lejohet që burri të ketë me të marrëdhënie seksuale, sepse në këtë rast bima është e tij dhe ajo ka mbetur me të me barrë.
[VENDIMI 5/4]
BARAZIA DHE PARTICIPIMI NDËRMJET BASHKËSHORTËVE NË JETËN BASHKËSHORTORE
VENDIMI I AKADEMISË:
Gruaja konsiderohet e barabartë me burrin në marrëdhëniet bashkëshortore, saqë Kur’ani çdo njërin prej tyre e quan bashkëshort. Kështu, edhe burri është bashkëshort, edhe gruaja është bashkëshorte, sepse çdo njëri prej tyre - edhe pse paraqet një individ - i mbanë preokupimet dhe nevojat e tjetrit. Andaj, shikuar realisht, ai është bashkëshort - partner.
Kështu, vërejmë ajetet: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë.” (Er-Rum: 21) dhe “All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja - fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira.” (En-Nahl: 72) Këto fjalë në ajetet e përmendura u drejtohen edhe burrave edhe grave, sepse nuk ka argument që këto fjalë të jenë të veçanta vetëm për burrat.
Në ajetin në të cilin All-llahu i Madhërishëm iu drejtua burrave në veçanti, pas tij përmendi fakte që nënkuptojnë barazimin e të dy gjinive në marrëdhëniet bashkëshortore, gjegjësisht bëhet fjalë për ajetin: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato...”. Pra, gruaja është mburojë për burrin dhe burri është mburojë për gruan, konform kuptimeve të nocionit el-libas (tesha) në ajetin në gjuhën arabe, e që janë: afrim, ngjitje, mbulim dhe zbukurim.
Mirëpo, ky barazim në esencë nuk mohon mundësinë që të veçohet burri me disa karakteristika nga gruaja, si “dominimi” në familje, sikur që thotë edhe All-llahu i Madhërishëm: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre.” (En-Nisa: 34)
Kur’ani këtu ka përdorur stil të jashtëzakonshëm të shprehjes, sepse nuk thotë: “ngase i ka graduar mbi gratë”, por tha: “ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët”, gjegjësisht burri është i graduar nga disa aspekte, ndërkaq gruaja është e graduar nga disa aspekte tjera, si për shembull aspekti i senzibilitetit, ndërkaq burri është ai i cili e paguan mehrin - dhuratën e kurorës, e formon familjen dhe e mirëmban atë. Andaj, nëse tenton ta rrënon familjen, ai atë do ta rrënojë mbi kokën e vet!!
Kur’ani famëlartë tregon se të drejtat e të dy palëve janë të barabarta me obligimet, përveç asaj që është bërë përjashtim, si në ajetin: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre...” (El-Bekare: 228) Përmendet që Ibn Abbasi të ketë thënë: “Unë zbukurohem për gruan time, sikur që zbukurohet edhe ajo për mua”. Argument për këtë ai e përmendi ajetin kur’anor13. Imam Et-Taberiu, fjalën e përmendur në ajet, “një përparësi”, e komenton me atë se u referohet angazhimeve që lypen prej burrit, ndërkaq disa tjerë këtë e kanë komentuar me atë se aludon në përgjegjësinë që ka burri ndaj familjes. Të dy kuptimet janë valide. I Dërguari i All-llahut të dy bashkëshortët i ngarkon me përgjegjësi, siç përmendet në hadithin e Ibn Omerit: “Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri është përgjegjës për kopenë e vet. Burri është bari për familjen e vet dhe ai është përgjegjës për kopenë e vetë, e po ashtu edhe gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të pyetet për kopenë e saj”14.
Të qenit e gruas përgjegjëse në shtëpinë e burrit të saj i imponon asaj që të ketë funksion udhëzues apo këshillues karshi burrit të saj, e që mishërohet në: porosi për të mirë, synimin e të mbarës dhe udhëzimit për të, thirrjen e tij në atë që është e dobishme, urdhërimin në të mirë nëse e len pas dore dhe ndalimin nga e keqja nëse është futur në të këqija. Kjo është obligim për çdo musliman ndaj muslimanit tjetër, madje kjo është obligim edhe për fëmijën ndaj prindit, nxënësin ndaj mësuesit, popullatën ndaj pushtetarit, e po ashtu edhe gruan ndaj burrit të vet. Mirëpo kjo duhet të jetë në kufij dhe konform rregullave të cilat i kanë përmendur dijetarët. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja...” (Et-Teube: 71), ndërkaq marrëdhëniet bashkëshortore nuk e pezullojnë urdhërimin dhe ndalimin, por edhe më tepër e forcojnë.
Gratë e gjeneratave të para, burrave të vet, kur ata dilnin prej shtëpive për tregti dhe punë, u thonin: “O baba i filanit, ruaju prej fitimit të ndaluar, sepse ne e përballojmë urinë, por nuk mund ta përballojmë nxehtësinë e Xhehennemit dhe hidhërimin e All-llahut!”
Po ashtu, nëse gruaja e sheh se burri i saj nuk i falë me rregull namazet, ajo duhet ta këshillojë me butësi dhe fjalë të mira që t’i fal ato rregullisht; nëse e sheh se konsumon alkool, ajo duhet ta ndalojë nga nëna e të këqijave dhe ta këshillojë që ta mbrojë fenë, veten, pasurinë dhe fëmijët e tij duke u larguar nga kjo fëlliqësirë që është prej veprave të djallit; nëse e sheh se tregohet i pakujdesshëm ndaj fëmijëve apo nuk i mirëmban materialisht si duhet, ajo duhet ta këshillojë dhe ta nxisë që t’i kryejë detyrat e veta ashtu si duhet.
Nëse thuhet: A ka burri pushtet mbi gruan dhe deri në çfarë mase, përgjigjja do të ishte: Burri ka pushtet përgjegjësie mbi gruan, megjithatë ky pushtet nuk është absolut, por është i kushtëzuar me dispozitat fetare dhe traditën ekzistuese. Kështu, dispozitat e familjes në Kur’anin Fisnik janë të kushtëzuara me dy kushte:
I pari: Hyjniteti, të cilin Kur’ani e quajti “kufijtë e All-llahut”, e që për familjen është përsëritur shumë.
I dyti: Njerëzorë, e të cilin Kur’ani e quajti “i zakonshëm - i mirë”, gjegjësisht atë që e njohin natyrat e shëndosha, të logjikuarit e pjekur dhe njerëzit e dalluar.
Përkitazi me kushtin e parë e lexojmë ajetin që i referohet çështjes së shkurorëzimit: “Këto janë dispozita të All-llahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (El-Bekare: 229) Përkitazi me një çështje tjetër lexojmë ajetin: “Këto janë dispozita të All-llahut që ia sqaron një populli që kupton.” (El-Bekare: 230) Në kaptinën Et-Talak e lexojmë ajetin: “Këto janë dispozitat e All-llahut, e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten...” (Et-Talak: 1)
Përkitazi me kushtin e dytë i lexojmë ajetet: “Çoni jetë të mirë me to.” (En-Nisa: 19), “I ati i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre ashtu si është rregulli.” (El-Bekare: 233), “... atëherë ose mbani si duhet, ose i lëni si duhet...” (El-Bekare: 231), “...edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.” (El-Bekare: 241)
Parimisht, në familje duhet të ekzistojë konsultim dhe marrëveshje mes bashkëshortëve, sepse konsultimi jep vetëm fryte të mira. Kur’ani ka sinjalizuar për këtë në çështjen e gjidhënies së foshnjës. All-llahu i Madhërishëm thotë: “... E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) e gjinit, nuk është ndonjë mëkat për ta...” (El-Bekare: 233). Nëse ata nuk pajtohen për diçka, atëherë burri e ka në dorë pushtetin në kufij të asaj që është e rregullt, e jo në kontekst tjetër. Ky formulim është më i rregullt se formulimi “në jo mëkat”, e madje edhe më preciz është formulimi: “Ajo duhet të tregohet e dëgjueshme në atë që është e mirë, e jo në gjëra tjera”. Argument për këtë është ajeti që i referohet besëlidhjes së grave që ia dhanë të Dërguarit të All-llahut: “... dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron...” (El-Mumtehine: 12)
Në hadithin e saktë qëndron: “Duhet të tregohet dëgjueshmëri në atë që është e rregullt”15
[VENDIMI 6/4]
SHKURORËZIMI I GRUAS VETEN
VENDIMI I AKADEMISË:
Akademia, pas studimit të detajizuar, vendosi si vijon:
1. Shkurorëzimi në esencë është e drejtë që All-llahu ia dha burrit.
2. Gruaja mund ta shkurorëzojë veten nëse këtë e ka kushtëzuar në kontratën e martesës apo nëse për këtë e autorizon pas martesës.
3. Gruaja mund të kërkojë ndarje pa kompensim të dhuratës së kurorës në gjyq, ndërkaq gjykatësi duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për t’i pajtuar, e nëse këtë nuk e arrin, atëherë do t’i ndajë.
4. Gruaja mund të merret vesh me burrin e saj për shkurorëzim në kuadër të çdo kushti legjitim të cilin e pranojnë bashkërisht.
5. Gruaja ka të drejtë të kërkojë prej gjyqit ndarje për shkak të ndonjë dëmi të pranuar fetarisht. Gjyqi duhet të bjerë vendim të këtillë nëse gruaja e vërteton padinë e saj dhe pasi të mundohen t’i pajtojnë bashkëshortët, ashtu siç urdhëron All-llahu, e në veçanti duhet të zgjedhin dy arbitër që do t’i ndihmojnë gjyqit në këtë drejtim.
[VENDIMI 2/5]
VENDIMI I SHKURORËZIMIT QË MERRET NGA GJYKATËSI JO MUSLIMAN,
E QË U REFEROHET MUSLIMANËVE QË JETOJNË NË VENDET JO ISLAME
VENDIMI I AKADEMISË:
Parimisht, muslimani për problemet e veta duhet t’i drejtohet vetëm gjykatësit musliman, apo atij që e zëvendëson atë në këtë detyrë. Mirëpo, për shkak të mosekzistimit të gjykatës islame deri në ditët e sotme, ku do të drejtoheshin muslimanët në vendet jo islame, muslimani i cili ka lidhur kurorë sipas ligjeve të shtetit përkatës obligohet që ta zbatojë vendimin e gjykatësit jo musliman për shkurorëzim. Kjo, ngase muslimani përkatës, kur e ka lidhur kurorën konform këtij ligji jo islam, ai indirekt i ka pranuar rezultatet e tij, e prej këtyre rezultateve është se prishjen e kësaj kurore mund ta bëjë vetëm gjykatësi.
Kjo mund të konsiderohet si autorizim nga ana e burrit, që sipas mendimit të xhumhurit (pjesës dërrmuese të dijetarëve) është e lejuar, edhe pse ai nuk e deklaron këtë. Kjo, ngase norma juridike është: “Ajo që është e pranuar tradicionalisht, është sikur e kushtëzuar tekstualisht”. Zbatimi i vendimeve të gjykatës, edhe nëse ajo është jo islame, është i lejuar me qëllim që të realizohen disa interesa, të evitohen disa dëme dhe të pengohet tollovia, sikur që e konstatuan këtë disa dijetarë të shquar, si fjala vjen El-I’z ibn Abdusselam, Ibn Tejmijja dhe Shatibiu.
[VENDIMI 3/5]
A LEJOHET TË KËRKOJË GRUAJA SHKURORËZIM NGA BURRI MËKATAR
VENDIMI I AKADEMISË:
Martesa është besë e fortë, lidhje e shenjtë e cila bashkon burrin dhe gruan konform rregullave të Kur’anit dhe Sunnetit - traditës së të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe çdo njërin prej tyre e bën mburojë për tjetrin, sikur që u shpreh Kur’ani në ilustrimin e kësaj lidhje: “... ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje16 për ato...” (El-Bekare: 187), sepse fjala “libas” - “tesha” (prehje) aludon në afërsi, mburojë, mbrojtje dhe zbukurim.
Nisur nga kjo, të dy bashkëshortët duhet të kenë sjellje shembullore në jetën bashkëshortore dhe të jenë durimtarë. Burri nuk duhet ta shkurorëzojë gruan e vet që ta dëmtojë, sepse me këtë gjest rrënohet ky partneritet dhe thyhet zemra e gruas, e madje edhe mund ta ndajë me këtë rast atë prej fëmijëve të saj pa shkak dhe pa nevojë. Andaj, ndarja mes bashkëshortëve është prej mëkateve të mëdha shkatërruese dhe është prej punëve më të dashura për djallin, sikur që përmendet në disa hadithe17.
Nëse burri e ka të ndaluar ta dëmtojë gruan me shkurorëzim pa arsye, po ashtu nuk lejohet edhe për gruan që të kërkojë shkurorëzim prej burrit të saj pa shkak. Në transmetimin që e përcjellin Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili njëherit edhe e konsideron të mirë - hasen, prej Theubanit [radijall-llahu anhu], thuhet se i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka thënë: “Cila do grua që kërkon shkurorëzim prej burrit të saj pa shkak, e ka të ndaluar erën e Xhennetit”18. Hadithi jep të kuptohet se, nëse gruaja kërkon shkurorëzim për shkak të problemeve dhe me arsye, atëherë ajo nuk është mëkatare.
Prandaj, a janë mëkatet e burrit shkak detyrues, apo a e justifikojnë që gruaja të kërkojë shkurorëzim?
Nuk ka dyshim se mëkatarët dallojnë në shkallën e mëkatit dhe marrëdhëniet bashkëshortore. Kështu, disa prej tyre kërkojnë prej grave të veta që t’u ndihmojnë në mëkat, si për shembull t’u ofrojnë alkool, gjë që është e ndaluar për gruan. Në këtë rast gruas i lejohet të kërkojë shkurorëzim me qëllim që t’i ikë mëkatit në të cilin mund të bjerë.
Disa nuk janë të sjellshëm ndaj grave të veta, i dëmtojnë dhe i ofendojnë, gjë që u jep të drejtë grave që të kërkojnë ndarje, e në veçanti nëse burri vazhdon me këtë sjellje arrogante dhe nuk ka shpresë që ai të pendohet e të përmirësohet.
Disa prej mëkatarëve nuk e bëjnë asnjërën prej asaj që e përmendëm, andaj edhe përkitazi me statutin e tyre ekzistojnë polemika mes dijetarëve.
Pjesa dërrmuese e juristëve islamë janë të mendimit se personi i cili e len namazin nga përtacia, ai është mëkatar, por jo mosbesimtar renegat. Nisur nga kjo, nuk detyrohet të bëhet shkurorëzimi i gruas së tij.
Ne këtu miratojmë qëndrimin vijues:
Nëse gruaja ka shpresë që burri i saj t’i kthehet rrugës së All-llahut, e sheh se mund të ndikojë tek ai këshilla dhe mund të përmirësohet, në këtë rast ajo duhet të bëjë durim, edhe nëse burri i saj është mëkatar sepse e len namazin dhe pinë alkool, e në veçanti nëse ajo me këtë burrë ka fëmijë dhe frikohet që fëmijët e tyre të mos devijojnë dhe të shkatërrohen.
Mirëpo, kusht për këtë është që mos e mohojë obligueshmërinë e namazit apo lejojë konsumimin e alkoolit, gjë që e nxjerr prej feje dhe e bën mosbesimtar të qartë dhe e detyron domosdo ndarjen e gruas së tij.
[VENDIMI 8/6]
TRASHËGIMI I MUSLIMANËVE PREJ TË AFËRMVE TË TYRE JO MUSLIMANË
VENDIMI I AKADEMISË:
Akademia është e mendimit se muslimanëve nuk u ndalohet të trashëgojnë prej të afërmve të tyre jo muslimanë, e po ashtu nuk i kanë të ndaluar as testamentet e tyre. Akademia konstaton se ky qëndrim nuk kundërshtohet me hadithin e të Dërguarit të All-llahut: “Nuk e trashëgon muslimani jo muslimanin, e as jo muslimani muslimanin”19. Kjo, ngase me mosbesimtarin në hadith aludohet në atë që është në luftë me muslimanët (harbij), duke vënë theks në faktin se në ditët e para të thirrjes islame muslimanët nuk e kishin të ndaluar t’i trashëgojnë të afërmit e tyre jo muslimanë. Këtë qëndrim e mbështesin sahabët (shokët e të Dërguarit të All-llahut) vijues: Muadh ibn Xhebel20 dhe Muavije ibn Ebu Sufjan21, ndërkaq prej pasardhësve të tyre (tabi’inëve) këtë e mbështesin disa vetë, kurse prej tyre veçojmë: Seid ibn El-Musejjib, Muhamed ibn El-Hanefijje, Ebu Xhafer El-Bakir, Mesruk ibn El-Exhdeë. Po ashtu, këtë qëndrim e miratuan edhe shejhu-l-islam Ibn Tejmijje dhe nxënësi i tij Ibn Kajjimi.
[VENDIMI 1/5]
Fusnotat:
1 Hadithi është i vërtetë: e transmetojnë Ahmedi (nr. 2469), Ebu Davudi (nr. 2096), Nesaiu në Es-Sunen el-kubra (nr. 5387) dhe Ibn Maxhe (nr. 1875) prej hadithit të Abdullah ibn Abbasit. Hadithin e klasifikojnë të saktë Ibn Kattani dhe Ibn Hazmi, ndërsa e përforcuan El-Hatib El-Bagdadi, Ibn Kajjimi dhe Ibn Haxheri.
2 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 4843, 6567, 6569) dhe Muslimi (nr. 1419) prej hadithit të Ebu Hurejres.
3 Hadithin e transmeton Muslimi në Sahih (nr.1421) dhe Bejhekiu në Es-Sunen el-kubra, vëll. V, fq. 115, prej hadithit të Ibn Abbasit. Ky hadith është një nga tekstet e hadithit të tij.
4 Hadithin e transmetojnë Ahmedi, vëll. VI, fq. 47, 66, 165, Ebu Davudi (nr. 2083), Tirmidhiu (nr. 1102) dhe Ibn Maxhe (nr. 1879) prej hadithit të Aishes. Hadithin e konsideron të mirë Tirmidhiu, ndërkaq Ibn Hibani (nr. 4074) dhe Hakimi vëll. II, fq. 168 e konsiderojnë të saktë.
5 Hadithin e transmetojnë Ahmedi (19518, 19710, 19746), Ebu Davudi (nr. 2085), Tirmidhiu (nr. 1101) dhe Ibn Maxhe (nr. 1881) prej hadithit të Ebu Musa Esha’rijut. Hadithin e konsideron të saktë mësuesi i imam Buhariut, Ali ibn El-Medini, ndërkaq Buhariu, Tirmidhiu, Hakimi, Bejhekiu dhe të tjerë e përforcojnë.
6 Hadithin e transmeton Maliku në Muvetta (nr. 1493), Ahmedi (nr. 1888 dhe vende tjera), Muslimi (nr. 1421), Ebu Davudi (2098), Tirmidhiu (nr. 1108), Nesaiu vëll. VI, fq. 84-85 dhe Ibn Maxhe (nr. 1870) prej hadithit të Ibn Abbasit.
7 Hadithin e transmeton Jahja ibn Me’ini në Et-Tarih, vëll. III, fq. 40, Buhariu në veprën El-Kuna, fq. 26, Tirmidhiu (nr. 1085) dhe të tjerë prej hadithit të Ebu Hatim El-Muzeniut. Tirmidhiu këtë hadith e konsideron të mirë-hasen. Të gjithë transmetuesit e përmendin shprehjen “fesadun arid” (trazira të gjëra) në vend “kebir” (të mëdha), me përjashtim të asaj që përmendet në disa versione ndihmëse të hadithit.
8 Hadithin e transmetojnë Ahmedi (nr. 4609, 4631, 5027, 5558), Tirmidhiu (nr. 1128) dhe Ibn Maxhe (nr. 1953) prej hadithit të Abdullah ibn Omerit. Ibn Hibani (nr. 4156-4158), Hakimi vëll. II, fq. 192 dhe Ibn Hazmi në El-Muhal-la, vëll. IX, fq. 441, hadithin e konsiderojnë të saktë. Disa ekspertë të hadithit kanë përmendur mangësi të këtij hadithi nga aspekti i zinxhirit të transmetuesve, ndërkaq validiteti i kuptimit të tij nuk është kontestuar nga asnjë.
9 Hadithin e transmeton Shafiu në veprën El-Ummu, vëll. X, fq. 38, e përmes rrugës së tij e transmeton Bejhekiu, vëll. VII, fq. 155, prej Jezid El-Mekiut, se një burrë u martua me një grua, e ajo kishte një vajzë me tjetër burrë, e poashtu edhe ai kishte një djalë me tjetër grua. Djali i tij bëri prostitucion me vajzën e saj, e ajo mbeti me barrë. Kur erdhi Omeri në Meke, ia treguan rastin, e ai i pyeti dhe ata pranuan. Omeri ua shqiptoi dënimin me rrahje dhe tentoi t’i martojë ata dy, por djali refuzoi. Zinxhiri i transmetuesve të këtij transmetimi është i mirë-hasen.
10 Transmetimin e përmend Muhamed ibn Hasen Esh-Shejbani në veprën El-Huxhxhe a‘la ehli-l-Medine, vëll. III, fq. 388-389, prej Ebu Bekrit dhe Omerit. Kuptimin e këtij transmetimi e përmend Bejhekiu në veprën Es-Sunen, vëll. VII, fq. 155. Po ashtu edhe Ibn Hazmi në veprën El-Muhal-la, vëll. IX, fq. 476, e përmend këtë transmetim prej Ebu Bekrit dhe Omerit.
11 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 1948 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 1457) prej hadithit të Aishes.
Fjalët e hadithit: “Fëmija i takon shtratit”, konsistojnë në atë se fëmija i përket pronarit të shtratit, e ai është personi i cili ka qenë në kurorë me gruan kur ka lindur fëmija.
Ndërsa fjalët “amorali mbetet me turpin”, konsistojnë në atë se amorali privohet dhe dëshprohet, ai nuk ka të drejtë për fëmijën.
12 Hadithi është i mirë-hasen. Hadithin e transmeton Ahmedi, vëll. XXVIII, fq. 207 (nr. 16997), Ebu Davudi (nr. 2158, 2159) dhe Bejhekiu, vëll. VII, fq. 449, dhe vëll. IX, fq. 124, prej hadithit të Ruvejfi’ë ibn Thabit. Zinxhiri i transmetuesve të tij është i mirë-hasen.
13 Kjo është domethënia e transmetimit nga Ibn Abbasi të cilin e përmend Ibn Xheriri në tefsirin e tij, vëll. II, fq. 453, dhe Ibn Ebu Hatimi (nr. 2196), sipas të cilit Ibn Abbasi thotë: Unë dëshiroj të zbukurohem për gruan, ashtu siç dua të zbukurohet edhe ajo për mua, sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta, sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi ...” Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.
14 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 853 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 1829).
15 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 4085, 6726, 683) dhe Muslimi (nr. 1840) prej hadithit të Ali ibn Ebu Talibit.
16 Kështu e ka përkthyer këtë pjesë të ajetit haxhi Sherif Ahmeti, ndërsa në origjinal përmendet shprehja “tesha”, gjegjësisht, nëse shkojmë tekstualisht, do të thonim: ato janë tesha për ju dhe ju jeni tesha për ato. Mirëpo në gjuhën arabe kjo është alegori që aludon në atë se ata janë mbrojtje për njëri-tjetrin, sepse edhe teshat e mbrojnë trupin e njeriut. Por edhe fjala “prehje“ është një prej kuptimeve të mundshme të kësaj shprehje. (sh.p).
17 Si për shembull hadithi i Xhabir ibn Abdullahut, i cili thotë: I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], thotë: “Djalli e vendos fronin e vet mbi ujë, pastaj i dërgon ekspeditat e veta, ndërkaq më afër tij është ajo ekspeditë që shkakton trazira më të mëdha. Vjen njëri dhe thotë: ‘E kam bërë këtë e këtë’, e ai ia kthen: ‘Nuk ke bërë gjë’. Pastaj vjen një tjetër dhe thotë: ‘Unë nuk e lashë filanin derisa e ndava prej bashkëshortes së tij’. Tha: Atëherë djalli e afron këtë te vetja dhe i thotë: Lum për ty”. Hadithin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij (nr. 2813).
18 Hadithi gjendet në Musnedin e imam Ahmedit, vëll. V, fq. 277 dhe në Xhami’u Et-Tirmidhijj (nr. 1187). Po ashtu, hadithin e transmeton edhe Ebu Davudi (nr. 2226) dhe Ibn Maxhe (nr. 2055).
19 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 6383) dhe Muslimi (nr. 1614) prej hadithit të Usame ibn Zejdit.
20 Këtë transmetim e regjistrojnë Ebu Davudi (nr. 2912) dhe Bejhekiu, vëll. VI, fq. 205, 254-255.
21 Transmetimin e përcjell Ibn Ebu Shejbe, vëll. XI, fq. 374, prej Abdullah ibn Ma’kil, ku thotë: Nuk kam parë gjykim më të mirë pas gjykimit të shokëve të Dërguarit të All-llahut, [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], se gjykimi i Muaviut për ithtarët e librit. Muaviu tha: “Ne trashëgojmë prej tyre, e ata nuk trashëgojnë prej nesh, ashtu si na lejohet që ne të martohemi me femrat e tyre, e atyre nuk u lejohet të martohen me femrat tona”. Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë-sahih.
|