FETVAJA (17)
PYETJA: Cili është qëndrimi i Sheriatit ndaj kurorës e cila quhet martesë e interesit. Ky lloj martese, saqë e di unë ka forma të ndryshme, e prej tyre si p.sh. është edhe forma vijuese:
Një mashkull dhe një femër merren vesh për të lidhur kurorë për një sasi të hollash që burri ia jep gruas. Kjo sasi mund të jetë para të gatshme, e mund të jetë edhe në këste për disa vjet, sipas marrëveshjes. Kjo bëhet me kusht që femra të shkojë me mashkullin në Drejtorinë e punëve të brendshme (polici) për të huaj me rastin e përcaktimit të vendqëndrimit për çdo vit. Kjo gjendje zgjat derisa personi në fjalë të marrë leje zyrtare për vendqëndrim, e pas kësaj e prishë kurorën. Gjatë kësaj kohe, ky mashkull dhe kjo femër mund të jetojnë si bashkëshortë, por sipas marrëveshjes ata e prishin kontratën kur mashkulli e merr lejen zyrtare për qëndrim. Normalisht kjo marrëveshje nuk i bëhet ditur palës zyrtare, sepse ligjërisht kjo nuk lejohet.
Në disa forma të kësaj kurore, mashkulli nuk jeton me femrën me të cilën ka vënë kurorë para organeve përkatëse, nuk kontaktojnë mes vete, por merren vesh që ajo ta shoqërojë atë vetëm me rastin e përcaktimit të afatit të qëndrimit për çdo vit. Me qëllim që organeve kompetente t’u dëshmojë se ajo jeton në bashkëshortësi me këtë mashkull e pastaj e merr sasinë e të hollave për të cilën janë marrë vesh më vonë çdonjëri e shikon punën e vet. Duhet cekur se këtë formë të martesës, mund ta praktikojë mashkulli me qëllim që ta marrë lejen për vendqëndrim (letrat sh.p.). Gjithashtu këtë mund ta bëjë edhe gruaja që të marrë leje për vendqëndrim, ku njëri prej tyre mund të jetë jomusliman por mund që edhe të dy të jenë muslimanë!
Në të gjitha rastet, edhe burri edhe gruaja konsiderohen përgjegjës për njeri-tjetrin në aspektin ligjor. Nëse themi kushtimisht se kjo grua ka patur marrëdhënie intime me një mashkull tjetër dhe me të lindë fëmijë, fëmija do të regjistrohet në emër të burrit të përkohshëm. Nëse burri i përkohshëm (që ka lidhë kurorë për letra sh.p.) vjen dhe kërkon prej saj të kenë marrëdhënie, ajo nuk ka të drejtë ligjore që ta refuzojë, e sidomos nëse femra ka nevojë për vendqëndrim.
Kjo kurorë, me të dy format e përmendura, realizohet në komunë sikur edhe kontratat tjera qytetare në këtë vend.
Kjo kontratë mund të jetë edhe kontratë e Sheriatit duke i plotësuar kushtet e parapara të tij, mirëpo të dy palët nuk e tregojnë këtë marrëveshje në përmbajtjen kontratës, por kjo është marrëveshje ndërmjet tyre, në prani të disa anëtarëve të të dy familjeve (familjes së mashkullit dhe femrës).
Ekziston edhe një formë tjetër e martesës në Perëndim, të cilën do ta paraqes në vazhdim:
Një mashkull e marton një femër me mehër (dhuratë kurore), por në vete fsheh diçka tjetër. Shokëve dhe të afërmve të vet u tregon se ai nuk ka për qëllim të martohet, por vetëm dëshiron ta marrë lejen për qëndrim. Posa ta marrë lejen e qëndrimit, do të shkurorëzohet nga gruaja në fjalë. Mirëpo ai këtë nuk guxon t’ia thotë gruas së vet nga frika se mos largohet prej tij para se ta marrë lejen e qëndrimit.
PËRGJIGJJA: Mënyra e parë është e ndaluar – haram dhe të dy palët janë mëkatarë. Kurora në fjalë është në kundërshtim me qëllimin e Sheriatit lidhur me martesën, sepse kjo është kurorë formale qëllimi i së cilës është diç krejtjetësisht tjetër e jo martesa. Për këtë arsye, edhe sikur t’i plotësojë kushtet e kurorës, nuk është e lejuar për këtë qëllim si dhe për atë se ligji i vendit nuk e lejonte konfirmimin e ndalimit të kësaj mënyre e cila është në kundërshtim me ligjin vendor, e ligji në këtë rast përputhet me qëllimin e Sheriatit. Po ashtu, kjo mënyrë i ngjason kurorës së përkohshme (Mut’a) të cilën rreptësisht e ka ndaluar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]1, në aspektin e afatizimit deri në marrjen e lejes së qëndrimit e pastaj e prishë kurorën siç thekson pyetësi.
Mënyra e dytë është e ndaluar si e para. Në të ka një çështje që është haram e ajo është martesa e muslimanes me jomuslimanin, sepse thjesht vetë kurora është jovalide, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për shkakun e përmendur në pyetje ose për martesë.
Ndërkaq, sa i përket mënyrës së tretë, edhe pse forma e kontratës së kurorës është valide, burri përsëri është mëkatar sepse e mashtron gruan. Kjo, ngase burri e fsheh qëllimin e shkurorëzimit që nga momenti i vënies së kurorës, kurse martesa në Islam, don të thotë vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe stabilitet i jetës bashkëshortore, ndërkaq shkurorëzimi është diçka që ndodh pa dashje pas kurorëzimit. Pikërisht për këtë shkak u ndalua martesa e përkohshme dhe u trajtua si jovalide. Gjithashtu, propozimi dhe pranimi janë kushtet themelore të martesës dhe gruaja kur e ka pranuar atë si burrë, e ka patur për qëllim martesën reale, e sikur ta dijë se ai e ka pranuar atë si grua të përkohshme të cilën e shkurorëzon kur të dojë, do ta refuzonte një gjë të tillë. Për këtë arsye nëse e ka synuar shkurorëzimin me rastin e kurorës, kjo do të kishte ndikim në vlefshmërinë e kurorës, sepse gruaja e ka bërë pranimin e saj ashtu sikur që nuk ka dashur.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (18)
PYETJA: Një person kishte marrëdhënie intime me një femër nga ithtaret e librit pa mos patur kurorë sipas Sheriatit, pastaj me të lidhi kurorë në organet zyrtare (laike sh.p.). Atij me këtë grua i lindi vajzë dhe ky tash dëshiron ta martojë sipas rregullave të Sheriatit, kështu që a ekziston mundësia që ne t’i vëmë atij kurorë sipas Sheriatit dhe çka duhet të bëjmë para se ta shkruajmë aktin e kurorëzimit?
PËRGJIGJJA: Po, ju mund t’ia formuloni atij aktin e kurorëzimit me gruan e vet sipas rregullave islame i cili do të jetë dokument vërtetues i kurorës së vënë para organeve të shtetit, nëse ajo kurorë i ka plotësuar kushtet që të jetë valide. Ky dokument duhet ta ketë datën e kurorës së vënë para organeve të shtetit, po ashtu nuk prish punë nëse dëshmohet për të dhe kjo dëshmi do të jetë argument për vlefshmërinë e kurorës. Përtëritja e kurorës s’është e nevojshme po qe se kurora në fjalë i ka plotësuar kushtet e nevojshme.
Ndërkaq prej jush, para shkrimit të aktit të kurorëzimit, nuk kërkohet më tepër sesa t’ua përkujtoni këtyre të dyve Zotin dhe t’i nxitni të kërkojnë falje për veprat e ndaluara që i kanë bërë para vënies së kurorës.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (19)
PYETJA: A lejohet që burri i posamartuar ta shkurorëzojë gruan e tij nëse vërtetohet se ajo e ka humbur virgjërinë, edhe pse ajo betohet në Zotin dhe para Mus’hafit se asnjëherë nuk ka bërë zina (marrëdhënie intime joligjore), por e ka humbur p.sh., në lojëra sportive?
PËRGJIGJJA: Shkurorëzimi është gjëja e lejuar por më e urrejtur te All-llahu i Madhërishëm, dhe për këtë arsye nuk i lejohet muslimanit që ta shkurorëzojë gruan për ndonjë shkak shumë të vogël, ashtu që e thyen zemrën e gruas, e shkatërron familjen e shkatërron një shtëpi muslimane pa ndonjë arsye të fortë, e sidomos shkurorëzimi në ditët e para të martesës e dëmton shumë gruan dhe për të përhap dyshime dhe fjalë të këqija. Për këtë, nëse fjalët e gruas janë të logjikshme dhe që mund të besohen, sikur në rastin e përmendur, gjegjësisht ta humbë femra virgjërinë e saj në lojëra sportive në një moshë të caktuar, e me theks të veçantë nëse nuk ruhet dhe nuk ka kujdes, nuk është larg mendjes që vërtet të ndodhë një gjë e tillë; burri duhet t’i besojë gruas në atë që e thotë.
Nëse gruaja është betuar në All-llahun se nuk ka bërë zina në jetën e vet, atëherë parimisht duhet të besohet. Rregulla e njohur është: “Paditësi duhet të sjell argument, kurse i padituri duhet të betohet”, e burri në këtë rast e paditë gruan për një akuzë që nuk mund ta vërtetojë, ai kundër saj nuk ka argument, kështu që mbetet vetëm betimi i saj.
Po ashtu duhet ditur se Islami na mëson që gjatë marrëdhënieve me njerëzit tjerë duhet të kemi mendim të mirë për ata, sepse disa paragjykime janë mëkat. Çdoherë sipas mundësisë duhet ta shohim gjendjen e muslimanit dhe muslimanes së mirë. Në hadithin sahih (autentik) qëndron: “Ruheni paragjykimeve, sepse paragjykimet janë gënjeshtrat më të mëdha”.2
Gjithashtu, nëse kushtimisht themi se ajo ka gabuar në të kaluarën e pastaj është penduar dhe është përqëndruar, All-llahu asaj ia fal, pendimi e anulon atë që ka qenë para tij. Ai i cili pendohet për shkak të mëkatit, është sikur ai që nuk ka mëkat e All-llahu i don ata që pendohen dhe pastrohen. Më e preferuar për ne është që të pajisemi me moral islam dhe t’ia falim gabimin asaj. Të gjithë njerëzit gabojnë, kurse gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.
(Seanca e parë)
Fusnotat:
1 Siç përmendet në hadithin e Sebure Ibn Maebedit se ky ka qenë me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe tha: “O njerëz, unë ua pata lejuar dëfrimin me gra (kurorë të përkohshme sh.p.) e All-llahu e ka ndaluar këtë deri në Ditën e Gjykimit. Për atë, cili prej jush ka ndonjë grua të tillë le ta lëshojë dhe mos t’i marrë asgjë që ia ka dhënë”. Transmetojnë Muslimi nr. 1406 dhe tjerë.
2 Transmetojnë Buhariu (nr. 4849, 5717, 5719, 6345) dhe Muslimi (nr. 2563).
|