|
PYETJA: Cili është qëndrimi i Sheriatit lidhur me praninë e burrit me rastin e lindjes së gruas së tij?
PËRGJIGJJA: Në aspektin e Sheriatit nuk ka pengesë që burri të prezentojë në momentin kur gruaja e tij lind foshnjën, nëse ai dëshiron një gjë të tillë dhe mendon se është në interes, si p.sh., t’ia sjellë ndër mend përkujtimin e All-llahut dhe t’i thotë fjalë të bukura me qëllim që t’ia lehtësojë mundimet, ose t’i shohë vetë mundimet dhe dhimbjet e saj me qëllim që pastaj ta vlerësojë ashtu si e meriton, si dhe të jetë i vetëdijshëm për meritat e nënës së tij, çfarë ka përjetuar për shkak të tij dhe t’ju tregojë pastaj edhe fëmijëve të vet që ta dinë meritën e nënës së tyre për ata.
Pra, kjo është çështje e lejuar nuk është e domosdoshme, as e pëlqyeshme, as e ndaluar e as e jopreferuar, me përjashtim nëse kjo shkakton ndonjë dëm material apo moral.
Ndoshta disa njerëz ngurrojnë nga një veprim i tillë, për shkak se gjatë lindjes së fëmijës burri e sheh pjesën e turpshme të gruas së vet. Disa këtë mund ta konsiderojnë vepër të urrejtur (mekruh), e ndoshta përmendin edhe disa hadithe që ndalojnë apo largojnë nga një vepër e këtillë.
Por, realiteti është se këto hadithe nuk janë të vërtetë, gjegjësisht se e kundërta është e vërtetë: vetë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është larë me disa gra të veta nga një enë. Ky është argument i cili i heq hamendjet dhe anulon kundërthëniet.
Transmetohet prej Aishes [radijall-llahu anha] e cila thotë: “Unë dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] laheshim nga një enë e përbashkët. Ai më tejkalonte mua derisa thoja: Më le mua, më le mua!” Aisheja thoshte: “Ne ishim xhunub (të pa pastër)”.1
Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Mejmuneja [radijall-llahu anha], e cila thotë: “Isha afër Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur u pastrua nga xhunubllëku. Së pari i pastroi duart dy apo tri herë, pastaj e futi dorën në enë. Pastaj i hodhi ujë pjesës së turpshme të trupit dhe e pastroi me dorën e majtë. Pas kësaj me dorën e majtë e preku dheun dhe e fërkoi shumë, e pastaj mori abdest sikur për namaz, pastaj hodhi mbi kokë tre grushta ujë, e pas kësaj e lau pjesën tjetër të trupit. Më vonë lëvizi nga vendi ku lahej dhe i pastroi këmbët. Unë i solla një rrizë (peshqir) e ai e refuzoi”.2
(Seanca e parë)
FETVAJA (21)
PYETJA: Nëse gruaja dëshiron t’i shkurtojë flokët, a ka nevojë të kërkojë leje prej burrit të saj?
PËRGJIGJJA: Ekziston një mënyrë e shkurtimit të flokëve të femrës të cilën nuk e heton burri, gjegjësisht nëse i shkurton pak, gjë që e ka bërë zakon gruaja kohë pas kohe, ashtu që mos t’i zgjaten shumë flokët e të hasë vështirësi në krehjen e tyre. Këtë e praktikojnë të gjitha gratë dhe kjo zakonisht nuk ka nevojë për lejen e burrit.
Por ekziston një lloj tjetër i shkurtimit i cili e ndryshon formën dhe pamjen e gruas para burrit. Kështu, burri është mësuar ta shohë në një formë standarde një kohë të gjatë, dhe kur ajo e befason me një formë tjetër të panjohur, sikur ajo të jetë grua e re. Ky lloj shkurtimi ka nevojë për mirëkuptim ndërmjet bashkëshortëve qysh para kryerjes së tij, me qëllim që të vazhdojnë dashuria dhe harmonia ndërmjet tyre.
Parimisht, muslimanja nuk duhet t’i zbulojë flokët e veta në rrugë e as para njerëzve të huaj të cilët nuk i ka të ndaluar për martesë sipas dispozitave të Sheriatit. Për këtë arsye, burri është i pari i cili meriton të kënaqet me bukurinë e flokëve të gruas së vet si dhe t’i shohë në atë formë që e vetë e pëlqen.
Grua e mençur është ajo e cila mundohet ta ruajë çdo gjë që e ruan dashurinë dhe lumturinë në bashkëshortësinë e saj dhe e kultivon këtë. Në këtë mënyrë formohen familjet e shëndosha të cilat edhe janë guri themeltor i shoqërive të shëndosha.
(Seanca e parë)
FETVAJA (22)
PYETJA: Dëshiroj ta dijë, Hirësia e juaj, sasinë e të hollave të cilën duhet ta paguaj për abort të foshnjes para se ajo të mbush 120 ditë, duke e patur parasysh faktin se shkak i abortit ka qenë presioni psikik ndaj nënës. Ajo është studente në fakultetin e mjekësisë. Këtë e ka bërë si rezultat i pamundësisë së koordinimit ndërmjet studimit dhe pritjes së foshnjes, madje edhe aborti është bërë duke u bazuar në këtë parim (në parimin se kjo çështje e arsyeton abortin) e nuk është bërë me qëllim, kurse nëna tash është penduar shumë për këtë çështje, e pendimi edhe më tepër shtoi në peshë kur kuptoi se aborti është i ndaluar në Sheriat që prej ditës së parë të mbarësimit. Për këtë, kërkoj prej jush të më udhëzoni në këtë çështje, ju udhëzoftë All-llahu i Madhërishëm.
PËRGJIGJJA: Po, abortit nuk është i lejuar në Sheriatin islam, as në ditët e para të shtatzënisë e as pas kësaj. Mëkati i abortit ndryshon varësisht nga periudha e shtatzënisë. Në periudhën e parë të shtatzënisë mëkati është më i vogël, e sa më tepër të zgjasë koha e shtatzënisë, ndalimi konfirmohet. Kur do të mbushë foshnja në mitër 120 ditë, atëherë aborti konsiderohet haram në mënyrë të prerë dhe vlerësohet si një lloj vrasjeje për të cilën duhet paguar 500 dirhemë ose përafërsisht 213 gramë ar, të cilat i merr trashëgimtari që nuk ka marrë pjesë në procesin e abortit.
Në këtë rast bën përjashtim vetëm frika kur rrezikohet jeta e nënës, por dhe në këtë rast kjo mund të realizohet vetëm me lejen e mjekut të besueshëm i cili konstaton se vazhdimi i shtatzënisë është katastrofal për jetën e nënës.
Meqë në pyetje përmendët se aborti është bërë para 120 ditësh të jetës së embrionit, atëherë për këtë nuk duhet paguar as dëmshpërblim e as kefaret, por kjo vepër është mëkat prej të cilit duhet kërkuar falje duhet të pendohet njeriu dhe të zotohet se më nuk do ta përsërisë një gjë të tillë. Por, nëse edhe krahas kësaj, nëna e cila i është nënshtruar abortit dëshiron të japë lëmoshë, kjo është edhe më mirë dhe në dashtë Zoti i bën dobi. All-llahu i Madhërishëm thotë: “… veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat…” (Hud: 114)
(Seanca e dytë)
FETVAJA 23
PYETJA: A ka të drejtë gruaja të pushojë pas lindjes së fëmijës, apo ajo obligohet që edhe në këtë periudhë t’u shërbejë miqve që kanë ardhur t’ua urojnë lindjen e fëmijës apo ta shohin atë?
PËRGJIGJJA: All-llahu e di se lindja e fëmijës e mundon dhe e lodh gruan për shkak të dhimbjeve dhe vështirësive që i përjeton gjatë kohës së lindjes, siç thotë All-llahu i Madhërishëm “… Ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi…” (El-Ahkaf: 15)
Për këtë arsye, nuk është çudi pse All-llahu i Madhërishëm, e ka liruar gruan pas lindjes nga namazi dhe agjërimi, të cilët janë prej themeleve të Islamit, edhe pse ndërmjet këtyre ka dallim: Sa i përket namazit pas mbarimit të periudhës së Nifasit – lehonisë, nuk i kërkohet gruas të bëj kaza (plotësojë), ndërkaq nga ajo kërkohet kompensimi i agjërimit pas periudhës së lehonisë. Qëllimi i periudhës së lehonisë është koha gjatë të cilës femra ka gjakderdhje për shkak të lindjes. Lehonia në këtë aspekt është sikur të përmuajshmet (menstruacionet). Dispozitat e tyre janë identike.
Prej kësaj e shohim qartë se Ligjvënësi i Urtë e trajton gruan lehone në gjendje që kërkon t’i bëhen lehtësime nga mëshira që ka All-llahu ndaj saj. Gruan e tillë e trajtoi sikur lehonia e saj të jetë një lloj sëmundjeje e cila përkohësisht e ka goditur.
Është tejet normale që gruaja në këtë periudhë të mos lodhet dhe të mos ngarkohet me gjëra që e mundojnë dhe e vështirësojnë dhe për këtë është bërë traditë e muslimanëve në vendet islame që t’i shërbejnë dhe ta respektojnë gruan lehonë derisa të shërohet dhe të kthehet në gjendjen e saj normale.
Por, po qe se gruaja është e vetme ajo detyrohet t’i shërbejë vetes, fëmijës dhe shtëpisë së vet për shkak se një gjë e tillë i imponohet, por ky detyrim e ka kufirin e vet të domosdoshëm, për këtë, miqtë dhe vizituesit nuk duhet ta lodhin dhe ta mundojnë përtej mundësive të saj, Zoti nuk e ngarkon askë përtej mundësive të veta, e po ashtu edhe burri nuk duhet të jetë i rreptë në këtë rast. All-llahu i Madhërishëm thotë: “… All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (El-Bekare: 185) Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos qortoni”.3 Po ashtu thotë: “Ju jeni dërguar lehtësues, e nuk jeni dërguar vështirësues”.4 Këto gjëra i dirigjojnë shija, merita dhe vlerat morale.
(Seanca e parë)
FETVAJA 24
PYETJA: Nëse gruaja sëmuret dhe për këtë shkak dëshiron që gjatë kohës së sëmundjes të ndërpriten vizitat që i bëhen burrit të saj. Shtrohet pyetja, a detyrohet gruaja që edhe përkundër vullnetit të saj, t’u shërbejë miqve të burrit të saj?
PËRGJIGJJA: Të katër shkollat juridike (medh’hebet). Nuk e detyrojnë gruan muslimane që t’i shërbejë burrit, me përjashtim nëse gruaja këtë e bën vullnetarisht nga motive morale, për këtë, nëse burri e padit gruan në gjykatën e Sheriatit e cila e ndjek njërën prej këtyre shkollave juridike, gruaja nuk detyrohet t’i shërbejë burrit të vet.
Nëse kjo është e drejtë e miratuar për gruan përballë burrit të saj, atëherë a priori ajo nuk është e obliguar t’u shërbejë miqve të burrit të saj, madje edhe në rast sëmundje.
Por, mendimi të cilin e përkrahim dhe sipas të cilit edhe përgjigjemi përkitazi me këtë çështje është: domosdoshmëria e shërbimit të gruas në shtëpi, gjegjësisht obligimi i saj që t’u shërbejë burrit dhe fëmijëve të vet. Kjo është prej mirësisë për të cilën urdhëron All-llahu si dhe prej drejtësisë në ndarjen e të drejtave dhe obligimeve për të dy palët: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre…” (El-Bekare: 228)
Kështu, burri punon jashtë shtëpisë që ta furnizojë familjen e vet ndërkaq gruaja punon brenda shtëpisë që t’i shërbejë familjes. Vajza e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], Fatimeja, shërbente në shtëpinë e saj e pastronte, gatuante etj. Një ditë ajo iu ankua babait të saj, Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por ai e urdhëroi që bashkë me burrin e vet të ndihmohen me përmendjen e All-llahut, lartësimin dhe madhërimin e tij për t’i kryer detyrat e tyre jetësore.5
Nëse gruaja punon jashtë shtëpisë, sikur që punon edhe burri, atëherë do të ishte e drejtë që burri t’i ndihmojë me një shërbëtore ose t’i ndihmojë vetë aq sa ka mundësi, e sidomos nëse kanë fëmijë.
Nisur nga kjo, burri nuk duhet ta ngushtojë gruan e vet me mysafirë, sidomos kur ajo është e sëmurë. Sheriati islam e konsideron sëmundjen element që imponon lehtësime në shumë raste, për këtë edhe e liroi të sëmurin nga xhihadi i domosdoshëm: “Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbërin, për të çalin, e as për të sëmurin…” (El-Fet’h: 17)
Po ashtu, e ka liruar të sëmurit nga agjërimi i muajit të Ramazanit, me kusht që këtë ta kompensojë atëherë kur do të shërohet “… ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë)…” (El-Bekare: 185)
Të sëmurin e ka lejuar të falet si të ketë mundësi, në këmbë, ulur apo të shtrirë në krah. Po ashtu kërkoi nga imamëve në namazin me xhemat të jenë më të shkurtë, sepse pas tyre ka njerëz të dobët, të sëmurë dhe nevojtarë.
Muslimani lindor në përgjithësi e ai arab në veçanti, duhet t’i kenë parasysh rrethanat e grave të tyre perëndimore në përgjithësi, sepse ato nuk janë mësuar në jetën e vet e as në shtëpinë e babait të tyre të pranojnë aq shumë mysafirë, gjë që është normale për arabët dhe popujt e ngjashëm me ta. Gjithashtu edhe gruaja e Perëndimit e cila ka hyrë në Islam, duhet t’i ketë në konsideratë rrethanat që janë pjesë përbërëse jetësore të burrit të saj, si dhe se prej mirësjelljes islame është nderimi i miqve, siç thotë edhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] “Kush i beson All-llahut dhe Ditës së fundit, le ta gostisë mikun e vet”.6
(Seanca e parë)
FETVAJA 25
PYETJA: A ka të drejtë burri ta ndalojë gruan e vet nga prania në takimet islame të grave?
PËRGJIGJJA: Sëmundja e shumë muslimanëve të cilët janë të cekët në njohuritë fetare është se ata ia imponojnë Islamit natyrën, prirjet dhe bindjet e tyre personale. Kështu, nëse njeriu është i ashpër, zemërngurtë, i vrazhdë, ai me njerëzit që i ka përreth vetes, e sidomos me bashkëshorten dhe fëmijët e vet, do të sillet me këtë sjellje arrogante e të ashpër, madje mund të mendojë se kështu kërkon Islami.
Në këtë kontekst duhet përmendur trajtimin e disa burrave ndaj grave të tyre i cili cilësohet me ashpërsi, dominim, presion dhe paragjykime e madje edhe me përbuzje. Madje ata mund të vijnë nga mjedise të cilat e trajtojnë gruan sikur ajo të jetë krijuar për t’i shërbyer apo për t’i kënaqur nevojat e tij. Edhe pse këta njerëz kanë lexuar dhe janë arsimuar, qëndrimi i tyre ndaj grave nuk ka ndryshuar aspak, madje disa prej tyre mbajnë titujt e magjistrave dhe doktorave të shkencës, inxhinierisë, ekonomisë, administratës etj., por megjithatë në këtë aspekt mbeten të ngurtë, nuk lëvizin dhe nuk pësojnë kurrfarë transformimi.
Nuk ekziston asnjë fe e cila e ka nderuar gruan sikur që e ka nderuar Islami. Ai pikësëpari e ka nderuar si personalitet, si grua, si vajzë, si bashkëshorte, si nënë, dhe si pjesëtare e shoqërisë.
Për këtë mjafton ajeti kur’anor: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humbë mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri…” (Ali Imran: 195) Domethënia e ajetit: “Ju jeni njëri nga tjetri” është se ata janë nga njëri-tjetri, burri e plotëson gruan dhe gruaja e plotëson burrin, asnjëri nuk mundet pa tjetrin, për këtë edhe janë të barabartë në obligime. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqeritit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (Ahzab: 35) Gjithashtu, ata dy janë shoqërues jetësor në obligimet e rrezikshme shoqërore, siç janë obligimet e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, siç thekson edhe All-llahu i Madhërishëm: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja”. (Et-Teube: 71)
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Gratë janë motrat e burrave”.7
Po ashtu thotë: “Mos i ndaloni robëreshat e All-llahut (gratë) nga xhamitë”.8
Xhamitë kanë qenë mënyra e vetme për muslimanen në kohën e Pejgamberit që të arsimohet fetarisht dhe të prezentojnë në xhuma dhe me xhemat si dhe të njoftohet me motrat e saj muslimane të devotshme.
Rolin e xhamive në kohën tonë e kryejnë takimet islame të cilat ia ofrojnë muslimanes njohjes sa më të madhe dhe më të thellë të të vërtetave islame, e po ashtu ia mundësojnë asaj. Aktivizim sa më intensiv në veprimtarinë islame. Gjegjësisht në këtë mënyrë mundësohet ringjallja e Islamit në shpirtin dhe jetën e muslimanëve dhe afrimi i tyre me veprimtaret tjerë islame në këtë plan që të bashkëpunojnë me ato në devotshmëri dhe mirësi. Ky është një obligim tejet i rëndësishëm islam, që çdo musliman dhe muslimane duhet të kontribuon në këtë drejtim aq sa munden, sepse përndryshe do të humbë Islami, do të humbet Ummeti i tij dhe do të bie poshtë flamuri i tyre.
Kjo çështje imponohet edhe më tepër kur dihet se forcat kundërislame janë aktive dhe syçelë dhe i armatosin fuqishëm gratë në këtë fushë. Po ashtu edhe laiket, ateistet dhe marksistet ditë e natë punojnë brenda trollit islam për largimin e muslimanëve nga feja e tyre, propagimin e botëkuptimeve të huaja në mesin e tyre dhe luftimin e ideve të pastra islame të cilat thirrin në reforma, konsolidim dhe përtërirje.
Mirëpo, duhet patur parasysh se ky aktivitet islam i gruas nuk guxon të jetë vetëm në dobi të burrit dhe fëmijëve të saj. Është reale që ndaj çdonjërit obligimet të kryhen me korrektësi dhe drejtësi.
Meqë burri është i obliguar ta mirëmbajë familjen, ai nuk duhet të ushtrojë dhunë gjatë kryerjes së obligimeve të veta, sepse në të kundërtën, do të ishte i dëmshëm, e në Islam rreptësisht ndalohet që dikush të bëjë dëm dhe të dëmtohet.
(Seanca e parë)
FETVAJA 26
PYETJA: Një mërgimtar të gjitha të ardhurat e veta ia dërgon familjes së tij në vendlindje, ndërsa vetë jeton nga të ardhurat e gruas së vet, meqë ajo e paguan qiranë e banesës, harxhimet e ushqimit dhe veshmbathjes etj. Për këtë arsye e shtroj pyetjen: A i lejohet të veprojë kështu?
PËRGJIGJJA: Nuk është e lejuar që burri ta kushtëzojë gruan e vet me këtë, ashtu siç nuk i ka hije muslimanit të jetojë i varur nga gruaja e tij, ashtu që ajo t’ia paguajë harxhimet e ushqimit, veshmbathjes, banimit dhe nevojat tjera jetësore. Atëherë me çka ai e meriton të jetë i zoti i shtëpisë dhe mbikëqyrësi i familjes, e All-llahu i Madhërishëm thotë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre…” (En-Nisa: 34)
Në Fetvanë nr. 27 sqaruam se gruaja nuk obligohet ta mirëmbajë shtëpinë materialisht, madje as edhe vetveten, edhe nëse është e pasur, siç vërtetohet kjo në Sheriatin islam. Por, ajo këtë mund ta bëjë nga vullneti i mirë, e jo me dredhi e as nga turpi. Në kohët e lashta është thënë: “Ajo që merret nga turpi është e ndaluar”. Në hadithin e transmetuar nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thuhet: “Nuk lejohet t’i merret dikuj pasuria pa dëshirën e tij”.9
Megjithatë, nuk dëshirojmë që muslimani të jetojë i varur nga gruaja e veta edhe nëse kjo bëhet nga vullneti i mirë i saj, e në veçanti nëse ajo ka të ardhura dhe mundësi. Për rastin në fjalë nuhasim një erë jo të këndshme, se sa ka kuptim që burri të gjitha të ardhurat e veta t’ua dërgojë të afërmve të vet, në vendlindje, e të jetojë në shpinë të bashkëshortes së vet dhe mos ta marrë përsipër përgjegjësinë e përkujdesjes së familjes siç e obligojnë këtë All-llahu dhe Pejgamberi i Tij: “Burri është bari i familjes dhe ai do të pyetet për kopenë e tij”?10
(Seanca e parë)
FETVAJA 27
PYETJA: A lejohet që gruaja të hap llogari bankare personale nga të ardhurat e saj? Apo, ajo obligohet që t’i deponojë të ardhurat e veta në një konto të përbashkët me burrin e saj, prej të cilës konto do të shfrytëzojnë për familjen?
PËRGJIGJJA: Prej të vërtetave të pranuara është se Islami e shpëtoi gruan nga dhuna e injorancave të ndryshme, ia dha asaj të drejtat pa mos kërkuar ajo një gjë të tillë. Prej këtyre të drejtave janë edhe ato financiare, në krye të të cilave është e drejta e pronës, të lujtshme dhe të palujtshme. Islami i miratoi gruas të drejtë të pavarur financiare nga babai dhe burri i saj. E drejtë e saj është të posedojë dhe të veprojë si të dojë me pasurinë e vet, ashtu si që vepron edhe burri. Blen dhe shet, jep dhurata dhe lëmoshë, siç vepron njeriu i pjekur, nuk fajësohet e as që pengohet. All-llahu i Madhërishëm thotë: “… Burrave ju takon hisë nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato…” (En-Nisa: 32)
Duke u bazuar në këtë themi: Gruaja ka plotësisht të drejtë të hapë llogari të saj personale në bankë në të cilën do t’i deponojë të ardhurat e saj, qofshin ato rroga, trashëgimi, dhurata dhe gjëra të tjera.
Burri nuk ka të drejtë ta detyrojë gruan t’i akumulojë të ardhurat e saj në fondin e përbashkët me të bashkëshortit dhe prej atij fondi të mirëmbahet familja, sepse dihet se mirëmbajtja e familjes nga aspekti i Sheriatit është obligim i burrit, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre”. (En-Nisa: 34)
Gruaja i ndihmon burrit në harxhimet familjare nga vullneti i mirë dhe ndërgjegjja e pastër, e jo nga imponimi apo domosdoshmëria, madje edhe nëse ka pasuri që e ka fituar apo trashëguar.
Asnjë nga dijetarët islamë përveç Ibn Hazmit, nuk e ka obliguar gruan e pasur ta mirëmbajë burrin e saj të varfër.
Mirëpo, ne e shohim më të udhës që gruaja e cila punon të kontribuojë në harxhimet jetësore, e sidomos nëse puna apo funksioni i saj jashtë shtëpisë i përcaktojnë harxhimet për shërbëtoren në shtëpi apo përkujdesjen ndaj fëmijëve, apo harxhimeve tjera shtesë për shkak të udhëtimit, veshjes apo harxhimeve tjera që i bën ajo.
Sasia më e madhe me të cilën mund të kontribuojë gruaja në harxhimet familjare është një e treta, ndërkaq dy të tretat e harxhimeve i takojnë burrit. Pra, ashtu siç trashëgon burri dyfish nga ajo, ai duhet t’i mbulojë edhe harxhimet po në këtë masë.
Ne e përkrahim atë që çdonjëri prej bashkëshortëve të ketë llogarinë e vet të veçantë, ashtu që disa burra të mos shpresojnë në pasurinë e grave, e gruaja duhet të jetë e kujdesshme ndaj mashtrimeve të kohës dhe dredhive të burrave. Marrë në përgjithësi nuk preferojmë që gruaja ta deponojë pasurinë e vet në konton e burrit dhe çdo gjë të jetë në emër dhe në pronë të tij. Burri nuk lejohet të kërkojë prej saj një gjë të tillë, sepse çdonjëri është më meritor për pasurinë e vet.
(Seanca e parë)
FETVAJA 28
PYETJA: Si të sillen gratë kur janë në pyetje problemet që lindin nga ndryshimi i sjelljeve të bashkëshortëve?
PËRGJIGJJA: Martesa është lidhje e shenjtë, besë e fortë, siç e quan Kur’ani Fisnik. Jeta bashkëshortore duhet të ngrihet mbi parime për të cilat tregon Kur’ani Famëlartë në ajetin vijues: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë…” (Er-Rum: 21)
Prehja shpirtërore, dashuria e zemrës dhe mëshira, janë parakushtet e jetës bashkëshortore në Islam. Këtë duhet ta kuptojë çdonjëri prej bashkëshortëve dhe të bashkëpunojnë në krijimin e ambientit së prehjes, dashurisë dhe mëshirës në shtëpinë e tyre të përbashkët. Çdonjëri duhet ketë mirëkuptim për bashkëshortin e vet, të jetë durimtar në çështjet për të cilat nuk janë të një mendimi, mos ta sundojnë pasionet dhe emocionet e jashtëzakonshme me qëllim që rrjedha e jetës së tyre bashkëshortore si dhe sjellja e tyre të jenë korrekte.
Ky është mesazhi i vërtetuar kur’anor, që i urdhëroi burrat t’i kontrollojnë ndjenjat e tyre, të mos i përgjigjen çdo ftohjeje apo urrejtjeje të cilën e ndjejnë ndaj grave të veta, por duhet logjikisht t’i shohin gjërat dhe të vendosin një baraspeshë ndërmjet interesave dhe dëmeve, t’i krahason të tashmen dhe të ardhshmen, sepse pas marrjes së vendimit të shpejtë, në rastin konkret qëndron pendimi. I Madhërishmi thotë: “Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni”. (En-Nisa: 19)
Nëse ky urdhër sipas tekstit u drejtohet burrave, duhet ditur se sipas kuptimit të tij real po ashtu u drejtohet edhe grave. Gruaja duhet të jetë durimtare ndaj burrit të vet, t’i bëjë ballë ashpërsisë së tij si dhe shprehive e vetive që i ka kultivuar që nga fëmijëria dhe nuk është lehtë t’i ndryshojë. Kush bën diçka në rini, e ka edhe në pleqëri.
Për këtë arsye, meqë ajo e ka pranuar atë si bashkëshort, atëherë duhet të bëjë durim sa të mundet dhe le të mundohet çdonjëri prej tyre të heq dorë nga disa veti dhe shprehi të palakmueshme të veta. Le të takohen në mes të rrugës. Ai i cili dëshiron më tepër të ketë bashkëshortësi të qëndrueshme, duhet të jetë më i durueshëm dhe më i butë. Kur gjendet butësia zbukurohen gjërat, e kur eliminohet nga gjërat, i shëmton ato.
Nuk ka bar magjik për kapërcimin e këtyre problemeve, por ato mund të zbuten me mirëkuptim, butësi, durim, kërkim të ndihmës nga All-llahu dhe falje të namazit, ashtu siç thuhet edhe në Kur’an: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë All-llahu është me durimtarët”. (El-Bekare: 153)
FETVAJA 29
PYETJA: Kujt t’i drejtohet gruaja muslimane që jeton në Perëndim në rast se ka probleme familjare dhe mospajtim me burrin?
PËRGJIGJJA: Parimisht shoqëria muslimane është shoqëri solidare në të gjitha çështjet, meqë muslimanët ia zgjasin dorën njëri-tjetrit, i dobëti i ndihmon të fortit, ai që di e mëson atë që nuk di, i ndihmojnë atij që i është bërë padrejtësi, e ndalojnë nga padrejtësia atë që bën padrejtësi, ashtu siç e theksoi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Ndihmoi vëllait tënd, në qoftëse është tiran apo i bëhet atij tirani”. Njëri nga të pranishmit pyeti: O Pejgamber i All-llahut, e kuptoj t’i ndihmoj kur i shkelet e drejta, po nuk kuptoj si t’i ndihmoj kur ai bën padrejtësi?” Ai tha: “I ndihmon atij nëse e ndalon nga padrejtësia”.11
Në rast të kundërthënieve dhe mospajtimeve të mëdha ndërmjet bashkëshortëve kur assesi nuk mund t’i zgjidhin problemet e tyre personale me mirëkuptim dhe pajtim, shoqëria muslimane është e obliguar të ndërhyjë me caktimin e një gjyqi familjar të përbërë prej dy personave të ditur, autoritativë dhe të aftë për të gjykuar, të cilët duhet të mundohen t’i pajtojnë mes vete po qe se ekziston mundësia, se përndryshe gjykojnë me ndarjen e tyre. Kjo realizohet në mënyrë procedurale siç ndodhte në kohën e shokëve të Pejgamberit, Zoti qoftë i kënaqur me ata.12
All-llahu i Madhërishëm i drejtohet bashkësisë muslimane duke i thënë: “Nëse i frikësohen përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, All-llahu ju mundëson afrimin mes tyre (burrit e gruas)”. (En-Nisa: 35)
Duke patur parasysh se bashkëshortët në rastin në fjalë jetojnë në një shoqëri joislame, prej komuniteteve muslimane të cilat jetojnë në qytete ku prania e tyre është e konsiderueshme, duhet të kërkohet formimi i një këshilli të pajtimit i cili do të përbëhet nga tre muslimanë intelektualë dhe të dallohen me gjykime të shëndosha, karakter të fortë besim të fortë dhe gëzojnë simpati e respekt te njerëzit, si dhe ndonjëri prej tyre të ketë njohuri për parimet e Sheriatit pa skajshmëri dhe liberalizim të tepërt. Problemet në fjalë duhet t’u parashtrohen këtyre që t’i shqyrtojnë dhe të mundohen që sipas mundësive të bëjnë pajtimin dhe përmirësimin e gjendjes së bashkëshortëve, këtij procesi t’i caktojnë kritere dhe me këto të obligohen të dy palët. Të gjithë muslimanët duhet t’i ndihmojnë këtij këshilli që me sukses ta kryeje detyrën e vet, ashtu që të stabilizohet gjendja e komunitetit musliman. Transmetohet se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dora (përkrahja) e All-llahut është me bashkësinë, e shejtani është me atë që i largohet bashkësisë”.13
Nëse edhe pas të gjitha atyre përpjekjeve serioze dhe të sinqerta nuk mund të arrijnë në mirëkuptim dhe pajtimin e tyre, atëherë nuk u mbetet gjë tjetër përpos që t’i porosisin të ndahen në mënyrë korrekte, siç ka urdhëruar All-llahu. Është thënë: Nëse nuk pajtohen, atëherë le të ndahen, megjithëse gjëja e lejuar por më e urrejtur te All-llahu është shkurorëzimi, por në disa raste ai është pashmangshëm.
(Seanca e parë)
FETVAJA 30
PYETJA: A obligohen të marrë pjesë burrat (baballarët) në seminarët shkencorë për zgjidhjen e problemeve të kokëfortësisë së fëmijëve të vegjël?
PËRGJIGJJA: Shikuar nga aspekti i Sheriatit, babai nuk është i obliguar të marrë pjesë në këto seminare të cilat organizohen për zgjidhjen e problemeve të fëmijëve të vegjël, sepse këto seminare nuk kanë të sosur, meqë një herë mbahet një seminar për problemin e kokëfortësisë, një herë tjetër për të folurit e vonshëm, një tjetër për të ecurit e vonshëm e kështu me radhë.
Por, obligim i çdonjërit prej prindërve është që të angazhohen në njohjen e zgjidhjes së problemeve të fëmijëve të vet duke marrë pjesë në një seminar apo në më shumë seminare nëse kanë mundësi për një gjë të tillë, ose këtë ta bënë përmes leximit dhe studimit të lëndës në fjalë, apo përmes dëgjimit të ligjëratave, programeve radio-televizive, përmes marrjes së përvojës nga prindërit e mëparshëm, si dhe të ndihmohen prindërit në mes vete në edukimin e drejtë të fëmijëve. Fëmijët janë amanet mbi supet e të dy prindërve, siç ilustrohet kjo edhe me ajetin: “O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tahrim: 6)
Pejgamberi i All-llahut thotë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush do të pyetet për kopenë e tij… Burri është bari i familjes së tij dhe është përgjegjës për kopenë e tij; edhe gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për kopenë e saj”.14
FETVAJA 31
PYETJA: A lejohet që burri musliman ta ndalojë në mënyrë të prerë gruan e vet perëndimore e cila ka pranuar fenë islame, nga vizita e prindërve të saj të krishterë, ose t’ia lejojë që tejet rrallë t’i vizitojë ata? Po ashtu a pretendon Islami që ai i cili e përqafon atë, ta braktisë familjen dhe farefisin e vet?
PËRGJIGJJA: Nuk lejohet që burri musliman ta ndalojë gruan e tij muslimane nga vizita e prindërve të vet të krishterë, sepse me kalimin e saj në Islam, ajo obligohet t’i respektojë dhe të sillet mirë me ta, madje këtë urdhër Islami i radhiti pas njëshmërisë së All-llahut të Madhërishëm: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve…” (El-Isra: 23)
Kjo, ngase obligimi më i madh i njeriut pas obligimit ndaj All-llahun e Madhërishëm është obligimi ndaj prindërve.
Islami nuk e ka ndaluar njeriun madje as nga mirësia ndaj prindërve idhujtarë, ai nuk ka ndaluar nga kjo po edhe nëse ata orvaten që fëmija i tyre ta braktis Islamin dhe ta përqafojë idhujtarinë dhe mundohen që këtë ta bëjnë me këmbëngulje të cilën Kur’ani e cilësoi si luftë, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (e porositëm) Të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim ndaj tyre…” (Lukman: 14-15)
Pra, All-llahu i Madhërishëm urdhëroi që të mos respektohen prindërit kur thërrasin në idhujtari, por njëkohësisht urdhëroi të respektohen.
Pas Marrëveshjes së Hudejbijes erdhi Esma Binti Ebi Bekër te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe e pyeti: “O Pejgamber i All-llahut, erdhi te unë nëna ime e cila ende është idhujtare, a t’i bëjmë mikpritje? (gjegjësisht të tregojë mirësi ndaj saj dhe t’i japë diçka)”. Pejgamberi tha: “Po, respektoe nënën tënde”.15
Është thënë se në këtë kontekst ka zbritur ajeti kur’anor: “All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë”. (El-Mumtehine: 8)
Islami urdhëroi të lihet testament për prindërit jomuslimanë. Siç shihet qartë prej ajetit kur’anor: “Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu si: është drejtë”. (El-Bekare: 180)
Në të drejtën islame është e qartë se nuk lejohet testamenti për prindërit muslimanë sepse ata janë trashëgues, e për trashëgimtarin nuk ka testament.
Por këtu, për qëllim janë prindërit jomuslimanë dhe të afërmit jomuslimanë, sepse fakti se ata janë jomuslimanë nuk ua anulon të drejtat prindërore; po ashtu, edhe fakti se të afërmit janë jomuslimanë nuk i anulon të drejtat e farefisnisë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “… dhe kinie frikë All-llahun që me emrin e tij përbetoheni. Ruajeni farefisin (akraballëkun)”. (En-Nisa: 1)
Islami miqësinë nga martesa e konsideroi si njërën prej lidhjeve natyrore që i lidhën njerëzit mes vete, ndërkaq lidhja tjetër është farefisi. All-llahu xh.sh. thotë: “Dhe ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi…” (El-Furkan: 54)
Për këtë, kjo lidhje natyrore nuk bën të lihet pasdore e as të shpërfillet; burri duhet të kultivojë marrëdhënie të mira me të afërmit e bashkëshortes së tij, t’i presë me ngrohtësi, t’u bëjë mirë po edhe nëse janë jomuslimanë, sepse me këtë sjellje ua shton simpatinë ndaj Islamit. Islami në botë është përhapur me karakterin shembullor të muslimanëve dhe me sjelljen dhe trajtimin e mirë ndaj të tjerëve.
Muslimanit nuk i lejohet ta ndalojë gruan e vet nga mirësia ndaj prindërve të saj, qofshin muslimanë apo jomuslimanë, por përkundrazi, ai çdoherë duhet ta nxisë atë për një gjë të tillë, të shkojë bashkë me të në vizitë te prindërit e saj dhe t’i ftojë ata ta vizitojnë në shtëpinë e tij. Në këtë mënyrë mund ta forcojmë miqësinë e martesës të cilën e legjitimoi All-llahu. Ata janë gjyshërit dhe gjyshet e fëmijëve të tij, vëllezërit e bashkëshortes së tij janë dajallarët e fëmijëve të tij, dhe ndaj gjithë atyre ka obligime si ndaj të të afërmve dhe farefisit.
Jemi dëshmitarë se sa ndikim të madh në zemrat e njerëzve ka sjellja e mirë, sa e sa njerëz hynë në Islam për shkak të sjelljes korrekte të muslimanëve të sinqertë, po ashtu jemi dëshmitarë edhe të asaj se sjellja dhe morali i keq ndoshta kanë shkaktuar urrejtje ndaj Islamit dhe muslimanëve, mostolerancë ndaj tij dhe vetë pjesëtarëve të tij? Lum për atë që e bën All-llahu çelës të të mirës e ndalues të së keqes, dhe mjer për atë që është çelësi i së keqes dhe pengues i të mirës.
(Seanca e parë)
FETVAJA 32
PYETJA: A lejohet që burri ta ndalojë gruan e tij nga vizita e ndonjë gruaje të caktuar (p.sh. ndonjë krishtere)?
PËRGJIGJJA: Po, është e lejuar që burri ta ndalojë gruan e tij nga vizita e ndonjë gruaje të caktuar, qoftë muslimane apo jomuslimane, nëse frikohet që kjo do t’i shkaktojë ndonjë të keqe apo dëm gruas, fëmijëve apo jetës së tij bashkëshortore!
Burri është mbikëqyrës dhe mbrojtës i familjes, për këtë ai duhet ta mbrojë familjen e vet nga çdo gjë që ia ekspozon atë rrezikut, madje edhe nëse vetëm dyshon në një mundësi të tillë, prej rregullave të miratuara të Sheriatit është edhe ajo se: eliminimi i dëmit ka përparësi ndaj realizimit të dobisë.
Ne në këtë rast preferojmë: Që burri të mos veprojë në mënyrë të pamatur në këto çështje, nuk duhet të dyshojë në raste të padyshimta, ashtu që ta izolojë gruan e tij në mënyrë që t’i ngjasojë burgut, t’ia ndalojë asaj komunikimin me çdo njeri që e njeh, të gjitha këto si rezultat i paragjykimeve dhe paramendimeve të kota. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat…” (El-Huxhurat: 12) Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Ruhuni prej paragjykimeve se ato janë gjërat më të rrejshme”.16
Islami nuk i urdhëron muslimanin dhe muslimanen që t’i ndërprejnë lidhjet e veta me të gjithë njerëzit, jomusliman dhe jomuslimane, e në veçanti me ithtarët e librit.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja: All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë” (El-Mumtehine: 8) Pra, All-llahu nuk na ka ndaluar që t’u bëjmë mirë dhe të mbajmë drejtësi, mirësia është mbi drejtësinë. Me këtë Sheriati e cilësoi raportin më të shenjtë ndërmjet krijesave, gjegjësisht raportin e fëmijëve me prindërit, raporti në fjalë është mirësia.
(Seanca e parë)
Fusnotat:
1 Transmetojnë Buhariu (nr. 258 dhe vende të tjera) dhe Muslimi (nr. 231). Teksti i hadithit është sipas versionit të Muslimit.
2 Transmetojnë Buhariu (nr. 246 dhe vende të tjera) dhe Muslimi (nr. 317). Këtë tekst e transmeton Muslimi.
3 Transmetojnë Buhariu (nr. 69, 5774) dhe Muslimi (nr. 1734) prej hadithit të Enes Ibn Malikut.
4 Transmeton Buhariu (nr. 217, 5777) prej hadithit të Ebu Hurejres.
5 Transmetojnë Buhariu (nr. 2945, 3502, 5046, 5959) dhe Muslimi nr. 2727.
6 Transmetojnë Buhariu (nr. 5672, 5785, 5787, 6110) dhe Muslimi (nr. 47) prej hadithit të Ebu Hurejres.
7 Hadith i mirë (hasen), të cilin e transmetojnë Ahmedi 6/256, Ebu Davudi, (nr. 236), Tirmidhiu (nr. 113) nga hadithi i Aishes dhe Ahmedi 6/377 nga hadithi i Ummi Sulejmes; si dhe Darimiju (nr. 764) nga hadithi i Enes Ibn Malikut.
8 Transmetojnë Buhariu (nr. 585) dhe Muslimi (nr. 442) nga hadithi i Abdull-llah Ibn Omerit.
9 Hadith i vërtetë, transmetojnë Ahmedi (5/72. 426) dhe të tjerët.
10 Transmetojnë Buhariu (nr. 853 dhe vende të tjera) dhe Muslimi (nr. 1829) prej hadithit të Abdull-llah Ibn Omerit.
11 Transmeton Buhariu (Nr. 2312, 6552) prej hadithit të Enes Ibn Malikut.
12 Kjo vërtetohet prej Abdull-llah Ibn Abbasit dhe Muavije Ibn Ebi Sufjanit në kohën e Othmanit. Po ashtu kjo konfirmohet edhe nga fjalët dhe gjykimet e Ali Ibn Ebi Talibit. Këtë e transmeton Abdurrezaku në tefsirin e tij (1) (158-159).
13 Hadith i vërtetë, transmeton Nesaiju (nr. 4020) prej hadithit të Arfexhe El-Esh Xheij.
14 U përmend në fetvanë 26.
15 Transmetojnë Buhariu (nr. 2477) dhe Muslimi (nr. 1003).
16 Transmetuesit e këtij hadithi i përmendëm në fetvanë 19.
|