FETVAJA 35
PYETJA: A thua ekziston ndonjë pengesë nga aspekti i Sheriatit që emri të jetë i përbërë, p.sh. Sara Kerime, Fatime Berta, ashtu që muslimani ose muslimanja e re ta mbajë emrin e vjetër dhe t’ia shtojë edhe një emër islam?
PËRGJIGJJA: Nuk ka kurrfarë pengesë nga aspekti i Sheriatit që emri i njeriut të jetë i përbërë, si p.sh., personi ta mbaj emrin e tij të parë pasi të hyjë në Islam dhe atij t’ia shtojë edhe një emër islam. Kështu p.sh. ai të quhet Muhammed, Ahmed, Abdull-llah, Abdurrahman, Omer ose Ali, po ashtu edhe gruaja ta mbajë emrin e saj të parë dhe të marrë edhe një emër tjetër islam p.sh. Hadixhe, Fatime, Aishe, Rukije dhe të ngjashme.
Te arabët është traditë që një njeri, e sidomos ata që kanë autoritet dhe pozitë, të kenë emër nofkë dhe pseudonim dhe me të gjitha emrat. Një njeri thirret p.sh. Abdull-llah, Ebu Bekër (Babai i Bekrit) i sinqerti (Siddik). Të gjitha këto janë emra të një personi, si p.sh. Omer Ebu Hafs (Babai i Hafsës) El-Faruk. Të gjitha këto i pëlqen Islami.
Nisur nga kjo, nuk shohim pengesë që njeriu të ketë dy emra, e në veçanti ata që e kanë përqafuar Islamin, por me kusht që emri i parë të mos jetë i papranuar islamikisht. Si p.sh., të jetë emri i tij: Rob i Jesuit ose emri i femrës i kësaj natyre. Këtë emër duhet ta ndërrojë me emër të pranuar islamikisht. Madje nuk ka pengesë edhe nëse e mban vetëm emrin e tij të parë, nëse ai emër është i pranuar islamikisht. Sahabët i mbajtën emrat e tyre me të cilët ishin quajtur në xhahilijet (injorancë), edhe pse më e preferuar do të ishte të kishin emra të dashur islam, të cilët do të tregonin se ata e kanë përqafuar. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i pëlqente emrat të cilët kishin kuptime të mira, të sinqeritetit dhe optimizmit si dhe i urrente emrat që kishin kuptim të kundërt, prandaj edhe i ndërronte këto emra në më të mirë dhe më të pëlqyer. Kështu emrin “Asije” – gabimtare e ndërroi në “Xhemile” e bukur (Bukurie).
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Emrat më të mirë janë Abdull-llah dhe Abdurrahman, emrat më të sinqertë janë Harith dhe Humam, ndërsa emrat më të këqij janë Harb dhe Murre”.1
(Seanca e parë)
FETVAJA 36
PYETJA: Cili është qëndrimi i Sheriatit ndaj përzierjes së gjinive në dasma?
PËRGJIGJJA: Termi përzierje (Ihtilat) është barbarizëm në vokabularin e Kur’anit dhe Sunnetit, të cilin shumë njerëz unanimisht e trajtojnë si çështje të prerë në Islam, që do të thotë sikur Kur’ani apo Sunneti kanë thënë: Përzierja është haram. Këto janë lëshime të cilat bëhen nga shumë muslimanë.
Kështu, përkitazi me këtë themi: Sheriati islam nuk e ka ndaluar praninë e burrave dhe grave në një vend, nëse largohemi nga tri gjëra të cilat i ka ndaluar Islami: Mëvetësimi (që aludon në atë që jetë një mashkull dhe një femër të jenë në një vend ku nuk mund t’i shohë askush); zbulimi (që ka për qëllim t’i zbulojë gruaja ata që i ka urdhëruar All-llahu të mbulohen prej trupit, zbukurimeve, parfumit ose të ketë ecje dhe lëvizje provokuese) dhe kontakti i drejtpërdrejtë fizik (gjegjësisht prekja e lëkurave). Nëse abstrahohen këto tre elemente, atëherë nuk ka pengesë nga aspekti i Sheriatit. Në këtë kontekst nuk ka dallim ndërmjet dasmave dhe tubimeve të tjera. Por, nëse e dimë se njerëzit në dasma nuk u përmbahen këtyre kushteve, atëherë duhet ndaluar praninë e femrave dhe meshkujve në një vend.
(Seanca e dytë)
FETVAJA 37
PYETJA: Shumë gra muslimane pengohen të flasin me vizituesit, apo në përgjithësi me burrat tjerë, ndërkohë që burri ia lejon vetes të flasë me çdo grua. Andaj, më intereson çfarë është qëndrimi i Islamit ndaj kësaj?
PËRGJIGJJA: Në një hadith të vërtetë transmetohet se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Turpi është prej besimit”.2 Po ashtu ka thënë: “Turpi sjell vetëm të mira”.3 Andaj, turpi është tipar i lavdëruar për të dy palët, edhe për burrat edhe për gratë. Por, kur është në pyetje gruaja, kjo edhe më tepër preferohet, ngase kjo është më e përshtatshme për natyrën e saj femërore. Dhe pikërisht kjo është ajo që e ndalon gruan që të fillojë biseda me njerëz të huaj. Disa herë kjo dirigjohet nga doket dhe zakonet të cilat ndryshojnë sipas vendeve, kohëve dhe rrethanave.
Me rëndësi është të dihet se Sheriati nuk e ndalon që gruaja t’i flasë burrit, apo burri gruas kur ka nevojë për një gjë të tillë, mirëpo kjo bisedë duhet të jetë në korniza të rregullave dhe normave fetare.
All-llahu i Madhërishëm u tha grave të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nënave të besimtarëve: “O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura”. (El-Ahzab: 32)
Edhe pse gratë e Pejgamberit kanë pozitë të veçantë dhe dispozita të cilat vlejnë vetëm për ato, si dhe kanë disa kufizime të cilat nuk vlejnë për të tjerat, All-llahu nuk ua ndaloi që thjesht të flasin, por i ndaloi të mos llastohen në të folur, ashtu që t’i lakmojnë njerëzit e epshit të nënshtruar thirrjes së pasioneve të kësaj bote. Këta njerëz Kur’ani i quajti njerëz të cilët kanë sëmundje në zemër, e kjo është sëmundje e epshit të madh. Ndërkaq bisedat e matura dhe që janë në pajtime me rregullat islame janë legjitime: “… Po thuani fjalë të matura”. Ekzistojnë disa hadithe autentike të cilat lejojnë që burri t’u japë selam grave dhe anasjelltas e po ashtu edhe vizitat e burrave te gratë dhe vizitat e grave te burrat.
Por, kjo nuk do të thotë që të hapen dyert krah në krah për të dy palët, ashtu që gruaja t’i flasë çdo burri që e takon apo burri t’i flasë çdo gruaje që e takon, sepse një gjë të tillë e mohojnë logjika dhe sensi para se ta mohojë Sheriati. Gruaja i flet ndonjë mashkulli nëse është i afërm i saj, dhëndër, mësues, punëdhënës i saj dhe të ngjashëm, të cilën gjë e imponojnë kushtet jetësore dhe marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet njerëzve e sidomos në kohën tonë, me kusht që të ketë besim, mos të ketë shpifje dhe gjendja të jetë normale.
Kjo praktikohet edhe në shumë vende islame ku burrat u japin selam (i përshëndesin) grave si dhe gratë burrave kur takohen dhe bëjnë bisedë (me fjalë të matura) për çështjet të cilat i ngarkojnë me pëlqimin e bashkëshortëve, prindërve dhe vëllezërve, dhe këtë veprim atyre nuk ua ka mohuar asnjë dijetar.
Ne nuk e mohojmë të vërtetën se në disa vende ka zakone shumë të rrepta për gratë, të cilat thujase i mbyllin në shtëpi dhe gjykojnë për to burg të përjetshëm deri në vdekje. Ndoshta disa dijetarë e kanë përkrahur këtë botëkuptim, mirëpo argumentet e Sheriatit, autentike dhe të qarta, e kundërshtojnë këtë e të mos flasim më se këtë e kundërshtojnë edhe objektivat e Sheriatit, interesat e njerëzve dhe evoluimi i kohës dhe njeriut.
(Seanca e parë)
FETVAJA 38
PYETJA: A lejohet që gruaja të vozisë biçikletë? Si është kjo çështje për vajzat e virgjëra kur ka gjasa që ta humbin virgjërinë gjatë një veprimi të këtillë?
PËRGJIGJJA: Vozitja e biçikletës, veturës apo mjeteve tjera transportuese në thelb është veprim i lejuar. Gratë arabe edhe në kohën e injorancës edhe në Islam i shalonin devetë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Gratë më të dalluara që kanë shaluar deve janë gratë e Kurejshëve, janë më të mëshirshme për fëmijët në vegjëli dhe më të kujdeshme për pasurinë e burrit”.4
Por kjo bëhet me kusht që t’i respektojë rregullat fetare gjatë një veprimi të tillë, si veshja e paraparë me Sheriat, dhe kujdesi të mos preket me meshkuj, sepse kjo është e ndaluar islamikisht.
Ndërkaq sa i përket mundësisë që vajzat ta humbin virgjërinë, themi se këtë çështje duhet shikuar mirë dhe ta dijmë përqindjen e ndodhisë se një mundësie të tillë. Nëse është dukuri e rrallë, sipas rregullave të Sheriatit për dukuritë e rralla nuk vlejnë dispozitat, por ato vlejnë për dukuritë e përgjithshme që ndodhin shpeshherë.
Nëse kjo gjë ndodh shpesh dhe nuk mund të evitohet një gjë e tillë për disa arsye, atëherë muslimanja beqare duhet të ndalohet nga ky mjet me qëllim që mos të shkaktohen dyshime dhe të mos etiketohet me gjëra që nuk i ka bërë. Këtu bën përjashtim rasti po qe se ky mjet është i domosdoshëm për femrën, si p.sh. të jetë mjet i domosdoshëm për të shkuar në shkollë, në punë apo të ngjashme, sepse domosdoshmëritë i arsyetojnë ndalesat, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “E kush shtërngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos tepruar, për të nuk është mëkat vërtet All-llahu falë, është mëshirues”. (El-Bekare: 173)
FETVAJA 39
PYETJA: A lejohet që gratë t’i shoqërojnë fëmijët në lojërat kolektive në të cilat ka disa lëvizje të vallëzimit? (Kapen fëmijët për dore njëri me tjetrin, bëhen rreth dhe luajnë me muzikë).
PËRGJIGJJA: Nëse këto lojëra i nxisin pasionet dhe ndezin epshet, atëherë gruaja nuk është e lejuar të bëjë një gjë të tillë, e sidomos në prani të meshkujve që për femrën janë të huaj.
Ndërkaq, nëse këto elemente nuk vijnë në pyetje në këto lojëra, por thjesht këto janë lëvizje ritmike me lëvizjet e fëmijëve dhe i shoqërojnë në këto lojëra me qëllim të stimulimit, disponimit, stërvitjes së tyre në lojërat sportive të cilat e forcojnë trupin e thellojnë shpirtin dhe i stimulojnë në aktivitete, e në veçanti lojërat kolektive të cilat që nga vegjëlia në shpirtrat fëmijëve mbjellin dashurinë për solidarizim, shpirtin e bashkësisë, në këtë rast veprimet e këtilla të grave janë të lejuara dhe nuk ka ndonjë pengesë për to.
(Seanca e parë)
FETVAJA 40
PYETJA: Shpesh pyesim për atë se a është e lejuar që fëmijët muslimanë të blejnë paketë dhe lëndë plasëse me rastin e Vitit të Ri Gregorian. Për atë pyes: a lejohet që fëmijët e muslimanëve t’i blejnë këto paketa e lëndë plasëse dhe t’i përdorin gjatë festave të muslimanëve, apo të blehen dhe përdoren natën e Vitit të Ri Gregorian? Gjithashtu a lejohet që t’i blejnë këto paketa dhe t’i përdorin para Vitit të Ri apo pas tij, jo se e festojnë Vitin e Ri Gregorian, por për shkak se këto paketa shiten vetëm në këtë kohë?
PËRGJIGJJA: Po, nuk ka pengesë që të blejnë fëmijët e muslimanëve lëndë të tilla që të luajnë në festat islame me qëllim të shprehjes së gëzimit dhe harresë për festën, por duke u munduar t’u largohemi harxhimeve të tepërta sepse këtë na e ka ndaluar All-llahu. Ndërkaq assesi nuk është e lejuar që fëmijët e muslimanëve t’i përdorin këto gjëra në festat e krishterëve, sepse kjo do të ishte një lloj shoqërimi i tyre në specifikat e tyre fetare, që paraqet shprehje të gëzimit për një festë që u takon atyre. Ndërkaq nuk ka pengesë në përdorimin e këtyre gjërave gjatë ditëve tjera të vitit dhe para apo pas festës së Vitit të Ri.5
(Seanca e dytë)
FETVAJA 41
PYETJA: Cili është qëndrimi i Sheriatit ndaj masturbimit, duke e patur parasysh atë se një veprim i tillë pengon nga zinaja?
PËRGJIGJJA: Hedhja e spermës përmes ngacmimit të organit gjenital me dorë është vepër e shëmtuar dhe është në kundërshtim me veprën e shëndoshë dhe mirësjelljen e lartë. Në lidhje me qëndrimin e Sheriatit ndaj kësaj vepre, disa e kanë ndaluar në çdo rast, disa të tjerë thonë se është e urrejtur pa mos qenë vepruesi i saj mëkatar, disa e kanë lejuar në rast se njeriu frikohet të mos bëj zina (prostitucion), madje disa prej tyre thonë: Kjo është vaxhib (e domosdoshme) nëse imponohet si mënyrë e vetme mbrojtëse nga zinaja, në rast të ekspozimit të njeriut ndaj zinasë. Kjo do të ishte pengim i një dëmi të madh me një dëm më të vogël se ai. Mendimi nga i cili anojmë, e sidomos kur janë në pyetje ata që gjenden në vendet e anarkisë dhe zvetënimit moral, është se masturbimi është vepër e papëlqyer (mekruh), pa mos bërë mëkat ai që e vepron. Argument i këtij mendimi është se Sheriati na ka treguar për mënyrat e mbrojtjes së njeriut nga ndikimi i epshit, si: martesa, agjërimi i vazhdueshëm, durimi, mbrojtja, por Sheriati nuk e ka paraparë hedhjen e spermës me dorë si mënyrë e pëlqyeshme për këtë mbrojtje. Ndërkaq themi se ai që e bën këtë vepër nuk bën mëkat sepse argumentet e Sheriatit nuk janë të prera se kjo vepër është haram (e ndaluar), por kjo kuptohet nga ajeti kur’anor: “Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime)” deri në ajetin: “E kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara”. (El-Mu’minun: 5,7). Por, kjo nuk është decide në ndalimin e masturbimit. Po ashtu, të gjitha hadithet që transmetohen për këtë nuk janë të vërteta, e në veçanti kur dihet se këtë e kanë lejuar disa dijetarë prej të cilëve: Ibn Abbasi, Hasan El-Basriju, Ahmed Ibn Hanbeli, Ibn Hazmi dhe të tjerë.6
Mirëpo, nëse dikë e përshkojnë epshet, e preokupojnë mendjen e tij dhe e vënë në depresion psikik, frikohet të mos bëjë vepër të shëmtuar e rrugë e vetme për uljen e këtij tensioni i imponohet masturbimi, për shkak se mund të mos jetë i martuar apo mos të ketë gruan me vete. Në këto raste personi përkatës mund ta bëjë këtë veprim pa mos qenë për të i urrejtur (mekruh).
Nëse njeriu e bën një gabim të këtillë nuk duhet që këtë ta bëjë shprehi dhe t’i shndërrohet në sëmundje kronike, sepse nëse kjo shprehi bëhet e zakonshme, shndërrohet në sëmundje të rrezikshme e cila mund të ndikojë te personi që bën një veprim të tillë të largohet nga gruaja. Për këtë arsye duhet të mundohet të mbrohet nga kjo shprehi me metoda legjitime si: martesa, agjërimi, durimi, qëndrueshmëria morale etj.
(Seanca e dytë)
Fusnotat:
1 Hadith i mirë (hasen) me rrugët e transmetimit; transmetojnë Abdull-llah Ibn Vehbi në “Xhamie”, Ahmedi (3/345), Ebu Davudi (nr. 4950) dhe Nesaiju (nr. 3565).
2 Transmetojnë Buhariu (nr. 24, 5767) dhe Muslimi (nr. 36) prej Ibn Omerit.
3 Transmetojnë Buhariu (nr. 5766) dhe Muslimi (nr. 37) prej Imran Ibn Husajnit.
4 Transmetojnj Buhariu (nr. 4794, 5050) dhe Muslimi (nr. 2527) prej hadithit të Ebu Hurejres.
5 Edhe pse Komisioni për fetva e lejon këtë, përsëri fëmijët e muslimanëve duhet t’u largohen këtyre gjërave të cilat përmbajnë eksploziv dhe mund të lëndohen. (sh.p.).
6 Shih: Abdurrezak Es-San’ni, El-Musanef 7/390-391, Ibn Xherir Et-Taberij, Ihtilaf ul Fukaha, f. 123, Ibn Hazmi, El-Muhal-la 12/407, Ibn El-Arebij, Ahkamul Kur’an 3/315. Lejimi i kësaj shprehie është njëri prej transmetimeve nga Ibn Hanbeli, kurse sipas transmetimit tjetër kjo është e ndaluar.
|