fetva
Akademia 2

FETVA PËR AGJËRIMIN DHE KURBANET

FETVAJA (8)

PYETJA: Mënyra e konfirmimit të muajve lunarë (hënorë), e në veçanti të muajit të Ramazanit dhe Shevalit për fillimin dhe mbarimin e agjërimit, si dhe a lejohet të bazohemi në llogaritë astronomike?

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia, pas shqyrtimit të studimeve të prezantuara dhe diskutimeve të shumta përkitazi me çështjen në fjalë, përfundoi në vendimin vijues:
Fillimi apo mbarimi i muajit të Ramazanit konstatohet me pamjen e hënës, qoftë se kjo pamje është me sy apo përmes teleskopëve në cilindo vend islam, përmes metodës fetarisht legjitime, konform urdhrit të Dërguarit të All-llahut në hadithin e saktë: “Nëse e shihni hënën e re, agjëroni; po ashtu, kur do ta shihni përsëri atë, përfundoni me agjërimin”1, apo “Agjëroni kur do ta shihni hënën dhe mbaroni me agjërim kur do ta shihni hënën”.2
Kusht për këtë është që llogaria decide shkencore astrono­mike të mos e mohojë mundësinë e pamjes së hënës në ndonjë vend. Kështu, nëse kjo llogari pohon pamundësinë e pamjes valide juridikisht në ndonjë vend, atëherë nuk merren parasysh dëshmitë e dëshmitarëve të cilat nuk kanë karakter kategorik, por dëshmitë e këtilla shihen si hamend­je, gabim apo gënjeshtër. Kjo, ngase dëshmia e dëshmitarëve është jo e prerë, ndërkaq llogaria e saktë është decide, kurse jo decidja nuk mund t’i rezistojë decides, e lëre më t’i jepet përparësi ndaj saj. Ky është qëndrimi unanim i dijetarëve.
Akademia konfirmon se me llogarinë astronomike nuk ka për qëllim astrologët e përbuzur dhe të papranuar fetarisht, sikur që mund të mendojnë disa dijetarë, por me këtë llogari nënkuptojmë rezultatin e shkencës bashkëkohore të astronomisë, i cili bazohet në rregulla të prera llogaritëse shkencore, shkencë kjo e cila në kohën tonë ka arritur mjaft, e po ashtu edhe shumë shkencëtarë muslimanë në vende të ndryshme u dalluan në këtë shkencë.

[SEANCA E TRETË]

FETVAJA (9)

 SA JANË TË RËNDËSISHËM VITET PËR KURBANAT

 VENDIMI I AKADEMISË:

Caktimi i viteve për kurban, qofshin dele apo lopë, bëhet me qëllim që të mund të shfrytëzohet kafsha dhe njëkohësisht të jetë e vlefshme, ndërkaq argument për këtë janë vitet. Pari­misht duhet të merren parasysh vitet në rrethanat nor­ma­le derisa nuk është realizuar zhvillimi i duhur para viteve, e në veçanti delet të cilat zhvillohen shpejtë në Evropë, e po ashtu këtë tretman e kanë edhe viçat për trashje të cilët zhvillohen për disa muaj, pa marrë parasysh a është kjo trashje natyrore apo artificiale. Prerja e kësaj kafshe për kurban është e lejuar, duke u realizuar kështu objektivi fetar nga kushtëzimi i viteve. Këtë qëndrim e mbajtën disa juristë të njohur malikit. Me këtë rast duhet të merren parasysh kushtet medicinale për t’u ikur dëmeve të cilat mund të ndodhin nga kafshët e sëmura apo që kanë mangësi të njohura, si për shembull shapi dhe ligata. All-llahu e di më së miri.
Me këtë rast Akademia ua tërheq vërejtjen muslimanëve për disa çështje:
- Ata duhet t’u përmbahen ligjeve higjienike të cilat e kushtëzojnë kontrollin e veterinarit për kafshët që theren në thertoret legale.
- Fetarisht lejohet që muslimani ta autorizojë tjetrin që ta pret kurbanin në vend tij, bile edhe nëse është në vend tjetër, e në veçanti në vendet ku muslimanët u nënshtrohen shtypjeve, urisë apo skamjes.
- Në rast se nuk mundet të merr kurban nga thertorja në ditën e parë të bajramit, nuk ka ndonjë pengesë që kurbanin ta merr deri ditën e katërt të bajramit.

[SEANCA E SHTATË]

Fusnotat:

1 Hadithin e transmeton Muslimi, libri i agjërimit, kapitulli: Obligimi i agjërimit të Ramazanit me parjen e hënës së re, vëll. II, fq. 760, prej hadithit të Abdullah ibn Omerit, dhe vëll. II, fq. 762, prej hadithit të Ebu Hurejres.
2 Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 1810) dhe Muslimi (nr. 1081) prej hadithit të Ebu Hurejres.