FETVAJA (10)
PYETJA: A lejohet që ta bëjmë grumbullimin e zekatit prej muslimanëve që gjenden në Perëndim, pastaj t’ua shpërndajmë atyre që u takon në formë këstesh që do të zgjasë plot një vjet, e jo t’ua dorëzojmë krejt përnjëherë, në rast se e dimë se mund të harxhohet pasuria që e merr njeriu që e meriton, pastaj të ketë nevojë e mos të gjejë njeri që do t’i ndihmojë, apo e dimë se ai ka nevojë për këtë pasuri në periudha të caktuara?
PËRGJIGJJA: Po, lejohet të grumbullohen mjetet e zekatit dhe të deponohen, me qëllim që t’u jepen të varfërve në formë këstesh (pjesë-pjesë) në pajtim me nevojat e tyre. Madje këtë mund ta bëjë edhe vetë ai që e nxjerr zekatin nëse e sheh se kjo është në interes të të skamnorit, por me kusht që mjetet e zekatit t’i ndajë nga pasuria e tij e përgjithshme dhe në asnjë mënyrë të mos i shfrytëzojë ato mjete për vete.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (11)
PYETJA: Unë jam student i cili tashmë dy vjet studioj në Britani. Merrja bursë prej vendit tim përmes një banke dhe sikur që e dini, bankat japin në përqindje të vogël tepricë (kamatë). Në këtë kohë unë nuk e ndaja këtë tepricë nga pasuria ime, sepse nuk e dija saktë sasinë e saj, e as që dija si ta bëj këtë sepse nuk kishte sasi standarde. Kështu, unë e shfrytëzoja tërë pasurinë time përafërsisht, me përjashtim të një pjese të vogël e cila ende gjendet në llogarinë time në bankë.
Pyetja është: A lejohet që unë tash ta ndajë këtë tepricë dhe si mund ta bëj këtë? A lejohet që ta vlerësoj sasinë e tepricës si dhe ta ndaj nga pasuria me monedhën kombëtare të vendit tim?
Pyetja e dytë: Sa i përket pasurisë së mbetur në llogarinë time (përafërsisht 1000 dollarë amerikanë), tashmë dy vjet vlera e tyre është konstante. A lejohet që ta jap zekatin e kësaj pasurie çdo vit, duke patur parasysh se unë e deponoj këtë pasuri që t’i paguaj shpenzimet e hyrjes në provim në të ardhmen në Britani.
PËRGJIGJJA: Sa i përket tepricës, mundohu ta arrish njohjen e saj përmes llogarisë tënde në bankë, e po qe se kjo është vështirë të bëhet, atëherë mund ta vlerësosh përafërsisht sipas bindjes tënde, si dhe çdoherë të mundohesh që gjatë përcaktimit të asaj sasie, të vijë në shprehje pastrimi i yt nga ajo pasuri, All-llahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij. Në rast se e përcakton sasinë e tepricës (kamatës), atë duhet t’ua ndashë të varfërve e assesi mos ta shfrytëzosh për vete.
Ndërkaq, sa i përket pyetjes tënde në lidhje me zekatin për sasinë në fjalë, Nisabi (sasia e pasurisë) është i barabartë me 85 gramë ari të pastër, i cili si zakonisht publikohet në gazeta dhe bursa. Për këtë arsye, kur do ta arrijë pasuria jote vlerën e Nisabit të përmendur dhe kalon një vit në llogarinë tënde, duhet ta nxjerrish zekatin e saj. Nga vetë pyetja kuptohet se sasia e deponuar është e përcaktuar për nevojat e saj themelore, kështu që nuk ke nevojë të japish zekat për atë sasi të hollash.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (12)
PYETJA: Disa pasanikë, pasuria e të cilëve është e dyshimtë, kur vullnetarisht japin mjete financiare për ndërtimin e tërësishëm të një xhamie apo ndihmojnë me një pjesë në ndërtimin e saj, çfarë është qëndrimi i Sheriatit në lidhje me pranimin e pasurisë së tyre? Po ashtu nëse një shoqatë apo ndonjë institucion jomusliman ndihmon në ndërtimin e ndonjë xhamie, a pranohet një gjë e tillë prej tyre?
PËRGJIGJJA: Po, lejohet të pranohen ndihmat e individëve, organizatave apo qeverive muslimane apo jomuslimane, edhe nëse na merr mendja se ato mjete janë jolegjitime nga këndvështrimi islam, me përjashtim nëse janë haram në përmbajtje si: alkooli dhe derri, sepse pranimi i ndihmës nga ana e tyre është sikur pranimi i dhuratës, sepse ndihma vullnetare është prej llojeve të dhuratës. Ky është qëndrimi i pjesës dërrmuese të dijetarëve, e kur të kalojnë këto ndihma në duart tona, është obligim që t’u nënshtrohen dispozitave të Sheriatit.
Në rast të dhënies së ndihmave nga ana e jomuslimanëve, nga pranimi përjashtohen dy raste:
1. Nëse kjo ndihmë ndikon në dobësimin e besnikërisë së muslimanit ndaj Islamit dhe pjesëtarëve të tij.
2. Nëse kjo ndihmë është e kushtëzuar me gjëra që i dëmtojnë interesat e muslimanëve.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (13)
PYETJA: Disa banka shpërndajnë kartë-kredi si p.sh. VISA, ashtu që personi i cili e posedon këtë kartë-kredi, ka mundësi të blejë përmes saj çka të dëshirojë. Në fund të muajit banka ia dërgon poseduesit të kartë-kredi VISA faturën që t’ia paguajë llogaritë në afat prej 50 ditëve. Nëse i paguan llogaritë para mbarimit të afatit 50 ditorë, ai i paguan vetëm llogaritë e veta pa mos iu shtuar asnjë përqindje e kamatës, e nëse vonohet pas afatit 50 ditorë, banka ia cakton në llogarinë e tij edhe përqindjet e kamatës për kohën sa është vonuar. Pjesa më e madhe e muslimanëve në Perëndim i posedojnë këto kartë-kredi, blejnë përmes tyre dhe faturat e tyre i paguajnë para skadimit të afatit të caktuar, ashtu që nuk paguajnë kurrfarë kamate. Prej anëve pozitive të personit i cili e posedon kartë-kredinë VISA, është ajo se ai nuk mban me vete para të gatshme cilat shpesh i nështrohen humbjes apo vjedhjes në vendin e vet apo diku tjetër. Përmes kësaj kartë-kredie personi që e posedon mund të blejë në pjesën më të madhe të shteteve, pa mos patur nevojë të përdorë të holla. Kjo është formë e borxhit bamirës në afat prej 50 ditëve.
Nga anët pozitive të bankës e cila i jep kartë-kreditë VISA është ajo se banka merr nga shitësi prej të cilit ka blerë poseduesi i kredit kartës VISA, 2 përqind nga vlera e artikujve të blerë. Ndërkaq merr kamatë nga poseduesit e kartë-kredisë VISA të cilët nuk i paguajnë llogaritë e tyre brenda 50 ditëve.
Një bankë ofroi të nxjerrë kartë-kredi VISA në emër të shoqatës humanitare, ashtu që të vihet emri i shoqatës në vend të emrit të bankës. Në këtë mënyrë shoqata do të paraqitet si distribuese e kësaj kartë-kredie. Në aspektin administrativ shoqata nuk kryen asnjë punë, por të gjitha ato i kryen banka.
Anët pozitive për shoqatën humanitare janë ato se ajo arrin të fitojë një përqindje si profit prej bankës, sa herë që poseduesi i kartë-kredi ta përdorë kartën VISA. Shoqata humanitare ose poseduesi i kartë-kredi VISA nuk janë përgjegjës për asnjë harxhim në lidhje me këtë projekt. Ajo që kërkohet prej shoqatës humanitare është që t’ia ofrojë kësaj banke adresat e atyre që e ndihmojnë këtë shoqatë, me qëllim që t’i nxisë të marrin kartë-kredi VISA. Gjithashtu, shoqata mund t’i shpërndajë dërgesat e saj postare përmes postës mujore që dërgohet prej banke për poseduesit e kartë-kredive, me këtë plotësohen taksat e postës. Poseduesi i kartë-kredisë VISA obligohet të nënshkruajë marrëveshje, një pikë e së cilës konsiston me atë që poseduesi i kartës në fjalë duhet të paguajë kamatë nëse kalon afati prej 50 ditësh pa mos i paguar faturat.
Pyetja është: A lejohet që kjo shoqatë humanitare ta zëvendësojë bankën në transaksione me kartë-kreditë VISA, e kjo të jetë si kompensim i ofertës për ndihmën e projekteve bamirëse nga ana e bankës përkatëse?
PËRGJIGJJA: Në disa vende islame, bankat islame e kanë bërë shpërndarjen e kartë-kredive legjitime VISA (në pajtim me Sheriatin), larg çdo dyshimi, larg kamatës dhe mundësive të saj, siç vepron Shtëpia e financave të Kuvajtit, Banka Islame e Katarit, Banka Islame Ndërkombëtare e Katarit, kompania “Al-Raxhihi” e Arabisë Saudisë, si dhe disa kompani të tjera financiare islame.
Këto lloje të kartë-kredive nuk është e ndaluar të përdoren, pasi që këtë e kanë lejuar komisionet e mbikëqyrjes islame të këtyre bankave.
Por, mbetet e hapur çështja e këtyre kartave jashtë botës islame dhe në vendet ku nuk ka banka islame: cila është dispozita e Sheriatit në lidhje me këto karta?
Pjesa më e madhe e dijetarëve bashkëkohorë, sipas njohurive tona, mbajnë qëndrimin se këto kartë-kredi lejohet të përdoren për shkak të nevojës së madhe për to, duke patur parasysh domosdoshmërinë e pagesës së llogarive të duhura para se të kalojë afati i paraparë për këtë, ashtu që mos të shkaktojë pagesën e kamatës për shkak të vonimit e të përfshihet në mëkatin e atij që e han kamatën. Kështu kanë vepruar muslimanët në Perëndim, pa mos ua mohuar këtë asnjë njeri i cili gëzon autoritet (në shkencë). Ai i cili i përdorë këto kartë-kredi, obligohet që mos t’i përdorë nëse nuk ka kapital në llogarinë e tij.
Nëse sipas mendimit të mbështetur lejohet përdorimi i këtyre kartave për individë, atëherë nuk është e ndaluar që edhe disa shoqata bamirëse islame të autorizuara nga banka të bëjnë shpërndarjen e këtyre kartë-kredive në mesin atyre që i ndihmojnë këto shoqata si dhe këto kartë-kredi të mbajnë emrin e tyre, ashtu që shoqata identifikohet si shpërndarëse e këtyre kartave derisa ato nuk përfshijnë kamatë si dhe shoqatat në fjalë dhe nuk mban kurrfarë përgjegjësie dhe harxhim në lidhje me këtë projekt.
Shoqata do të fitojë një përqindje që trajtohet si profit nga banka, sa herë që poseduesi i kartës ta përdorë të njëjtën.
Në këtë mënyrë banka realizon profit për vete si dhe i ndihmon shoqatës duke i dhënë një përqindje nga fitimi i vet.
Personi i cili i përdorë këtë kartë-kredi, është i kushtëzuar që mos të marrë me të mjete financiare nëse në konton e tij nuk ka mbulesë për to.
(Seanca e parë)
|