FETVAJA (1)
PYETJA: Kërkoj prej dijetarëve të respektuar, Zoti i shpërbleftë, të më përgjigjen përkitazi me qëndrimin e muslimanëve në shtetet joislame (Biladu-l-Kufër). Dëshiroj që përgjigjja të jetë e mbështetur në fakte fetare nga Kur’ani, Sunneti dhe mendimet e dijetarëve eminentë, po ashtu përgjigjja të jetë pak më e gjerë. Kjo, sepse unë momentalisht gjendem në Bruksel dhe dëshiroj ta dijë qëndrimin e Sheriatit islam në lidhje me këtë çështje.
PËRGJIGJJA: Gjerë e gjatë është biseduar dhe folur për çështjen e qëndrimit të muslimanëve jashtë shteteve islame, kemi dëgjuar mendime tejet ekstreme ashtu që e obligojnë çdo musliman i cili jeton në këto vende menjëherë të largohet prej tyre, duke u bazuar në një hadith të transmetuar, sipas të cilit Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] largohet nga muslimani që jeton në mesin e idhujtarëve. Ne do ta tregojmë gradën e këtij hadithi dhe domethënien e tij, meqë këto mendime shkaktuan telashe shumë muslimanëve.
Në lidhje me këtë çështje, mendojmë se duhet përgjigjur më gjërësisht edhe atë si vijon: Nuk ka dyshim se nuk i lejohet muslimanit të jetojë në mesin e jomuslimanëve pa identitetin e tyre islam, përpos njeriut të cilit i janë mbyllë rrugët dhe nuk ka rrugëdalje tjetër. Shkak i kësaj është mundësia apo pamundësia e muslimanit që ta mbrojë veten, fenë dhe ata për të cilët është përgjegjës si anëtarët e familjes dhe fëmijët e tij. Nëse gjendet në një mjedis ku i rrezikohet feja, vetvetja dhe fëmijët e tij, ai është i obliguar të largohet prej atij mjedisi dhe të gjejë një vend ku do të mund t’i mbrojë këto që i përmendën. Po ashtu nuk i lejohet të qëndrojë në një mjedis ku i kanoset rreziku i zvetënimit fetar dhe shkatërrimit personal.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Engjëjt që ua morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetëvetes ju thanë: “Në çka ishit ju? - Ata thanë: “Ne ishim të paftë në atë tokë!” (engjëjt) ju thanë: “A nuk ishte e gjërë toka e All-llahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është Xhehennemi dhe sa vend i keq është ai! Përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, grat e fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin, as mënyrë, as rrugë (për shpërngulje). Atyre do t'ua falë All-llahu. All-llahu është që shlyen e falë shumë (gabime). Kush shpërngulet për hir të (të fesë) All-llahut, ai gjen mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si migrues te All-llahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), te All-llahu është mëshirues, mbulon të metat”. (En-Nisa: 97-100)
Ajeti në fjalë e konsideron padrejtësi të njeriut ndaj vetes pranimin e tij që të jetojë i nënçmuar krahas mundësisë që të transferohet në një vend tjetër, ku do t’i gjejë lirinë, sigurinë dhe kushtet më të mira të jetesës. Nga dënimi i cili i pret njerëzit e tillë janë përjashtuar vetëm ata të cilët nuk kanë mundësi të shpërngulen.
Për këtë arsye, shpërngulja është legjitime dhe reale nëse bëhet në një vend ku ekzistojnë mundësi më të mëdha të praktikimit të Islamit, madje kjo shpërngulje është edhe kërkesë e preferuar. Gjithashtu shpërngulja është legjitime prej një vendi në një vend tjetër ku nuk pengohet praktimi i dispozitave fetare.
E këtij lloji është shpërngulja në Abisini e cila u bë me lejen e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e shokëve të vet të dobët në Mekke. Ata u shpërngulën nga shoqërisë së kufrit (mosbesimit) dhe tiranisë, në një shoqëri tjetër joislame, por e cila ishte e drejtë, i strehoi, i mbrojti dhe qëndruan në mesin e një populli krishter. Nuk ishin muslimanë, por kaluan mirë me ata, e mbrojtën fenë, veten dhe familjen e vet. Qëndruan në mesin e tyre derisa e forcoi All-llahu Pejgamberin e Tij dhe e bëri të dominojë mbi mosbesimtarët. Kur e panë se Shteti Islam u stabilizua, u kthyen me vullnetin e tyre e jo me imponimin e Pejgamberit të All-llahut.
Pra, në konsideratë merret mundësia e praktimit të fesë, përmbajtja e rregullave fetare dhe mbrojtja e njeriut nga padrejtësia dhe dëmtimet. Për këtë arsye, nëse qëndrimi në një vend ndihmon në këtë drejtim, nuk është larg mendjes që shtetet joislame të krahasohen me migruesit e Etiopisë. Nëse qëndrimi i muslimanit në një vend e dëmton fetarisht, atëherë obligohet shpërngulja e tij prej atij vendi në një vend tjetër ku do të ketë mundësi ta mbrojë fenë, veten dhe familjen e tij.
Ndërkaq hadithi, për të cilin janë kapur ekstremistët, gjegjësisht hadithi i Xherir Ibn Abdull-llah El-Bexhelijut i cili thotë: “Pejgamberi i All-llahut dërgoi një ekspeditë ushtarake te fisi Hath’am. Disa prej tyre ranë në sexhde, e ata shpejt e shpejt i vranë. Tha: “Për këtë gjë mori vesh Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe urdhëroi t’u paguhet gjysma e gjakut dhe tha: Unë largohem nga çdo musliman i cili qëndron në mesin e idhujtarëve”. Ata i thanë: “E pse o Pejgamber i All-llahut? Tha: Nuk dallohen prej tjerëve”. Ky hadith nuk është autentik,1 por edhe nëse vërtetohet autenticiteti i tij, shkaku i përmendjes së hadithit në fjalë e sqaron domethënien e tij. Shkaku i përmendjes së këtij hadithi është se disa njerëz që e përqafuan Islamin vazhduan të jetojnë me popullin e tyre idhujtar e nuk u shpërngulën në ndonjë vend islam. Kjo shkaktoi që gjatë përleshjeve ndërmjet muslimanëve dhe mosbesimtarëve në fjalë, të mos mund të dallohen muslimanët nga popullata tjetër idhujtare. Kështu, gjatë betejës ata vriteshin nga muslimanët, sepse nuk i njihnin dhe nuk kishin ndonjë shenjë dalluese. Largimi nga ata është bërë nga aspekti se sikur t’i vritnin ata, muslimanët do të mbanin përgjegjësi. Por, kjo domethënie sot nuk është e pranishme, për këtë arsye, shpjegimi i hadithit në frymën moderne është po ashtu i pakuptimtë, ndërkaq marrja e disa njerëzve vetëm me një fragment nga hadithi, domethënë jo të plotë hadithin dhe shkakun e përmendjes së tij, është njëri nga shkaqet më të mëdha të çformimit të kuptimit valid. E lusim All-llahun që të na udhëzojë neve dhe vëllezërit tanë në të drejtën dhe të vërtetën.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (2)
PYETJA:U drejtohem anëtarëve të Akademisë që t’i qasen në mënyrë analitike ndriçimit të çështjes së palës së shpëtuar (Firka Naxhije) të përmendur në hadithin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. E them këtë, për shkak se muslimanët këtu gjenden para sfidës së thirrjes së disa njerëzve se ata janë pala e shpëtuar ndërkaq muslimanët tjerë janë të humbur. Kjo dukuri negative është përhapur me të madhe, e besoj se deklarata e Akademisë lidhur me këtë çështje ka vlerën dhe peshën e vet.
PËRGJIGJJA: Këtu konsistohet në hadithin e Muavije Ibn Ebi Sufjanit se Pejgamberi i All-llahut ka thënë: “Ithtarët e librit në fenë e vete u ndanë në 72 fraksione, ndërkaq ky Ummet do të ndahet në 73 fraksione, të gjitha do të jenë në zjarr pos një grupi. Ai grup është bashkësia”.2
Ky hadith gjithashtu transmetohet edhe nga sahabë të tjerë. Në pjesën më të madhe të transmetimeve, në vend të fjalës milet – fe përmendet fjala firkatun – grup, e po ashtu në disa transmetime as që përmendet (të gjitha do të jenë në zjarr me përjashtim të njërit). Sa i përket hadithologëve ata nuk janë në pajtim lidhur me autenticitetin e hadithit në fjalë. Ndërkaq, përgjigjja jonë, në pajtim me ata që e konsiderojnë autentik, është si vijon:
Hadithi e ka përmendur ndarjen në grupet e përmendura por nuk ka përcaktuar asnjë grup prej tyre dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të gjitha këto grupe i konsideroi prej Ummetit të vet. Me këtë, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] sikur pati për qëllim t’ua tërheq vërejtjen muslimanëve mos përçahen pas tij dhe urdhëroi që të jenë unikë, për këtë shkak edhe u theksua kërcënimi (të gjithë janë në zjarr). Por, përmendja e dënimit me zjarr për një vepër jo të shëndoshë që e kryen muslimani nuk qëndron në amshueshmërinë e dënimit siç vlen kjo për jobesimtarët. Ata do të hyjnë në zjarr sikur që hyjnë besimtarët mëkatarë. Për ata ka gjasa të ndërmjetësojë ndonjëri prej pejgamberët, melekët apo ndonjë besimtar. Gjithashtu, ata ndoshta mund të kenë bërë vepra të mira shlyerëse, sprova dhe vështirësi eliminuese të cilat do t’ua largojnë dënimin, po ashtu ekziston mundësia që All-llahu t’ua falë atyre me mirësinë dhe mëshirën e Tij, sidomos nëse kanë dhënë mund në njohjen e të vërtetës, por nuk ia kanë qëlluar dhe e kanë gabuar rrugën. All-llahu i Madhërishëm ia ka falur këtij Ummeti (populli) gabimin, harresën dhe atë që e ka bërë nën presion.
Jemi të obliguar që ta kemi parasysh se nuk duhet t’ia mveshim dënimin me zjarr një grupi të caktuar të muslimanëve, sepse hadithi nuk e ka përcaktuar në mënyrë të prerë përmendjen e këtij apo atij grupi. Po ashtu sikur që nuk lejohet të përcaktohet një grup se janë xhehennemlij, gjithashtu nuk lejohet të përcaktohet një grup i veçantë se janë të shpëtuar në Ditën e Gjykimit.
Muslimanët duhet të mundohen që duke iu larguar shkaqeve të përçarjes dhe polemizimit, të jenë vëllezër ashtu siç i ka urdhëruar All-llahu dhe Pejgamberi i Tij, të synojnë që ta qëllojnë të vërtetën në fe në pajtim me Kur’anin dhe Sunnetin dhe t’i këshillojnë muslimanët.
Askujt nuk i lejohet ta përdorë këtë hadith që të nxitë probleme midis muslimanëve, sepse ajetet kur’anore dhe hadithet janë të qarta dhe decide në domosdoshmërinë e dashurisë ndaj muslimanëve dhe sinqeritetit në këshillimin e tyre. Për këtë arsye, nuk lejohet të lihet kjo çështje decide islame dhe të kapemi për kuptime të gabuara në komentimin e këtij hadithi.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te All-llahu, vepron (punë) të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussilet: 33)
(Seanca e dytë)
FETVAJA (3)
PYETJA:Unë jam një i ri musliman që erdha në Gjermani dhe ku iu përmbahesha rregullave islame. Kështu vazhdova disa vjet, por pastaj rrëshqita shumë keq, zura një dashnore, fjeta me të disa herë, devijova aq tepër saqëfillova të pijë alkool i cili është haram.
Prej fillimit të muajit të Ramazanit, me plot vendosmëri e përtëriva pendimin, Zoti më ndihmoi në këtë, kështu që tani falem dhe agjëroj dhe e lus All-llahun e Madhërishëm që ky pendim të jetë i sinqertë.
Pas këtij pendimi dëshiroj ta pastroj veten prej këtij mëkati dhe kam për qëllim sikur të kishte pasur ndonjë halif e të ma ekzekutojë dënimin e paraparë, ashtu që ta shpaguajë veten dhe ta pastroj zemrën.
Por, mua më bren dhe më shqetëson më tepër ajo që jam marrë disa herë me radhë me prostitucion. Për këtë arsye ju pyes se çka duhet të bëjë një njeri sikur unë që ta pastroj veten?
PËRGJIGJJA: Ne të urojmë ty për këtë shpirtdëlirësi dhe pendim të sinqertë, e kjo Insha’All-llah mjafton që të pastrohesh nga gjurmët e mëkatit dhe mundohu që asnjëherë më të mos kthehesh në të, All-llahu të ndihmoftë. Sa i përket zbatimit të dënimit, ai nuk është i domosdoshëm për ty, por mjafton që të mbulohesh me atë që të ka mbuluar All-llahu dhe mos e publiko këtë mëkat, duke i patur parasysh çdoherë pendimin dhe veprat e mira.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (4)
PYETJA: Njërin prej atyre që e përqafoi Islamin prej Bolonje, një ateist i fëlliqur e pyeti për dënimin e renegatit nga feja e All-llahut, si ti përgjigjet? Ndërkaq ai e komenton vrasjen se është uzurpim i lirisë së besimit.
PËRGJIGJJA: Çështja e vrasjes së renegatit është në kompetenca të shtetit, kështu që vlerësimi i saj i kthehet qeverisë islame. Kjo çështje nuk u takon institucioneve, shoqatave dhe qendrave islame. Disa prej Selefit (gjeneratës së parë) dhe Imamëve mendojnë se nuk vritet çdo renegat. Por, sipas tyre, vritet ai që e shpreh haptazi këtë, që thirrë në mbrapshti apo publikon ofendimin e All-llahut, Pejgamberit dhe besimtarëve. Vrasja e tij bëhet për shkak të mbrojtjes së fesë dhe shoqërisë nga trazirat e tij, e kjo nuk është uzurpim i lirive për shkak se vepra e tij është sulm mbi të drejtat e tjetrit. Interesat e shtetit dhe shoqërisë kanë përparësi ndaj interesit individual. Kjo çështje në të vërtetë është e ngjashme me atë që në ligjet bashkëkohore quhet tradhtia e madhe, për shkak të dëmit të përgjithshëm që shkakton kjo.
(Seanca e dytë)
FETVAJA (5)
PYETJA:A obligohet muslimani apo muslimanja e (i) re (ri) që të ndjekin një medh’heb (shkollë juridike) të caktuar prej medh’hebeve të njohura të Fikhut Hanefij, Malikij, Shafij apo Hanbelij? Nëse kjo është e domosdoshme, atëherë a i lejohet atij ose asaj që ta zgjedhë cilindo medh’heb të dëshirojë? E çka thoni për medh’hebin e gruas, a obligohet ta ndjekë medh’hebin e burrit me rastin e martesës?
PËRGJIGJJA: Ndjekja e njërit prej katër medh’hebeve të mëdha ose e ndonjë medh’hebi tjetër përpos këtyre, nuk është e patjetërsueshme e as që është e domosdoshme në aspektin e Sheriatit, sepse është e domosdoshme vetëm ajo që na e ka obliguar All-llahu i Madhërishëm dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ndërkaq as All-llahu e as Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk e kanë obliguar pasimin e Ebu Hanifes, Malikut apo të tjerëve, por e obliguan pasimin e Kur’anit dhe Sunnetit, sepse këto janë dy burimet e përkryera të cilat nuk çojnë në humbje dhe nuk gabojnë, e pas kësaj, çdokujt i merret dhe i lihet mendimi.
Është vërtetuar se vetë këta dijetarë në të cilët thirren, e kanë ndaluar imitimin e tyre. Po ashtu është e ditur mirë te dijetarët: se eksperti (Amij) nuk ka medh’heb, por medh’hebi i tij është medh’hebi i atij që i përgjigjet.
El-Amij-i (joeksperti) është ai i cili nuk ka aftësi t’i analizojë argumentet e dispozitave ligjore, të bëjë krahasimin midis tyre, të dijë cili është argument i fortë e cili i dobët etj. Ky person nuk ka medh’heb të caktuar, sepse zgjedhja e një medh’hebi nënkupton përparimin e metodologjisë së tij ndaj metodologjisë së të tjerëve, ndërkaq këtë mund ta bëjë vetëm dijetari i formuar i cili ka arritur gradën e analizimit dhe zgjedhjes. Ndërkaq njerëzit tjerë pos këtij janë njerëz të zakonshëm (amij) për të cilin thonë: Medh’hebi i tij është ai medh’heb të cilin ia paraqet dijetari që u përgjigjet pyetjeve të tij. Kështu sa herë që atij i paraqitet një problem lidhur me të cilin nuk e di qëndrimin e Sheriatit, e pyet cilindo dijetar islam autoritativ, dhe ky i përgjigjet sipas mendimit të vet të mbështetur nëse është ekspert, apo në pajtim me medh’hebin e vet nëse pason një medh’heb të caktuar. Në këtë rast pyetësi duhet ta miratojë përgjigjen e tij dhe ta pasojë në atë që është përgjigjur, sikur që thekson ajeti kur’anor: “… Pyetni ata që dinë nëse nuk dini”. (En-Nahl: 43) Gjithashtu Pejgamberi i ndershëm për disa njerëz thotë: “Sikur të pyetnin pasi nuk dinë, sepse shërimi i paditurisë është pyetja”.3
Nëse një musliman joekspert i sheriatit jeton në një vend ku të gjithë dijetarët e atij vendi e ndjekin një medh’heb të caktuar, nuk ka ndonjë pengesë që ai ta ndjekë medh’hebin dominues në vendin e tij, sepse ai në të vërtetë i ndjek dijetarët e vendit të vet të cilët pasojnë një medh’heb të caktuar.
Por, ai nuk duhet të jetë ekstrem në medh’hebin e vet, nuk duhet t’i zhvlerësojë medh’hebet tjera. Po qe se ai bindet në dobësinë e medh’hebit të tij dhe mosmbështetjen e argumenteve të tij lidhur me ndonjë çështje dhe njëkohësisht bindet në mbështetjen e një medh’hebi tjetër, ai duhet ta len medh’hebin e tij në këtë çështje dhe ta pasojë medh’hebin që ka argumente të forta. Muslimani i vërtetë është peng i argumentit dhe e pason atë kudo që të jetë.
Transmetohet prej Ebu Hanifes se ka thënë: “Ky është mendimi ynë, kush jep një mendim më të mirë se ky ne do ta pranojmë”. Imam Maliku ka thënë: “Çdo njeriu përpos atij që pushon në këtë varr (dhe bëri me shenjë kah varri i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]), i merren dhe i refuzohen mendimet”. Imam Shafiju thotë: “Nëse hasni në hadith të vërtetë veproni sipas tij, ndërkaq fjalën time hedhne pas shpine (hedhne për muri)”.
Çdo musliman është i lirë në zgjedhjen e medh’hebit të cilin e konsideron më të qëlluar dhe më të përshtatshëm. Nuk është e domosdoshme që djali ta ndjek babain e tij, apo gruaja ta ndjek burrin e saj në medh’hebin e tij.
Më të arsyeshme dhe më të përshtatshme për muslimanët e rinj e shohim që mos të ndjekin një medh’heb të caktuar, sepse një e tillë mund t’u ngushtojë atyre shumë gjëra që ua ka lejuar All-llahu. Nuk ka arsye pse t’ua imponojmë atyre një medh’heb të ngushtë, meqë atyre u mjafton që kanë hyrë në Islamin kozmopolit me faktet dhe qëllimet e tij. Atyre mund t’ua ngushtojë fushën e veprimit një medh’heb e t’ua zgjerojë një tjetër, t’ua vështirësojë disa punë një medh’heb, e t’ua lehtësojë një tjetër. Ne jemi të urdhëruar të lehtësojmë e jo të rëndojmë, të përgëzojmë e jo të largojmë, sidomos kur janë në pyetje ata që janë të ri në fenë e All-llahut. Në fund, muslimani dhe muslimanja e re nuk obligohen të ndjekin një medh’heb të caktuar, nëse për ndonjë shkak e ndjek një medh’heb, gruaja nuk është e obliguar ta ndjek medh’hebin e burrit të saj.
(Seanca e parë)
FETVAJA (6)
PYETJA: Nëse një grua e cila ka hyrë në Islam ndjen vështirësi dhe ngushti nga vënia e shamisë (mbulesës fetare), a do ta obligojmë me këtë në formë kategorike, edhe nëse kjo në fund sjell që ajo përfundimisht të largohet nga Islami?
PËRGJIGJJA: Ne duhet ta bindim muslimanen se mbulimi i kokës është obligim fetar, të cilin e urdhëroi All-llahu dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e për këtë është i një mendimi i tërë Ummeti Islam. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre…” (En-Nur: 31) Po ashtu thotë: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vejnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen e të mos ofendohen…” (El-Ahzab: 59) All-llahu i Madhërishëm ia ka obliguar këtë përmbajtje dhe mbulim muslimanes me qëllim që të dallohet nga jomuslimanja dhe nga jofetarja, thjesht vetë veshja e saj lë përshtypjen se ajo është grua serioze dhe e vendosur, e nuk është mjet për zbavitje dhe aventuriste. Ajo nuk ofendon me fjalët dhe veprimet e veta, si dhe për të nuk mendon ai që në zemër është i sëmurë.
Ne duhet që atë ta rrethojmë me motrat e saj të devotshme muslimane, ashtu që ato t’i marrë shembull. Gjithashtu ndaj saj duhet të sillemi me butësi e jo me ashpërsi, sepse All-llahu me butësi e realizon atë që nuk e realizon me ashpërsi.
Edhe pse vënia e shamisë, apo mbulimi i kokës, apo siç quhet sot, mbulesës, është farz (detyrë e domosdoshme fetare) për muslimanen, përsëri mbetet prej çështjeve të dorës së dytë (Fer’un) të fesë, për atë, nëse qëndrimi i ashpër kategorik në këtë çështje dhe vrazhdësia ndaj femrës do ta largoni atë krejtësisht nga feja dhe do të ndikojnë që ajo ta braktisë fenë, nuk është në pajtim me Sheriatin që të humbim një bazë për një çështje dytësore, e çka mund të themi kur është në pyetje themeli i gjithë themeleve, Islami?
Filozofia e standardizimit të dukurive na imponon shuarjen për këtë vepër të shëmtuar, nga frika se mos ndodh ndonjë e keqe më e madhe se kjo. Ky parim është i njohur dhe i miratuar në Sheriat.
Por, edhe përkundër shuarjes sonë ndaj kësaj të keqeje, ne nuk jemi pesimistë në kthimin e kësaj muslimane në rrugën e drejtë, duke e lutur All-llahun që ta udhëzojë dhe t’ia falë, dhe duke patur sjellje të mirë me atë, e në veçanti kur dihet se ky mëkat edhe pse është haram (i ndaluar), pa dyshim është prej mëkateve të vogla e jo prej atyre të mëdha. Kjo, ngase mëkat i madh në këtë rast është prostitucioni (zinaja), ndërkaq të gjitha këto ndalesa tjera janë rrugë drejt mëkateve të mëdha. Për mëkatet e vogla ekziston fleksibiliteti i cili nuk ekziston për mëkatet e mëdha, sikur që thotë edhe All-llahu i Madhërishëm: “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalura, ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”. (En-Nisa: 31)
(Seanca e parë)
Fusnotat:
1 E kanë regjistruar Ebu Davudi (Nr. 2645) Tirmidhiju (nr. 1604) nga transmetimi i Ikajs Ibn Ebi Hazimit, nga Xherir Ibn Abdurrahu. Buhariu, sipas asaj që e përcolli prej tij dhe u pajtua me të Tirmidhiju, thotë se më e vërtetë për këtë hadith është se ky është Mursez i cili është prej llojit të haditheve të dobëta. Po ashtu mangësi i gjeti edhe Ebu Hatim Er-Razi. Shih librin “Ilelu-l-Hadith” nr. 942.
2 Transmetojnë Ahmedi 4/102 dhe Ebu Davudi: Nr. 4597.
3 Hadith hasen (i mirë), transmetojnë: Ebu Davudi nr. 536, 337, dhe Ibn Mxhe nr. 572 dhe tjerë.
|