fetva
Akademia 1

FETVA PËR FITIMIN DHE JETESËN

FETVAJA (14)

PYETJA: Unë jam musliman dhe punoj në një lokal të “Mek­donaldsit”. Në këto lokale shiten ushqime dhe haje të lehta, e në realitet në to shitet mishi i derrit, dhe sikur që e dini, nuk është lehtë që njeriu të gjejë ndonjë punë tjetër nga e cila do ta sigurojë jetesën për shkak të rrogave të dobëta, e duke e patur parasysh se unë kam grua e cila së shpejti do të lindë, ndërkaq vetëm unë punoj për ta mirëmbajtur atë.
Po ashtu dëshiroj të theksoj se në këtë lokal shiten edhe ushqime tjera si p.sh. sanduiçat me vezë apo burgerët. Për këtë arsye, a jam i obliguar që ta braktis këtë punë dhe të kërkoj ndonjë punë tjetër?

PËRGJIGJJA: All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrë­nien e mishit të derrit me argumente të prera e të qarta në Kur’an, ndërkaq shitja e tij është e ndaluar me argumente nga Sunneti. Transmetohet nga Xhabir Ibn Abdull-llahu [radijall-llahu anhu] se e ka dëgjuar Pejgamberin e All-llahut gjatë çlirimit të Mekkes duke thënë: “All-llahu dhe Pejgamberi i tij e ndaluan shitjen e alkoolit, cofëtinës, derrit dhe putave”.
Për këtë arsye, kjo veprimtari e cila shoqërohet me shitjen e mishit të derrit, ndalohet me porosinë e qartë të hadithit të Pejgamberit të All-llahut, ashtu që t’i obligohesh të kërkosh punë tjetër për ta siguruar ekzistencën, nëse nuk gjen punë të lejuar e as burim të pastër islamikisht për fitimin e furni­zimit. Nëse nuk të pengon që të kërkosh nga përgjegjësit që të të lirojnë nga shitja e mishit të derrit, ti obligohesh ta bëshë këtë, apo të kërkosh prej ndonjë punëtori tjetër jo­musli­man i cili punon me ty, që ta kryej këtë punë e ti t’i kryesh punët tjera që nuk janë të ndaluara. Nëse e ke vësh­tirë ta bësh këtë, nuk është e ndaluar të vazhdosh ta kryesh punën aktuale nëse nuk ke të ardhura që ta sigurosh ekzis­tencën, por duke u munduar të gjeshë ndonjë punë tjetër e cila nuk është e ndaluar.

(Seanca e dytë)

FETVAJA (15)

PYETJA: Një vëlla musliman në këtë vend ka hapur një restorant dhe kërkon përgjigje në pyetjet vijuese:
1. Ky dobët punon në këtë restorant, për shkak se nuk shet alkool apo pije të tjera dehëse që i ka ndaluar Islami. Për atë, a i lejohet atij që të shesë alkool apo disa pije tjera të ndaluara islamikisht, ndërsa fitimin që del prej tyre ta japë sadaka, pa mos prekur vetë kurrgjë prej kësaj?
2. Disa klientë kërkojnë prej tij t’ua japë lokalin me qira që të organizojnë disa solemnitete. Në këto solemnitete marrin me vete edhe alkool, por nuk shfrytëzojnë asgjë prej resto­rantit. Po ashtu, pronari i restorantit nuk i shoqëron në këto solemnitete. Shtrohet pyetja se a lejohet që ky t’ua japë atyre lokalin me qira?
3. Kemi dëgjuar se ka disa lloje birrash (lëng elbi) që shiten në disa vende islame e që nuk përmbajnë alkool siç propa­gohet. Për atë, a lejohet konsumimi i këtyre pijeve dhe shitja e tyre në restorantin në fjalë?

PËRGJIGJJA
: 1. Nuk i lejohet personit në fjalë të shesë alkool dhe ushqime apo pije tjera të ndaluara ,edhe nëse ai personalisht nuk e shfrytëzon profitin e tyre dhe i jep lëmoshë. Ai duhet t’i frikohet All-llahut në fitimin e furnizimit: “… e kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare…” (Et-Talak: 2-3) Muslimani duhet ta dijë se bereqeti është në hallall, edhe nëse atij i duket pak, ndërkaq harami është pa bereqet dhe  çështja e fitimit të haramit mbetet në duart e All-llahut, nëse don All-llahu ia falë dhe e mëshiron.
2. Nuk është e ndaluar ta japë me qira lokalin e tij për qëlli­min e përmendur dhe në formën e përmendur, meqë pro­nari i lokalit nuk është përgjegjës për atë që e bëjnë ata gjatë kohës kur e kanë rezervuar lokalin, por ai është përgjegjës për vetë dhënien me qira. Nëse kontrata e qirasë nuk është e përzier me haram, ajo është e lejuar.
3. Çdo pije e cila nuk të deh është e lejuar, për këtë arsye, pasi ky lloj pijes së përmendur nuk deh për shkak të mos­për­mbajtjes së lëndës dehëse, atëherë ajo është e lejuar, sepse parasysh merret përmbajtja e jo emri. Ajo që lejohet të pihet, lejohet edhe të shitet.

(Seanca e dytë)

FETVAJA (16)

PYETJA: Një sasi të pasurisë sime ia dhashë një tregtari që t’ia bashkangjesë kapitalit të tij dhe t’i investojë. Në këtë mënyrë edhe ai edhe unë do të kemi dobi. Pasha Zotin, unë nuk e pranoj e as që e dua kamatën, nuk e kam synuar e as që më shkuar ndër mend. Kërkova prej këtij tregtari që të merremi vesh për një përqindje në fitin dhe humbje. Ai këtë e refuzoi me arsyetimin se këtë e ka vështirë ta bëjë, respek­ti­visht se në këtë rasti do të obligohet të bëjë llogari të shum­ta, e ai këtë nuk e do. Unë mendoj se ai këtë e bën për ndonjë arsye tjetër të cilën nuk ma tregoi, prandaj jam i mendimit se ai nuk dëshiron që unë t’i dijë disa gjëra tjera, si p.sh., sa është fitimi i tij real, madje mund të ketë edhe arsye të tjera. Thënë troç, ky tregtar më vërtetoi se dëshiron të profitojë dhe me qëllim të lehtësimit të vetvetes nga llogaritë dhe gjërat tjera, vendosi që mua të më japë mua 10 përqind për çdo vit.
Unë i thashë atij se frikohem që kjo përqindje mos është kamatë, kurse ai më konfirmoi se kjo nuk është kamatë, sepse nga pasuria ka fitim më të madh se përqindja në fjalë, prandaj edhe dëshiron të ma japë përqindjen që e përmenda, me qëllim që ta lirojë veten nga ngarkesa e llogarive. Po ju pyes se cila është dispozita e Sheriatit për rastet e këtilla?
Sa i përket fitimit nga pasuria i cili është mbi 10 përqind, unë ia fali këtij tregtari atë që është mbi këtë përqindje dhe pajtohem me 10 përqindshin, sepse kjo është më mirë se sa të më qëndrojnë paratë në sirtar ose në konton time në bankë.
Nëse fitimi është më i vogël se 10 përqind ose nëse pasuria eventualisht humbë, unë do të kërkoj prej tij që të betohet në All-llahun për ta vërtetuar fjalën e vet. Nëse më thotë se ka fituar më pak se 10 përqind apo se ka humbur, unë do të marr vetëm aq sa ka fituar, që do të thotë se unë do ta sho­që­roj në fitimin e realizuar, e nëse e humbë pasurinë do ta shoqëroj në humbje.
Ju lutem vëllezër të mi më jepni përgjigje, për këtë veprim timin, Zoti ju shpërbleftë me të mira, se a thua është në pajtime me Sheriatin apo jo?
Nëse një gjë e tillë kjo nuk është legjitime në Sheriat, atëherë si mund ta investoj pasurinë time në pajtim me Sheriatin islam?

PËRGJIGJJA: Qëllimi yt për mosmarrjen e kamatës është fis­nik, por kontrata është kompani (mudarebe) jovalide për shkak të përqindjes së panjohur gjatë bërjes së marrëveshjes. Për këtë arsye duhet të bëhet korrigjimi i kësaj kontrate me përcaktimin e përqindjes së saktë. Nëse nuk mund ta korri­gjosh këtë kontratë, atëherë nuk lejohet që ta përtërishë kur të kalojë afat. Po ashtu t’i nuk obligohesh të kërkosh prej ortakut tënd të betohet për fitimin apo humbjen, por mjaf­ton që të kërkosh të të informojë për humbjen nëse ka ndodhur.
Përqindja e përmendur këtu i preferohet fitimit e jo kapi­ta­lit. Për këtë arsye sasia prej 10 përqind të cilën e ka miratuar ortaku yt tregtar që të ta japë, nuk është legjitime dhe konsiderohet kamatë sepse është përqindje që i referohet kapitalit, ndërkaq përqindje legjitime është ajo që i referohet fitimit dhe përcaktohet mënyra e ndarjes së saj ndërmjet part­nerëve, si p.sh., të thuhet: tregtari e merr një të katërtën e fitimit, ndërkaq kapitali e merr një të tretën; apo: fitimi ndahet përgjysmë ndërmjet tregtarit dhe kapitalit, apo në mënyra të tjera. Ortakët janë plotësisht të lirë në caktimin e përqindjes së fitimit të çdo njërit prej tyre.

(Seanca e dytë)

Fusnotë:

1 Transmetojnjë Buhariu (nr. 2121) dhe Muslimi (nr. 1581).