FETVAJA (7)
PYETJA: Vazhdimisht u jemi ekspozuar kritikave të ashpra nga ana e evropianëve të cilët mbajnë qen, se ne frikohemi që pastërtia e tyre mos t’i prekë teshat tona dhe të ngjashme. Për këtë arsye pyes: A ka ndonjë shkollë juridike e cila e konsideron qenin të pastër e ta largojë prej nesh këtë vështirësi?
PËRGJIGJJA: Po, sipas medh’hebit të Imam Malik Ibn Enesit, qentë janë të pastër. Trupi i qenit është i pastër sipas mendimit më të saktë te Shkolla Juridike Hanefite, kurse papastërtia ka të bëjë me lagështinë e gojës dhe jargët që dalin prej saj.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (8)
PYETJA: A lejohet t’u prijë muslimanëve në namaz një njeri i cili ka disa mangësi fetare?
PËRGJIGJJA: Themi: Atij të cilit i vlenë namazi për vete, i vlenë edhe për të tjerët. Kriter në çështjen e imametit (prirjes në namaz) është hadithi i Pejgamberit të All-llahut: “Njerëzve u bëhet imam ai që e njeh më mirë Kur’anin. Nëse në këtë janë të barabartë, atëherë përparësi ka ai që e njeh më mirë Sunnetin. Nëse edhe në këtë janë të barabartë, atëherë ai që më herët ka bërë hixhret, nëse edhe në hixhret (shpërngulje) janë të njëjtë, atëherë prin më i vjetri. Le mos t’i bëhet imam njeriu një tjetri në vendin e tij dhe as le të mos të ulet në ndonjë vend në shtëpinë e tij pa lejen e tij”.1
Kundërvajtjet ndaj normave fetare (disa prej tyre sh.p.) nuk e mohojnë vlefshmërinë e namazit. Prej parimeve të besimit të Ehli-Sunnetit është validiteti i namazit pas çdo muslimani, qoftë i devotshëm apo mëkatar, por, duke patur parasysh atë se më së shumti njerëzit i konsiderojnë kundërvajtje të imamëve që prijnë në namaz, ato gjëra që kanë të bëjnë me ixhtihadin (mendimin e mbështetur shkencor të ekspertëve) dhe nuk janë prej kundërvajtjeve të prera në fenë islame, si p.sh. namazi pas atij personi i cili i ka teshat e gjata nën zogjt e këmbës, apo ai i cili e rruan mjekrën, se dhe shumë çështje tjera që nuk komentohen tekstualisht dhe lidhur me të cilat ndryshojnë fetvatë. Në këto lloje të kundërvajtjeve nuk lejohet të injorohet ai që vepron ndryshe, por mund që atij t’i tërhiqet vërejtja apo të këshillohet, sepse ndoshta te ai njeri mund të hasen argumente të cilat nuk i dinë të tjerët dhe kur themi: Në këto çështje nuk lejohet injorimi i tjetrit, atëherë a priori themi: namazi pas tij është i vlefshëm.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (9)
PYETJA: Shpeshherë na vijnë lajme për vdekjen e ndonjë personi në ndonjë vend islam, dhe prej nesh kërkohet që t’ia falim namazin e xhenazes në mungesë (gaib). Këtë e bëjmë duke patur për qëllim shpërblimin dhe kjo çështje përsëritet shumë shpesh. Disa vëllezër na kundërshtuan duke pohuar se ky namaz nuk lejohet, sepse të vdekurit përkatës i është falur xhenazja në vendin e vet, si dhe nuk përcillet prej Pejgamberit se ai dy herë ia ka falur xhenazen ndonjë të vdekuri. Nisur nga kjo, vepra jonë konsiderohet bid’at (risi) në fenë e All-llahun e Madhërishëm.
Pyetja është: A lejohet t’ia falim xhenazen në mungesë një njeriu të cilit i është falë namazi i xhenazes në vendin e vet?
PËRGJIGJJA: Dijetarët janë unanimë në atë se parimisht namazi i xhenazes i falet atij të vdekuri xhenazja e të cilit është e pranishme, e cila duhet të vihet para Imamit dhe xhematit, siç vërtetohet kjo me deklaratat e Pejgamberit, praktikën dhe pëlqimin e tij. Ndërkaq, sa i përket namazit për të vdekurin i cili nuk është i pranishëm, kjo gjë është vërtetuar me hadithe të njohura autentike të cilat i transmetojnë Buhariu dhe Muslimi: Se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia ka falur xhenazen Nexhashiut i cili vdiq në Etiopi. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i lajmëroi për këtë muslimanët dhe tha: “Sot vdiq një njeri i devotshëm prej Etiopie, ejani e falnia atij xhenazen”. Xhabir Ibn Abdull-llahu thotë: U radhitëm në safë (radhë), “ndërsa Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia fali xhenazen. Në një transmetim tjetër thotë: “Ju ka vdekur një vëlla, për atë ngrihuni e falnie atij xhenazen”.2
Namazi i të vdekurit është lutje dhe mëshirë dhe prej tij ka dobi ai që nuk është i pranishëm sikur ai që është i pranishëm. Ky ishte qëllimi i namazit të Pejgamberit për Nexhashiun, xhenazja e të cilit nuk ishte e pranishme. Ky është qëndrimi i medh’hebit Shafij dhe mendim i mbështetur në medh’hebin Hanbelij.
Nuk bën të thuhet: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia fali xhenazen Nexhashijut, sepse atij askush nuk ia fali xhenazen, meqë në hadithe nuk përmendet se atij askush nuk ia ka falë xhenazen, por motivi i këtij namazi ka qenë arsyeja se ai ishte njeri i devotshëm, e jo se atij askush nuk ia ka falur xhenazen.
Gjithashtu, falja e namazit të xhenazes së atij të cilit një herë i është falur, është legjitime siç konfirmohet kjo nga Jezid Ibn Thabiti, vëllai i Zejdit, i cili thotë: Dolëm me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe kur arritëm në Bekie (va”rret e Medines), hasëm në një varr të ri, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pyeti për të dhe i thanë: Filan gruaja, e ai e njohu. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Pse nuk më lajmëruat për të?” I thanë: “O Pejgamber, ishe në kohën e pushimit në mesditë dhe duke agjëruar kështu që nuk deshëm të të shqetësojmë”. Pejgamberi tha: “Mos veproni kështu. Sa herë që të vdesë në mesin tuaj dikush e unë jam i pranishëm, duhet të më lajmëroni për të, sepse, namazi im për të është mëshirë”. Pastaj shkoi te varri ndërsa ne u radhitëm pas tij në safë. Ai i mori katër tekbire (ia fali xhenazen).3
Pejgamberi i All-llahut e përsëriti namazin e xhenazes për të vdekurin pasi u varros dhe pasi i ishte falë një herë xhenazja.
Si përfundim të kësaj mund të themi: Mendojmë se lejohet të falet namazi i xhenazes pa praninë e saj, por kjo të mos bëhet shprehi. Bërja shprehi e kësaj është jolegjitime, sepse Ummeti nuk ia ka falur xhenazen çdo të vdekuri joprezent, por këtë e kanë bërë për disa njerëz që kanë gëzuar autoritet të veçantë te muslimanët si p.sh. Nexhashiju, i cili u ofroi ndihmë të madhe muslimanëve që emigruan në Etiopi, si dhe gruaja zezake e cila e pastronte xhaminë e Pejgamberit, gjë që është mirësi ndaj muslimanëve.4
Ua përkujtojmë vëllezërve tanë se kjo është prej çështjeve polemizuese, për atë nuk bën të injorohet ai që mendon ndryshe dhe nuk është e drejtë të vlerësohet bid’at (risi).
(Seanca e dytë)
Fusnotat:
1 Transmetojnë Muslimi (nr. 673), Ebu Davudi (nr. 582), Tirmidhiu (nr. 235), Nesaiju (nr. 780) dhe Ibn Maxhe (nr. 980) prej hadithit të Ebu Mes’ud El-Ensarijut. Tirmidhiu thotë: “Hadithi është i mirë dhe i vërtetë”.
2 Transmeton Buhariu (nr. 1257, 3664). Transmentimi i parë është i tij; dhe Muslimi (nr. 952). Transmetimi tjetër është i tij nga hadithi i Xhabir Ibn Abdull-llahut.
3 Transmetojnë Nesaiju (nr. 2022) dhe Ibn Maxhe (nr. 1528) nga hadithi i Jezid Ibn Thabitit, vëllai i Zejdi Ibn Thabitit.
4 Siç përmendet në hadithin e Ebu Hurejres se një zezake e pastronte xhaminë apo një i ri. Pejgamberi nuk e pa një kohë dhe pyeti për të. I thanë: Ka vdekur. Ai tha: Pse nuk më lajmëruat? Thanë: Sikur ata e nënçmuan atë. Ai tha: Më tregoni ku e ka varrin. Ata ia treguan dhe ia fali xhenazen e pastaj tha: Këto varre janë të mbushura plot terr për banorët e tyre, e All-llahu ua ndriçon atyre kur unë ua fali xhenazen. Transmetojnë Buhariu (nr. 446, 448, 1272) dhe Muslimi (nr. 956).
|